ARSIM SEJDIU: KOSOVOCENTRIZMI PROJEKT ANTISHQIPTAR

Prishtinë, 3 mars 2021: Në 40 vjetorin e demonstratave të vitit 1981
Nuk besoj se është e panjohur thënia serbe “vi s`te shiptari a oni preko Prokletija su albanci” në shqip i bije: ”ju jeni shqiptarë e ata përtej Bjeshkëve të Nemura janë Albanci “. Ky togfjalësh zanafillën e ka pas LDB por që burimin e ka tek programet serbe të Vaso Òªubriloviqit, Ilia Garashaninit etj.etj. Kjo thënie apo ky term asokohe nuk u hodh rastësisht, pas mbetjes së më shumë se gjysmës së trojeve shqiptare nën okupimin e sllavëve të jugut, më saktë nën shtetet e federatës jugosllave si Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni. Ky coptim tokash i rriti trojet e këtyre tri shteteve dhe e zvogëloi fuqinë e shqiptarëve, me qëllim final asimilimin apo më e pakta tjetërsimin. Këto dy qëllime të sllavëve u institucionalizuan në shtetin federativ jugosllav. Puna e parë e këtij projekti sllav ishte dëbimi i sa më shumë shqiptarëve nga trojet e tyre në drejtim të Turqisë.

Njëkohësisht filloi asimilimi përmes besimit fetar ortodoksët në Maqedoni u kthyen në sllavo-maqedon dhe pjesa e Pazarit të Ri me rrethinë u tjetërsuan duke ndërruar gjuhë dhe përkatësi kombëtare, ata u kthyen në mysliman (komb inekzistent ky i shpikur nga Tito) dhe në boshnjak. Një pjesë e shqiptarëve të besimit ortodoks në Mal të Zi edhe para LDB iu kishte nënshtruar asimilimit duke u “kthyer” në malazez.
Megjithatë ky shkrim nuk do të merret më gjatë me këto që thamë më lartë pasi që janë të njohura dhe të shtjelluara nga shumë studiues dhe historianë, ky shkrim ka për qëllim ta analizojë thënien serbe: “vi s`te shiptari a oni preko Prokletija su albanici”. Të cilën besoj e kanë dëgjuar shumica e shqiptarëve që kanë pasur edhe më të voglin debat me serbosllav kudo në ish Jugosllavi pas LDB. Mua më ka rastisur ta dëgjoj, në mënyrë të përsëritur, pas burgosjes sime në vitin 1981. Të gjithë hetuesit e UDB-ës, ata serbishtfolës dhe ata shqipfolës e kanë potencuar “këtë dallim” mes shqiptarëve që jetonin në Shqipërinë londineze dhe atyre që jetonin nën okupimin jugosllav. Kjo nuk ishte e rastësishme ky ishte program, ishte detyrë “patriotike” e atyre që mëtonin që shqiptarët t`i shkrinin në jugosllav. Këtë e dëshmojnë edhe shumë personalitete shqiptare të shkollës jugosllave dhe jo vetëm kur me rastin e regjistrimit të popullsisë u deklaruan jugosllav. Ishin “mishëruar” aq shumë me interesin personal të tyre sa që ishin në gjendje të zhbëheshin për hir të një ideje utopike. Rasti më shembullor i kësaj është politikani shqiptaro-jugosllav Azem Vllasi i cili në regjistrimin e viti 1981 ishte regjistruar jugosllav.
Kjo farë e keqe e mbjellë nga armiqtë e kombit shqiptar i fjalës: “vi s`te shqiptari a oni preko Prokletija su albanici” filloi të sjellë frytet e para tek të gjithë ata që kishin kryer shkollën e Kumrovcit, ata filluan të shfaqin dhe propagojnë dallimin mes shqiptarëve të të dyjave anëve të kufirit. Megjithatë klasa intelektuale e kohës, lëvizjet e fshehta (ilegale) të kohës i rezistuan këtij lloj asimilimi përmes shkollës politike të Adem DemaÒ«it dhe lëvizjeve brenda shqiptare të nivelit kulturor, programet e Radio Tiranës dhe të radio Kukësit dhe kulmimi me aprovimin mbarëkombëtar të Standardit të gjuhës shqipe i cili edhe në viset shqiptare nën jugosllavi u pranua edhe pse jo ligjërisht por praktikisht u shtri në të gjitha poret e jetës si në radio, televizion, shkolla, letërsi e në çdo rrafsh ku shkruhej shqip.
Në Kosovë asokohe vepronin dy rryma politike, ajo zyrtare komuniste titiste që mbështetej nga udhëheqja politike e kohës por edhe nga disa intelektual të rritur e brymosur në “parajsën”, titiste.
Elitë kjo që edhe në sjellje ishte ndarë prej pjesës tjetër të kombit shqiptar. Ata rrinin e shoqëroheshin madje shumë syresh edhe lidhnin miqësi me martesa me serb e të tjerë si shenjë kjo e nivelit të lartë të internacionalizmit dhe të bashkim vëllazërimit, parullë kjo e kohës, të cilën mund ta hasje në çdo vend të dukshëm. Pothuaj e gjithë elita politike e asaj kohe që udhëhiqte Kosovën ishte e martuar me gra të kombeve e kombësive të tjera. Ali Shukriu ishte martuar me serbe, Sinan Hasani me serbe, Azem Vllasi me boshnjake, Rrahman Morina me serbe dhe shumë të tjerë. Kjo sjellje e tyre pastaj atyre ua hapte të gjitha rrugët e karrierës pa marrë parasysh aftësitë apo shkollimin. Kështu u krijua një elitë mediokre që u nda krejtësisht prej popullit dhe nuk dëgjonte për hallet e tyre. Pjesa tjetër shumica e popullit prej tyre shikohej sikur njerëz të pagdhendur dhe të paformuar. Po t`i thoshe ndonjërit prej kësaj elite pse shoqërohej apo martohej me serb t`i nxirrnin sytë me pyetje çka ke ti kundër serbëve, madje edhe mund ta pësoje me ndonjë dajak nga UDB-eja.
Megjithatë elita e vërtetë intelektuale e popullit ishte me popullin dhe me hallet e tyre. Dikush brenda sistemit edhe mund të bënte ndonjë lëvizje pozitive për Kosovën. Por rolin kyç në edukimin dhe formimin kombëtar e pati Lëvizja kombëtare e shumë grupeve të fshehta që punonin natë e ditë në edukimin kombëtar të popullit. Burgosjet e tyre dhe sakrificat e tyre ishin bërë shembull për të gjithë njerëzit e asaj kohe, deri sa nga pjesa tjetër përçmohej me epitete fyese e denigruese.
Pas demonstratave masive popullore të viti 1981, populli arriti nivelin më të lartë të vetëdijes kombëtare. Tani falë Lëvizjeve të fshehta (ilegale) populli arriti t`i kanalizojë kërkesa politike për statusin e Kosovës. Në kuadër të Lëvizjeve të fshehta ishte formësuar ideja e krijimit të një Republike brenda federatës Jugosllave. Kishte të tilla që kërkonin pak më shumë si republikë shqiptare brenda Jugosllavisë ku përfshihen të gjitha viset e okupuara shqiptare dhe të shpërndara në tri republikat sllave, Serbi, Mal i Zi dhe Maqedoni. Por që të gjitha këto Lëvizje qëllim final kishin bashkimin kombëtar dhe këtë nivel kushtetues e konsideronin si fazë e ndërmjetme deri në qëllimin final, bashkimin kombëtar.
Tashti kishin filluar thyerjet e mëdha brenda dy elitave ishin armiqësuar deri në padurim. Për pasojë të ngjarjeve të viti 1981 në Kosovë, në republikat e tjera filloi të shfaqej ideja e ndarjes apo e shthurjes së Jugosllavisë së AVNOJ-it. Në Evropë ndodhin thyerjet e mëdha dhe filloi ndryshimi i pandalshëm. Të gjitha vendet që kishin sisteme njëpartiake të ashtuquajtura socialiste u shembën.
Në Kosovë asokohe shumica e intelektualëve dhe patriotëve gjendeshin nëpër burgjet jugosllave. Proceset ecnin pandalshëm dhe këtë e shfrytëzoj elita e shkollës titiste dhe në krye me Jusuf Buxhovin e disa intelektualë mediokër themeluan LDK (Lidhjen Demokratike të Kosovës).
Ç`është e vërteta asokohe kjo lëvizje politike u pranua nga të gjithë populli me vullnetin më të madh. Në krye të saj u vu një kritik letrar e shkrimtar pak i njohur por karizmatik, Ibrahim Rugova i cili me paraqitjet e tij dhe sjelljen e tij përvetësoi popullin. Pak veta nuk e pranuan dhe nuk e besuan këtë parti që asokohe u cilësua me të drejtë Lëvizje gjithë popullore. Në drejtimin e saj dhe orientimin politik programatik kishte shumë paqartësi por që populli i lodhur i besoj verbërisht. Aty u krijua një mishmash politik kishte titistë, enveristë, të djathtë, të majtë dhe u krijua bindja sikur u bashkuam vërtetë dhe u falëm mes veti ishte sikur u pajtuam dhe tashti duhej ecur përpara drejt një qëllim të përbashkët.
Ibrahim Rugova asokohe pati paraqitur tri opcione politike për Kosovën.
1. Kosova Republikë nëse mbetej Jugosllavia aktuale,
2. Kosova e Pavarur si kompromis i ikjes nga lufta dhe,
3. nëse do bëhej luftë atëherë zgjidhja e tretë ishte Bashkimi i shqiptarëve në një shtet.
Këto opsione ishin të pranueshme për të gjithë asokohe me ndonjë përjashtim. Por nga brenda LDK-së gërryente pa pushim dhe forconte pozitat shkolla e Kumrovcit por nuk u shpërfaqte hapur. Ajo u shpërfaq vetëm pas vdekjes së Rugovës dhe kjo shpërfaqje më së miri shprehet me idenë e “Kosovocentrizmit”, e përkthyer kjo në krijimin e një kombi të ri por tani jo jugosllav por kosovar. Kështu e deklaroi këto ditë edhe themeluesi i LDK –Jusuf Buxhovi. Pra fjalia e vjetër se ne jemi shqiptar e ata matanë Bjeshkëve të Nemura janë Albanci po tentohet të kapitalizohet përmes “Kosovocentrizmit” ide kjo titiste dhe rankoviqiste. Këtë ide e përkrahin një numër minor i shqiptarëve por që nga mediet e dyshimta u jepet shumë hapësirë.
Udhëheqja aktuale e LDK-së dhe ajo që po vjen e ka në diskursin e vet politik “kosovocentrizmin” që i bije se kanë dalë nga binarët tradicional të trasuar nga binomi Rugova-Agani e cila mbështetej në tri opsionet aq shumë të njohura dhe të përsëritura në konferencat javore të Ibrahim Rugovës.
Këtë projekt e ka mbështetur hapur edhe presidentja në detyrë Vjosa Osmani. Andaj “kosovocentrizmi” është projekt antishqiptar pasi që rrënjët i ka tek Tito dhe Rankoviqi si bartës të projektit për shfarosje të popullit shqiptar të Qubrilloviqit me shokë.
Arsim Sejdiu, Prishtinë 03.03.2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura