BESIM CENGU: VËRSHIMI I MEDIOKRITETIT

Tiranë, 10. 10. 2016: Mediokriteti është një praktikë jetese e njeriut, një mënyrë sjelljeje dhe shfaqjeje e dikujt apo e një grupi që është i bindur e i vetëkënaqur për atë që bën. Në fakt kjo dukuri është karakteristikë e shoqërive me dituri sipërfaqësore. Jo pak herë popujt e kanë pësuar prej mediokërve (sidomos kur ata kanë qenë politikanë) sepse prirja e tyre më e rrezikshme është moslëshimi i rrugës që ai ka nisur. Asgjë nuk mund ta ndalë mediokrin. Ata janë të shurdhër dhe nuk reagojnë ndaj asnjë zëri tjetër sepse mediokrit (si specie) janë kokëfortë e të bindur se vetëm ai i del në krye çdo gjëje.
A nuk jemi ne shqiptarët viktimat e mediokërve që kanë pushtuar në këtë çerekshekulli shoqërinë tonë në të gjitha nivelet? Në të gjitha nivelet mediokrit kanë aftësinë të pjellin mijra mediokër të tjerë të njëjtë si ata. Filozofët gjermanë Ernest Shopenhauer dhe Fridrih Niçe i kanë mëshuar fort në analizat e tyre filozofike luftës kundër mediokërve dhe dukurisë së mediokritetit në përgjithësi, pasi sipas tyre, këtu qëndron rreziku i degradimit të jetës sociale dhe intelektuale.

Pa u zgjatur në një shoqëri si e jona, në këtë stad që ndodhet, mediokriteti është një normalitet, madje jo vetëm kaq, por mediokrit, i drejtohen mediokritetit kolektiv (kallaballëkut) për të vendosur kode dhe rregulla që duhet të drejtojnë shoqërinë. Domethënë inicojnë lindjen e mediokriteteve të reja si ata, që mendojnë e veprojnë si ata. E kështu sigurisht mediokrit prodhojnë edhe politikë mediokre, kulturë mediokre, ekonomi mediokre, arsim mediokër… dmth, krijojnë një rreth ciklik metafizik që nuk zhvillon asgjë. Për më tepër kur mediokriteti dhe kultura mediokre përzihet me mentalitetin provincial, atëhere, mjerisht ndodhemi pranë honit katastrofal social të sigurt.
Për vetë pozitën ku jemi, për kushtet e rrethanat sociale, historike e kulturore, në të cilat ndodhemi, shoqëria jonë ngjason me një fole ku kultivohen mediokritetet dhe mentaliteti i tyre provincial.
A nuk po e shikojmë këtë përditë me sytë tanë?
Mbi të gjitha mediokriteti kulturor është më seriozi dhe më i ndjeshmi. Në fakt vetëm arti nuk e pranon mediokritetin dhe si për ironi ky mediokritet e ka kapë atë për gryke deri në pikën e agonisë. Miq, si mund t’ia ndalim turrin kësaj epidemie?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura