ARBAN BISLIMI: VDEKJA PËR LIRI MË E BUKUR SE JETA NËN ROBËRI!

Pashtriku.org, 28. 03. 2013- (24 vjet nga rënia heroike e dëshmorit Ismet Krasniqi) – Para 24 vjetësh, pikërisht më 27 mars 1989, në demonstratat më të përgjakshme të organizuara ndonjëherë në Kosovë kundër okupimit nga Serbia, afër Xhamisë së Llapit në Prishtinë, ra dëshmor, për të mos vdekur kurrë, Ismet Krasniqi, i cili sikurse në demonstratat e vitit 1981, edhe ato që pasuan më vonë, ishte ndër organizatorët e tyre, sidomos ishte organizator i demonstratave që organizoheshin në Kodrën e Trimave (ish-Vranjevc), ku ato ishin më masivet në qytetin e Prishtinës, me ç’rast së bashku me të rinjtë e ilegales ishin bërë beden për forcat fashiste serbe. Edhe pjesëmarrja dhe bashkë-organizimi i demonstratave nëpër qytete tjera të Kosovës, si në Besianë (sh-Podujevë), Ferizaj, Skenderaj etj., vetëm sa e çelikosën edhe më shumë shpirtin e tij dhe të dëshmorëve tjerë liridashës se rruga e vetme për çlirim është kryengritja deri në flijim.
Pra, sot u mbushën plotë 24 vjet, kur u shua një jetë, një jetë në përpjekje të gjetjes së lirisë së popullit shqiptar në Kosovë, u vra përpjekja për mëvetësi të shoqërisë shqiptare, si një shoqëri që nuk kishte asgjë të përbashkët me atë shtet të krijuar nga popujt sllavë, të quajtur jugosllavi e që ishte frytë i politikës hegjemoniste të Serbisë për krijimin e Serbisë së madhe e, që, Kosova kishte përfunduar si pjesë e saj pas pushtimit që iu bë nga kjo e fundit në vitin 1912.

Demonstratat e vitit 1989 nuk ishin asgjë tjetër veçse vazhdimësi e atyre përpjekjeve dhe demonstratave të vitit 1981, 1982, vit në të cilin edhe kishte qenë i burgosur dhe jo të vetmen herë, për një kohë dëshmori i kombit, e po ashtu edhe e përpjekjeve të mëhershme të popullit shqiptar e, që, shkrimtari i madh Rexhep Qosja i quan si “përpjekje për de-jugosllavizimin e mendimit shqiptar në kuadër të ish-Jugosllavisë”.
Në demonstratat e 27 dhe 28 marsit 1989, në Kosovë ranë dëshmorë 28 demonstrues shqiptarë, si dhe u plagosën e u arrestuan qindra të rinj. Ndërsa vetëm në Prishtinë në fushën e nderit ranë dëshmorë Ismet Krasniqi, Vetim Shala, Sevdat Xhafolli, Shukrije Obërtinca dhe Mustafë Veselaj.
Në gjithë këto përpjekje të shqiptarëve për liri, shteti racist serb përmes mekanizmit të organeve të ndjekjes dhe gjithë strukturës së saj të sigurisë dhe shërbimit sekret, ku nuk mungonin as postarët shqipfolës, do të ndërmerrnin masa të egra për shuarjen e këtyre përpjekjeve dhe likuidimit të atyre patriotëve shqiptarë që u prinë dhe mbajtën gjallë shpresën për liri, dhe e ruajtën vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve të mëdha, për ta trasuar sigurt rrugën deri te krijimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimit të vendit.
Dhe në gjithë këtë fushatë të egër të Serbisë gjatë viteve ’80 për shuarjen e këtyre idealeve siç ishin avancimi i situatës politiko-juridike të Kosovës deri në lirinë e plotë të saj, dhe bashkimit me Shqipërinë, përmes të drejtës së popujve për vetëvendosje, ajo do të vrasë vëllezërit Gërvalla, Kadri Zekën, Bajram Bahtirin, Afrim Zhitinë, Nuhi Berishën e Rexhep Malën e shumë e shumë patriotë të tjerë shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe Ismet Krasniqin, të cilët ia kishin vënë vetes për obligim se flijimi për atdhe është më i shtrenjtë sesa jeta nën okupim.
Shteti racist serb, duke i shfrytëzuar të gjitha potencialet dhe mekanizmat e policisë dhe ushtrisë së ish-Jugosllavisë në vitet e ’80, do të bëjë tentim-atentat në përpjekjet e shqiptarëve për liritë dhe të drejtat e tyre të munguara.
Po do të vriten të rinjtë shqiptarë nga shteti serb, do të këputen lulet e rinisë, do t’u pamundësohet përjetimi i ëndrrës së tyre për liri, do t’u pamundësohet ta përjetojnë lirinë e vendit të tyre, por sa herë do të këputet kjo lule, që ishte sinonim i lirisë së Kosovës, do të lindin mijëra të tjera, dhe secila nga këto do të mbajë në krahë të vet emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Siç dihet më 23 mars 1989, Kosovës do t’i suprimohet me dhunë autonomia, liritë dhe të drejtat e kufizuara që ata i gëzonin në bazë të kësaj autonomie. Dhe për Kosovën do të vinte një dekadë aparteidi, dhe shqiptarët e Kosovës do të largoheshin nga çfarëdo sistemi arsimor, shoqëror, kulturor, shëndetësor, do të ndalohej përdorimi i gjuhës shqipe, ata do të përjashtoheshin nga vendet e tyre të punës, do të largoheshin nga institucionet arsimore, do t’u mbylleshin mjetet e informimit, qoftë ai i shkruar apo vizuel.
Gjatë këtyre viteve nën apartheid, dhe nën këto kushte të tmerrshme për mbijetesë, shqiptarët prapë nuk do të dorëzohen para Serbisë, ata megjithatë do të arrijnë të krijojnë një sistem paralel, edhe pse i kufizuar pothuajse vetëm në shtyllën e arsimimit. Gjithashtu shoqëria shqiptare me kalimin nga një sistem njëpartiak në shumëpartiak, do të përqafojë sistemin e vlerave të demokracisë, edhe me shume si një lloj shpërfaqje e vullnetit të tyre se si në të vërtetë, ata dëshirojnë ta modelojnë dhe realizojnë shtetin e tyre, e megjithatë vitet kalonin, e jeta gjithnjë po bëhej më e vështire, dhe të ekspozuar ndaj këtyre rrethanave me mijëra shqiptarë do ta braktisnin Kosovën në kërkim të një jete me të dinjitetshme për qenien Njeri, me të drejtat dhe liritë që Zoti ua kishte dhuruar në momentin që kishin lindur, por që pushtuesi ua kishte privuar këto të drejta të pamohueshme.
Dhe gjithë kjo dekadë e fundshekullit XX, e mijëvjeçarit të dytë, dekadë e apartheidit, gjatë së cilës shqiptarët kishin kaluar nëpër mizore, për ata gati sa ishte krijuar një mendim se po vdiste edhe shpresa për liri dhe dinjitet njerëzor në këtë vend, që ata e patën trashëguar nga të parët e tyre, e që kjo trashëgimi ishte përcjellë për mijëra vjet; dekadë që, për nga rëndësia historike, do të jetë më domethënësja dhe më sublimja në përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe pavarësi nga Serbia dhe ish-Jugosllavia fashiste. Këto përpjekje të popullit shqiptar në këtë dekadë do të rezultojnë me formimin e UÇK-së e cila ia ktheu dinjitetin popullit tonë si dhe bombardimin e ushtrisë serbo-jugosllave dhe formacioneve ushtarake dhe paraushtarake të tyre nga aleanca veri-atlantike, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 24 mars 1999 dhe që do të vazhdojnë për 78 ditë rresht deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës.
Vitet e para të kësaj dekade edhe do të sjellin rezultate në krijimin e njësive guerile të UÇK-së, dhe përpjekjeve të këtyre organizimeve do t’u prijnë dy heronjtë tanë, komandanti legjendar Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti si me të shquarit në këtë veprimtari patriotike dhe rezistuese ndaj pushtuesit serbomadh, dhe që këto përpjekje do të rezultojnë plotësisht të suksesshme, kështu do t’i arrijnë të bashkojnë këto njësi nën një komandë të vetme dhe të koordinuar, gjë që do të rezultojë me konsolidimin e UÇK-së si një organizëm apo trup i vetëm dhe i plotë, deri në çlirimin e plotë të Kosovës.

==============================

KËNGË KUSHTUAR DËSHMORIT ISMET KRASNIQI

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura