ARBEN HOXHA: MENDIMTAR I MADH, NJERI I LIGË!

Prishtinë, 7 korrik 2018:
Hyrje
Në jetën e përditshme na ka rastisur të dëgjojmë se filan fisteku është mendimtar, shkrimtar, shkencëtar i madh, por njeri me karakter të ligë; se filan e filan mendimtari, filozofi, shkencëtari, ishin (apo janë) të mëdhenj si mendimtarë, si filozofë apo si shkencëtarë, por në jetë ishin (apo janë) njerëz të ligj, me shumë vese, egoistë, hakmarrës etj., etj. Me qëllim që të ruhet karakteri objektiv i vlerësimit ndaj punës krijuese të një mendimtari, filozofi, shkrimtari e shkencëtari, apo edhe e kundërta, me qëllim që të ruhet karakteri objektiv i vlerësimit ndaj karakterit të një mendimtari, shkrimtari, filozofi apo shkencëtari, subjektet vlerësuese jo rrallë e bëjnë ndarjen midis karakterit të subjektit që merret për vlerësim dhe punës së tij. Me qëllim që të ruhet fusha e perceptimit, si interes i pastër për vetëdijen tonë njohëse, jo rrallë, subjektet vlerësuese e bëjnë një lloj reduktimi fenomenologjik të objektit të tyre të njohjes duke e ndarë atë nga lidhjet që mban me objektet e tjera. Kështu, në rastin kur për objekt vlerësimi është rezultati dhe efektet e punës së një krijuesi, karakteri i tij vihet në kllapa, si një dimension i paefektshëm për punën e tij, prandaj edhe i parëndësishëm për t’u marrë për hulumtim; ndërsa në rastin kur për objekt vlerësimi është karakteri i një krijuesi, puna e tij dhe efektet e saj vihet në kllapa, me qëllim që të shmanget çfarëdo lloj çarjeje që mund t’i shkaktojnë unitetit të vlerësimit gjykues ndërthurjet eventuale kontradiktore të tipareve të karakterit me cilësitë e orientimit themelor të punës të subjektit të marrë për trajtim
.
Dimensioni psikologjik dhe etik i karakterit
E pasigurt për t’u përballuar dhe për ta identifikuar unitetin e brendshëm të kundërthënieve që ekzistojnë midis karakterit dhe fakulteteve të tjera (p.sh. intelektit), arsyeja njerëzore rrugën e operimit kognitiv për ndriçimin e marrëdhënies midis karakterit dhe intelektit, do ta gjejë duke i parë ato, në rastin e parë, si entitete të ndara dhe të pavarura njëra nga tjetra dhe, në rastin e dytë, duke i parë në një rend monolit, me ç’rast karakteri, gjegjësisht pjesa volutive e personalitetit të njeriut, i subordinon të gjitha fakultetet tjera në masën e konstitucionit të vet. Në një rast të tillë, fakultetet e ndërgjegjes dalin të jenë pa ndikim në konstitucionin e karakterit. Metodologjikisht, ndarja e tillë e fakulteteve të ndërgjegjes prej sistemit të karakterit dhe tipareve që e përbëjnë atë, jo vetëm që do t’i kufizojë aftësitë operacionalizuese të arsyes për të kuptuar dhe vlerësuar atë se çfarë është “mendimtar i madh”, por, gjithashtu, duke e vendosur si kategori brenda fushës së specializuar të psikologjisë apo të etikës, një ndarje e tillë do ta reduktojë deri në thjeshtëzim natyrën e vet konceptit të karakterit.

Përshkrimi i karakterit nga këndvështrimi etik e psikologjik, jashtë funksionit dhe rolit që ai ka për qenien e të qenit të njeriut në botë, ka ndikuar që veprimtaria e një mendimtari apo e një shkencëtari, në një rast, të na shfaqet si realitet substancial, që është i pakushtëzuar nga karakteri, ndërsa karakteri të jetë aksidental në raport me veprimtarinë; ndërsa, në rastin tjetër, karakteri të na shfaqet si realitet substancial, ndërsa veprimtaria si realitet aksidental i karakterit. Karakteri i përshkruar si kategori etike e psikologjike arsyen vlerësuese e ka shpënë te konkluzioni se njerëzit mund të prodhojnë gjëra të vlefshme mendimore, por se ata njëkohësisht, mund të kenë sjellje antishoqërore e antihumane, ose anasjelltas. Trajtimi psikologjik e etik i karakterit vetëm sa e ka thelluar pikëpamjen dualiste të ekzistencës njerëzore, sipas të cilës asnjëri realitet i ekzistencës njerëzore nuk mund të reduktohet në tjetrin, e aq më pak që ato të jetë të ndërthurshme.
Rrënjët e konceptimit të tillë të natyrës dualiste të qenies njerëzore mund t’i kërkojmë në pikëpamjen karteziane të ndarjes së mendjes nga trupi, gjë kjo që nuk ishte karakteristikë për qytetërimin e antikitetit grek dhe për mesjetën, ku fakulteti i arsyes dhe i intelektit në njërën anë, dhe i karakterit e i vullneti, në anën tjetër, trajtoheshin si entitete me identitete të veçanta, e megjithatë në ndërlidhësi reciproke njëri me tjetrin. Idenë e lidhjes mes karakterit dhe intelektit e hasim në “Politikën” e Aristotelit, i cili, duke bërë fjalë për rolin që ka edukimi për mirëqenien e shoqërisë dhe të shtetit, e hedhë dilemën se përmes edukimit a duhet të ndikohet më shumë në inteligjencë apo në karakter. Deri te Kanti e Shellingu arsyeja e vullneti, pra pjesa volutive e personalitetit të individit, trajtoheshin si entitete të pandara. Ndërsa për Kantin arsyeja duhet ta diktojë vullnetin, për Niçen është vullneti ai që duhet ta diktojë arsyen. Ekziston një dallim thelbësor midis Kantit e Shopenhauerit, në njërën anë, dhe Niçes në anën tjetër, në lidhje me konceptimin që ata ia bëjnë vullnetit, si substancë që e përcakton strukturën dhe përmbajtjen e karakterit. Nëqoftëse Kanti dhe Shopenhaueri vullnetin do ta njëjtësojnë me veprimin e arsyeshëm, i cili buron nga dëshira dhe i nënshtrohet një qëllimi të arsyeshëm dhe të argumentueshëm racionalist, Niçe, ndërkaq, vullnetin e koncepton si një realitet pararacional që vjen nga dëshira për t’i zgjeruar mundësitë njerëzore në botë. Për Kantin dhe Shopenhauerin, vullneti, si agjent, bëhet i arsyeshëm për aq sa e merr parasysh strukturën objektive të objektit (të njohjes, të situatës, të gjendjes, të dukurisë, të procesit, të ngjarjeve etj.), të cilin agjenti synon ta ndryshojë. Niçe, për ndryshim nga Kanti dhe Shopenhaueri, përqendrohet te faktori i agjentit (vullneti), i cili është racional për aq sa përpiqet ta aktualizojë veten në botë, pavarësisht kufizimeve që diktohen nga habitusi i shoqërisë dhe kohës.
Në fushën e psikologjisë së krijimit artistik, Karl Jungu është nga të parët i cili e bëri ndarjen cezariane midis karakterit të shkrimtarit dhe të veprës së tij artistike. Përkundër Jungut, Pol Xhonsoni (Paul Johnson) në veprën e tij “Intelektualët”, është i mendimit se struktura botëkuptimore e filozofëve dhe shkrimtarëve përcaktohet nga struktura volutive e personalitetit të tyre. Kështu, p. sh., origjinën e filozofisë marksiste – thekson Xhonsoni – duhet ta kërkojmë në vizionin poetik të Karl Marksit. Dështimin e pikëpamjeve të mendimtarëve, shkrimtarëve e filozofëve, Xhonsoni e sheh në pavirtytshmërinë e karakterit të tyre. Duke e trajtuar karakterin si një kategori në rrafshin e teorisë bihevioriste të psikologjisë, Xhonsoni hynë në një qorrsokak epistemologjik, me ç’rast “faktet morale” (vërtetësia e të cilave gjithnjë është e kontestueshme) – të cilat manifestohen në mënyrën e sjelljes së një individi – njësohen me përmbajtjen dhe efektet e botëkuptimit të mendimtarëve, të filozofëve e të shkrimtarëve.
Tipat, tiparet e karakterit dhe marrëdhënia e tyre me lirinë
Karakteri është struktura hierarkike e tipareve sipërore e të ndërvarura, të cilat e përbëjnë atë. Tipari përbën një rast të veçantë, ose një klasë të rasteve, të cilët ndahen ose ndryshojnë nga rastet tjera. Këto tipare janë dy farëshe: të prejardhura nga trashëgimia gjenetike dhe ato të prejardhura nga modelet sociale e kulturore. Ndërveprimi i tipareve të prejardhura nga të dy burimet e krijojnë sistemin e karakterit, i cili, varësisht energjisë së përftuar nga përvojat ekzistenciale të individit, mund t’i tejkalojë ato burime duke prodhuar modele të reja sociale e kulturore apo, e kundërta, në mungesë të energjive të reja, të bëhet zgjatim i strukturave të atyre burimeve. Brenda tërësisë së strukturës të karakterit, tiparet, për nga funksioni i tyre, mund të jenë qenësore dhe sekondare. Është tipar sekondar, sepse ai nuk mund të ushtrojë ndikim në tërësinë e karakterit, prandaj as në natyrën dhe kahen e orientimit të veprimtarisë së njeriut në botë. Është tipar qenësor, sepse është i ndërlidhur me substancën e karakterit, me ç’rast ndikohet nga ajo dhe ndikon në të. Si të tilla, tiparet qenësore kanë ndikim në përcaktimin e natyrës dhe kahen e orientimit vleror që, me veprimin e vet, e merr një subjekt i caktuar në botë. Vetëm përmes tipareve qenësore, si përcaktuese të substancës së karakterit, karakteri bëhet i aftë të vetëpërcaktohet për vlera të caktuara dhe të orientohet për aktualizimin e tyre. Përmes pikëpamjes bihevioriste të Xhonsonit, e cila përqendrohet në tiparet sekondare të karakterit që manifestohen në trajtën e sjelljeve të caktuara, e kemi shumë të vështirë ta bëjmë dallimin midis Kaligulës, Neronit, Hitlerit, Stalinit në njërën anë, me Rusoin, Shellin, Marksin, Tolstoin, Ibzenin, Heminguejin, Rasëllin, Sartrin etj, të cilët ai i ka objekt trajtimi në veprën e vet “Intelektualët”. Të gjithë këta mendimtarë krijues në jetët e tyre të përditshme mund të kenë pasur shumë cene e vese, dobësi ndonjëherë edhe shkarje morale në raport me të drejtën etj., por personaliteti i tyre nuk mund të njësohet me, bie fjala, personalitetin e Hitlerit. Vetëm përmes orientimit vleror që vullneti merr për aktualizimin e vetes në botë, mund të përcaktohet natyra e tij konstruktive apo destrkuktive bashkë me rolin që luajnë për aktualizimin e tij tipare të caktuara të karakterit.
Kriteri me të cilin përshkruhet dhe vlerësohet orientimi vleror i një personaliteti është liria. Veprimtaria mendimore kuptimësohet në qëllimësinë e saj emancipuese – të vërtetën dhe lirinë. Përmes konceptit të lirisë për njeriun dhe për njerëzimin, bëhen të kuptueshme dhe të vlerësueshme kufijtë e mundësisë së ekzistencës njerëzore në botë. Liria është kufiri dallues midis Hitlerit dhe, ta zëmë, Rusoit, Shellit, Marksit e Sartrit.
Mendimtarët, të cilët për arsye të ndryshme kanë devijuar radikalisht nga e vërteta dhe liria (qoftë edhe duke marrë pozicion asnjanës ndaj saj), si vlerë supreme për ekzistencën njerëzore, kurrë nuk mund të jenë mendimtarë të mëdhenj. Qëndrimi jo i drejtë ndaj të vërtetës dhe lirisë është shprehje e orientimit shfrytëzues të karakterit të tyre në botë. Orientimi shfrytëzues i karakterit, e paaftëson arsyen e një subjekti që të krijojë e t’i zgjerojë kufijtë e përmbajtjes së konceptit të të vërtetës dhe të lirisë. “Mendimtarët” e tipit të karakterit me orientim shfrytëzues, më e shumta mund të jenë konsumues të koncepteve të së vërtetë dhe të lirisë, të cilat janë vendosur nga një mendje dominante brenda kohë-hapësirës së ekzistencës së tyre.
Tri kriteret vlerësuese për karakterin
Duke e parë karakterin si kategori antropologjiko-filozofike, ne mund të bëjmë një vlerësim më objektiv për rolin e tij në ndërtimin e pozicionit të njeriut në botë si dhe për zbulimin e forcave krijuese, të cilat botën e bëjnë më të përdorshme për sigurinë dhe zhvillimin e racës njerëzore. Vetëm në trekëndëshin njeriu-puna (veprimtaria)-bota, mund ta vlerësojmë e gjykojmë drejt karakterin krijues apo rrënues të një individi. Mendimtarët vërtetë të mëdhenj udhëhiqen nga arsyeja emancipuese, e cila, me veprimin e vet i vë në dukje forcat krijuese të njeriut në botë; pseudo-mendimtarët udhëhiqen nga arsyeja instrumentale, e cila, duke u vënë në shërbim të interesit të një grupi të caktuar tash dhe këtu, e pamundësojnë shfaqjen e forcave krijuese.
Tri janë kriteret me anë të të cilave mund të maten forcat vepruese të një mendimtari në botë: a) përgjegjësia trans-historike për fatin e ekzistencës njerëzore në botë; b) përmasa e problemit të identifikuar, zgjidhja e të cilit krijon resurse të reja (materiale e shpirtërore) afatgjate për ekzistencën njerëzore në botë; b) forca e vendosmërisë për t’i dhënë zgjidhje problemit, sidomos në kushtet e rezistencës, deri në pamundësim të arritjes së qëllimit (as në aktualitetin e dhënë e as në të ardhmen), prej strukturave objektive (historike, politike, kulturore, sociale, juridike, morale etj.).
Mishërim i këtyre tri kritereve (lehtësisht të matshme e të verifikueshme) është figura e Ajnshtajnit. Duke u bazuar në normat morale kanunore shqiptare, Ajnshtajnin mund ta akuzojmë si njëri me sjellje të pavirtytshme për shkak se është ndarë nga gruaja me fëmijë dhe është martuar me kushërirën e tij të parë. Ne sot Ajnshtajnin mund ta akuzojmë si baba jo të mirë, si njeri me fuqi të munguara socialiteti etj., etj. Të gjitha këto gjykime negative për personalitetin e Ajnshtajnin vijnë nga lentet e normave tona tejtet të kufizuara morale që i vendosim mbi tiparet dytësore të karakterit të Ajnshtajnit, por të cilat nuk e kanë prekur për asnjë moment karakterin ndërtues të orientimit të vullnetit të tij në botë. Ajnshtajni do të jetë kundër kolegëve të tij, të cilët dijen e trajtonin si fuqi për nënshtrimin e tjetrit. Ajnshtajni do të jetë kundër kolegut të vet, Fritz Habertit, i cili shkencën e kimisë do ta përdor për prodhimin e armëve për shkatërrim në masë. Tiparet sekondare të karakterit të tij, asnjëherë nuk do ta shmangin idealistin Ajnshtjan që të punojë për rritën e kapaciteteve të ekzistencës njerëzore në botë. Duke bashkëpunuar me mikun e tij, matematicienin Artur Edington, Ajnshtajni, për të mirën e njerëzimit, do të vendoset në një pozicion trans-historik, duke e tejkaluar situatën reale të konflikteve midis Gjermanisë e Anglisë. Ajnshtjani, me forcën e vendosmërisë së tij duke e zbuluar teorinë e relativitetit, do të krijojë burime të reja perceptimore me ndikim në rritjen e kapaciteteve tona kognitive për kuptimin e mundësive që bota ofron për ne dhe të mundësive tona për përdorimin e botës në funksion të zhvillimit dhe rritjes së sigurisë së ekzistencës të llojit njerëzor në botë. Ajnshtajni, me veprimin e tij në botë, është bërë prindi më i mirë për njerëzimin. Çështja është që njerëzimi duhet t’i ngjajë qëllimit të prindit të vet.
Përfundim
Gjërat e mëdha për njerëzimin kanë ardhur përmes veprimeve të karaktereve të fuqishme. Pavarësisht dallimeve në temperamente, karakteret e fuqishme dallohen për gatishmërinë e tyre për të marrë përgjegjësi të mëdha. Karakteret e dobëta për nga forca e vendosmërisë, as nuk mund të identifikojnë probleme, e as nuk kanë vullnetin për t’u përballur esencialisht me to. Ata flasin e shkruajnë për kuazi-probleme ose problemet thelbësore i vështrojnë tejet sipërfaqësisht, me naivitet deri në banalitet. Njerëzit e vegjël nuk mund ta bartin as përgjegjësinë minimale të ekzistencës së vet. Të mëdhenjtë marrin barrën e përgjegjësisë së ekzistencës së tërë njerëzimit.
Kur themi “mendimtar i madh, por njeri i ligë”, ose kemi problem me përkufizimin e konceptit mendimtar i madh ose me përkufizimin e konceptit të karakterit ose, njëkohësisht, kemi paqartësi konceptuale me të dyja konceptet.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura