Prishtinë, 12. 10. 2015: Paradoksalisht, politika është pothuajse fusha e vetme në të cilën, e për të cilën, flasin edhe ata që dinë, por mbi të gjitha ata që nuk dinë. Fletë shumë kush, për të mos thënë çdo kush, e të cilët thonë çdo gjë përveç profesionalizmit e objektivitetit. Situata aktuale në Kosovë karakterizohet me shumë politikë e me pak profesionalizëm. Mjerisht, aktualiteti politik në Kosovë është uzurpuar nga profan e diletant, demagog e prepotent, të cilët na lodhën me pallavrat e tyre se si të dilet nga kjo gjendje e si të arrihet konsenzusi politik e shoqërorë nacional. Para se të eksplikohet tema më e rëndësishme e aktualitetit politik, siç është çështja e tërheqjes së nënshkrimit, rrespektivisht anulimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, është e nevojshme të thuhen disa fjalë për shkakun e vërtetë të krizës politike në vend. E ky shkak është pushteti, e kursesi shteti. Kjo për shkak se Asociacioni nuk ka asnjë kompetencë më shumë se sa kompetencat të cilat parashihen në bazë të Pakos së Ahtisarit, e që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve. Asociacioni është zgjatje në kuadër të kornizave të Pakos së Ahtisarit, por jo zgjërim.
Çështje tjetër e cila për mendimin tim është e rëndësishme të dekonstruktohet është manipulimi me nocionet ‘e drejtë’ dhe ‘drejtësi’. Mendoj që ka një keqkuptim dhe njëkohësisht një keqinterpretim të këtyre dy nocioneve. Nuk është në rregull që të ngatërrohet drejtësia me të drejtën. Madje këto përveç që jan nocione, në të njetën kohë janë edhe koncepte. Dhe, dallimi pashmangshëm dhe I pakthyeshëm është dhe duhet të jetë konceptual. Ne, njëherë e mirë duhet të kuptojmë se e drejta dhe drejtësia nuk janë as nocione e as koncepte të njejta. Për shkak se e drejta nënkupton aspektin zyrtar, e drejtësia aspektin shoqërorë. E drejta nënkupton tërsinë e normave juridiko-pozitive të një sistemi juridik të cilat janë të aplikueshme dhe për mos zbatimin e të cilave, respektivisht për shkeljen e të cilave, pason sanksioni juridik. Drejtësia është dhe duhet të akceptohet si shoqërore. Pra tërsi e vlerave të përbashkëta shoqërore të cilat karaketrizojnë një shoqëri të caktuar. Drejtësia relekton moral të përbashkët shoqërorë. Drejtësia kërkon legjitimitet, e drejta synon gjithmonë legalitet. Legaliteti shpeshëherë sfidon legjitimitetin në situata të caktuara. Mirëpo është një proces i cili njikohësisht përfshinë legalitetin dhe legjitimitetin. Zgjedhjet në çdo shtet normal mbahen mbi bazën e Ligjit mbi Zgjedhjet dhe ky është dimenzioni legal, derisa legjitimiteti fitohet përmes votave. Rezultati zgjedhorë i mishëruar në konfiguracion të spektrit partiak politik prodhon një qeveri dhe një parlament legal dhe legjitim. Dhe, këtu çështja e legalitetit më nuk vihet në pikëpyetje. E legjitimiteti është dhe duhet të jetë referencë permanente e institucioneve.
***
Sidoqoftë të kthehemi te çështja kapitale. A ekziston si mundësi objektive tërheqja e nënshkrimit?! Në të drejtën ndërkombëtare ky variant nuk ekziston. Dhe këtu opozita i’a ka fut kot. Në vend të tërheqjes së nënshkrimit në të drejtën ndërkombëtare njihet institucioni i anulimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ky është dallimi substancial që duhet thënë. Në bazë të dispozitave juridiko-pozitive të së drejtës ndërkombëtare një gjë e tillë është e paraparë. Dokumenti juridik ndërkombëtar i cili e rregullon në mënyrë të qartë pezullimin, anulimin apo tërheqjen nga marrëveshja ndërkombëtare është Konventa e Vienës mbi të Drejtën e Traktateve, e arritur në Vienë me 23 maj 1969, e hyrë në fuqi me 27 janar të vitit 1980 dhe e nëshkruar nga 96 shtete deri në 20 janar të vitit 2004. Mirëpo para se të elaborohet kjo është me rëndësi imanente dekonstruktimi i nocioneve të gjuhës angleze ‘treaty’ dhe ‘agreement’. Në rastin konkret, Kosova ka nënshkruar marrëveshje (agreement) dhe jo marrëveshje (treaty) me Serbinë. E tillë është “Marrëveshja e Parë mbi Parimet që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve, e datës 19 prill 2013. Në këtë marrëveshje është përdorur fjala agreement. Verzioni i emërtimit të kësaj marrëveshje në gjuhën angleze është: ”The First Agreement of Principles Governing Normalization of Relations.” Kjo marrëveshje është ratifikuar edhe me Ligjin Nr. 04/L- 199 mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare mbi Parimet Qeverisëse për Normalizimin e Marrëdhënieve me Serbinë, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me 27 qershorë të vitit 2013. Në bazë të nenit 2.1 (a) të Konventës së Vienës mbi të Drejtën e Traktateve termi ‘treaty’ nënkupton “një marrëveshje ndërkombëtare (international agreement) të bërë në mes të shteteve, në formë të shkruar dhe të njohur nga e drejta ndërkombëtare dhe të mishëruar në një apo më shumë instrumente”. Në anën tjetër autori i fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare Boleslaw A. Boczek, në librin e tij të njohur: ‘International Law- A Dictionary’, thekson se mëgjithë përdorimin e nocionit treaty në praktikën e përditshme ndërkombëtare, ky nocion përfshinë edhe nocionet tjera si agreement, convention, pact, accord, covenant, arrangement e terme të tjera. Sipas tij nocioni treaty është i përdorur në Konventën e Vienës dhe në praktikën e përditshme ndërkombëtare si një nocion i përshtatshëm dhe përgjithësisht i pranuar për marrëveshjet e shkruara ndërkombëtare. Ndërkohë konsistenca mungon edhe kur është fjala për përdorimin e këtyre termeve nga organet e OKB-së, siç është rasti me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, rrespektivisht me statutin e saj e cila në nenin 36 të tij i referohet fjalës ‘treaties’, derisa në nenin 38 i referohet termit ‘conventions’. Pra në këtë kontekst nuk duhet patur mjegull. Në bazë të së drejtës ndërkombëtare pozitive përdorimi i njërës nga nocionet e lartëpërmendura mjafton. Dhe në momentin e nënshskrimit të marrëveshjeve ato në planin e brendshëm bëhen obligative pasi të jenë ratifikuar nga Parlamentet rrespektive. Dhe, një gjë e tillë në Kosovë ka ndodhur. Tani shtrohet çështja e tërheqjes së nënshkrimit, e cila teknikisht dhe praktikisht është e pamundshme, respektivisht anulimit të marrëveshjes apo tërheqjes nga marrëveshja, e cila edhe teknikisht edhe praktikisht, por edhe juridikisht është e mundshme, por në kushte dhe rrethana të caktuara. Ndalimin e zbatimit të marrëveshjeve, rrespektivisht suspendimit të tyre apo tërheqja nga marrëveshja parashihet në Konventën e Vienës mbi të Drejtën e Traktateve. Në bazë të nenit 54 të Konventës së Vienës mbi të Drejtën e Traktateve ekzistojnë dy mundësi për t’u tërhequr nga marrëveshja.
Mundësia e parë për tërheqje nga një marrëveshje ndërkombëtare është nëse një gjë e tillë është paraparë në një marrëveshje të tillë. Pra nëse në një marrëveshje të caktuar ndërkombëtare parashihet tërheqja nga marrëveshja në kushte të caktuara, atëherë një gjë e tillë është e lejuar.
Mundësia e dytë për t’u tërhequr nga marrëveshja ndërkombëtare konsiston në pëlqimin e palëve. Pra një marrëveshje ndërkombëtare mund të tërhiqet, rrespektivisht të anulohet nëse për një gjë të tillë pajtohen palët nënshkruese të asaj marrëveshje. Mirëpo çka nëse asnjëra prej mundësive të parapara me nenin 54 të kësaj Konvente nuk ekziston? Çka nëse në marrëveshje, siç është rasti i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, nuk është paraparë mundësia për t’u prishur apo anuluar marrëveshja si dhe njëkohësisht nuk ka pajtim nga cila do palë nënshkruese për një gjë të tillë? Neni 56 i po kësaj Konvente e sqaron një situatë të tillë. Në bazë të këtij neni një marrëveshje e cila nuk përmban dispozita të cilat çojnë në anulim apo tërheqje nga marrëveshja nuk mund të jetë subjekt i anulimit apo tërheqjës përderisa nuk vërtetohet se palët kannë pasur për qëllim një gjë të tillë dhe përderisa një gjë e tillë nuk vetëkuptohet për nga natyra e marrëveshjes.
Nëse një gjë e tillë ekziston atëherë, pra nëse vërtetohet se palët kannë pasur parasysh një gjë të tiilë apo nëse kjo vetëkuptohet për nga natyra e marrëveshjes, atëherë anulimi i marrëveshjes, rrespektivisht tërheqja prej saj mund të bëhet pasi të kalojnë 12 muaj nga koha e reklamimit për një gjë të tillë. Këtë interpretim e jep autori Tim Hillier, në librin e tij ‘Sourcebook on Public International Law’. Mundësia tjetër e cila është e sankionuar për anulim të marrëveshjes, neni 62 i Konventës, rrespektivisht tërheqje nga marrëveshja, është ndryshimi substancial i rrethanave, parimi juridik Rebus Sic Stantibus. Derisa mundësia e fundit për një gjë të tillë, e sanksionuar me nenin 64 është shkelja e normave jus cogens të së drejtës ndërkombëtare. Duke pas paraysh se dispozitat juridiko pozitive të së drejtës ndërkombëtare përkitazi me anulimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, rrespektivisht tërheqjes nga marrëveshja, janë të tilla, atëherë mund të konstatohet objektivisht se Republika e Kosovës nuk ka asnjë arsye objektive juridiko-ndërkombëtare për të anuluar marrëveshjen apo për t’u tërhequr nga ajo. Konsekuencat politike në këtë rast nuk janë objekt disktutimi e trajtimi.
Përfundimisht, mund të thuhet se kërkesat e opozitës kosovare jan absurde dhe non sens juridik. Është fatkeqësi që njerëz me legjitimitet e legalitet që përfaqësojnë qytetarët e Republikës kanë humbur rezonin juridik. Çdo shoqëri ka rregulla, çdo shtet ka rregulla, çdo organizim ka rregulla. Është me rëndësi fundamentale që njerëz publik e politik të kenë rezonim objektiv për dispozitat juridiko-pozitive të sistemit juridik pozitiv të Republikës së Kosovës, e në veçanti për ato të së drejtës ndërkombëtare.