NJAZI THAÇI – KAMPIONI I PUNËSIMEVE FAMILJARE NË KEK!

Gazeta Alo, 9 mars 2020: Korporata Elektroenergjetike e Kosovës (KEK), është një prej punëdhënësve më të mëdhenj në vend. Por, punësimet në KEK janë bërë dhe po vazhdojnë të bëhen në baza partiake, rajonale e familjare si kriter kryesor. Mbi këtë bazë caktohen edhe komisionet për testimin e kandidatëve.

 Përgjegjës kryesorë për këto punësime partiake janë:
– Njazi Thaçi, drejtor menaxhues i KEK-ut;
– Lulzim Zeqiri, sekretari i KEK-ut,
– Isak Kerolli, drejtor operativ i KEK-ut dhe
– Fadil Sejdiu, drejtor i Burimeve Njerëzore në KEK.

Sipas informacioneve të Gazetës Alo, zyrtarët e lartëcekur gjatë vitit 2018 dhe 2019, kanë punësuar disa të afërm të tyre në “Kosova Thëngjill sh. a”. dhe KEK.
Me këtë rast, Faruk Hajrizi, kryesues i Bordit të KEK-ut dhe Izet Ibrahimi, anëtar i Bordit të KEK-ut, që të dytë e kanë punësuar nga një nip të tyre në “Kosova Thëngjill Sh. A”.
Mehdi Pllashniku, anëtar i Bordit, ka punësuar djalin e tij.
Njazi Thaçi dhe Xhafer Gashi kanë punësuar disa familjarë të tyre dhe të gjithë këtyre u kishin dhënë nga një pagë pa qenë në punë fare, vetëm e vetëm që të figuronte që kanë qenë të punësuar më herët para se të merrte vendim bordi që Kosova Thëngjilli të kthehet në KEK.
Përveç punësimeve në ndërmarrjen “Kosova Thëngjill”, udhëheqësit e KEK-ut nuk kanë hezituar që të afërmit e tyre t’i punësojnë edhe në KEK, ndërrmarje që udhëheqet drejtëpërsëdrejti nga ta, duke u rënë kështu në konflikt interesi apo shkelje të ligjit për punësim.
Sekretari i KEK-ut Lulzim Zeqiri ka punësuar dajën e tij Sabri Asllanin në Arkiv të KEK-ut në Drejtori, e në kohën kur ishte punësuar mosha e tij ishte mbi 60-vjeçar.
Punësimet më të mëdha janë kryer nga njeriu i afërt i presidentit të vendit, Hashim Thaçit.
Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi, ka punësuar në KEK disa familjarë të tij të cilët janë si më poshtë:
– Kunatën e tij (gruan e vëllait), Shqipe Qelajn në Prokurim për të manipuluar me tenderë në Drejtorinë e KEK-ut.
– Vëllain e Shqipes, Shqipërim Qelajn.
– Djalin e axhës së tij e ka punësuar në Drejtori – Toskanë.
– Gruan e mikut të tij, Valonit e ka marrë në Burime Njerëzore në vend të Nexhat Shahinit.
***
Sipas informacioneve të Gazetës Alo punësimet në baza partiake e familjare në KEK kanë vazhduar edhe gjatë këtij viti.
Gazeta Alo ka kërkuar nga Zyra për Informim në KEK përgjigje në lidhje me punësimet familjare në këto ndërmarrje, por me gjithë premtimet kjo zyr nuk ka kthyer përgjigje.
‘Punësimet në vitin 2020 janë tepër sekret nga KEK-u dhe komisionet për pranim janë struktura të PDK-së, njerëz të besueshëm në mënyrë që mos të rrjedhin informacionet për punësime familjare dhe partiake’, thotë burimi.

Po ashtu sipas burimit brenda KEK-ut të gjitha këto punësime në KEK organizohen në kontroll të rreptë nga Drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi, si dhe nga drejtori i burimeve njerëzore, Fadil Sejdiut. Këta të dy vendosin pastaj se kush do të punësohet sipas regjistrit partiak që e kanë marrë nga shefat e tyre partiakë.
Njazi Thaçi gjatë kohës sa drejtonte Prokurimin në KEK, jo shumë vite më parë ishte akuzuar për korrupsion. Ai, bashkë me katër zyrtarë të tjerë të KEK-ut, akuzoheshin se i dhanë një tender që vlente miliona Euro dy kompanive (SOLAR&ORTEX URO GROUP dhe Beli COM) përkundër se e dinin se ato kanë paraqitur autorizime të falsifikuara dhe dokumente të tjera relevante të falsifikuara dhe se nuk i kanë plotësuar kriteret për tenderin e KEK-ut.
Por, Thaçi, në janar të vitit të shkuar ishte liruar nga akuzat nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Në të njëjtin rast, akuzoheshin edhe ish-zyrtari prokurimit në KEK, Muhamet Selmani, ish – shefi i OSHP-së, Hysni Hoxha, zyrtari tjetër i prokurorimit Driton Pruthi, dhe Azem Duraku, ish-ekspert shqyrtues në OSHP.
Sipas aktakuzës që EULEX e kishte ngritur në vitin 2016, kompania “SOLAR&ORTEX URO GROUP” kishte ofertuar me dokumente të falsifikuara për një tender në KEK, në vitin 2011. Aty thuhej se e njëjta kompani ishte shpallur fituese e llotit të tretë të tenderit për furnizim me pjesë rezervë për makineri të rënda. Bazuar në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar në KRPP, vlera e përafërt e kontratës tre vjeçare ka qenë 750 mijë euro. Kurse, kompania “BELI Com”, në bazë të njoftimit të publikuar në KRPP, kishte ofertuar 360 mijë euro për furnizim me pjesë për një periudhë prej 3 vjetëve.
Thaçi akuzohej me tri pika të akuzës: veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike, shpërdorim të detyrës zyrtare dhe lidhje të kontratës së dëmshme. /Gazeta Alo/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura