BAJRAM MUSTAFA: SI E PËRJETOVA MASAKRËN – NË BURGUN E DUBRAVËS?(I)

(Pashtriku.org, 19. 05. 2012) – Pse biseduam me Bajram Mustafën? Bajram Mustafa ka qenë i burgosur i burgut të Dubravës, i cili deri në fillim të bombardimeve nuk i ka përjetuar pasojat e të burgosurve politik apo të robërve të luftës. Pas fillimit të bombardimeve dhe më vonë ai kishte shëndet të plotë për t’u aktivizuar gjithanshëm brenda burgut dhe për të qenë i pranishëm në një numër të madh ngjarjesh që zhvilloheshin brenda burgut, ngjarje të cilat nuk kanë mundur t’i përjetojnë shumë të burgosur të tjerë. /Bisedën e bëri Prof.Dr.Begzad Baliu/
“…njerëzit si ti nuk i dërgojmë në burg por i vrasim rrugës…”
BEGZAD BALIU: Kur jeni burgosur?
BAJRAM MUSTAFA:
Më 29.01.1999, më kanë marrë në qendër të qytetit të Prishtinës. Në rrugë për në burgun e Dubravës, te Ura e Klinës më ndalën në afërsi të një turme gurësh dhe më thanë se njerëzit si ti nuk i dërgojmë në burg por i vrasim rrugës bash në këtë vend. Më përgatitën për ekzekutim por pastaj filluan të bëhen sikur po shtyhen a duhet vrarë apo jo për mëse gjysmë ore. Pastaj më dërguan në stacionin e policisë në Klinë. Aty kërkova të shkoj në WC dhe më thanë që të shkoj por të mos tentoj të iki sepse do ta thërrasim popin që të varros pasi hoxha më nuk po varros me urdhërin tonë. Prej aty më dërguan në burgun e Dubravës.
BEGZAD BALIU: Si e keni parë ju burgun e Dubravës?
BAJRAM MUSTAFA:
Të mbushur me policë e ushtarë. Aty nuk kishte të burgosur shqiptarë, por vetëm të burgosur serb. Shqiptarët i kishin dërguar në burgjet e Serbisë. Mua më dërguan në çeli. Aty më kanë mbajtur 57 ditë. Ndërkohë i kishin sjellur edhe disa shqiptarë të akuzuar për terrorizëm në Pavionin C’1.
BEGZAD BALIU: A mendon se ka pasur të burgosur të tjerë shqiptarë që mbaheshin në çeli?
BAJRAM MUSTAFA:
Në ndërtesën e pranimit ku isha unë nuk ka pasur por pas dy-tri ditësh në ndërtesën e pavilonit C’1 janë sjellë rreth 30-40 persona të akuzuar si pjesëmarrës të luftës.

Të gjitha ambientet e Burgut të Dubravës, ku u krye masakra!

____________________________________________

BEGZAD BALIU: Pastaj?
BAJRAM MUSTAFA:
Pastaj sollën nga burgjet serbe disa të burgosur shqiptarë, kryesisht nga burgu i Sremit dhe Pozharevcit, që nuk ishin të burgosur politik. Bashkë me ta sollën edhe rreth 15 serbë. Në furrë punonin shqiptarët dhe gatuanin për të burgosur, policë dhe ushtarë, ndërsa kuzhina për serbë ishte e ndarë. Edhe më se 70 të burgosur serbë gjendeshin në burg, por në tip të hapur dhe ata e ndihmonin policinë e ushtrinë për nevoja ushtarake. Një natë para fillimit të bombardimeve të NATO-s në Kosovë, hoqën dhjetë serbë të burgosur ndërsa pesë të fundit i tërhoqën dy ditë pas fillimit të bombardimeve. Gjatë qëndrimit të tyre me ne ata tregonin për pjesëmarrjen e tyre si luftarë në Kroaci, Bosnje por që u burgosën për shkak të krimeve që kishin bërë në Serbi: Sinisha Petriq – i ashtuquajturi Zenica nga Zenica e Bosnjes, Millosh Gjuriq – i komunës së Istogut (tani Burimit), i cili pas kthimit nga lufta në Kroaci e Bosnje e kishte mbytë babain e vet, njëfarë Aca Paviqeviç – nga Podgorica, Dejan Mlladenoviq – një serb-maxhup nga Krushevci i Serbisë, dhe një Acë tjetër i ashtuquajtur edhe Aca i Vogël nga Istogu, i cili ka qenë edhe zëvendës komandanti, sikur edhe Ilia Mishkoviq nga Nikshiqi i Malit të Zi, Millovan Millosheviq i ashtuquajturi Talle nga lagjja e Ulpianës në Prishtinë, pjesëmarrës i luftës në Bosnje e Kroaci si pjestarë i Gardës së Arkanit, njëfarë Simiqi nga Shpenadija e Prizrenit, Igor Gërgoviq, një ish polic nga Peja, Shqepanoviq nga Mali i Zi, njëraë Mirosllavi nga ana e Gjilanit, njëfarë Todori i ashtuquajturi Tosho. Këta dy të fundit dhe tre të tjerë shokë të tyre kanë qenë të dënuar për dhunim. Hranisllav Kukurekoviç nga Gushterica e Lipjanit dhe Migo Llalleviç nga Mali i Zi, pastaj njëfarë komandir Mitri i rrethit të Pejës etj.
Pas fillimit të bombardimeve në burg kanë sjellur një grup të rinjësh nga Gjakova që i kishin mbledhur nga rruga, shtëpia, etj.
BEGZAD BALIU: Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s në Kosovë, a kanë sjellur në burgun e Dubravës të burgosur të tjerë apo të kidnapuar nga tereni?
BAJRAM MUSTAFA:
Po. Pas fillimit të bombardimeve në burg kanë sjellur një grup të rinjësh nga Gjakova që i kishin mbledhur nga rruga, shtëpia, etj. Më vonë kur i kemi pyetur se si i kanë marrë na kanë thënë se shumicën prej tyre i kanë marrë në shtëpi. Madje që më parë ju kanë thënë që të mos dalin se pse nuk janë të rrezikuar dhe policia e ushtria serbe ka ngrënë edhe buken e tyre por për një çast policia serbe ka ndërruar mendimin dhe i ka kindapuar pa asnjë arsyetim. Veç tyre në burg kanë sjellur edhe të burgosur të tjerë nga burgjet e Serbisë, nga Mitrovica e Sremit e burgjet tjera.
BEGZAD BALIU: Sa ka qenë numri i tyre ?
BAJRAM MUSTAFA:
Nga rrethi i Gjakovës kanë qenë rreth 150 veta ndërsa nga burgjet serbe i kanë sjellur rreth 400 të burgosur d.m.th. gjithësejt rreth 600-650 veta. Mbrenda kanë qenë edhe mbi 300, andaj me sa di unë atë kohë në burgun e Dubravës kanë qenë rreth 962 veta.
BEGZAD BALIU: Si kanë qenë sjelljet e autoriteteve para bombardimeve?
BAJRAM MUSTAFA:
Në pavilonin B2 nuk ka pasur sjellje të këqija. Ndërsa në pavilonin C1 ku kanë qenë të akuzuarit kinse për terrorizëm ata kanë përjetuar tortura të mëdha. Kanë pasur një të katërtën e bukës dhe shumë pak gjellë dhe dajak çdo gjysmë ore.
BEGZAD BALIU: Po në prag të luftës?
BAJRAM MUSTAFA:
Ne ishim të gëzuar sepse përcilleshin informatat se do të bombardohet e tërë Serbia.
«Kur na vinte buka, së pari na detyronin të bërtisnim Rroftë Serbia! Të këndojmë këngën «Ko to kazhe, ko to llazhe Serbia je malla!»
BEGZAD BALIU: Si i merrnit informatat?
BAJRAM MUSTAFA:
Disa persona që punonin në furrë të bukës, ata kanë pasur tranzistor dhe kanë përcjellur lajmet dhe çdo lajm të mirë na e përcillnin.
BEGZAD BALIU: Po ditën e parë të fillimit të bombardimit?
BAJRAM MUSTAFA:
Kemi qenë shumë të gëzuar. Paviloni B2 i tëri ka duartrokitur. Kemi hapur langje, kemi vallëzuar dhe meqë vëreheshin raketat që bombardonin Sllatinën, ne të gjithë u hodhëm në dritare për t´i parë ato. Në pavilonin C nuk kanë ditur shumë por së paku e kanë ditur se bombardimi filloi, prandaj edhe ata me gjithë dhunën dhe frikën që kishin përjetuar e shfaqën gëzimin e tyre me duartrokitje. Autoritetet e burgut morën masa më të rrepta ndaj neve të gjithë shqiptarëve: u ndalua shetitja njëorëshe, ushqimi u dobësua shumë. Prej ditës së fillimit të bombardimit rryma ndalej në orën 5 dhe vinte në orën 6 të mëngjesit, buka jepej nga tri herë në dy herë dhe na e jepnin një bukë për njëzetë e katër orë : gjysmën në drekë e gjysmën thatë më vonë. Në pavionin C1 gjendja ishte edhe më e vështirë. Ata kanë pasur rrahje pa ndërprerë dhe gjatë gjithë ditës merrnin vetëm gjysmë buke. Po ua ofroj rrëfimin që ma ka treguar Sadik Zeçiraj, gazetarë i Botës së re, më vonë: «Kur na vinte buka, së pari na detyronin të bërtisnim Rroftë Serbia! Të këndojmë këngën «Ko to kazhe, ko to llazhe Serbia je malla!» Njëherë kërkon një copë bukë më shumë por i thonë se ti je terrorist dhe ti nuk e meriton as këtë që po ta japim por ti e meriton plumbin në ballë. Bukën e merrnim të gërmusur me duar përpara, në shenjë poshtërimi dhe pa guxuar ta ngrejnë kokën që ta shikojnë ndarësin e bukës apo të gjellës. Ai thoshte se edhe babai im sikur të kishte qenë duke ndarë gjellën unë nuk do të dija kush është. Për C1 ku kishte rreth 200 të burgosur, ka ekzistuar një ligj i veçantë i sjelljes. Me të hapur dera, të burgosurit kanë qenë të detyruar të ngriten në këmbë dhe në vend të mirëmëngjesit duhej thirrur: Zhivella serbia! dhe këngën «Ko to kazhe…». çdo mbrëmje mblidheshin gardianët e pavioneve të ndryshme dhe shkonin për t´i rrahur ata në mënyrë të organizuar. Në këto fushata dallohej sidomos gardiani Mitri nga rethi i Istogut, njëfarë gardian Manca, Nikiqi, Lushiqi, Lubisha, Zvonki dhe një gardian i ashtuquajtur Tarzan nën udhëheqjen e mbikqyrësit Bellosheviq, dhe udhëheqësit të ndërrimit Dragan. Të gjithë këta të rrethit të Klinës dhe Istogut. Nga policët përcillej situata me radio gjithë natën.

Pamje rrënqethëse nga Burgu i Dubravës…

_______________________________________________

BEGZAD BALIU: Çfarë masa u morën nga ana e drejtorisë së burgut?
BAJRAM MUSTAFA:
Gardianët na thonin se këtu nuk do të gjuan NATO pasi këtu jeni ju të burgosurit dhe ju këtu jeni në duar të sigurta.
Në fillim aeroplanët e NATO-s kanë sulmuar një pavion afër pavionit C
BEGZAD BALIU: Pas fillimit të bombardimeve në Kosovë a ka mbetur ndonjë serb në burg me ju ?
BAJRAM MUSTAFA:
Me ne kanë mbetur vetëm edhe pesë serbë. Një mëngjes kur ra zilja e zgjimit, Sinisha Petriqi më tha: Tani koka e juaj dhe e gjithë shqiptarëve vlenë vetëm 50 para. I thashë: Do ta shohim në fund se çka do të bëhet, a do të vlejë koka ime 50 para apo e jotja. Jo më tha ai: Ne së shpejti do të vinë, të na marrin dhe veshin e armatosur për mbrojtje. Ata kishin përvojë në luftimet e mëherëshme në Kroaci e Bosnje dhe u duheshin për luftë. Të nesërmen e fillimit të bombardimit në mbrëmje pas mbarimit të darkës dhe kthimit nga kuzhina hymë në dhomë dhe nuk vonoi as pesë minuta erdhën gardianët dhe u thanë serbëve që t’i marrin teshat dhe të dalin e t’i dërgojnë në tip të lirë të burgut. I kanë veshur dhe ua kanë dhënë armët. Ka qenë data 19 maj 1999. Ishte mesditë. Ndërmjet orës 11-12. Në fillim aeroplanët e NATO-s kanë sulmuar një pavion afër pavionit C. Aty nuk ka pasë njerëz, ka qenë i thatë. Pas dy raketave që i kanë hedhur në atë pavion aeroplanët janë larguar dhe prap janë kthyer edhe tri raketa në Pavionin C. Aty ka pasë rreth 200 të burgosur. Ne e pamë që u sulmua dhe në atë moment gardianët kanë ikur. Njerëzit kanë qenë nëpër qelia. Rryma është ndalur dhe dyert janë bllokuar. Dera kryesore qelet vetëm me rymë. Atë moment aty kanë qenë vetëm dy gardian dhe mbikqyrësi. Ata ikën ndërsa aty shkonte flaka deri në qiell dhe njerëzit thirrnin në ndihmë.
BEGZAD BALIU: Çka bëtë ju në ato çaste të vështira ?
BAJRAM MUSTAFA:
Ne që ishim në Pavionin B2, ishim të mbyllur gjithashtu, por për fatë të mirë afër pavionit tonë gjendej menza ku përgatitej buka dhe ku punonin shumë shqiptarë dhe kur gardianët tanë gjithashtu ikin si edhe gardianët tjerë, ata takohen në rrugë dhe ua marrin qelsat e pavionit tonë.
BEGZAD BALIU: Kush kanë qenë ata që në atë moment rreziku nga ajri dhe snajperistët rreth oborrit patën guxim të dalin e t’ua marrin qelsat gardianëve?
BAJRAM MUSTAFA:
Nuk më kujtohen të gjithë por në mesin e tyre më kujtohet Istref Hasani nga Mitrovica, një njeri i fortë, burrë i vendosur dhe shumë i mençur, djalë besnik, vërtetë burrë, sepse me sa di është i martuar dhe ka edhe fëmijë. Një tjetër ka qenë Gjevat Mustafa nga Prishtina dhe disa të tjerë. Të gjithë rreth shtatë a tetë veta. Kanë qenë dhe dy – tre magjupë që kanë pasur të drejtë të dalin në oborr të burgut, për rregullimin e kopshtit, pastrimin e oborrit etj., që kanë qëlluar në atë moment dhe që ju kanë bashkuar shqiptarëve.
BEGZAD BALIU: A nuk kanë qenë të rrezikuar këta nga gardianët ?
BAJRAM MUSTAFA:
Po si. Por ata ishin shumë të vendosur. Madje Istrefi e ndal një gardian dhe e urdhëronë që të kthehet dhe t’ua hapë derën të burgosurve në Pavionin C sepse njerëzit po digjen mbrenda, por ai ia kthen duke i thënë se së shpejti do të kthehemi dhe t’iu nxjerrim të gjithëve. I revoltuar, Istrefi kap një guri dhe e gjuan mbikëqyrësin që po dilte nga oborri por ai ikë se nuk kishte guxim më të qëndrojë në zonën e rrezikuar.
Në pavionin B2 gjendeshin rreth 150 veta. Ne dolëm dhe pamë se pavioni C po digjej … të burgosurit thërrasin e kërkojnë ndihmë…
BEGZAD BALIU: Po ju të pavionit B2 si u gjetët ?
BAJRAM MUSTAFA:
Në momentin kur gardianët tanë ikin, aty qëllon një i burgosur, njëfarë Naser Shporta, të cilin gardianët e kanë pasur kurir dhe ai i merr qelsat e i hapë dyert. Në pavionin tonë gjendeshin rreth 150 veta. Ne dolëm dhe pamë se pavioni C po digjej. Ne vrapojmë drejt tij. Atje shkojmë dhe shohim se si të burgosurit thërrasin e kërkojnë ndihmë. Thejnë dritaret por jo edhe grilat e qelikta, prandaj ne kthehemi dhe marrim mjete të hekurta, kazma, lopata e gjithçka që gjetëm dhe shkojmë e i thejmë grilat dhe dyert e pavionit e i nxjerrim njerëzit jashtë.
BEGZAD BALIU: Ka pasur shumë të vrarë e të plagosur?
BAJRAM MUSTAFA:
Ka qenë panik i madh. Më kujtohet se në vend kanë qenë të vdekur dy veta dhe shtatë a tetë veta të plagosur. I morëm të plagosurit dhe bashkë me ta u vendosëm jashtë në kopsht. Pas pak kohësh brenda në oborr hynë ish të burgosurit serb bashkë me gardianë, policë e besa edhe me disa ushtarë të armatosur rëndë. Të gjithë ishin të armatosur dhe që nga dera kryesore e oborrit filluan të shtijnë me armë drejt qiellit dhe na urdhëruan që secili të shkojë në pavion të tij, pasi sipas tyre «nuk ka më rrezik!” I kemi lajmëruar ata të NATO-s, që këtu ka të burgosur dhe nuk do të gjuajnë më.
BEGZAD BALIU: Nuk më thatë edhe diçka për të plagosurit ?
BAJRAM MUSTAFA:
Të burgosurit ishin të lënduar në kokë, trup, këmbë e gjithëkah, por ne pak patëm kohë të merremi me ta sepse frikësoheshim nga rreziku i përsëritjes së sulmit mbi pavionet tjera dhe ne u angazhuam që sa më parë t’i nxjerrim jashtë edhe të burgosurit tjerë. Sa për ndihmë, një ndihmë iu dha nga të burgosurit por për dhënien e ndihmës nuk i kishim gjërat elementare. Më në fund të burgosurit me rrobat e trupit ua kanë lidhur plagët vëllezërve të tyre.
BEGZAD BALIU: A ka pasur ndonjë të burgosur që ka ditur të lidhë plagët?
BAJRAM MUSTAFA:
Po, ka pasur që kanë ditur të lidhin plagë dhe që gjithashtu janë dalluar në angazhimin e tyre për lidhjen e plagëve, p.sh. Bislim Zogaj, njeri që ka dhënë shpesh ato ditë një kontribut të madh, studentët e Unionit të Studentëve të Prizrenit, Haqif Ilazi, Bilbil Duraku, Njazi Kryeziu, Dëfrim Rifaj, Sejdi Bellanica, Haqifi ka qenë bashkë me vëlla, Sherifin, kanë qenë edhe të tjerë, që më vjenë keq që tani nuk mund t’i kujtoj të gjithë, psh. Nait Hasani, Besim Rama, Hasan Zeneli, që kanë pasur njëfarë përvoje edhe me parë për ndihmën e parë.
Deri më 21 maj nuk ka pasur bombardime dhe ne kemi lëvizur të lirë brenda burgut duke e ndihmuar njëri tjetrin
BEGZAD BALIU: A hytë të gjithë brenda ?
BAJRAM MUSTAFA:
Sigurisht, nuk kishte asnjë mundësi që të rezistohej.
BEGZAD BALIU: Si e komentoni ju sulmin e NATO-s mbi pavionin C. A ka pasur ndonjë shenjë të dyshimt apo ?
BAJRAM MUSTAFA:
Sipas supozimeve që i kanë bërë të burgosurit tjerë, dhe sipas të dhënave të cilat nuk e di si kanë arritur deri te ne: drejtorit të burgut Aleksandër Rakoqeviç i është thënë që t’i largojë të burgosurit sepse do të bombardohet burgu i Dubravës. Sepse aty janë përqëndruar forca të mëdha policore e ushtarake, por ai përkundrazi ka mbledhur edhe më shumë shqiptarë të burgosur duke i sjellur edhe nga burgjet tjera të Serbisë. Ka një dyshim këtu. Në atë pavion të burgosurit kanë qenë në izolim total dhe sipas të gjitha gjasave vëzhguesit e NATO-s nuk kanë parë njerëz që shkojnë në kuzhinë, dalin në shetitore etj., por vetëm gardianët duke u ndërruar në mbrëmje dhe në mëngjes. Pra kanë menduar se aty është ndonjë qendër policore apo ndonjë depo e municionit.

Pamje rrënqethëse nga Burgu i Dubravës…

______________________________________________

BEGZAD BALIU: Po pas hyrjes suaj mbrenda?
BAJRAM MUSTAFA:
Të burgosurit e pavionit C i kanë dërguar në shtëpinë e kulturës. Pasi na futën brenda na i lanë dyert hapur. Na thanë: nëse dëgjoni aeroplana dhe kanosje rreziku ikni dhe lirone pavionin veç mos të tentoj dikush të dalë jashtë oborrit sepse do të jetë i vrarë, kështu që ne posa dëgjonim aeroplanët dilnim jashtë në gjelbrim. Aty kemi qëndruar edhe gjatë natës duke fjetur tri netë me radhë, ndërsa nga karaullat gjuanin vazhdimisht kryesisht drejt qiellit. Po ditën e parë, pra me 19 maj, rreth orës 21 shkuam në furrë e cila edhe atë ditë ka punuar, kemi marrë bukën dhe e kemi shpërndarë në të gjithë pavionat, por së pari e kemi dërguar te të burgosurit e Pavionit C që kanë qenë të lënduar. Kemi hyrë në kuzhinë dhe kemi marrë gjellë e sende të tjera dhe ua kemi dërguar të sëmurëve dhe atyre që përkujdeseshin për ta në Shtëpinë e Kulturës. Buka është ndarë te të gjithë njëjtë.
BEGZAD BALIU: Pastaj ?
BAJRAM MUSTAFA:
Pastaj nuk ka pasë bombardime dhe natën e kemi kaluar si kemi ditur e mundur. Të nesërmen kanë ardhur gardianët dhe përsëri na kanë futur mbrenda, dhe na u kërcnuan që të mos tentojmë ta kalojmë murin se do të vritemi menjëherë. Kështu deri më 21 maj nuk ka pasur bombardime dhe ne kemi lëvizur të lirë brenda burgut duke e ndihmuar njëri tjetrin.
Nga bombardimet e NATO-s janë vrarë 24 të burgosur dhe janë plagosur prej 50-60 të tjerë.
BEGZAD BALIU: Kur filloi bombardimi më 21 maj?
BAJRAM MUSTAFA:
Rreth mesditës filloi dhe zgjati tërë ditën.
BEGZAD BALIU: Çka u bombardua në fillim?
BAJRAM MUSTAFA:
Në fillim është bombarduar ngrohtorja .
BEGZAD BALIU: A ka pasur të burgosur aty?
BAJRAM MUSTAFA:
Jo. Ka pasur vetëm gardian.
BEGZAD BALIU: A janë vrarë ndonjëri nga ata?
BAJRAM MUSTAFA:
Nuk e di. Ndoshta….
BEGZAD BALIU: Pastaj?
BAJRAM MUSTAFA:
Pas gjysmë ore kanë filluar të bombardojnë edhe pavionet ku kemi qenë edhe ne. Në fillim është bombarduar pavioni C, të cilin e kishin bombarduar edhe më parë dhe tani nuk kishte as një njeri. Pastaj bombarduan Shtëpinë e kulturës, kuzhinën, një pavilon afër C-së d.m.th. C2. e kështu me radhë gjithë ditën.
BEGZAD BALIU: Në këtë rast a ka pasur të vrarë apo të lënduar?
BAJRAM MUSTAFA:
Jo. Vetëm kur ka gjuajtur në shtëpinë e Kulturës dhe nuk e ka qëlluar atë por diku afër sajë e aty afër gjendeshin edhe të burgosurit atëherë aty kanë pësuar 12 viktima.
BEGZAD BALIU: Po të plagosur?
BAJRAM MUSTAFA:
Po, një numër i vogël. Pra përgjithësisht nga bombardimet e NATO-s janë vrarë 24 të burgosur dhe janë plagosur prej 50-60 të tjerë.
BEGZAD BALIU: Po nga radhët e gardianëve e policëve?
BAJRAM MUSTAFA:
Nuk e di se çka ka ndodhur jashtë por brenda nuk ka pasur asnjë serb qoftë ai polic apo i burgosur.
BEGZAD BALIU: Si jeni gjetur në atë kohë me të plagosurit, me ndihmën e parë?
BAJRAM MUSTAFA:
Brenda burgut ka qenë edhe ambulanta. Ne të burgosurit jemi shkuar dhe e kemi thyer ambulantën, ku e kemi marrë jodin dhe gjërat tjera e me atë dije që kishim ua lidhur plagët. E të vrarët i vendosnim kudo që mundnim.
BEGZAD BALIU: D.m.th. ndihmën e keni dhënë në kohën që NATO – bombardonte?
BAJRAM MUSTAFA:
Nuk ishim të rrezikuar vetëm nga NATO-ja por edhe nga snajperistët.
BEGZAD BALIU: A ka psuar ndonjëri gjatë kohës që po u jepte ndimë të burgosurve?
BAJRAM MUSTAFA:
Po, po. Kanë psuar disa por ata nuk kanë psuar nga NATO-ja por nga snajperistët. Emrat e tyre mua nuk më kujtohen se aty lëviznin rreth 1000 vetë, por emrat e tyre dikush i di.
BEGZAD BALIU: Të kujtohet ndonjëri nga të burgosurit i cili ka ditur ta bëjë punën në mënyrë profesionale ?
BAJRAM MUSTAFA:
Si mjek jo, por nuk ishte kjo punë vetëm e mjekut. Ndoshta më parë vinin në pyetje vullnetarët dhe sidomos guximtarët. Kot të ishe mjek. Të duhej guximi që të dalësh nga streha që ishe futur që të mbroheshe nga raketat e NATO-s e pastaj edhe një guxim më i madh që të depërtoje nga objekti në objekt pa të kapur plumbat e snajperistëve rreth e përqark oborrit. Ka pasur shumë që e kanë pasur këtë guxim. P.sh Bislim Zogaj, më duket ka qenë teknik medicine, djemtë e Unionit të Pavarur të Prizrenit, Besimi, Naiti e shumë e shumë të tjerë.

_______________________________________________

BEGZAD BALIU: Po emrat e atyre që u vranë nga raketat e NATO-s?
BAJRAM MUSTAFA:
Nuk më kujtohen tash por edhe emrat e tyre dihen.
BEGZAD BALIU: Sa ka zgjatur kjo gjendje ?
BAJRAM MUSTAFA:
Gjatë gjithë ditës. Deri në mbrëmje.
BEGZAD BALIU: Ju i keni mbledhur kufomat. Çka keni bërë që të identifikohen ato?
BAJRAM MUSTAFA:
Gjatë gjithë asaj kohe, kufomat delte që i njihte dikush dhe ne mernim një letër e një laps dhe emrin e tyre e mbështillnim në letër (në një kese najloni) e ua futnim në xhepa ose në trup diku.
BEGZAD BALIU: D.m.th kur policia serbe kur i ka mbledhur kufomat e ka ditur për cilët të burgosur është fjala.
BAJRAM MUSTAFA:
Po shumicës së tyre ua ka ditur emrat sepse gjithmonë është gjetur ndonjë që e ka njohur tjetrin. Në burg ka pasur nga dy deri në pesë anëtarë të një familjeje. Të mos flasim pastaj për të afërm të tyre.
BEGZAD BALIU: Të kujtohet ndonjë familje ?
BAJRAM MUSTAFA:
Jo aq shumë. Më kujtohet vetëm prej familjes së Jetishve të cilët kanë qenë 7-8 veta dhe njëri prej tyre është vrarë, po cili nuk e di. Më 22 maj në mëngjes…zëvendëskomandanti Aca ka thënë: Dilni bëhuni rresht këtu rreth murit të gjithë dy nga dy sepse do t´ju numërojmë që t´ju transferojmë në burgun e Nishit… Nuk ka shkuar shumë kohë dhe kanë filluar të shtënat me mitralozë, minahedhës, snajperë, bomba, pushkë…
BEGZAD BALIU: Po pas ndërprerjes së sulmeve?
BAJRAM MUSTAFA:
Pas ndërprerjes së sulmeve veç ishte terruar dhe ne shkuam e u vendosëm në stadiumin lartë mbi burg dhe kemi qëndruar aty deri në mëngjes. Mbrenda nuk ka hyrë askush të interesohet për ne ndërsa jashtë kemi parë në vendroje kryesisht gardian dhe të burgosur serbë që tani ishin veshur në rroba policësh dhe ishin armatosur.
BEGZAD BALIU: Ju kujtohen emrat e atyre që kanë shtënë mbi ju ?
BAJRAM MUSTAFA:
Më kujtohet si njëri prej më të njohurve gardian Mitri i cili non stop ka gjuajtur drejt neve, deri në mëngjes. Gjatë natës të vdekurit i kemi lënë grupe grupe në kopsht dhe i kemi mbuluar me batanije ndërsa të plagosurit i morëm me vete dhe ua lidhnim plagët, gjymtyrët etj., gjithkund ku ishin prekur nga plumbat apo pregjat e raketave.
BEGZAD BALIU: Po në mëngjes ?
BAJRAM MUSTAFA:
Në mëngjes ka ardhur te karaulla zëvendëskomandanti Aca (mbiemrin nuk ia di) dhe ka thënë: Dilni bëhuni rresht këtu rreth murit të gjithë dy nga dy sepse do t´ju numërojmë që t´ju transferojmë në burgun e Nishit. Aty jemi ngritur i kemi marrë rrobat dhe gjithçka që kemi pasur sepse ashtu na ka urdhëruar dhe jemi radhitur. Nuk ka shkuar shumë kohë dhe kanë filluar të shtënat me mitralozë, minahedhës, snajperë, bomba, pushkë…
BEGZAD BALIU: Sa zgjati kjo ?
BAJRAM MUSTAFA:
Rreth dy orë.
BEGZAD BALIU: U vranë shumë ?
BAJRAM MUSTAFA:
Vetëm afër murit kanë qenë rreth 60 viktima dhe të plagosur të tjerë.
BEGZAD BALIU: Çka keni bërë ju në atë moment?
BAJRAM MUSTAFA:
Kush ka mundur të iki drejt ndërtesave poshtë, ka shpëtuar e kush është plagosur, vetëm nëse dikush e ka tërhequr zvarrë dhe marrë me vete përndryshe ai ka vdekur aty sepse nuk ka mundur kush t’ia jep ndihmën e parë. Ç´është e vërteta pasi u vendosëm nëpër pavione ne për pesëmbëdhjetë minuta u organizuam dhe duke sakrifikuar me kokë merrnim qebet me vete, shkonim zvarrë deri te i plagosuri dhe e hidhnim në qebe e pastaj e tërhiqnim deri te pavioni C, ku ishte organizuar një ekip dhe u jepte ndihmën e parë. Pothuajse aq sa qonim të plagosur nga jashtë po aq nxirrnim të vdekur nga pavioni dhe i radhisnim para dere. Ua shënonim emrat dhe bënim listën e të vdekurve e të burgosurve.
BEGZAD BALIU: Duke pasur parasysh edhe të dhënën e mëparëshme del se ju keni pasur listën e të burgosurve e të plagosurve. E dini kush e ka pasur atë dhe a besoni se ajo është ruajtur ?
BAJRAM MUSTAFA:
Atëherë nuk kam pasur kohë të pyes se kush po e ruan listën dhe ku po e fshehë por e di se ajo është bërë dhe diku është e ajo do të dalë një ditë. Ka mundësi që ajo listë të gjendet e ruajtur edhe në burgun e Lipjanit. Shpesh nëpër mure shënonim emrat tanë dhe fjalë e parolla të tjera si: Rroftë Kosova ! Rroftë UÇK ! Rroftë Adem Jashari! etj.
BEGZAD BALIU: Po të tjerët ku u vendosën?
BAJRAM MUSTAFA:
Çdo pavion pothuajse ka pasur të burgosur por më së shumti ka pasur në podrum të kuzhinës. Në atë kohë aty kanë qenë rreth 300 veta.
BEGZAD BALIU: Atë kohë dhe më parë e më vonë shpesh keni qenë të bindur se nuk do të dalë askush i gjallë. Çka bënit që të leni një shenjë se kush ishte aty ?
BAJRAM MUSTAFA:
Shpesh nëpër mure shënonim emrat tanë dhe fjalë e parolla të tjera si: Rroftë Kosova! Rroftë UÇK! Rroftë Adem Jashari! etj.
BEGZAD BALIU: Me çka i shkruanit ato?
BAJRAM MUSTAFA:
Me gjithçka. Me gurë, me hekura e besa edhe me gjak! Edhe me gjakun tonë. Nuk kemi harruar t’i shënojmë edhe emrat e atyre që janë vrarë. Ata ishin pjesa jonë më e ndijshme. Emrat ua kemi shkruar me gjakun e tyre.
BEGZAD BALIU: Atë kohë gjendeshin edhe disa që ishin në dhomat e burgut ?
BAJRAM MUSTAFA:
Po në dhomat e burgut, krejt afër derës kryesore të hurjes së burgut, kanë qenë të vendosur grupi i Gjakovës. Ne një grup i yni shkuam ta nxjerrim nga pavioni. Ata ishin tani më të rrezikuarit por nuk e dinin dhe kishin frikë. I lutëm dy a tri orë dhe nuk dilnin. Thonin na kanë thënë gardianët që të mos dalim se do të ju vrasim. Atëherë i morëm kazmat e ca hekura të tjerë dhe ua thyem dyert. I nxorëm pothuajse me zor sepse i kishte kapur frika dhe tmerri dhe nuk guxonin as të shikojnë në oborr e le më të dalin vet jashtë e të bashkohen me ne. Më në fund dolën dhe i vendosëm në një vend të « sigurtë » në kuzhinë, ku ishim edhe ne. Më vonë shpesh na janë falënderuar gjakovarët për këtë. Nuk dua të parafrazoj, sidomos tani, por edhe ata shpesh e kanë përsëritur që vetëm vendosmëria jonë që ti nxjerrim nga aty ka bërë që ata sot të jenë gjallë. Në pozicionin që kanë qenë ata, shumë lehtë kanë mundur të asgjësohen, më në fund edhe ngjarjet që do të zhvillohen më vonë do ta dëshmojnë këtë.
VIJON…

_______________________________________________

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura