ARBEN HOXHA: KIҪ SINQERITETI NDAJ GJYKATËS SPECIALE!

Prishtinë, 13 tetor 2017: Hashim Thaçi këto ditë, në konferencën për prezantimin e raportit për Perceptimin publik rreth Gjykatës Speciale, të organizuar nga disa organizata joqeveritare në Prishtinë, foli për padrejtësinë që i është bërë Kosovës me themelimin e Gjykatës Speciale. “Nga Bashkësia Ndërkombëtare – tha ai – na u premtua se do të mund të aplikonim për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës, që do të ndodhte shpejt liberalizimi i vizave, që do të kemi mbështetje masive për anëtarësim në UNESCO, se do të themelonim Forcat e Armatosura të Kosovës shpejt dhe se do të kemi njohje të reja. Kosova mbajti fjalën, themeloi Gjykatën. Bashkësia Ndërkombëtare asnjë nga këto premtime nuk i realizoi, përkundrazi Kosovës iu vështirësua rrugëtimi euroatlantik. Kosova u tregua më lojalja, por u ndëshkua më së shumti.”
A kemi të bëjmë me një qëndrim kritik e autokritik të kreut të shtetit të Kosovës?
Nëse po, pas këtij qëndrimi kritik, a do të duhej dhe a do të mund të pritej ndonjë ndërrim i kursit të kreut të shtetit, e për rrjedhojë edhe të institucioneve shtetërore të Kosovës, në lidhje me Gjykatën speciale, apo rikonfigurimin e pozicioneve me akterët vendimmarrës ndërkombëtar karrshi bisedimeve me Beogradin në Bruksel?
Në shikim të parë, fjalët që Hashim Thaçi i tha kundër Gjykatës speciale duket se burojnë nga një ndjenjë faji i tij për një proces që është i drejtuar kundër vetes tonë si komb. Në fjalimin e tij, pos të tjerave ai tha “që ta ruajmë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, pranova që të udhëheq një proces të padrejtë historik ndaj Kosovës, përkundër opinionit masiv politik dhe qytetar ndaj kësaj Gjykate”. Këto fjalë janë arsye e mjaftueshme që presidenti i një vendi demokratik t’i jepte dorëheqje, për shkak se ka hyrë në një proces “të padrejtë historik për Kosovën” dhe “përkundër opinionit masiv politik dhe qytetar ndaj kësaj Gjykate”, pra, edhe duke vepruar në kundërshtim me vullnetin e shumicës së qytetarëve. Nëse nuk pasohet nga dorëheqja, cili është kuptimi i kësaj pendese? Dhe a ka vërtetë pendesë?
Fjalimi i Hashim Thaçit kundër Gjykatës Speciale, në të vërtetë, e përmban të vërtetën për të gënjyer. Saktësia e fjalimi të tij buron nga parimi logjik i identitetit, parim ky që e provon vërtetësinë e saktësisë për ta fshehur vërtetësinë e realitetit. Presidenti ishte i sinqertë, sepse duke folur për arsyet e votimit të Gjykatës Speciale, në një mënyrë, ai foli edhe për mënyrën e politikbërjes së klasës sonë politike dhe të bartësve të institucioneve të shtetit. Prej fjalëve të tij, në rastin e marrjes së vendimit për votimin e Gjykatës Speciale, vërtetohet, diçka jo edhe e panjohur për pjesën dërmuese të opinionit në Kosovë, se mendimet, sjelljet dhe veprimet e klasës sonë politike e të opinionbërësve (radikalisht këtu bën përjashtim Lëvizja Vetëvendosje!) mbizotërueshëm drejtohen nga parimi logjik i identitetit: “Ne jemi interes dhe projekt i SHBA-ve dhe botës. Për këtë arsye bota është identike me veten tonë, vetja jonë është identike me botën, prandaj bota nuk mund të jetë kundër vetës së saj.” Parimi i tillë logjik është në kundërvënie me parimin e çdo lloj teorie politike që pretendon t’i njohë dhe t’i vlersojë drejtë realitetet politike në botë. Mospërputhja e realitetit gjeopolitik me këtë parim naiv të identitetit logjik, e cila buron nga ndjenja e lojalitetit e përmbajtur në mentalitetin patriarkal, saktësinë e përdorë për nevoja të shtirjes efektive të gënjeshtrës drejt strukturave patriarkale, si entitet mbizotërues të realitetit të të menduarit tonë. Në fakt sinqeriteti, si dimensioni i ndjeshmërisë së ndërgjegjes, vihet në funksion të eklipsimit të qëllimit mashtrues të arsyes, për një proces që tashmë ka marrë udhë. Sinqeriteti këtu përdoret si një ftesë për solidaritet në bashkëfajësi, e në këtë mënyrë për mirëmbajtjen e mashtrimit me qëllim të mosdaljes nga kursi i mashtrimit dhe vetëmashtrimit kolektiv në vazhdën e proceseve të bisedimeve midis Kosovës e Serbisë në Bruksel. Kësaj i kontribon edhe protagonizmi zhurmues i OJQ – hartues të raportit për Perceptimin e Gjykatës speciale, si dhe i gazetarëve zhurmues të tipit të Baton Haxhiut.
Pranimi i fajit, si mjet për legjitimimin e kritikës, dhe vetëkritika, jo kundër vetës, por kundër mekanizmave ndërkombëtarë, janë instrumente për legjitimimin moral të aktit të ri të vënies në dispozicion të vetes në Bruksel për koncesione të tjera kundrejt Serbisë. Po të bëhej fjalë për ndjenjë faji, nëse qenka e pamundur dorëheqja, si akt moral, për riparimin e tij, atëherë mundësia tjetër për shlyerjen e tij është aktivizimi i kartës së kushtëzimeve nga ana e Thaçit kundrejt Vuçiçit në bisedimet e Brukselit. E sigurt është që nuk do të ndodhë asnjëra dhe as tjetra. Kriticizmi i zhveshur nga funksioni, është i pa përmbajtje, prandaj edhe i pakuptimtë.
Kanti thotë se njeriu del nga faza e foshnjërisë së tij kur fillon ta përdorë arsyen e tij duke mos e lejuar që atë ta drejtojë një tjetër. Dhe, prandaj, imperativi kategorik i tij “Ki guximin që ta përdorësh arsyen tënde!”. Hashim Thaçi me argumentet e tij e pohon një të vërtetë se për themelimin e Gjykatës speciale, (kështu mund të thuhet edhe për Planin e Atihsarit), klasa jonë politike nuk është udhëhequr duke e përdorur mendjen e vet, e cila është e pamundur të mendojë për diçka, pa e menduar edhe veten në mendim.
Për shkak se nomenklatura shtetërore e politikanëve tanë tash e 18 vite ka zgjedhur të mbetet foshnjë, ajo është përcaktuar që ta përdorë ndjenjën e lojalitetit në marrëdhëniet me të tjerët (“lojaliteti” kjo është “kategoria politike” me të cilën institucionet tona e “ndërtojnë” partneritetin me – siç thonë ata –“miqtë tanë ndërkombëtarë”), e jo nga arsyeje e interesit për rritjen dhe zhvillimin e vetes. Lojaliteti bën që veten ta dorëzosh pa kusht te tjetri, pra tjetrin ta konsiderosh veten tënde. Lojaliteti, në fjalimin e Thaçit nuk konceptohet si alibi për fajësim, përkundrazi. Pse duhet ta ndëshkojmë veten, kur ne jemi treguar lojalë, të ndershëm e besnikë! A nuk është besnikëria virtyti më i lartë moral? Për virtytin moral të besnikërisë njeriu duhet të shpërblehet e jo të ndëshkohet!
Guximi për të përdorur arsyen dhe për t’i shërbyer arsyes tënde, është baza e profilizimit etik, si kur bëhet fjalë për individin ashtu edhe kur bëhet fjalë për shtetin. Guximi i tillë është baza që, në mënyrë të pavarur, ta mendosh veten në botë dhe ta artikulosh vetëpohimin e ekzistencës tënde në te përmes veprimeve që bazohen në arsyen tënde.
Prandaj Kosova nuk “u ndëshkua më së shumti” as nga BE-ja e as nga Amerika, por ajo u vetëpërcaktua për të qenë e ndëshkuar, për të pësuar ndëshkime nga qëndrimet dhe veprimet politike, sepse u përcaktua të mendojë, të sillet dhe të veprojë mbi bazën e kategorisë ndjenjore të “lojaliteti” (foshnjor). Ai që është i gatshëm ta mohojë veten, si mund të pretendoj të jetë subjekt pohues nga tjetri!? Ç’i duhet besnikëria jote tjetrit, nëse ti je i gatshëm ta mohosh veten!? Fëmija që nuk është i gatshëm të rritet, ai herëdokurdo bëhet barrë për veten e tij dhe për prindërit e tij.
Dy mekanizma ndëshkues janë sot që e kanë vënë nën llupën e vrojtimit rriten tonë:
1. Gjykata Speciale ndërkombëtare dhe
2. Prokuroria Speciale e Kosovës.
Ndërsa Gjykata speciale, në njërën anë – nga jashtë – duke i akuzuar pjesëtarët e UÇK-së, do të jetë një mekanizëm juridik, jo vetëm për rehabilitimin e gjenocidit serb kundrejt Kosovës, jo vetëm për delegjitimimin e luftës së drejtë të UÇK-së, por, përtej, kësaj, për privimin nga e drejta për të ditur se, me luftën tonë, çfarë kemi dashur të jemi dhe ku kemi synuar të shkojmë si popull e si komb, e kjo, në fakt, do të thotë delegjitimim i idesë së lirisë së popullit shqiptar; nga ana tjetër, Prokuroria Speciale e Kosovës – nga brenda – me aktakuzat e montuara, për gjoja, vepra terroriste të pjesëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje!, si pasojë e së cilës në burg do ta humbë jetën aktivisti dhe studenti shembullor Astrit Dehari, dhe, tash së fundmi, me ndalimin dhe mbajtjen në paraburgim të politikologut, Dr. Sadri Ramabaja – kundërshtar i djeshëm i regjimit kolonial të jugosllavisë së Titos dhe ish i burgosur politik, si “ideolog” të një organizate fantome terroriste sot – synon, që, si popull, të na ç’orientojë vëmendjen dhe të na privojë nga dija për nevojat e tanishme urgjente që ka rritja e vetes sonë.
Gjykata Speciale nga jashtë, në njërën, dhe Prokuroria Speciale e Kosovës, nga brenda, në anën tjetër, si mësues autokrat, duan që shqiptarëve në Kosovë t’u japin një mësim: do të jeni të përkëdhelur për aq sa pranoni të mbeteni të vegjël; vetë ideja e rritjes në mendjet tuaja, do të jetë shkak i mjaftueshëm për ndëshkimin tuaj.
Votimi i Gjykatës speciale nga Kuvendi i Kosovës ishte pështirues, sepse ishte dekurajues dhe fyes, jo vetëm në raport me luftën e UÇK-së, por edhe më gjerë.
Pse më gjerë?
Votimi i Gjykatës nga Kuvendi i Kosovës i ka dërguar mesazh gjithë popujve që aspirojnë dhe luftojnë për lirinë e tyre, e në këtë përmasë të universalitetit të saj, edhe brezave të ardhshëm të popullit tonë. Mesazhi është ky: “Luftërat për liri janë të kontestueshme, prandaj edhe sakrifica për to është çështje e diskutueshme, e jo e shenjtë. Paqja e padrejtë ka kuptim më të madh se drejtësia që vjen me lirinë. Kur ekziston mundësia që, për ruajtjen e ekuilibrave të rendit botëror, të vihet në diskutim drejtësia e një lufte çlirimtare, e mbështetur edhe nga forca ushtarake më e madhe në botë – siç është ajo e NATO-s, po lufta juaj me mbështetje sporadike apo edhe pa te fare, çfarë përfundimi mund të ketë? Prandaj, hiqni dorë nga një gjë e pakuptimtë sa nuk është bërë vonë për Ju!”.
Pas shpërndarjes së vetëvullnetshëm të këtij mesazhi nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në botë dhe në drejtim të brezave të ardhshëm të popullit tonë, saktësia e arsyeve për themelimin e Gjykatës Speciale, e përmbajtur në fjalimin e Hashim Thaçit, e kiçizon seriozitetin e situatës. Kur sinqeriteti bëhet qëllimësi e arsyes për të gënjyer, sinqeriteti degradon në kiç. Kiç sinqeriteti e kiçizon seriozitetin e situatës. Por, e njëjta nuk mund të thuhet edhe për Raportin në vetvete. Raporti i Perceptimit publik për Gjykatën Speciale, i hartuar nga OJQ-të e Kosovës dhe i sponsorizuar nga ndërkombëtarët, është i kuptimtë, sepse brenda vetes e përmban seriozitetin e situatës: potencialitetin e efekteve që mund të prodhojnë hapat e hedhur të Gjykatës Speciale kundrejt stabilitetit të vendit.

(Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org)

Shtojcë/
LIVE: Percepcioni për Gjykatën Speciale – I ftuem: Hashim Thaçi, President i Republikës së Kosovës!
http://www.rrokum.tv/ne-fokus/live-percepcioni-per-gjykaten-speciale-i-ftuem-hashim-thaci-president-i-republikes-se-kosoves/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

VIKTIMA LETRARE

Nga Rexhep Kasumaj, Dimër, 2024 Viktima letrare (Mbi lirinë, gjithmonë) 1. Udhëtari i rrallë kishte një trazim. Një…