Gjenevë, 26. 03. 2014 – Nexhmi Adem Balaj u lind më 1949 në Rimanishtë të Prishtinës. Mirëpo prindërit e tij qysh herët migruan në Podujevë. Ata këtë lëvizje e bënë me qëllim të përmirësimit të gjendjes ekonomike dhe sociale .Planet e kësaj familjeje sikurse të shumë familjeve të tjera të Llapit, mbesin të parealizuara sepse ekspansionistët serbo-malazez vazhdojnë të ashtuquajturën reformë agrare duke vendosur në Kosovë 13.482 familjeje serbo-malazeze. Në Podujevë mijëra hektarë tokë pjellore iu morën me forcë shqiptarëve të kësaj treve dhe iu dhanë 1459 familjeve kolone nga Serbia e Mali i Zi.
Kjo mase e ndërmarrë ishte goditje e rëndë për të gjithë shqiptarët nëpërmjet saj në Kosovë u vendosën mbi 80mijë serbë e malazezë Përveç shpronësimit dhe mohimit të së drejtës mbi pronën shqiptarët trajtoheshin tepër vrazhdët .Ata edhe pse autokton në tokat e tyre konsideroheshin si qytetarë të rendit të dytë.
Aty-këtu angazhoheshin në ndonjë punë të rëndë e përçmuese si në: tjegullore,miniera e pastrim rrugësh. Kurse atyre pak fshatarëve shqiptarë që ende posedonin pronat taksambledhësit serbë ua merrnin me dhunë drithërat dhe bagëtinë në emër të njëfarë “teprice”(otkupi) të shpikur me qëllim të gjunjëzimit të tyre.
Prof. Nexhmi Balaj udhëheqës i drejtorisë për kulturë, rini dhe sport në komunën e Podujevës, gjatë një ligjërate me të rinjtë e Llapit.
Haraçi që paguanin shqiptarët ishte tronditës. Jeta e tyre ishte më e zezë se qymyri. Ky diskriminim skllavërues e lëndonte shumë Nexhmiun e njomë. Duke parë jetën skëterrë të popullit shqiptar, ai rrugën e shpëtimit e sheh në arsimimin e tij. Këtë udhë të mundimshme dhe plot sfida e fillon më, 1956 duke u regjistruar në shkollën tetëvjeçare të Podujevës. Në Llap e më gjer ky vit njihej si vit i trishtueshëm. Ultra-shovinisti serb Aleksandër Rankoviq në dimrin e vështirë të 1956-ës trillon aksionin e mbledhjes së armëve që u zbatua vetëm në Kosovë. Nëpërmjet këtij aksioni shovinistët serbomëdhenj persekutuan, vranë, burgosën dhe shpërngulen me dhunë mijëra shqiptarë etnikë të Kosovës. Nexhmiu i brengosur për fatet e popullit të tij edhe pse mjaft qejfprishur vendos që nga shkolla të mos heq dorë për kurrfarë çmimi. Ai me gjithë vështirësitë e telashet e shumta materiale dhe rrezikun e vazhdueshëm për jetë tetëvjeçaren e kryen më, 1964 me sukses të shkëlqyer.
Po në shtator të këtij viti me ritëm të shtuar në zënie dijesh regjistrohet në Pro gjimnazin e atëhershëm të Podujevës,të cilin po ashtu e kryen me sukses të dalluar. Z. Balaj në të gjitha disiplinat zotonte njohuri të njëjta mirëpo dashuria për gjuhën, kombin dhe historinë e popullit shqiptar e shtyjnë që të studiojë Gjuhë dhe letërsi shqipe në Shkollën e Larte Pedagogjike të Prishtinës, e cila ishte hapur më, 1958 pas shumë përpjekjesh, vuajtjesh e sakrificash . Dhjetë vjet më vonë nga rinia studentore e Kosovës organizohen demonstratat e vjeshtës ’68-të, të cilat pas Luftës së Dytë Botërore ishin të parat në Evropë. Ato rezultojnë me plagosje, vrasje e burgosje të rinisë shqiptare. Mirëpo nëpërmjet tyre iu bë thirrje drejtpërdrejt Beogradit që vullnetin e shtypur e të nëpërkëmbur të shqiptarëve patjetër ta marrë në konsideratë. Këto demonstrata edhe pse me pasoja në njerëz dhanë rezultate. Më, 1970 Kuvendi i Kosovës themeloi Universitetin e Prishtinës. Me kalimin e kohës ky Universitet arriti të ketë 13 fakultete dhe 7 shkolla të larta. Nga dëshira që të jetë sa më afër dijetarësh e njerëzish të kulturës Nexhmiu nga Shkolla e Lartë Pedagogjike kalon në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, duke vazhduar studimet në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, të cilat i përfundon me sukses në fund të viteve të 70-ta. Titulli i profesorit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, atij i hap mundësi punësimi edhe në ndonjërën nga shkollat brenda qytezës së Podujevës, por ai gjithmonë ëndërronte punësimin në fshatin Sveçël. Ngase atje kishte shumë shokë e miq që ishin dhënë seriozisht në avancimin e çështjes shqiptare. Ai këtë dëshirë të zjarrtë e sendërton menjëherë pas diplomimit duke filluar punën si Arsimtar i Gjuhës Shqipe në shkollën tetëvjeçare të këtij fshati.
Z. Balaj profesionin e mësimdhënësit e konsideronte të shenjt dhe këtë punë e bënte me shumë pasion.
Mbase, kjo vinte si rrjedhojë e dashurisë së përhershme ndaj kombit dhe atdheut. Z. Balaj i njohur për karakterin dhe unin e tij si shqiptar, dhe si njeri racional e i guximshëm elanin për punë në shërbim të vendit e përmbush duke u rreshtuar përkrah Ajetëve të Sveçlës. Pjesëtarët e së cilës familjeje me qëndresën e tyre ndaj pushtuesve ishin dëshmuar në çdo periudhë kohe, duke manifestuar akte trimërie nga më të ndryshmet. Ismail Ajeti i njohur në Llap si BUSHI, i pati mundësuar më, 23 dhjetor 1945 në Kranj të Prespës arratisjen në Greqi ish-udhëheqësit të Ballit Kombëtar Muharrem Bajraktari së bashku me katërqind luftëtarët e tij. Pastaj më, 7shkurt 1950 po ky Ismail Ajeti çdoherë shqiptar në Mitrovicë ua pati hapur dyert e burgut të gjithë të burgosurve politikë. Për këtë heroizëm Ismail Ajeti-BUSHI të dyja herët ka qenë i dënuar me vdekje. Ai shpëton nga ekzekutimi në të dyja rastet falë amnistive.
Më, 28 janar 1969 në skenë shfaqet edhe djaloshi 21vjeçar Hetem Ajeti, po ashtu i brumit të Ajetëve. Ai ia ndal turrin policit serb Apostol LLaziq, i cili si një antishqiptar i përbetuar dhe gjakpirës çdo ditë keqtrajtonte në trenin Podujevë-Fushë-Kosovë shqiptarët e pafajshëm. Durimit i vije fundi dhe këtij farë polici serb Hetem Ajeti i kundërpërgjigjet me dhunë,duke e lënë me pasoja të përjetshme. Për këtë pason dënimi i Hetem Ajetit, me burgim të rëndë. Këto ishin arsyet që Nexhmi Balaj, dëshironte ç’ me çdo kusht të punësohej në shkollën e Sveçlës, në mënyrë që bashkërisht me këta Atdhetarë të verifikuar të organizonin gjithë aktivitetin ilegal e që më vonë do ta konkretizonin në vepra pa rënë në sy të agjentëve të sigurimit jugosllav dhe informatorëve të tyre. Asokohe në këtë shkollë në cilësinë e shtëpiakut punonte edhe Ismail Ajeti-Bushi. Ai me përvojën e tij të gjatë ishte udhërrëfyes për brezin e ri dhe atë më të ri. Aty ishte edhe Zejnullah Zejnullahu (ZENA) si sekretar shkolle, që në vitet e mëvonshme do të jetë njëri ndër shtyllat kyçe të UCK-së në Zonën Operative të LLapit. Kështu që edhe koha e dëshmoi se Nexhmiu e kishte konsideruar me të drejtë Sveçlën çerdhe të shqiptarizmës. Nxënës e punëtorë të kësaj shkolle u flijuan për flamur dhe sovranitet të Kosovës. Nga kjo shkollë që sot mban emrin e kryetrimit “ALI AJETI“ dolën heronjtë e historisë më të re të Kosovës si: Ali Adem Ajeti, Hakif Sabit Zejnullahu, Hasan Halit Ramadani, Mehmet Sherif Visoka , Salih Zeqir Selmani , Xhevat Salih Jupolli dhe Rrahim Jusuf Vërshevci. Shtesë në këtë zinxhir ngelet edhe veprimtaria guximmadhe dhe atdhetare e Z. Nexhmi Balaj,të cilin pushtetmbajtësit jugosllav e patën cilësuar si krijues të bërthamave të para ilegale. Celula këto që synim kishin shthurjen e ish-Jugosllavisë. Në bazë të kësaj aktakuze Z. Balaj u dënua më 6 tetor 1981 më njëmbëdhjetë vjet burgim të rëndë. Prej të cilave tetë vjet i vuajti në burgun famëkeq të Lepogllavës. Z.Balaj edhe pse përjetoi ferrin prapëseprapë u gjend në mesin e të përtrirëve. Ai pas lirimit nga burgu kthehet në Kosovën e tij të dashur dhe menjëherë kap fillin e këputur të veprimtarisë Atdhetare duke dhënë ndihmesë në fusha të shumta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Më, 1990 duke parë vrasjet, burgosjet ndjekjet, persekutimet dhe çatdhesimin e shqiptarëve Nexhmi Balaj me një grup aktivistësh themelojnë KMDLNJ-dega në Podujevë. Nëpërmjet këtij Këshill ai së bashku me shokët mundohen që të sensibilizojnë qendrat vendimmarrëse në botë, duke shpalosur para tyre dhunën dhe gjenocidin që shkaktonte makineria e regjimit të Millosheviqit.
Krahas punës në Këshill Nexhmiu veproi edhe në LDK-së dega në Podujeve, duke qenë anëtar Kryesie në disa mandate. Mirëpo forcën krijuese Z.Balaj krejtësisht e përqendroi në ruajtjen e librit shqip. Ai më 1993 themeloi Qendrën për Kulturë të Podujevës, në kuadër të së cilës angazhoi një grup të rinjsh me ide përparimtare siç ishin: Afrim Maliqi, poet e publicist (tani dëshmorë i kombit ) Bajram Kadriu, Ajet Gashi, Fadil Llugaliu, Agim Kika etj. Puna plot përkushtim e këtij grupi në mbrojtje të vlerave kombëtare bëhej në baza vullnetare. Po këtë vit Nexhmiu në pozitën e koordinatorit të kësaj Qendre bën riorganizimin e bibliotekës në qytetin e Podujevës, dhe në fshatrat e saj. Duke njohur në thelb urrejtjen dhe barbarinë serbe ndaj librit shqip Z.Balaj një pjesë të rëndësishme të literaturës e cila konsiderohej si vlerë e pakompensueshme e seleksionon dhe e sistemon së bashku me Z.Bajram Kadriu në vend të sigurt në mënyrë që këta ekzemplarë kryesisht të botuar në shqip para Luftës së Dytë Botërore të mbrohen nga dora shkatërrimtare e vandalistëve serbë. Çështje tjetër që e preokuponte Z.Balaj ishte dhe numri i madh i të rinjve krijues nga Llapi, të cilët në mungesë nismash rrezikonin shuarjen e prirjeve të tyre. Prandaj më 1993 në mënyrë që të ruhet afiniteti krijues i këtij brezi fillon organizimi i takimeve kulturore dhe letrare “KADRI KADRIU” të cilat takime tani janë tradicionale. Këto takime shumëdimensionale kulturore më vonë kanë nxjerr në pah poetë dhe krijues të zhanreve të ndryshme. Një ngjarje po ashtu e rëndësishme ide e Z. Balaj ishte edhe “JAVA E ARTIT PAMOR NË LLAP” Në këtë ekspozitë artistët figurativ të Llapit, pikasën vepra që pasqyrojnë realitetin historik nga e kaluara e lavdishme e popullit tonë. Kurse në tribunat e përvjetshme të letërsisë vlerat artistike dhe estetike në poezi dhe prozë i kanë shfaqur poetët e brezit të tronditjeve nga luftërat dhe nga trysnitë ekonomike e sociale të cilat i shkaktonte regjimi represiv i Serbisë. Ky brez krijuesish mund të quhet edhe si brezi kryengritës kundër degradimit dhe rrënimit të vlerave kulturore në trevën e Llapit.
Më 1994 për dashamirët e artit skenik themelohet teatri alternativë i qytetit të Podujevës, i cili më vonë pagëzohet me emrin e aktorit të mirënjohur llapjan “AVDUSH HASANI“
Në një kohë kur nga jeta dhe vdekja ndante vetëm një fije floku Z.Balaj pas disa përgatitjesh në segmente të nevojshme së bashku me mbështetësit e Qendrës për Kulturë të Podujevës e inicioi botimin e projektit shkencor “TRASHËGIMIA ETNOKULTURORE DHE HISTORIKE E LLAPIT” i cili libër në formë monografie doli në dritë më, 1995 . Kjo vepër gjithëpërfshirëse dhe për shumëçka e veçantë i theu kufijtë provincial duke përfshirë në të njerëzit më eminent të shkencës, kulturës dhe të artit nga mbarë Kosova.
Më, 1996 Qendra e Kulturës e Podujevës në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës, botoi librin me vlerë të lartë të Dr. Bajram Krasniqi “INTELIGJENCIA LETËRSIA DHE REALITETI“ Kritiku, studiuesi, eseisti e historiani i letërsisë Dr. Bajram Krasniqi pati vdekur më, 9 nëntor 1990 në moshë tepër te re, në kohën kur synonte kulmin e dijes dhe të pjekurisë intelektuale. Prandaj vepra e cituar e lënë në dorëshkrim është botuar pas vdekjes së tij.
Z. Balaj gjithnjë inventivë e analitik asnjëherë nuk i lë vend dëshpërimit. Ai në qershor 1996 tubon krijuesit e vegjël në manifestimin letrar-artistik “BUKUREZAT” me çka edhe thyen heshtjen e tyre. Edhe pse Kosova ishte aneksuar ushtarakisht nga ana e Serbisë, në rrethana jashtëzakonisht të rënda Qendra e Kulturës e Podujevës, e udhëhequr nga Z. Nexhmi Balaj botoi librin me ese, trajtesa dhe vështrime “GRAMATIKA E FSHEHTË E MOTIVEVE” të autorit Kujtim Rrahmani. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve krijuese vetëm disa javë pas çlirimit të Kosovës, Z.Balaj themeloi çmimin letrar të emërtuar me emrin e intelektualit, gazetarit,publicistit e poetit të njohur llapjan “AFRIM MALIQI” i cili qe vrarë më, 2dhjetor 1998 nga forcat e sigurimit sekret të Serbisë. Me angazhimin konkret të Z. Balaj dhe ndihmën e Zonjës Sevdie Maliqi (bashkëshorte e dëshmorit Afrim Maliqi) Qendra e Kulturës e Podujevës,e botoi më, 2007 të përmbledhur në recensione, ese dhe publicistikë veprën e themeltë të atdhetarit AFRIM MALIQI.
Në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës kjo Qendër Kulturore pati organizuar edhe ekspozitën tematike “LUFTA E POPULLIT SHQIPTAR NË KOSOVË GJATË VITEVE 1944-1945” kundër pushtimit serbo-komunist.
Ngjarje e veçantë në nderim të heroit kombëtar ZAHIR PAJAZITI është edhe turniri tradicional në boks ”DITËT E ZAHIRIT” Kreshniku i Kosovës Zahir Pajaziti ditët dhe netët e tij i kaloi me armë në dorë. Ai me plumba në kokat e kriminelëve serbë e shkroi emrin e bukur “USHTRIA CLIRIMTARE E KOSOVËS”
Më, 2010 Z.Nexhmi Balaj në cilësinë e Drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport ishte mbështetësi kryesor i krijimit të Asamblesë Rinore të Komunës së Podujevës. Më, 25 janar 2011 nën mbikëqyrjen e Z. Balaj promovohen librat “PUSET E VDEKJES NË KOSOVË”dhe “CKA KA NDODHUR NË KOSOVË NË VITET 1998-1999” të mikut norvegjez Josef Martinsen i cili me vërtetësi në këto dy libra përshkruan krimet serbe në Kosovë. Drejtoria për Kulture Rini dhe Sport e udhëhequr për dy dekada nga z. Balaj çdo vit në mënyrë solemne bën zgjedhjen e sportistit më të mirë të vitit në komunën e Podujevës .Që nga viti 1990 në Podujevë, mbahet maratona sportive e atletikës. Në këtë garë që zhvillohet në të gjitha disiplinat marrinë pjesë përfaqësues të dyja gjinive nga të gjitha viset shqiptare. Më, 2009 këtë manifestim e pati madhëruar edhe prania e këngëtares suedeze me famë botërore Johnny Sellmar. Ajo me këtë rast në Podujevë, me grupin e saj “QUNGA ORNARE” pati argëtuar përveç pjesëmarrësve në gara edhe mijëra adhurues të tjerë të muzikës.
Një organizim tjetër po ashtu i rëndësishëm gjatë stinës së verës është dhe Kampi “MURGULLA” i cili tubon të rinj e të reja nga të gjitha qytetet e Kosovës.
Puna dyzetvjeçare e Z.Balaj prej mësimdhënësi, këshilltari dhe udhëheqësi është e pamundur të përfshihet e të ndriçohet në detaje në një punim kaq të shkurtër si ky yni. Prandaj vetëm na mbetet të themi se ky burrë i vendosur, baba i dashur dhe shok i afrueshëm me përkushtim e sakrificë e mbajti ndezur pishën e kulturës dhe të dijes sonë kombëtare në kohërat më të vështira të historisë sonë. Ky kontribut i çmuar dhe i jashtëzakonshëm i Z. Balaj në mbrojtje të gjuhës, historiografisë, folklorit dhe etnologjisë shqiptare meriton vlerësim objektiv dhe respekt të posaçëm prej nesh dhe brezave në vazhdim.