Gjenevë, 6. 7. 2016: Pas një sëmundje të shkurtër por, të rëndë ka ndërruar jetë më 2 korrik 2016,në moshën 72 vjeçare Limon Ajet Dudi, ish-ushtar i rregullt i UÇK-së, Zona Operative e Llapit. Limoni lindi më 3 qershor 1944 në Llaushë të Besianës (ish-Podujeva). Në kohën kur ai lindi në Kosovë shkollat shqipe ishin të pakta dhe vepronin në kushte të mjerueshme dhe me plot pengesa nga sllavët invadues të cilët nëpërmjet dhunës dhe ndjekjes synonin spastrimin e Kosovës.
Megjithatë i cytur nga dëshira për të mësuar shkrim-leximin e germave shqipe të fituara me gjak në Kongresin e Manastirit, Limoni porsa mbush shtatë vjet e lut të atin Ajetin, që ta takojë mësuesin dhe atdhetarin e njohur Azem Beqiri, në mënyrë që edhe ai të përfshihet në grup me ata shtatë-tetë nxënës të shkollës katërklasëshe “Skënderbeu” të fshatit fqinjë Dumnicë e Poshtme .
Meqë mësuesi Azem ishte nga i njëjti lokalitet dhe e njihte mirë gjendjen e rëndë materiale të familjes Dudi e regjistron me dëshirë në shkollë Limanin, duke i ofruar edhe gjërat elementare si librat, fletoret dhe disa lapsa. Edhe pse kishin kaluar dyzetedy vjet Limani, e kishte ruajtur Abetaren dhuratë nga mësuesi i tij i parë Azem Beqiri. Këtë e konsideronte edhe si kujtimin më të veçantë të jetës së tij.
Mësues e nxënës i miqëson dashuria për mbrojtjen e gjuhës dhe të atdheut. Limoni në pamje ezmer dhe me trup atleti ishte fëmijë mjaft inteligjent e i dashur. Mësuesi i tij duke i vërejtur këto virtyte pozitive të Limonit e konsideronte atë tamam si mikun më të mirë dhe vazhdimisht kërkonte gjetjen e ndonjë mundësie që pas kryerjes së programeve të reduktuara shkollore të asaj periudhe ta orientojë edhe në nivele të tjera të shkollimit
Limon Dudi – 1944-2016
Por, gjendja tepër e rëndë materiale në familjen Dudi prish planet e mësuesit Azem dhe pamundëson dëshirën e Limonit për arsimim të mëtutjeshëm.
Limoni së fëmija më i madh i Ajetit dhe Fatimes edhe pse ende i mitur detyrohet të punojë çfarëdo pune qoftë vetëm e vetëm që t’u vije në ndihmë prindërve të moshuar dhe vëllait të tij të vogël Selmanit, i cili pati vdekur më 1980 tragjikisht duke lënë pas vetes djalin e tij të vetëm Fadilin atë botë tre-katër muajsh, për të cilin deri sa krijoi familje u kujdes axha i tij Limoni.
Kur nisi organizimi i Lëvizjeve të rezistencës në Kosovë,ndaj Serbisë, Limon Dudi u inkuadrua në celulat e Llapit, duke strehuar dhe ndihmuar me të gjitha mjetet ideologët e asaj periudhe.
Më 1981 autoritetet serbe të instaluara në Kosovë dhe të ndihmuara nga disa kuislingë të tipit të Ali Shukrisë e dënojnë Limonin me dy muaj burgim me pretekst se ai ka përkrahur demonstratat e organizuara nga rinia studentore e Kosovës.
Më 28 gusht 1993 ekspedita të policisë serbe të përbëra nga kriminelë dhe plaçkitës në orët e pasmesnatës patën rrethuar familjen e Limon Dudit, të cilin së bashku me dy djemtë e tij Bedriun e Nexhmiun i keqtrajtojnë rëndë dhe ua demolojnë shtëpinë dhe u grabisin çdo gjë me vlerë.
Në gjithë këtë dhunë dhe rrëmujë Limoni kishte arritur të fshehë armët dhe municionin të cilat më vonë nën emblemën e UÇK-së i zbrazi mbi trupat e pushtuesve serbë. Ai me të birin Avniun u aktivizua në radhët e UÇK-së, që në ditët e para të bërjes së saj publike.
Babë e djalë përkrah njëri-tjetrit kanë marrë pjesë në të gjitha luftimet e zhvilluara në Llap. Sidomos vlerësohet lart kontributi i tyre në Betejën e Llapashticës, të drejtuar nga eprori Ajet Potera, ku forcat serbe edhe pse të udhëhequra nga gjeneralë të karrierës u tërhoqën turpshëm duke pësuar humbje të shumta.
Familja Dudi e cila bëri shumë për lirinë e Kosovës, ishte e pafat ngase Avni Dudi ushtar i Gardës Kombëtare të Kosovës, u vra aksidentalisht më 2 korrik 1999 në Prishtinë, nga ushtarët e pakujdesshëm britanikë, të cilët me këtë rast patën vrarë edhe Fahri Bicin, bashkëluftëtar të Avniut,të cilët në ato çaste festonin triumfin e UÇK-së dhe të NATO-s mbi forcat serbe.
AVNI LIMON DUDI – simbol i sakrificës dhe i flijimit atdhetarë. Pjesëmarrës në të gjitha Betejat e UÇK-së (Zona Operative e Llapit)
Miq e shokë lajmi mbi vdekjen e Limonit i preku shumë sepse ai ishte i lindur për bamirësi. Shumëherë kishte zbrazur arkën e tij të miellit duke u dal në ndihmë familjeve skamnore. Ai ishte tepër modest dhe asnjëherë në jetë nuk u imponua edhe pse parandiente vdekjen la amanet që të varroset pazhurmë ashtu si u varrosën shokët e tij të luftës në fushëbeteja. Llapjanët duke vlerësuar ashtu si duhet kontributin personal të Limonit dhe të familjes së tij nuk përfillën këtë amanet por vërshuan dje varrezat e fshatit Llaushë të Besianës, dhe gjatë gjithë kohës së ceremonisë së varrimit shumë prej tyre me lot në sy u lutën që shpirti i tij të prehet në paqe.