GJOKË DABAJ: NUK MJAFTON TË NA VIJË TURP PËRPARA ÇEKËVET! (KOMBI SHQIPTAR KA NEVOJË TË KULTIVOJË VIRTYTET!)

Durrës, 06. 07. 2015 – Një djalë 20-vjeçar, kriminel i dëshmuar që në moshën 14 vjeç, vrau 2 njerëz që kishin ardhur për të parë Shqipërinë. Shqiptarët u mbuluan me turp anembanë botës. U hodhën në zjarr dhe u dogjën sakaq, por edhe kushedi për të satën herë: MIKPRITJA „proverbiale“ shqiptare, BESA e shqiptarit, që edhe në gjuhë të tjera i thonë BESA, sepse është „emblemë“ e virtytit të shqiptarëvet. U hodhën në zjarr dhe u dogjën!
I gjendur para situatash e ngjarjesh të këtilla, kombi shqiptar është I DETYRUAR, o të ndalet e të mendojë mençurisht dhe të marrë vendime të mençur për të zënë një vend të denjë midis popujvet, o t’i dorëzohet spotanitetit dhe: kush të dojë, le të rrijë shqiptar i ndershëm, besnik, mikpritës, i virtytshëm, kush të mos dojë, le t’u dalë në rrugë kalimtarëvet, t’i grabisë, t’i dhunojë e t’i vrasë.
I gjendur para situatash të këtilla, që nuk janë të rralla ndër ne, kombi shqiptar duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë se: nuk na mjafton të indinjohemi kur na ndodhin ngjarje të këtilla, nuk na mjafton të mobilizojmë qindra forca për të kapur një kalama përdhosës të fytyrës sonë kombëtare, nuk na mjafton të dalim 10 apo 100 vetë nëpër rrugë, për ta dënuar vrasjen makabër dhe për t’u shprehur ngushëllime të afërmvet të viktimavet apo edhe kombit, të cilit i përkasin ato viktima, nuk na mjaftojnë, qoftë edhe me mijëra, mesazhet që shprehin indinjatë. Kombit shqiptar i duhet shumë më tepër se kaq.

A1 Report – Ekskluzive, momentet e kapjes së Sokol Mjacaj në Grudë të Re.

I gjendur para situatash të këtilla, që i kemi tepër të shpeshta në kombin tonë (shih listën e vrasjevet të përditshme, shih listën e familjevet të ngujuara dhe përfytyro listën e mijëra Sokol Mjacëve, që kryejnë PËRDITË grabitje, nëpër zyra e nëpër sportele), kombit tonë i duhet të kërkojë e të gjejë MËNYRA për të mos rritur djem të tillë si Sokol Mjacaj.
Kombit shqiptar i duhet të kërkojë e të gjejë MËNYRA:
– për të mos rritur ZYRTARË siç i kemi sot,
– për të mos rritur GJYQTARË siç i kemi sot,
– për të mos rritur POLITIKANË kaq të ngushtë në vizionet e tyre,
– për të mos rritur QEVERITARË kaq lakmitarë në të padrejtë, kaq egoistë, kaq shkurtpamës e kaq hipokritë,
– për të mos rritur SHKENCËTARË kaq të mefshët e kaq qyqarë,
– për të mos rritur NËNA e ETËR kaq të paaftë në bërjen të vlefshëm e të virtytshëm të fëmijëvet të vet,
– për të mos rritur MËSUES kaq të paefektshëm,
– për të mos rritur FEMRA kaq naive, sa të na „pasqyrojnë“, ne dhe familjet e veta, nëpër udhëkryqet e së quajturës Evropë e qytetëruar,
– për të mos rritur „TRIMA“ të atillë që, edhe kur zënë qelitë e burgjevet, duan të mbeten „trima“, pa e kuptuar asnjëherë që s’janë veçse kokrra e budallait, i cili do të mund t‘i shfrytëzonte trimërinë dhe energjinë në punë të tjera, më dinjitoze se ato që e çojnë njeriun hajvanërisht drejt burgjevet.

Kombi shqiptar ka nevojë të reformohet rrënjësisht. Të kërkojë e të gjejë MËNYRA, dhe të kultivojë VIRTYTET, që e kanë udhëhequr me mijëra vjet dhe të dalë ashtu në sipërfaqe midis kombevet me fisnikëri të dallueshme. Nuk mund dhe nuk duhet të pranohet që të vazhdojmë të përfaqësohemi pafundësisht me cilësi kaq negative e kaq denigruese. Çekia do të mbetet ajo që është, edhe pa ata 2 njerëz që ia vramë, ne nuk duhet kurrsesi të mbetemi këta që jemi.

…………………………………………………………….

A1 Report – Intervista/ Babai i turistes: Edhe në Çeki të vrasin për 20 Koruna!

…………………………………………………

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura