BEQIR BEQAJ *): MË FAL BABA – KE GABUAR RËNDË QË REFUZOVE KOMUNIZMIN!

Sharr (ish’Dragash), 16. 01. 2015 – Ishte fillimi i viteve të 80-ta, kur unë sapo kisha hyrë në dekadën e dytë të jetës sime. Isha vetëm një fëmijë, por që bëja punët e një burri. Më kujtohet, kur një ditë po ktheheshim nga pylli, me nga një dru në krahë, nëpër borën që kishte arritur deri në gjunjë. Kështu bënim çdo dy-tre ditë, gjatë gjithë dimrit, pasi nuk i kishim mundësitë t’i siguronim drutë me kohë. Sapo zbritem në rrugën e fshatit, takuam “komandirin” e Stacionit policor në Llopushnik, me të cilin kishim “muhabet”, pasi ai e kishte fqinjin tonë “jaran shpirti” dhe kështu u njohëm edhe ne me atë. Në bisedë e sipër, ti baba nuk e kurseve fare për t’ia sharë partinë, sistemin jugosllav që dirigjohej në atë kohë nga serbët, ia shave shtetin… Por, kur mbërritëm tek vendi ku ndalonin autobusët, ti i the se nuk do t’ia shash më partinë, për t’mos e vënë në pozitë të palakmueshme, para njerëzve të shumtë që prisnin në stacion autobusin e orës 15:00, i cili shkonte për Prizren! Komandiri të falënderoi për mirëkuptimin që tregove ndaj pozitës së tij dhe, në shenj respekti, ta rrahu shpinën.
Por, ndonëse para meje u ndjeve i paprekshëm dhe i fortë ndaj pushtetit, kishe harruar një detaj të vogël baba… Dallimin mes nesh! Komandiri ishte me kollare dhe kundërmonte nga parfumi, ndërsa ti e unë ishim të lagur nga bora dhe të ngrirë nga të ftohtit. Po me ato duar të ngrira, duhej ta mbanim mbi supe nga një dru të njomë, të cilin do ta copëtonim më pas në shtëpi për tu ngrohur në atë ditë të ftohtë dimri.

Harrove se ne këtë punë do ta bënim edhe nesër, pasnesër dhe… deri në fund të dimrit. Ndërkohë, komandiri që nuk të arrestoi se ia shave partinë dhe shtetin, atë ditë kishte aheng tek jarani i tij, fqinji ynë. Këtë ai do ta bënte gjithnjë, sepse kishte një punë të mirë, të cilën e kishte fituar, falë inkuadrimit në partinë që ti ia shaje.
Nuk kaloi shumë kohë dhe ti baba, më 28 janar të vitit 1984, kishe vajtur për ngushëllime tek familjarët e një bashkëfshatari, në një lagje të njohur për nga mbështetësit e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (LKJ). Atje, dikush nga kjo lagje ta kishte zënë në gojë faktin, se në vitin 1948 të kishin lutur që të inkuadroheshe në radhët e partisë por që ti e kishe refuzuar, duke ikur edhe nga fshati, derisa të kalonte ai insistim i partiakëve për të të futur në radhët e tyre.
A e dije ti baba, se kjo ishte një ofertë, të cilën shumëkush e dëshironte por që nuk e arrinte lehtë? Nuk ishte lehtë edhe nëse e refuzoje, nëse ta ofronin pa e kërkuar vetë! E ti baba… në vend se të ndiheshe i privilegjuar që partia po ta ofron besimin, qysh kur ishe 18 vjeç, zgjodhe të dytën. E refuzove inkuadrimin në parti, duke u thirrur në karakterin tënd personal dhe familjar, se ajo nuk ishte partia që i duhej kombit tonë dhe as që ishte e drejtë karshi qytetarëve. E mua, si biri yt, më thoshe se refuzimi që të kyçeshe në parti, ishte veprim i mençur pasi, po të anëtarësoheshe, do t’i sillje telashe familjes, duke i kundërshtuar veprimet e anëtarëve të partisë, të cilët, ndonëse në emër të popullit, gjithnjë e më shumë ia vepronin duke ia shtuar luksin vetes, në kurriz të po atij populli.
Sido që të ketë ndodhur në atë kohë, ti baba sërish ua shave partinë, atyre që ndodheshin në odën përplot me burra, atyre që po të kritikonin për refuzimin që i bëre partisë për tu kyçur në radhët e saj. Madje, ti ua bëre të qartë se je duke e pritur shtrirjen e Shqipërisë, edhe në Kosovë.
Harrove baba… se në këtë rast kishe të bëje me shumë komunistë dhe jo si në rastin kur ia shave komandirit partinë në katër sy! Ani pse kishin kaluar katër vjet, që kur kishte vdekur “shoku Tito”, harrove se të tillët si ata që të provokuan në atë odë, sistemin e Titos e mbajtën gjallë edhe një dekadë pas vdekjes së tij. Harrove baba… se të tillët e siguronin “bukën e gojës”, duke i denoncuar njerëzit si ti, të cilët guxonin ta shprehnin hapur kundërshtimin ndaj sistemit “shoqëror-politik” të Jugosllavisë.
Ky ishte rasti më i përshtatshëm, baba… që të tillët të të lajmëronin tek pushteti, pa u kuptuar se cili po e bënte këtë denoncim, pasi ishin shumë në atë odë. Dhe, pas pak ditësh të arrestuan, duke na lënë ne, fëmijët e tu, me dy kilogramë miell në magje, pa dru zjarri dhe pa zarzavate.
Megjithatë, dikush nga bashkëfshatarët u mëshirua me ne, duke na sjellë pak miell, vaj, sheqer dhe gjëra të tjera ushqimore. Ishte zdrukthëtari i ndjerë, që njihej edhe ai për mospajtim me sistemin, por që nuk e shprehte këtë, sikurse ti baba! Madje, po nga shitësi ku i bleu gjërat për ne, ai u akuzua për ndihmën që po na e jepte, pasi ne ishim fëmijë të një nacionalisti dhe separatisti! Ai, mund edhe të dënohej nga pushteti për këtë veprim, po të mos ishte më i fortë se ne familjarisht. Prandaj, ai mori guximin që ta shajë shitësin, duke e paralajmëruar se mund ta pësonte keq, po që se vazhdon të llomotisë, duke e konsideruar veprim e tij human, si diçka që ishte kundër sistemit.
E pagove shtrenjtë baba kundërshtimin tënd ndaj sistemit. U dënove “minimalisht”, 12 muaj. Kështu e shfajësuan vetën njerëzit e pushtetit, duke të mëshiruar se kanë mundur të të dënojnë pesë vjet, sipas ligjeve në fuqi, por që ta kanë prerë “një dënim minimal, sa për të thënë se të dënuan”. Dhe, kë pate për dëshmitarë në gjykim baba…?

Dy persona që kishe kërkuar ti vet dhe dy të tjerë që t’i kish sjellë pushteti; njëri kryetar fshati dhe tjetri kryetar i Lidhjes së Rinisë Socialiste të fshatit! Që të dy, anëtarë të devotshëm dhe të besueshëm të partisë.
Sot, baba… a e di se, po ata njerëz të besueshëm të pushtetit të atëhershëm, janë përsëri nëpër pozita të pushtetit në Republikën e Kosovës? Nëse jo të gjithë ata, të cilët u morën me ty në atë kohë, bijtë e tyre janë! Të jesh i sigurt se, po të ishe gjallë, prapë të njëjtit apo bijtë e tyre do të të fusnin në burg. Kësaj radhe, jo sepse do t’ua shaje partinë ose pse do ta kërkoje shtrirjen e Shqipërisë, edhe në Kosovë. Por, do të haje burg baba, sepse e di që do t’i kundërshtoje për mënyrën se si po qeverisin në shtetin e Kosovës.

Baba… Më fal, por ke bërë gabim të madh që refuzove të bëheshe komunist. Ti do të ishe i pushtetshëm në atë kohë dhe ne do të jetonin më mirë. Ndërkaq, unë sot do të isha i pushtetshëm dhe ti do ta bëje pleqërinë shumë më mirë. Sidoqoftë, ti sot i bën dy vjet që ike nga kjo botë, ndërsa unë vazhdoj ta mundoj veten me dilemat, nëse bëre mirë që refuzove të bëheshe komunist apo bërë veprimin e duhur. Pyes vetën, athua do të isha unë sot një demokrat i mirë, sikur ti të ishe një komunist i mirë? Megjithatë, ti pusho i qetë baba, sepse unë kam kohë ta gjej përgjigjen e duhur! Por, ajo që po më mundon, është fakti se bijtë e atyre që të persekutuan ty dikur, sot po mundohen të më degradojnë mua! Jam i sigurt se, po të ishte i njëjti sistem, që moti do të ndodhesha në burg, sikurse ti dikur baba. Por…

_______________

*) Beqir BEQAJ është drejtor i Përgjithshëm i Radio Sharri’t ([email protected]) Karrierën në gazetari e filloi, menjëherë pas luftës në Kosovë, duke bashkëpunuar, fillimisht me disa nga gazetat e përditshme të Kosovës, për tu avancuar më pas si redaktor, në njërën prej tyre në Prishtinë, pasi u dëshmua për profesionalizëm. Në vitin 2002 kthehet në Dragash, për ta udhëhequr programin e mëngjesit në Radio SHARRI, por nuk e ndërpreu korrespondencën me gazetat ditore. Posti i drejtorit të radios i besohet në vitin 2008, pas ndryshimeve rrënjësore në kuadrin udhëheqës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura