ARBANA XHARRA: KTHEJ MEDALJET, Z.BERISHA!

(Prishtinë, 17. 04. 2012) – Ta kritikosh Sali Berishën në Kosovë je etiketuar socialist, antishqiptar, progrek, bile shpeshherë edhe simpatizues i Fatos Nanos në kontekstin prosllav. Është interesant këndvështrimi aq kontrovers nga të dyja anët për Berishën, ajo që është dëgjuar në Shqipëri dhe simpatia aq e madhe nga ana e kosovarëve për të.
     Fitores së Berishës i është gëzuar shumica e kosovarëve. Ardhja e tij në Kosovë u vlerësua si pritje e “Heroit në shtëpinë e tij”. Të gjitha kritikat që dëgjoheshin matanë kufirit shqiptar për të në Kosovë janë komentuar; “socialistët, ia kanë inatin Berishës se është kundër grekëve”, “shyqyr që fitoi Berisha, se ai e do Kosovën”. 
     Ai erdhi në Kosovë për t’u kthyer me plot medalje e nderime, i shpallur hero i gjallë, derisa në të njëjtën kohë në Shqipëri i numëroheshin skandalet e tij antishqiptare. Derisa në Shqipëri pritja e Berishës vlerësohej krejtësisht e pamerituar dhe bile-bile disa analistë atje skenën politike në Kosovë e kanë quajtur “Gjullurdi politike berishiste”. Por, për kosovarët mjaftonin fjalët e mëdha të Berishës për Kosovën, integrimet e përbashkëta euroatlantike…

_____________________________________

PRITJE MADHËSHTORE E „HEROIT TË GJALLË SALI BERISHA“ NË PRIZREN!!!

______________________

SALI BERISHA – NDEROHET ME MEDALJEN „HONORIS CAUSA“ NGA UP-ja!!!

____________________________

     Ndërkohë që zhvillimet e përditshme politike të Berishës, koalicionet, prishjet e pajtimet me socialistët nuk kanë çuar peshë në Kosovë, sepse “Berisha është i vetmi që e do Kosovën”.
     Këndvështrimi naiv politik ndaj një politikani, të cilit votat e socialistëve që (nuk i duan kosovarët), i dhanë presidentin Bamir Topi dhe koalicionin me Ilir Metën, nuk i ka humbur aspak peshën e kredibilitetit Berishës në Kosovë. As iniciativat e Berishës për t’i falur det Greqisë nuk i kanë interesuar Kosovës. Vitin e kaluar mediet greke shkruanin për paktin me ujërat në kufirin shqiptaro-grek, i cili u nënshkrua nga kryeministri Sali Berisha me ish-kryeministrin grek Kostas Karamanlis, por pas reagimeve të ashpra nga opozita dhe shoqëria civile Gjykata Kushtetuese mori vendimin që të mos miratojë paktin e ujërave me Greqinë.
     Ekspertët grekë patën vlerësuar se pjesa e ujërave që do të merrnin nga Shqipëria, ishin më të pasura me gaz natyror dhe me naftë, vendime këto të cilat në Kosovë gjithmonë janë quajtur politika të majtistëve e që në këtë rast nënshkruheshin nga vetë dora e Berishës. Kosovarëve nuk ua zbehu simpatinë ndaj Berishës as vendimi i tij në vitin 1993 kur shkeli embargon e naftës ndaj ish-Jugosllavisë që e kishte vënë OKB-ja në kohën kur Sllobodan Millosheviqi bënte kërdi në Koraci, Bosnjë e Kosovë.
     Në Shqipëri janë botuar edhe pjesë të librit të ish-presidentit malazez Bulatoviq, i cili ka qenë një nga bashkëpunëtorët në krim i Millosheviqit gjatë viteve ’90, i cili jep detaje për marrëveshjet e 15 shtatorit të vitit 1993 që i bëri Sali Berisha, duke i furnizuar ata me naftë. Ish-kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanoviq në një intervistë pat thënë se karburantet që iu kishte ofruar Berisha, “para së gjithash ishte mirëkuptimi, solidariteti dhe gatishmëri që të ndihmoheshin fqinjët të jetojnë në një kohë të vështirë….”. 
     Furnizimi i makinerisë serbe me naftë shqiptare ishte goditje e parë për Kosovën nga Berisha dhe gati njëzet vjet më vonë ky “hero” del se po bashkëpunon me serbët. U mor vesh se para më shumë se një viti është duke bllokuar projektin për ndërtimin e linjës 400-kilovoltëshe të interkonjeksionit, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë. Ky bllokim i këtij projekti nga ana e kryeministrit Berisha, i cili në vazhdimësi është duke i siguruar shtetit të Serbisë monopol në importin e energjisë në Kosovë, pasi që për momentin Kosova të vetmen rrugë për import të energjisë ka fqinjin verior.
     Gazeta “Zeri” nxori në shesh një skandal që ka prekur rëndë kosovarët, nga i cili u mësua se biznesmeni serb Vuk Hamoviq, njëri nga njerëzit më të pasur në Ballkan, i cili operon në këtë biznes, në bashkëpunim me Damir Fazliqin, janë takuar në Vjenë të Austrisë me djalin e kryeministrit, Shkëlzen Berishën. 
     Çfarë politike është duke udhëhequr ky “hero”, i cili para pak ditësh na bëri vëllezër me turqit, dhe i cili kërkoi që kinezishtja të flitet si gjuhë e dytë në Shqipëri. Pas kësaj të fundit, vetëm prokosovare jo.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura