ALMA LAMA*): GARË PËR DIALOG ME SERBINË!

Prishtinë, 15. 07. 2014 – Dikush mund të picërrojë sytë nga habia, dikujt mund t’i duket se është në ëndërr, dikush mund të mos e besojë, të tjerë të hidhen përpjetë me kundërshtimin në majë të gjuhës, por faktet janë kryeneçe. Dialogu me Serbinë është shndërruar në një garë. Jo nga ato të vrapimit me rregulla në fushë, e me sprinterë profesionistë, por nga ato të trokitjes në dyert e ambasadave me kokën në torbë, me jargë që shkojnë teposhtë, me ngulje thikash pas shpinës së tjetrit, me lutje përgjërime apo me premtime e rrahagjokseje të tipit: “unë mund ta bëj dialogun” apo “vetëm unë mund të bëj marrëveshje” apo “ma besoni mua pushtetin, se këtë temë kurrsesi se vëmë në diskutim” apo “edhe ne nuk jemi kundër dialogut, ama duam ta drejtojmë vetë se të tjerët nuk dinë.”
Po, kokulur dalin, të “bindur” se dialogu me Serbinë është e vetmja mënyrë për të mbërritur deri tek ai posti që po vezullon atje; te ajo karrigeja për të cilën ia vlen barra qiranë të përjargesh; apo të shkelësh mbi interesat e vendit tënd; tek apo pozita që do ta mjelësh si lopën qumështore, ditë përditë, mëngjes e darkë.
Dialogu pra, kjo patate e nxehtë të cilën nuk do dëshironte ta mbante askush në dorë e që kur kritikoheshin nga opinioni publik justifikoheshin se nuk ishte dëshirë e tyre për t’u ulur me Daçiça e Nikoliça, por ishte imponim i Bashkësisë Ndërkombëtare këto ditë të pazareve politike është shndërruar në një mollë sherri, si në mitologjinë greke ku tre perëndeshat luftojnë për ta marrë dhe për këtë i bëjnë lloj-lloj premtimesh Paridit.

Transformimi i “patriotëve” të Kosovës!

Ndryshimi është se në këtë mollë nuk shkruan “për më të bukurën” si në tregimin mitologjik, por shkruan “Kompromise të dhimbshme në kurriz të Kosovës.”
Një transformim të tillë të “patriotëve” të Kosovës që udhëheqin politikën nuk ma kish marrë mendja se do ndodhë kaq shpejt. I harruan krimet e Serbisë, të zhdukurit, viktimat, gjenocidin, dhunën, obstruksionizmin e saj në veri që vazhdon sot e kësaj dite. E ndryshuan retorikën për to, u zbutën e bënë lepuj, pa përjashtim.
Ato shqelmat që dikush po mundohet t’i qesë ndaj dialogut janë pallavrat e radhës për t’iu hedhur hi syve votuesve. Në të vërtetë qëllimi është pushteti, pushteti me çdo kusht, ose më mirë pushteti pa asnjë kusht. E bukura e kësaj: maskat po bien.
Ata që e patën në dorë dialogun deri tani, duket se kanë qenë një hap më përpara, e kanë nuhatur pushtetin disa vite më herët dhe për këtë e bënë kurrizin urë përpara ambasadave në Prishtinë, duke dhënë premtime se do ta lakojnë edhe me shumë në tryezat me Dacicin e …vicat e tjerë, edhe pse këto premtime nuk ua kërkonte njeri.
Dhe ashtu ndodhi. Shikoni çfarë kemi në terren. Krijimin e një monstrumi në urën e Mitrovicës, që quhet “Park i Paqes”. Ndryshime është se kjo barrikadë me emërtim eufemik, tani nuk u vendos nga struktura ilegale, siç ishte vendosur barrikada e mëparshme, por tani u vendos hiç më pak se nga kryetari i Mitrovicës në veri, apo të Veriut zyrtarisht.
E kjo pra nuk është gjë tjetër veçse produkt i dialogut qorr me Serbinë, ku ndërkombëtarët të kanë futur për të zgjidhur mosmarrëveshjet e jo për të pranuar gjithçka që kërkon Beogradi.
Personalisht e kam thënë shpesh nëpër shkrime, por edhe në Kuvendin e Kosovës, më mirë 10 vjet bisedime, se një ditë luftë dhe se dialogun si proces për zgjidhjen e konflikteve e kam mbështetur prej fillimit; ama asnjëherë nuk do të mbështes dialogun qorr, që shkon kundër interesave të vendit tënd, vetëm e vetëm sepse disa e duan pushtetin aq shumë sa jargaviten për të hyrë në këtë proces, pa pasur as përgjegjësinë më të vogël për vendimet që marrin.
Ta zëmë cila është platforma e subjekteve politike për këtë proces, a kanë zhvilluar ato ndonjë ide, a kanë krijuar grupe punuese për këtë çështje, a kanë thirrur ekspertë për t’u përballur me Serbinë, e cila për hir të së vërtetës në vazhdimësi janë shumë kreativë dhe po i arrijnë ato që dëshirojnë. Deri tani kemi parë se si Qeveria i shpenzonte paratë për të argëtuar zyrtarët që të bredhin me avionë e jo për të angazhuar ekspertë.
Për mua është e papranueshme që të pritet që punët të na i bëjnë amerikanët apo zyrtarët evropianë. Ata e kanë ndihmuar shumë Kosovën në të gjitha proceset deri tani. Tani duan paqe në rajon, nuk duan më kokëçarje me Serbinë, duan ta rehatojnë njëherë e mirë këtë konflikt shekullor. Dhe me të drejtë. Ama Kosova është çliruar prej 15 vjetësh, ka marrë pjesë në disa procese negociatash dhe ende se ka mësuar ABC-në e këtij procesi: mos prano gjithçka që të thonë, mos u dorëzo para presioneve, mos tejkalo vijën e kuqe që është funksionimi i shtetit.
A pak iu duket shumica e dyfishtë në Kuvend, ose më saktë e drejta e vetos që kanë komunitetet pakicë në Kuvend, e cila u dëshmua si bllokuese për interesat vitale të Kosovës, siç është rasti i krijimit të ushtrisë?!
E pra kjo e drejtë e vetos i është dhënë komuniteteve pakicë në një marrëveshje ndërkombëtare (pakoja e Ahtisarit) dhe duhet një tjetër marrëveshje ndërkombëtare për ta ndryshuar. E dimë të gjithë se kjo është praktikisht e pamundur.
Edhe marrëveshjet që po arrihen në dialogun me Serbinë, janë marrëveshje ndërkombëtare dhe sa kohë që të ketë një rend ndërkombëtar, ato vlejnë, veç nëse shkojmë në kaos. Prandaj, është kaq me rëndësi që dialogu me Serbinë të mos jetë një garë për të marrë pushtetin, por të shihet si një proces me interes kombëtar, ku të gjitha partitë, ku të gjithë politikanët të flasin me një zë e të veprojnë si një trup i vetëm. Veç për kujtesë, çdo shtet normal i mbron deri në fund interesat e veta.
Këtë “pragmatizëm” në raport me dialogun, që i ka përfshirë të gjitha partitë politikë, e shoh po kaq të dëmshëm sa pragmatizmin elektoral, i cili po çon përditë e më shumë në flirtimin me fundamentalizmin islamik, siç ndodhi edhe në zgjedhjet e fundit.
*) Autorja është deputete nga radhët e LDK-së. Qëndrimet janë personale.

………………………………………………………….

(Ilustrimi është i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura