ATY KU FILLOI GJITHÇKA
Nga Arif Ejupi
Kjo nuk është thjesht një ndërtesë me mure të çara, dyer të vjetra e çati të përkulur nga koha.
Kjo është tempulli i fëmijërisë sime, vendi ku u mësova të dua, të shpresoj, të ëndërroj dhe mbi të gjitha, të qëndroj i fortë.
Këto mure të lyera me gëlqere e të plasaritura, mbajnë kujtimet më të çmuara të jetës sime.
Në këtë shtëpi qava, qesha dhe u rrita. U ndjeva i pasur pa pasur asgjë tjetër përveç dashurisë së prindërve dhe ngrohtësisë së një familjeje që nuk u përkul kurrë para vështirësive.
Çdo cep i kësaj shtëpie flet me zë të heshtur për netët pa gjumë nën shiun që pikonte nga kulmi, për mëngjeset me bukë të ngrohtë dhe duart e nënës që më përkëdhelnin si të isha vetë zemra e saj.
Kjo shtëpi ishte dëshmitare e përpjekjeve tona, e qëndresës dhe krenarisë. Edhe pse sot duket e përulur në pamje, ajo qëndron madhështore në zemrën time.
Sepse aty ku ndërhyn dora e Zotit dhe dashuria e njerëzve të mirë, ndodhin mrekullitë.
Andaj edhe unë jam një prej atyre mrekullive që doli nga kjo shtëpi modeste.
Sot, kur e shikoj këtë fotografi, nuk shoh varfëri. Shoh themelin e shpirtit tim, nderin tim, e burimin e çdo frymëzimi që më ka shoqëruar në jetë.
Kjo shtëpi gërmadhë që kaloi shekullin u ballafaqua me stuhi të shumta por të gjithave u bëri ballë falë besimit në vevete.
Edhe pse të tjerët e shohin si një një gërmadhë, unë e shoh si një tempull. Sepse aty. filloi gjithçka..