Pashtriku, 9 mars 2020: Demë, doja ta mbyllnim bashkë jetën dhe bashkëshortësin, pa çka se nuk do pyesja asnjëherë për moshën, pa çka se nuk ndjeja asgjë nga dhimbjet, pa çka se e dinim që Lirisë nuk i shkohet asnjëherë deri në fund. Dashuria na qe dhuratë prej Robërisë. Ajo na bëri të bahkëndjejmë, ajo na bëri ta neverisim edhe të jetuarën.
Sa herë folëm për rënjet e mira në rrugët e vështira shtigjeve të lirisë, sa herë ti mblodha lotët për shokët, sa herë të qeshnin palgët e shpirtit nëpër madhështinë e tyre, sa herë qava për lotët tu duke u fshehur nga ti mos të të lëndoja! Që ditën që ra Zahiri e kuptova se ti ishe mes nesh sa për të qenë! Po ditët nuk po të merrnin, lotët nuk po të shterrnin, rrugët e rënda nuk po të tretnin. Ti ishe këtu me erën e luftës, me frymën e lirisë. Jetoje me qytetin. Ai u mësua shpejt me ty, me fjaët tua të pamatura. Netët sikur ditët u mësuan me bredhjen tënde kudo varreve të shokëve që e sollën lirinë, sikur thoje. I doje shumë shokët e veprimit e luftës. Pa herojtë e gjallë thoje nuk do kishim liri kurrë. Por, edhe të mërzisnin punët e pamira, apo idealet e braktisura nga ata që u bënë një me të keqen.
– Qerim Kelmendi –
Mospajtimi me të keqen të la në jetën e thjeshtë, mes familjes tënde e shokëve, mes këtij qyteti që aq shumë e vuajti pasluftën. Ti u bëre njëri nga ta. Tani thoje ne duhet t’ia bëjmë jetën lirisë jo ajo neve. Këtë mjerisht nuk e kuptuan ata që donin ta madhëronin veten nga thërimet e lirisë.
Kurora, lule, lot e kujtime u thurën vitet e pasluftës. Vetëm kaq kishte mbetur nga çoroditja e pushteteve që solli paslufta, pellgun e të keqes ku nuk hyjnë dot të denjët e liribërjes.
Po tani Dema ynë, ja erdhi arsyeja që doje, arsyeja që thoje: Pse na duhet lavdia së gjalli, pse na duhet respekti së gjalli, përse na duhet ajo që nuk na takon sepse nuk flet njeriu, flet koha!
Për rënjen tënde u lëshu i gjithë kombi, gjithë racionalja e tij. Thonë, nuk mbeti oxhak atdhetarie që nuk erdhi të ngushëlloi! Është e dhimbshme Demë të të njohim në pas shkuarjen tënde. Na mbete shumë borxh, më mbete shumë borxh, Erës po e po!
Ti e din, unë nuk doja të mbështillesha nga asgjë tjetër veç dashurisë tënde për mua, të cilën nuk mund të them se nuk e pata me bollëk, të cilën më shumë nga sa ma shpalle mua ia shpalle Pejës tënde për të cilën të gëlonte shpirti, aq sa thoje: Jo! Unë do jetoj në trollin ku u linda. Po ta lëmë atë, atëherë pse edhe e çliruam Kosovën! Bëre gjthçka për të ardhur në jetën e kënaqjes këtu në Llabianin tonë, mes familjes e luleve që nuk të munguan kurrë në këto dy dekada liri. I doje të freskëta, sepse thoje kujtimi për shokët e rënë është gjithmonë i freskët. Doje ta bëje edhe një serrë të vogël që lule të freskëta të kishe edhe nëpër dimra sado ata të ishin të acartë. Një lule e blerë thoje vërtetë është e mirë, por asgjë nuk rri më mirë sesa lulja e kultivuar nga djersa jonë mbi varret e shokëve dëshmorë.
Sot jam e shpërndarë Demë. Nuk di ku mbaron dhimbja e ku fillon kujtimi. Nuk di ku do dergjet pengu i mbetur! Atë natë kam mundur të të ndal të mos dilje, tashmë nuk di a do duhej të ta kërkoja të mos më lije vetëm meqë nuk kishte rrymë. Dritat kishin ikur, dhe ti si drita ime do duhej të më shëndrije atij terri. Ajo qe njëra nga netët e terreve dhe u bë e veçanta e tyre, solli skëterren vrasjen tënde!
Jam e shpërndarë Demë… Në mendime e copëza kujtimesh, për pengjet e mbetura e për ëndrrën e prerë. Jo, ti nuk e deshe fatin e kujdesur, shkujdesja ishte liria jote. Ajo i mbante dyert e hapura për fatin cili do që të vinte.
Ishe lodhur Demë… Ti ishe për mua këtu, për Erën, për Noken tonë të ëmbël, me dashurinë për ne. Ti ishe këtu për shokët e rënë dhe ndonjërin të gjallë që donte të ishte krah teje. Jeta i mori disa në vorbullën e vet. Atje po i bluante dhe po i gatuante për pamjet e reja. Ty të dhimbte kjo! Po, po Demë, të dhimbte shumë, aq shumë sa vrerosëshe, aq shumë sa të vinte keq për monstrumet që prodhonte kjo përzierje zhvatëse. Ky demon po e hante vendin, po e zhbënte ëndrrën, po e vriste rrugën e liribërjes sonë! Dinjiteti i braktisur nga ish shokët tashmë zhvatës kalibri të mundonte, ishe gati t’a shpallje jo mëkatar këdo, vetëm e vetëm që të mos të ju ngjante atyre në pangopësinë e tyre. Shoqëria në këto dy dekada pas liri po sëmurej me vese dhe veset po bëheshin shtati rritës i politikës. Shteti po mungonte çdo ditë e më shumë, qoftë për masën qoftë për vlerën.
Ç’e do, kjo do bëhej çertifikata jote jetësore në këto dy dekadat e fundit dhe ti jetoje për të pritur!
Ti ishe këtu për mua dhe me kohën erdhi edhe Era. Sikur çdo gruaje edhe mua më dukej se krahas meje ti bëje edhe një bashkëjetesë me çështjen, me kujtimet, me ëndrrat! Sigurisht gratë nuk duan t’i ndajnë burrat me tjera angazhime. Duan bashkë me ta të shohin vetëm me syrin e familjes, rritës e prosperimit të saj, planeve dhe realizimeve. Unë nuk e pata një kënaqësi të tillë edhe pse ti u mundove shumë, bëre shumë, më dhe shumë peshë në të sjellurën tënde publike e private, në raport me mua dhe tjerët. Ti Demë te ne mbolle vetëm një debat me këdo e kurdo, fatet e shoqërisë. Të tjerë familjarë e miq e quanin politikë. Ti jo! Për ty ishte vetëm gjendje e shoqërisë. Mishërimi me fatet e shoqërisë, jetëbërjen e saj, kualitetin e sfidat e saj, ishin dhe mbetën gjithë jeta jote. Ndaj, them, nuk di a patëm jetë çiftesh, jetë prindi! Boshllëku i zhvillimeve na bëri të na mungonte edhe jeta që bëjnë shokët e idealit, të tillë çfarë e patëm deri në çlirim.
Ti e di Demë, çdo të jetuar do ta përqafoja për ty. Ti më ishe bërë bindje përkushtuese që kur isha fëmijë. Fundja gjithkush e ka një yll dhe ti ishe imi. Faleminderit që shëndrite në çdo kohë ashtu sikur drita kishte kuptim për mua!
Faleminderit!
Do të ishte fundi i të keqes mos ta qaja fundin tënd, dhimbjen time, babain e munguar për Erën, edhe pse ti nuk e doje një gjë të tillë, doje t’i pranonim realitetet ashtu sikur ato të vinin. Po ti Demë pse nuk i pranove ato ashtu asnjëherë kur ranë shokët, të kujtohet vaji për Zahirin dhe kujtimi që jetoi me ty, lotët për Ademin e Jasharët, për Ardianin e Ilirin. E di që ishe lodhur nga çdo e keqe që i ndodhte vendit ngado që ajo i vinte, por planet nuk të mungonin, ti shihje akoma përpara, shihje dritë në fund të tunelit. Kjo na gëzonte të gjithëve dhe jetonim për ditët e mira që një ditë do të vinin.
Dashuria në familje për ty kishte vetëm një kuptim dhe ai quhej Ibrahim, të gjithë e patëm mallë, ti e pate edhe bashkë ideal. Dashuria për atdheun dhe çështjen e tij kalonte në bashkëngjizje me të. Të më ndjejnë tjerët që e them këtë. Por, sot mbase është koha të them se e xhelozoja Brahën për gjithë atë lum dashurie e respekti që e gatuaje për të. Bash sikur bukën o Demë, bash sikur bukën!
Demë kahdo që t’i bie kësaj fjalës sime dehehm nëpër lot e kujtime, plandosem mungesës sate dhe e vështirë ta dua jetën përtej kësaj. Sot kur shfrynë gjithçka në qytetin tonë të lodhur, kur pikëpyetje të shumta e të mëdha rëndojnë Kosovën tonë ty të shkëputën nga jeta. Dhe është normale, lulet më të mira, lulet më me aromë domosdo se shkëputen, domosdo se priten, domosdo se nuk lihen në fatin e tyre të ciklit jetësorë. Ti ishe njëra nga to! Këtë na dha të kuptojmë veprimi ndaj teje. Plumbat i nderojnë trimat, djegja të madhëroi. Gjithmonë e thoje: dora e Serbisë është këtu akoma, ajo nuk ka shkuar, akoma, ajo ka për të na goditur. Serbia godet fort, ajo godet me plan – thoje, dhe ne ta merrnim më shumë si obsesion, por jo paska qenë e vërtetë kjo! Kur Kosova dhe rajoni po kalon një turbulencë ndër më domethënëset, sepse po vendosen fatet e Kosovës, të goditën! Dikujt po i duhet një dramë e brendshme? Dikush mund ta ketë kapur momentin për ta realizuar ëndrrën e tij! Të dyja këto të mundshme janë e do mbesin veçse një shterpësi edhe pse pasojë lanë rënjen tënde, lanë dhimbjen e madhe, lanë shtegun e hapur! Ne nuk jemi këtu për t’i dhuruar drama këtij populli, por për t’u investuar qoftë edhe me flijimin tonë për të nesërmen e tij, për çlirimin e tij, për bashkimin e tij! Kjo ishte gjithçka që doje! Kjo moto jotja që vjen nga thellësitë e brezave të familjes ka shtratin e mjaftueshëm për ta rritur ëndrrën e të mirave për vendin. Rënja jote do bëhet vetëm një lule e shtuar në kurorën e lirisë dhe bashkimit të këtij atdheu.
– Arjeta dhe Qerim Kelmendi –
Pusho i qetë Dema im atje mes shokëve në Gllogjanin e aq lavdie çlirimtare. Tashmë besoj të kanë ardhur Ademi e Zahiri dhe gjithë dëshmorët e atdheut. Sa gjatë të ka pritur Arbeni edhe pse një copë nga ti i pat shkuar me Ardianin. Atje do e mësosh të vërtetën për Ilirin që aq shumë e deshe në të gjallë! Muja do të ta këndoj prap këngën për Luanin, sikur dikur edhe ngjitjes shkëmbijve me ngarkesat e rënda në shpinë. Mrekulloheshe tek kujtoje Mujën e na e rrëfeje se si nuk i shkëputej as i ngjirej zëri kur e këndonte Luanin. Sa shumë shokë ke andej o Demë? Kur kujtohem edhe përtej dhimbjes që na le, them ti e kishe vendin mes tyre!
Për ty, dashuria ime, do ti kem gjithmonë të bollshme dy gjëra: lotin dhe kujtimin! Jetoje përjetësinë që e mishërove në gjithë qenjën tënde. Unë jam vetëm një grua që përfundova nga të qenit shoqe, ndaj do m’i falësh lotët për shokun dhe bashkëshortin.