BAJRAM MUSTAFA: SI E PËRJETOVA MASAKRËN – NË BURGUN E DUBRAVËS?(II)

(Pashtriku.org, 20. 05. 2012) – Pse biseduam me Bajram Mustafën? Bajram Mustafa ka qenë i burgosur i burgut të Dubravës, i cili deri në fillim të bombardimeve nuk i ka përjetuar pasojat e të burgosurve politik apo të robërve të luftës. Pas fillimit të bombardimeve dhe më vonë ai kishte shëndet të plotë për t’u aktivizuar gjithanshëm brenda burgut dhe për të qenë i pranishëm në një numër të madh ngjarjesh që zhvilloheshin brenda burgut, ngjarje të cilat nuk kanë mundur t’i përjetojnë shumë të burgosur të tjerë. /Bisedën e bëri Prof.Dr.Begzad Baliu/
Shpëtimi i të burgosurve nga Gjakova!
BAJRAM MUSTAFA: Në mbrëmje para se të filloj sulmi mbi të burgosurit dëgjuam se në pavionin e pranimit, në pavionin që gjendej pranë derës kryesore të hyrjes në burg, gjendeshin edhe tridhjetë të burgosur nga Gjakova. Vendosëm që të shkojmë…
BEGZAD BALIU: Kush shkoi?
BAJRAM MUSTAFA:
Unë dhe Halil Ademaj nga Prizreni. I thash «Halil, hajde shkojmë e i nxjerrim se kanë m’i vra krejt!» Ata janë jo vetëm pak por edhe shumë afër derës e pikave të rojes. Pritej sulmi në çdo moment…
BEGZAD BALIU: Sulmi i NATO-s?
BAJRAM MUSTAFA:
Jo more, sulmi i të burgosurve serb, i policisë, ushtrisë etj. Shkuam. I lutëm rreth 15 minuta dhe më në fund vendosën të dalin e të bëhen bashkë me neve në podrumin e kuzhinës. Mirëpo kur dolën ata mbetën edhe nja katër a pesë të plagosur.
BEGZAD BALIU: Nuk i morën të plagosurit ?
BAJRAM MUSTAFA:
Vetëm unë dhe Halili e kemi marrë nga një të plagosur, të tjerët ishin të tmerruar. Nëpër oborr duhej lëvizur shpejtë, kryesisht zvarrë dhe nga këndi i një ndërtese në tjetrën, ku besoje se nuk do të vrejnë apo më mirë me thanë në aso pozite ku besoje se nuk mund të kapë lehtë plumbi i pushkës, predha e trombllonit etj.

___________________________________________

BEGZAD BALIU: Ju kujtohet cilët kanë qenë ata ?
BAJRAM MUSTAFA:
Nuk më kujtohet. Në atë rast nuk e kam ditur as emrin tim e jo më ta pyes si quhet ai që e mbaja në shpinë. Më në fund aty ka pasur nga dy e tre vëllezër ose kusheri që e kanë ditur emrin e njëri-tjetrit dhe të atyre që i kanë lënë. Ka qenë moment i vështirë dhe secili është përpjekur ta shpëtoj kokën e tij…
BEGZAD BALIU: A u plagos ndonjëri nga ata që dolën?
BAJRAM MUSTAFA:
Jo nga ai grup nuk u plagos askush dhe pasi i vendosëm në podrumin e kuzhinës u kthyem t’i marrim edhe të plagosurit tjerë, mirëpo nuk arritëm të shkojmë as në gjysmë të rrugës dhe policia e ushtria u rrasën në oborr dhe filluan të gjuajnë në drejtim të kuzhinës. Në fillim u skajuam që të presim mos po kalon ky sulm me qëllim që ne të vazhdojmë rrugën drejt të plagosurve, por kishte rrezik të qëndroje jashtë pas qosheve dhe u tërhoqëm. Sulmi zgjati rreth një orë e gjysmë…Nuk mundëm të shkojmë deri të nesërmen. Natën nuk kishte as një shansë të lëvizje nga snajperistët. Gjatë asaj nate nuk ka pasur sulme të NATO-s dhe rreziku ishte i madh nga policët. Gjatë natës pësuan shumë të burgosur që sakrifikonin të dalin për të tërhequr të plagosur nga jashtë që kërkonin ndihmë, të burgosur që kërkonin të afërmit a shokët e zhdukur për një çast, të burgosurit që nxirnin jashtë të vdekurit, nga frika se edhe në mesin e të burgosurve mund të krijoheshin kriza të papërmbajtëshme mendore etj. etj. Kur shkuam pamë se ishin të vrarë të gjithë. Ishin të masakruar…Me plumba dhe me bomba. Ua kishin hedhur bombat në bark, në krye…!
BEGZAD BALIU: Po në mëngjes, si filluan ngjarjet ?
BAJRAM MUSTAFA:
Dua të kujtoj një ngjarje që u zhvillua gjatë natës. Në mbrëmje ne kemi marrë kapakët e poqeve të neonit, i kemi rënditur në livadh dhe me to e kemi shkruar fjalën Hellp! Pra ndihmë. Kishim besim se ato shkronja i kanë parë edhe aeroplanët e NATO-s sepse ato kanë qenë shkronja të mëdha. Çdo shkronjë ka qenë së paku dy metra.
BEGZAD BALIU: Kujt i shkoj mendja për këtë ?
BAJRAM MUSTAFA:
Mendja i ka shkuar ndoshta shumë kujt por problemi ka qenë kush do të rrezikoj që të dal e t’i shkruaj! E kishte rrezik por qëllimi ishte që së paku dikush ta dijë se jemi këtu, sepse ne e dinim se do të vriteshim të gjithë, më parë a më vonë…Kryesorja dikush ta dinte. Kështu që kur hynë në oborr i panë dhe filluan të shajnë e të bërtasin kundër neshë duke i shqelmuar kapakët në të gjitha anët. Natyrisht ata nuk guxonin të na sulmonin ku ishim shumë dhe aty vetëm sulmonin me bomba dore e me minahedhës e iknin por ku shihnin se janë pakë, p.sh. nga dy deri në pesë a gjashtë, nëpër shakta të ujit, podrume më të hapura dhoma izolimi etj., ata i masakronin me gjakftohtësi.
BEGZAD BALIU: A ka pasur shumë shakta ?
BAJRAM MUSTAFA:
Po kanë qenë rreth njëzetë – tridhjetë shakta, ndoshta…
BEGZAD BALIU: Nga sa veta kanë mundur t’i kenë zënë ato shakta ?
BAJRAM MUSTAFA:
Ka pas shaktë që i ka zënë pesë vetë por ka pasur shaktë që i ka zënë edhe njëzetë deri në tridhjetë veta. Kanë hyrë aty njëri mbi tjetrin dhe mbi ta janë hedhur bomba dore. Sigurisht në ato shakta nuk janë vrarë të gjithë sepse ata që kanë qenë në fund të shaktës kanë pasur dhjetë veta përmbi nuk i ka përshkuar bomba, por ka pasur shumë të plagosur. Në anë tjetër atje ku ishim ne në podrum rreth 400-500 vetë nuk kanë guxuar të afrohen, por kanë gjuajur rreth dy orë me snajperë, trombllone dhe bomba. Edhe në mëngjes pra e kanë përsëritur të njëjtin skenarë: duke hulumtuar shaktat dhe vendstrehimet tjera dhe duke sulmuar nga largë podrumin. Në të njëjtën kohë në mëngjes nga ne kërkohej që të dalim jashtë.
BEGZAD BALIU: Si vepruat ju në ato çaste? Ishte rrezik ta humbnit kontrollin jo vetëm me njëri tjetrin po edhe mbi vete!
BAJRAM MUSTAFA:
Mendoj se jo. Ende ishim në gjendje të komunikonim ta ruanim rendin dhe ta mbanim gjendjen në duart tona. Fillimisht vendosëm që të mos dalim dhe kjo zgjati rreth dy orë. Ne u betuam që të mos dalim. «Më mirë të vdesim të gjithë bashk se të dalim e të na masakrojnë një nga një ! – i tham njëri tjetrit. Ne e dinim se do të jemi të vrarë ashtu apo kështu. U pëshëndetëm njëri me tjetrin, u hallashtisëm…!
BEGZAD BALIU: Megjithate ju vendosët që të dilni dhe të shihni çka po ndodh. Si u morë ky vendim ?
BAJRAM MUSTAFA:
Po, u morë sepse filluan të na thrrasin disa nga ata që ishin dalur jashtë më parë, nga disa grupe tjera.
BEGZAD BALIU: Çka thonin ata?
BAJRAM MUSTAFA:
Dilni se nuk do të ndodhë asgjë, dilni… Nuk kemi pasur kohë të diskutojmë por e kemi ditur se ne ose ata në emër tonin do të masakrohen dhe si arsyetim do të kenë këmbëngultësinë e sidomos rreth 50-60 të burgosurve që ishim në një podrum më thellë.
BEGZAD BALIU: Dhe dolët?
BAJRAM MUSTAFA:
Po dolëm. Na nxorën në livadh dhe me duar rreth qafe na urdhëruan që të ulemi në gjunjë dhe më vonë na drejtuan në drejtim të sallës së sportit. Aty na mblodhën të gjithëve.
BEGZAD BALIU: Të gjithëve…?
BAJRAM MUSTAFA:
Po, po të gjithë…Mendoj, të gjithë ata që dolën jashtë nga vendstrehimet. Pastaj, i morën disa të burgosur që t’i marim edhe të plagosurit, sepse thanë «po domë me e ditë sa jeni, pasi nesër do të ju dërgojmë në burgun e Lipjanit»! Dolën disa të burgosur dhe i sollën edhe të plagosurit në sallë … Gjatë gjithë kësaj kohe na janë kërcnuar që të dalim e të vimë të gjithë sepse të gjithë ata që gjenden jashtë salle do të pushkatohen.

________________________________________

Shpëtoi duke u fshehur në miell!
BEGZAD BALIU: Sa mendon që keni qenë në sallë ?
BAJRAM MUSTAFA:
Mendoj se kemi qenë mbi shtatëqind…
BEGZAD BALIU: Besonit që do të ju dërgojnë në burgun e Lipjanit ?
BAJRAM MUSTAFA:
Jo aspak. Më shumë besonim se salla është e minuar dhe aty do të masakroheshim të gjithë…
BEGZAD BALIU: Megjithate kishte polic mbrenda…
BAJRAM MUSTAFA:
Po polic kishte brenda, por ata ishin dy a tre vetë dhe të tjerët nuk rrinin aty, e sa për dy tre polic a të burgosur me maska sigurisht që serbët edhe mund t´i sakrifikonin për shtatëqind shqiptarë…Të tjerët rrinin në dritare me pushkomitrolezë. Aty na kanë mbajtur 3-4 orë deri sa i kanë mbledhur «të gjithë». Pas kësaj erdhën e filluan të na bëjnë lajka. Na i sollën tre boksa cigare. Na thanë se na i kishte dërguar drejtori i burgut. Gjoja se po na numrojnë, na urdhëruan që të grumbullohemi në një qoshe dhe të na mbështetin për muri duke na thënë se duam ta dijmë sa autobusa e kamiona duhet t’i porosisim për ju. Kemi dyshuar gjatë gjithëkohës se duke na grumbulluar në një qoshe do të na hedhin benzinë a naftë dhe do të digjemi të gjithë, në emër të sulmit të NATO-s, por nuk ndodhi kështu. Pas gjithë kësaj na thanë se jeni të lirë dhe mund të dalim e të përgatisim madje edhe bukë për të burgosurit. Kur kemi dalur nga salla dhe kemi fituar njëfarë lirie për të lëvizur në podrumin e ndërtesës së ujit kemi gjetur tetë vetë të pushkatuar.
BEGZAD BALIU: Ju kujtohet emri i ndonjërit prej të vrarëve aty ?
BAJRAM MUSTAFA:
Po, më kujtohet një Petrush Perlazi i anës së Prizrenit, një Fejza…
BEGZAD BALIU: A kanë qenë ata të burgosur të mëhershëm apo që i patën sjellur para luftës?
BAJRAM MUSTAFA:
Ka pasur edhe aso të parë edhe të dytë… harrova të themë se për aq sa di unë vetëm një ka shpëtuar nga ata që janë fshehur. Njëri ishte futur në miell dhe si duket policëve nuk ju ka kujtuar që ta hulumtojnë, ashtu që vetëm kur kemi shkuar ne ai na ka dëgjuar dhe ka guxuar të dal nga mielli. Gjatë kohës sa ishim ne në burg policia pat sjellur në burg rreth 300-400 lopë, kuaj e kafshë të tjera të cilat i plaçkitnin kryesisht nga fshatrat përreth. Patën sjellë edhe shporeta, miell e gjëra tjera ushqimore, madje edhe dru poashtu të vjedhura, të gatshme vetëm për përdorim. Në mesin e gjërave ushqimore ka pasur edhe pako të tëra me vaj, sheqer, njëfarë si keçap nëpër kanta të mëdha si dhe ndihma të tjera ushqimore të sjellura nga organizatat humanitare ndërkombëtare. Ne i shfrytëzuam ato dhe organizuam përgatitjen e ushqimit së pari për të plagosurit dhe ata që e jepnin ndihmën e parë për ta ose që përgjithësisht ndihmonin të plagosurit në sallë. Ndoshta për ju duket e çuditëshme por të gjithëve atë ditë dhe atë natë ju kemi shpërndarë petulla dhe njëfar si gjelle me keçap për më të smurit, të përgatitura nga furrëtarët dhe gjellëbërsit e kuzhinës.
Në mesin tonë kam njohur edhe të tjerë…
BEGZAD BALIU: Nuk ju kam pyetur, a ka pasur të burgosur të nacionaliteteve të tjera në burgun e Dubravës, të cilët janë trajtuar në të njëjtën masë me të cilën jeni trajtuar edhe ju?
BAJRAM MUSTAFA:
Po me sa di unë me ne ka qenë edhe një Xhevat Daçiqi rreth 27-vjeçar, nga Rozhaja, më duket babën e ka pasur shqiptarë e nënën muslimane! Ai me disa shqiptarë ka qenë njëri prej organizatorëve për përgatitjen e ushqimit…
BEGZAD BALIU: Përçka ka qenë i burgosur ai?
BAJRAM MUSTAFA:
Ka qenë i burgosur ordiner.
BEGZAD BALIU: Po të tjerë. Romë nuk ka pasur?
BAJRAM MUSTAFA:
Po ka pasur. Kanë qenë së paku edhe dhjetë romë të cilet nuk janë ndarë nga ne…
BEGZAD BALIU: Përse kanë qenë të burgosur ata ?
BAJRAM MUSTAFA:
Të burgosur ordiner.
BEGZAD BALIU: Po të vrarë e të plagosur a ka pasur në mesin e tyre?
BAJRAM MUSTAFA:
Po, ka të vrarë… Me emër e di një Shabanin. Ka qenë nga Mitrovica. Ai ka tentuar të iki nga burgu i Dubravës të shtunën në mbrëmje, dmth më 20 maj. Ai është vrarë së bashku me tetë a nëntë të tjerë posa e kanë kaluar murin e burgut.
BEGZAD BALIU: Po të tjerë a ka pasur që kanë pasur sukses të kalojnë rrethimin ?
BAJRAM MUSTAFA:
Po ka qenë edhe një që ditën e parë të sulmit të NATO-s ka pasur sukses të shkojë deri në Klinë apo Istog, nuk e di mirë. Mirëpo e kishin zënë dhe e kthyen. Të nesërmen në mbrëmje ai i mori edhe shtatë a tetë veta dhe iku, por nuk shkuan as pesëmbëdhjetë minuta dhe i dëgjuam pushkët. Ata i vranë!
BEGZAD BALIU: Të kujtohet emri i tij?
BAJRAM MUSTAFA:
Më kujtohet vetëm emri i tij, Arsim, nga Podujeva.
BEGZAD BALIU: A ka pasur sulme atë ditë dhe gjatë natës?
BAJRAM MUSTAFA:
Jo, sulme nuk ka pasur ndërsa gjuajtje të herë pas herëshme po. Ndoshta frikoheshin se dikush do të dalë jashtë murit. Po, gjuhej kryesisht përpjetë. Po, ne deri në mbrëmje kemi ngrënë bukë të gjithë dhe posa ka rënë terri ne jemi ndarë në dy grupe të mëdha dhe jemi « fshehur » kryesisht në dy pavione: B 1 dhe B2.

__________________________________________

BEGZAD BALIU: Po të plagosurit?
BAJRAM MUSTAFA:
Ata që ishin të plagosur shumë kanë mbetur në sallë ndërsa ata që ishin më pak të plagosur janë vendosur në pavione me të cilët kishte edhe të burgosur të tjerë që kujdeseshin për ta. Kështu deri në mëngjes ?
Transferimi në burg të Lipjanit
BEGZAD BALIU: Në mëngjes?
BAJRAM MUSTAFA:
Në mëngjes erdhën dhe na rreshtuan. Na thanë t´i marrim rrobat e qantat, të gjitha ato që i keni dhe ne i morëm çka patëm, por në fund na urdhëruan që t’i lëmë të gjitha dhe të dalim vetëm me duar në xhepa. Jemi dalur të gjithë te dera. Na kanë hypur në autobusa dhe na kanë drejtuar për në burgun e Lipjanit.
BEGZAD BALIU: Ju kujtohet sa autobusa kanë qenë?
BAJRAM MUSTAFA:
Më kujtohen diku tetë autobusa, por ka pasur edhe kamiona në të cilët kanë qenë të vendosur të plagosurit. E di se autobusat kanë qenë autobusë privat që ua kishin marrë shqiptarëve nga Peja, Istogu dhe rrethina… Unë kam qenë në autobusin «Kaltrina Tours». Rruga ka zgjatur rreth dy orë.
BEGZAD BALIU: A keni vërejtë diçka të veçantë rrugës?
BAJRAM MUSTAFA:
Rrugët kanë qenë të mbushur me çetnik e paramilitarë, romë të veshur në unformë që rrugës bërtisnin, fyenin, maltretonin…
BEGZAD BALIU: Edhe juve në autobus…
BAJRAM MUSTAFA:
Me na ndalë na kanë ndalur por kanë hyrë vetëm në derë dhe na kanë sharë, ndërsa nja dy autobusë mbrapa nesh kam dëgjuar se i kanë maltretuar më shumë. Rrugës kamë parë shumë shtëpi. Lagje e fshatra duke u djegur. Ende nuk më hiqet nga mendja momenti kur i pashë duke u djegur shtëpitë e dajëve në Dobrevë, tek po digjeshin. Kisha besim të madh se aty në themele digjej edhe gjyshi im bashkë me librat e vjetra të Fishtës që i ruante tash e mbi 50-vjetë dhe ua recitonte mysafirëve netëve të gjata të dimrit. Nuk e di ndoshta kam menduar më gjatë por nuk besoj… Nuk e kemi ditur fundin tonë. Kemi luftuar si ta zgjasim jetën edhe një sekond, por jeta megjithatëë nuk kishte asnjë kuptim.
Nata me kujë, vaj e thirje grashë e fëmijësh…
BEGZAD BALIU: Në burgun e Lipianit, si e keni gjetur gjendjen?
BAJRAM MUSTAFA:
Në Lipian e kemi gjetur gjendjen si në çdo burg. Kemi gjetur edhe të burgosur të tjerë. Ata kanë kanë qenë në pavionin numër 4 dhe disa të tjerë në tip të lirë por nuk kemi pasur kurrfarë kontakti me ta.
BEGZAD BALIU: Ku ju vendosën juve ?
BAJRAM MUSTAFA:
Neve na kanë vendosur në pavioni 1, 2 dhe 3.
BEGZAD BALIU: Po të plagosurit ?
BAJRAM MUSTAFA:
Në njëfarë shtëpie të shëndetit.
BEGZAD BALIU: Si ju kanë pritur aty ?
BAJRAM MUSTAFA:
Si në të gjitha burgjet. Së pari dajakun e pastaj mbrenda.
BEGZAD BALIU: Sa të burgosur beson se kanë qenë aty ?
BAJRAM MUSTAFA:
Vetëm në pavionin 2 kemi qenë mbi 240. Pavioni një dhe tre kanë pasur pak më pak.
BEGZAD BALIU: A ka pasur polic apo gardian shqiptarë aty?
BAJRAM MUSTAFA:
Nuk e di por flitet se e kanë parë Gani Tarën, gardian.

Varret e të burgosurve shqiptar në Burgun e Dubravës (19 – 24 Maj 1999).

__________________________________________

BEGZAD BALIU: Si keni kaluar aty ?
BAJRAM MUSTAFA:
Shumë keq. Pesë vetë kemi marrë një çerek gote me gjellë. Kemi fjetur në tokë…
BEGZAD BALIU: Ndonjë gjendje të veçantë ?
BAJRAM MUSTAFA:
Gjatë kohës sa kemi qenë ne aty i kemi parë duke i nxjerrur katër të vdekur nga stacionari.
BEGZAD BALIU: Ju kujtohet emri i ndonjërit prej tyre ?
BAJRAM MUSTAFA:
Jo, vetëm e di se ata kanë qenë me ne të plagosur që në burgun e Dubravës. Kemi qenë të lodhur dhe të traumatizuar për të mbajtuer mend emra njerëzish. Po ua jap vetëm një detaj. Ne ishim disa vetë në një dhomë dhe çdo aeroplanë që dëgjonim se po sillej në qiell ne turr e vrap njëri mbi tjetrin, kush arrinte i pari, strukeshim në një qoshe të dhomës. Nuk e di si kemi shpëtuar me mend, nuk e di si e kemi mbajtur mend emrin tonë. Ndoshta falë njerëzve të mençur e burrave të vendosur që kemi pasur rreth vetes e ata, sidomos të burgosurit politik kanë pasur mend edhe për veti edhe për ne…Qe besa edhe sot unë nuk jamë liruar nga ajo traumë. Posa ta dëgjoj një zhurmë në qiell nuk mund të rri pa shikuar lartë…Një ngjarje shumë e veçantë, jo vetëm për kohën e qëndrimit në burgun e Lipjanit por edhe në gjithë jetën time ka qenë një natë para se të na transferonin në burgun e Nishit. Atë natë është bërë transferimi i grave nga burgu i Lipjanit në burgun e Pozharevcit. Nuk i kemi parë, por i kemi pasur afër. Kemi dëgjuar kujë e zhurmë, vaj, thirrje, zhurmë policësh… Atë natë ka qenë një tragjedi e madhe në jetën e tyre dhe në jetën tonë. Në shpirtin tonë ka pasur dhembje dhe trishtim më shumë se sa kur na kanë mbështetur për muri për të na pushkatuar. Ishte vështirë të dëgjos e të mos mund të ju ndihmosh motrave e nënava shqiptare. Ishte më vështirë se sa kur vetë para 20 ditëve gjendeshim para të masakruarve në burgun e Dubravës dhe na kërkonin ndihmë…
BEGZAD BALIU: A keni dëgjuar zëra fëmijësh ?
BAJRAM MUSTAFA:
Po, kemi dëgjuar edhe zëra fëmijësh… Shumë apo pak nuk e di se veshtë na kanë ushtuar e mendjen nuk e kemi pasur me vete por…
BEGZAD BALIU: Sa ka zgjatur kjo ?
BAJRAM MUSTAFA:
Ka zgjatë, së paku dy orë… Dhe më në fund u çetësua çdo gjë, ..vdiç… Më vonë kemi dëgjuar se i kanë dërguar në Pozharevc.
BEGZAD BALIU: Sa keni qëndruar në burgun e Lipjanit?
BAJRAM MUSTAFA:
Shtatëmbëdhjetë ditë. Pra, jemi vendosur më 24 maj nga burgu i Dubravës jemi transferuar në Burgun e Lipjanit dhe pas 17 ditësh, më 10 qershor jemi transferuar në burgun e Nishit.
BEGZAD BALIU: A kanë mbetur të burgosur të tjerë në burgun e Lipjanit ?
BAJRAM MUSTAFA:
Po, kanë mbetur disa që kanë qenë me dënime të vogla dhe me sa kemi dëgjuar ne ata janë liruar. Flitej se ndonjërin edhe e kanë vrarë por unë nuk di asgjë konkretisht dhe ndoshta ka qenë vetëm fjalë goje. Sidoqoftë kush ka qenë aty dihet dhe nëse mungon sot, kjo dmth se ato fjalë nuk kanë qenë vetëm fjalë.
Çlirimi shpirtëror i gardianit serb
BEGZAD BALIU: Ditën e nënshkrimit në mes të trupave të NATO-s dhe ushtrisë Jugosllave ju jeni transferuar në Burgun e Nishit? A keni qenë të njoftuar për dorëzimin e ushtrisë jugosllave dhe për rrugën që keni bërë ?
BAJRAM MUSTAFA:
Rrugës na kanë malltretuar dhe rrahë deri në Nish, nuk na kanë lënë ta ngrejmë kokën me shiku kah po na çojnë e ne nuk e dinim se po na dërgojnë për Nish? Duart i kemi pasur të lidhura me litarë dhe perdet e dritareve kanë qenë të lëshuara…Vetëm një shenjë më kujtohet kur na e dha një gardian. Diku në mes të Podujevës e Prokuples një gardian mori frymë thellë dhe duke lëshuar një ofshamë tha : « Eh tash jemi në Serbi, kjo është Serbia…
BEGZAD BALIU: Ku besonit se po ju dërgojnë ?
BAJRAM MUSTAFA:
Mendonim se po na dërgojnë në kufi të Shqipërisë apo të Maqedonisë.. Flitej gjithqysh… Që janë duke u zhvilluar biedime e kemi ditur por se është nënshkruar marrëveshja, nuk e kemi ditur.
Ukshin Hoti – është njeri për të gjitha kohërat!
BEGZAD BALIU: Një pyetje e pashmangshme. A e keni njohur Ukshin Hotin?
BAJRAM MUSTAFA:
Unë nuk e kam pasur në pavion, ai ka qenë në pavionin numër 2, por mund të themë se të gjithë kemi ditur diçka për te dhe kemi pasur konsiderata të mëdha të gjithë të burgosurit. Bie fjala shpesh e kemi përcjellur për dritare dhe e kemi përshëndetur kur ai shkonte në kuzhinë dhe e di se zakonisht përcillej edhe nga njerëzit tanë, edhe pse askush nga ne nuk e ka pasur jetën të sigurtë. Gjithmonë i jemi frikësuar eleminimit të tij.

_______________________________________________

BEGZAD BALIU: A ka pasur shenja nga autoritetet e burgut për një gjë të tillë?
BAJRAM MUSTAFA:
Po, ka pasur nga të dy anët. Ka pasur gardian që janë sjellur në mënyrë arrogante ndaj tij, pikërisht pse e kanë ditur me kë kanë të bëjnë, por ka pasur edhe gardianë që i janë përulur autoritetit të tij.
BEGZAD BALIU: Si e keni pritur largimin e tij nga burgu?
BAJRAM MUSTAFA:
Me keqardhje. Nuk e dinim çfarë fati e priste dhe e ndjenim veten të vetmuar, pa mbrojtjen morale të tij. E kemi përcjellur dhe përshëndetur një numër i madh i të burgosurve. Natyrisht në mënyrën tonë, për dritare… Ishte ditë e dielë. Kishte dy kofera në dorë. E pamë se po dilte ai dhe me të ishin katër gardian… Në mesin e të burgosurve flitej se largimi i tij lidhet me vendimin e NATO-s për ta bombarduar burgun. Drejtori e ka pasur këtë informatë dhe prandaj e ka larguar Ukshinin një ditë përpara. Kjo shpjegohej atëherë dhe shpjegohet edhe sot në mesin e të burgosurve se ata kanë dashur ta ruajnë Ukshinin dhe Ukshin Hoti është gjallë! Natyrisht ne jemi frikësuar se mos ate po e marrin që ta përpunojnë për nevoja të veta! Natyrisht ka pasur edhe informata të tjera kryesisht senzacionale, të cilart këtu nuk më duke interesant të thuhen, por po ua tregoj vetëm një fakt që më ka bërë përshtypje pasi jam transformuar në burgun e Nishit. Shkova në stacionar dhe një i burgosur serb aty më ka pyetur për fatin e Ukshinit. I thashë që nuk është me neve. Jam takuar me të burgosur serb që me Ukshinin kanë qenë në burgun e Sremit dhe më kanë thënë: Ai është njeri i madh dhe shumë i dijshëm, është njeri për të gjitha kohërat !
Burgu i Nishit
BEGZAD BALIU: A keni gjetur të burgosur shqiptarë aty?
BAJRAM MUSTAFA:
Kur kemi shkuar atë ditë jo? Ata i kishin hequr dhe i kishin dërguar në një «pushimore»?
BEGZAD BALIU: Sa të burgosur kanë qenë ata ?
BAJRAM MUSTAFA:
Rreth 50 vetë.
BEGZAD BALIU: Si i keni pasur kushtet në Burgun e Nishit?
BAJRAM MUSTAFA:
Të rënda. Tortura, ushqim i kufuzuar rreth gjashtë muaj me radhë…
BEGZAD BALIU: Pas sa kohësh keni pasur vizitën e parë nga një organizatë ndërkombëtare apo anëtarë familjeje?
BAJRAM MUSTAFA:
Pas tre muajsh.
BEGZAD BALIU: Për çka janë interesuar ata më shumë ?
BAJRAM MUSTAFA:
Kryesisht për evidentim… Janë interesuar më shumë për rastin e Dubravës.
BEGZAD BALIU: Po nga anëtarët e familjes?
BAJRAM MUSTAFA:
Pas më shumë se katër muajsh a pesë. Fillimisht kanë ardhur kryesisht nënat. Atëherë kemi dëgjuar për herë të parë se nga Kosova janë tërhequr të gjitha forcat e armatosura. Janë shpërndarë pako dhe langje për të gjithë, sa ka pasur.

BURGU I NISHIT!

________________________________________________

BEGZAD BALIU: Po për shokët tjerë a keni pasur informata të tërthorta ?
BAJRAM MUSTAFA:
Po, kemi marrë informata përmes letrave të ndryshme dhe sidomos përmes atyre që transferohen nga burgu në burg për t’iu shqiptuar dënimet. Nga letrat kemi kuptuar se në Burgun e Sremit dhe të Leskocit gjendja është më e vështirë. Gjatë kësaj kohe kemi dëgjuar se në Burgun e Sremit gjenden edhe 700 kroat – rob lufte.
BEGZAD BALIU: Si e keni marrë vesh këtë ? A mund të na thoni diçka më shume¨ ?
BAJRAM MUSTAFA:
Po, ja kështu, përmes këtij lloj komunikimi. I kanë zbuluar shqiptarët por një kohë të gjatë nuk kanë guxuar t’i tregojnë. Unë nuk di asgjë më shumë, por është përfolur kjo atje dhe kaq di edhe unë.
BEGZAD BALIU: Cila është ana shpirtërore e të burgosurve ?
BAJRAM MUSTAFA:
Të burgosurit janë shumë mirë të organizuar prandaj edhe shpirtërisht gjenden mirë. Ndihmojmë njëri tjetrin me cigare e ushqim për ata që nuk kanë vizita, ju e dini se ne të gjithë – kush më shumë e kush më pak kemi pësuar trauma të luftës dhe kemi nevojë për një fjalë të mirë, të mençme, udhëzuese për jetë…
BEGZAD BALIU: A është ndërmarrë diçka që të tejkalohen sidomos traumat ?
BAJRAM MUSTAFA:
Nga autoritetet e burgut jo, ndërsa nga tanët po. Takohen njerëzit rregullisht dhe bisedohet në aspektin pozitiv për të arriturat e Kosovës, për heqjen qafe të policisë e ushtrisë serbe, pra nuk do të ketë policë e ushtri serbe, as romë të organizuar për të bërë krime mbi shqiptarët,…Ne jetonim duke ëndërruar si duket ajo Kosvë e lirë sot, të cilën e kemi ëndërruar dje të gjithë, si punohet pa frikë e trishtim në Kosovën e lirë sot, si ndërtohet sot ajo nga dora shqiptare dhe ndihma ndërkombëtare… Pra, ne i shërojmë plagët me ëndërrat për Kosovën të cilën e bëni ju sot. Dhashtë zoti e të mos i zhgënjejmë ata që janë gati të jetojnë edhe 20 vjetë në dhunën serbe vetëm që pas njëzetë vitesh ta shohin Kosovën e ëndërruar.
BEGZAD BALIU: Pas gjithë asaj katrahure që keni përjetuar, cila është shpresa që i mban të burgosurit se do të lirohen së shpejti një ditë?
BAJRAM MUSTAFA:
Në fillim kemi pritur me javë, dy javë dhe muaj. Kështu kanë shkuar shumë ditë, shumë javë e shumë muaj… Ka pasur besim se do të nënshkruhen marrëveshje për t’u liruar të gjithë. Kemi besuar se edhe në anën e shqiptarëve do të ketë të burgosur dhe ata do të na këmbejnë një ditë : të gjithë me të gjithë apo….Madje kjo shpresë ende nuk është fikur për këmbim. Njerëzit nuk mund të besojnë se i kemi lëshuar serbët ta lëshojnë Kosvën ashtu pa një therrë në këmbë e në anën tjetër e kemi ditur se në Serbi gjenden gjithë ata të burgosur.
BEGZAD BALIU: Ju jeni liruar me 18 shkurt 2000, si e keni parë Kosovën ?
BAJRAM MUSTAFA:
Pas gjithë atyre krajateve që kam kaluar, përsëri e ndjej veten të lumtur. Kam shpresë në angazhimin e organizatave qeveritare dhe joqeveritare dhe aq sa kërkohet do të ndihmojë edhe unë. FUND
– Kjo intervistë me disa shkurtime është botuar në revistën “Pasqyra: “Burgu që ndjek, (Intervistë me Bajram Mustafën), Pasqyra, v.II. nr. 17, 26 mars 2000, f. 4-5. dhe “Emrat tanë i kemi shkruar në mure me gjakun tonë” (pjesa e dytë), Pasqyra, v.II. nr. 18,31 mars 2000, f.16.”

____________________________________________

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura