MR.KADRUSH RADOGOSHI: GJAKOVA NË SHTRATIN E PROKRUSTIT SERB (I)

(Pashtriku.org, 25. 03. 2012) – Në natën e 24-25 marsit 1999 filluan bombardimet e NATO-s mbi caqet ushtarake serbe në Kosovë e Serbi dhe po atë natë makineria serbe filloi vallen e saj makabre në Gjakovë. Brenda një nate u dogj e tërë Çarshia e Madhe. Gjuhët e zjarrit të dalura nga goja e piromanisë serbe e shndërruan në tym e hi mundin dhe djersën qindravjeçare të Gjakovës dhe iu kërcnuan si një përbindësh mitologjik qiellit. Atë natë u vranë gjashtë qytetarë të nderuar të Gjakovës, në mesin e tyre edhe kirurgu dhe humanisti i shquar Dr. Izet Hima.
VEPËR ME KARAKTER DËSHMUES DHE VLERA TË SHUMËFISHTA E TË PAMOHUESHME
     Vepra e autorit Mr. Kadrush Radogoshi ”Nëpër rrathët e ferrit serb” ka përmbajtje dëshmuese burimore për frikën, trishtimin dhe tmerrin e qytetarëve shqiptarë të Gjakovës, të përjetuar në pranverën e vitit 1999, të shkaktuar nga paramilitarët, ushtarët dhe policët serbë. Nga përmbajtja e këtillë njihet dhe kuptohet vuajtja dhe qëndresa e shqiptarëve të paarmatosur të Gjakovës dhe të rrethinës së saj, në njërën anë dhe, njihet e kuptohet urrejtja, armiqësia dhe energjia e pashterrur e njësiteve serbe për të shkatërruar dhe asgjësuar banesa, shtëpi, dyqane, rrugë, lagje e fshatra të shqiptarëve, në anën tjetër. Egërsia e sjelljeve të tyre, barbaria shtazarake ndaj mjedisit homogjen shqiptar, qysh ishte dhe është Gjakova e rrethina e saj, u manifestua në rend të parë ndaj qytetarëve të këtij mjedisi. Qytetarët e këtij mjedisi u dëbuan, u burgosën, u rrahën, u plagosën, u vranë dhe kufomat e disa prej të vrarëve u dogjën, kurse të shumë të tjerëve u zhvarrosën dhe nuk do të dihet ndoshta kurrë, vendi ku u hudhën në lumej të thellë e të rrëmbyeshëm të Serbisë apo ku u dogjën. Epshi i pangopur i njësiteve serbe ndaj mjediseve shqiptare, posaçërisht ndaj mjedisit të Gjakovës u njoh pikërisht në sjelljet egërsinore ndaj shqiptarëve të këtij mjedisi të të dy gjinive, të të gjitha moshave dhe të të gjitha profesioneve. U plagosën, u vranë dhe u masakruan fëmijë, të rinj, gra, burra e pleq. U plaçkit, u dogj dhe u asgjësua prona e tyre me qëllim të çrrënjosjes së gjithë asaj, që është shqiptare. Dëbimi masiv i shqiptarëve të Gjakovës e të rrethinës së saj dhe asgjësimi i gjithë pronës së patundshme dhe të tundshme të këtyre qytetarëve u projektua me qëllim të krijimit të të gjitha kushteve për moskthyerje të përhershme të tyre në vendin e të parëve të vet. Epshi i ulët i njësiteve serbe bëri që Rrafshi i Dukagjinit, para së gjithash Gjakova e rrethina e saj, të bëhet vendi më i dëmtuar në Evropën e fundshekullit njëzet. Në këtë pikëpamje, përmbajtja e kësaj vepre, i bën lexuesit e saj njohës të thellësisë epshore të gjakpirjes njerëzore një gjysmë shekulli pas miratimit të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara. Epshi i ulët i barbarisë u njoh nga dëbimi, djegia, dhunimi i femrave të moshës fëmijërore dhe të moshës madhore, vrasja e masakrimi i të pafajshëmve, zhdukja e qytetarëve dhe shndërrimi i tyre në qytetarë të pagjetur. Por, ky epsh u dallua edhe në fjalorin jonjerëzor të shumë qytetarëve serbë vendas, që u shërbenin njësiteve paramilitare serbe dhe i të tjerëve, për të cilët shqiptarët ishin ”qej besnikë”, kurse nga gjuha shqipe njihnin vetëm fjalët: ”nxjerrni paratë, markat, arin (për stoli të femrave), ju vrasim, ju rrahim”. 

     Përballë një të keqeje kaq të madhe Autori i kësaj vepre ka pohuar se këtë vepër e ka shkruar, sikurse thot ai ”jo për të shkaktuar urrejtje, por për të kërkuar drejtësi”. Humanizmi i tij meriton respekt të veçantë dhe ky humanizëm e respekt bëhet aq më i lartë e kuptimplotë, kur dijmë se autori i kësaj vepre Mr. Kadrush Radogoshi edhe vet ka qenë i burgosur dhe i maltretuar në vitin 1981 dhe në vitin 1989 së bashku me 237 intelektualë shqiptarë të Kosovës.
     Në këtë vepër zbulohen dhe vërtetohen edhe disa realitete; njëri ndër realitet e këtilla është se shumë nga mizoritë e përmendura prej Vlladan Vllajkoviqit i ka dalluar në sekretin ushtarak të Serbisë. Pohimi i V. Vllajkoviqit ”Tmerr është të jetohet në Serbi…” pohuesit i ka kushtuar shumë shtrenjtë.
Pjesa më e rëndësishme për nga karakteri dëshmues i kësaj vepre i përket kaptinës ”Të arrestuar në shtëpi apo në kolonat e gjata të të dëbuarve nga shtëpitë, të torturuar në mënyrat më makabre, të plagosur e të vrarë, të akuzuar e të dënuar me 1632 vjet burg”. Në këtë kaptinë, që ka një shtrirje më të gjerë në gjithë vëllimin e veprës, bëhet fjalë për përjetimet e 155 shqiptarëve, të cilët e kanë përbërë të ashtuquajturin ”Grup i Gjakovës”, të arrestuar në format më makabre dhe të vendosur në fillim në uzinë të Nazmi Kurtit, në bodrum të Sali Nimanit e gjetiu, sepse nuk kishte vend për këta qytetarë në burgun zyrtar. Në këtë kaptinë autori ka mbarështruar të dhënat e secilit të arrestuar. Por, pjesa më cilësore e përmbajtjes së kësaj kaptine i përket dëshmive të shumë vetave nga këta të arrestuar, sidomos të kujtimeve të paraqitura në formë ditari nga ana e të arrestuarit të vrarë në burgun e Dubravës Ilir Damonaga, të Afrim Cakës etj.
     Ky grup i të arrestuarve gjakovarë ishte një grup heterogjen sepse përbëhej nga anëtarët e moshave të ndryshme, me përkatësi të ndryshme sociale, regjionale, me shkallë jo të njëjtë arsimore dhe gjendje të ndryshme shëndetësore. Ky grup i të arrestuarve i përjetoi të këqiat më të mëdha në burgun e Dubravës, të Lipjanit, të Nishit, të Pozharevcit dhe të Mitrovicës së Sremit. Meqë të gjithë ishin të arrestuar ”Për terrorizëm” u dënuan drastikisht; të gjithë u dënuan me më shumë se 16 shekuj burg.
Autori vë në spikamë shumë deklarata të të arrestuarve. Nga deklaratat e këtilla dallohet shpirti i egër dhe barbar i policëve dhe ushtarëve serbë. Në këtë paraqitje të shkurtër të këtyre deklaratave i paraqesin disa prej pikëpamjeve më pikante: ”Kufiri në mes të jetës dhe vdekjes ishte zhdukur”, ”Para ekzekutimit përshëndetet baba me djalë, vëllau me vëlla, shoku me shok”, ”Thash me veti: Cigarja e fundit në jetë”, ”Në pusetë ku ishim fshehur të burgosurit hedhnin bomba” e shumë të tjera.
     Përmbajtja e kësaj vepre është e përcjellur me shumë fotografi, që ilustrojnë më gjallërisht tmerrin e ferrit të përjetuar. Vepra ka përmbajtjen mbaresore në anglishte dhe në frengjishte dhe kjo i jep vlerë të posaçme përdoruese gjithë mundit fizik e mendor të autorit.
     Sikurse theksuam më lartë, vepra ka karakter dëshmues dhe në këtë pikëpamje ka vlerë praktike përdoruese të shumëfishtë. Por, vepra ka edhe vlera të pamohueshme teorike. Besoj, shumë lexues kanë mundësi, jo vetëm të njihen me sjelljet makabre të atyre, që mbajnë adresë dhe dokumentacion të njeriut, por edhe të frymëzohen për kultivim të sjelljeve humaniste, sikurse edhe për krijime letrare, filmike, kulturore etj.
     Botimi i veprës ”Nëpër rrathët e ferrit serb” e autorit Mr. Kadrush Radogoshi është i një rëndësie të veçantë.
     Akademik Pajazit Nushi – Prishtinë, 20. 2. 2005
     Mr. Kadrush Radogoshi (Parathënie e librit ,,Nëpër rrathët e ferrit serb” Brezi ’81, 2005)

GJAKOVA NË SHTRATIN E PROKRUSTIT SERB
Në vend të hyrjes
     Ky libër është konceptuar si një dëshmi autentike e atmosferës së frikës e tmerrit, atmosferës apokaliptike në Gjakovë gjatë bombardimeve të NATO-s në pranverën e vitit 1999, të cilën e krijoi makineria serbe e përbërë nga policia, ushtria dhe njësitet paramilitare, duke djegur pjesën më të madhe të qytetit (shtëpi banimi, Çarshinë e Madhe, këtë vlerë të rëndësishme të kulturës materiale të ndërtuar afër 400 vjet më parë), duke dhunuar femra, plaçkitur çdo gjë, duke torturuar e masakruar njerëz të pafajshëm nëpër shtëpitë e tyre, duke i përzënë nga shtëpitë dhe duke i detyruar të shkojnë në Shqipëri. Në këto kolona civilësh të dëbuar ata arrestuan shumë meshkuj, disa prej të cilëve ua humbën çdo gjurmë, ndërsa nga 155 veta e krijuan të ashtuquajturin ”Grupi i Gjakovës”, i cili u arrestua me akuzën për terrorizëm dhe përjetoi Masakrën e Dubravës, burgun e Lipjanit, të Nishit, Pozharevcit, të Mitrovicës së Sremit. 143 Veta nga ky grup u dënuan me 1632 vjet burg. 9 prej tyre u vranë në burgun e Dubravës, ndërsa 3 të tjerë nuk u dënuan. Fati i zi i këtyre njerëzve, shtegtimi i tyre nëpër të gjithë rrathet e ferrit serb është objekti i këtij libri.
Në pjesën e parë të librit botohen të dhënat elementare për të gjithë pjesëtarët e ”Grupit të Gjakovës” duke ndjekur radhën e evidentimit të tyre në Vendimin për fillimin e hetimeve Ki. br. 201/99 i lëshuar më 23. 12. 1999 nga gjyqtari hetues i Gjykatës së Qarkut të Leskovcit Millomir Llazoviqit, radhë që ndiqet në Aktakuzën e Prokurorisë Publike të Qarkut të Leskovcit KT. br. 310/99 e datës 10. 1. 2000 dhe në Vendimin e K.Br. 8/2000 i datës 7. 8. 2000 me të cilin u dënuan me mbi 16 shekuj burg.
     Në pjesën e dytë të këtij libri botohen dëshmitë autentike të disave nga të burgosurit e ”Grupit të Gjakovës”, të cilët e mbijetuan ferrin serb. Këto dëshmi të shkruara në formë kujtimesh e ditarësh të burgut, paraprihen nga ditari autentik i të vrarit gjatë masakrës në burgun e Dubravës Ilir Damonagës dhe përfundojnë me dëshminë e gjerë të Afrim Cakës.
Në ditarin e tij të filluar më 24 mars 1999 dhe të përfunduar më 27 prill 1999 jepet atmosfera apokaliptike në Gjakovë. Në fund të librit botohet rezymeja në gjuhën angleze dhe frenge.
Ky libër nuk është ndonjë dëshmi e urrejtjes shqiptare ndaj serbëve, siç mund të pritej në një rast të tillë, por është një dëshmi për krimet makabre serbe ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare dhe gjithsesi një akuzë kundër krimeve shtetërore serbe, të cilat duhet të dalin para drejtësisë sado e vonuar qoftë ajo.
Atmosfera apokaliptike në Gjakovë
     Shkrimtari ynë Ismail Kadare shumë vjet më parë ka shkruar një poezi kushtuar Gjakovës me titull ”Atje larg, në veri”. Në këtë poezi të shkurtër, materializohet artistikisht tërë tragjika e këtij qyteti (Atje në veri/ atje larg nën retë bojëhiri/ ndodhet një qytet me një emër të tmerrshëm, të përgjakur/ shirat bien parreshtur mbi qytetin verior, Gjakovë. /Po, siç duket, nuk e lajnë dot gjakun nga fytyra e tij.). Poezia është shkruar shumë vite para se Gjakova të përjetojë luftën e fundit dhe pikërisht periudhën e bombardimeve të NATO-s, por sikur ta ketë parandier periudhën më të rëndë në historinë e këtij qyteti, periudhën, kur ky qytet ishte para zhbërjes së tij nga makineria pushtuese serbe, e cila, që natën e parë të bombardimeve, më 24 mars 1999, krijoi një atmosferë apokaliptike në qytet. Gjakova menjëherë u vu në Shtratin e Prokrustit (Damastit apo Polipomonit). Prokrusti është figurë mitologjike antike, simbol i hajdutit dhe kriminelit, i cili kishte konstruktuar një shtrat të hekurt në të cilin i vinte njerëzit e pafajshëm për t’i torturuar. Nëse njeriu ishte më i shkurtë se shtrati i tij e zgjaste, ndërsa, kur ishte më i gjatë e shkurtonte, duke ia këputur këmbët.
Më 24 mars 1999 Prokrusti ishte shteti serb, i cili e vuri një qytet në shtratin e tij kriminal. Meqë qyteti i Gjakovës ishte më i gjatë dhe më i gjerë se Shtrati i Prokrustit serb, hajduti dhe krimineli bashkëkohor filloi të këput këmbë, duar, koka njerëzore. Simbolika e Shtratit të Prokrustit serb është e lehtë për t’u zbërthyer. Prokrusti kishte konstruktuar Shtratin në të cilin i torturonte njerëzit e pafajshëm, ndërsa shteti serb kishte bërë programe të vazhdueshme për zhdukjen e shqiptarëve, një program i tillë filloi të zbatohej me shpejtësi në tërë Kosovën, por në Gjakovë zbatimi i tij ishte më i tmerrshmi.
     Rrënjët e simbolikës së ”Shtratit të Prokrustit” dhe vendosjes së Gjakovës në të mund t’i gjejmë në dëshmitë rrënçethëse historike të gazetarit Llav Trockit (më vonë udhëheqës i lartë në ish Bashkimin Sovjetik dhe i likuiduar nga Stalini), kur ishte korespondent i një reviste ruse në vitin 1912 gjatë pushtimit të parë serb të trojeve shqiptare. Krimet, masakrat, tmerret e ferrit të dëshmuara nga Trocki u përsëritën kushedi për të satën herë në pranverën e vitit 1999. Krimet serbe mbi shqiptarët Trocki i quan ”mizori ferri dhe gjakpirësi” ndërsa vendbanimet shqiptare i sheh ”të shndërruara në shtylla zjarri”. Nënoficeri serb para Trockit e ”mbron nderin” ushtarak: ”ushtria e rregullt u përmbahet rreptësisht rregullave dhe nuk i vret njerëzit më të ri se 12 vjeç” për të shtuar më tutje: ”Ata ia lëmë komitave (paramilitarëve K.R.), për ta nuk vlejnë rregullat”.
     Në natën e 24-25 marsit 1999 filluan bombardimet e NATO-s mbi caqet ushtarake serbe në Kosovë e Serbi dhe po atë natë makineria serbe filloi vallen e saj makabre në Gjakovë. Brenda një nate u dogj e tërë Çarshia e Madhe. Gjuhët e zjarrit të dalura nga goja e piromanisë serbe e shndërruan në tym e hi mundin dhe djersën qindravjeçare të Gjakovës dhe iu kërcnuan si një përbindësh mitologjik qiellit. Atë natë u vranë gjashtë qytetarë të nderuar të Gjakovës, në mesin e tyre edhe kirurgu dhe humanisti i shquar Dr. Izet Hima.
Në natën e dytë të bombardimeve të NATO-s (25-26 mars) u dogj e tërë gjysma perëndimore e Mahallës së Qylit, u vranë në shtëpitë e tyre: Remzie Radoniqi Bejtullahu 61 vjeçare, bashkëshorti i saj Sulejman Bejtullah Bejtullahu i moshës 62 vjeçare, Rajmond Agim Ibrahimi i moshës 15 vjeçare, Skënder Sadri Gashi (Ibrahimi) 43 vjeçar, vëllezërit: Ali Ibrahim Islami (26 vjeçar) Bali Ibrahim Islami (34 vjeçar), Afrim Idriz Koci (29 vjeçar) e Besim Idriz Koci (27 vjeçar). U vranë gjithashtu Fadil Beqir Krasniqi (29 vjeçar), Qazim Selim Osmanaj (56 vjeçar) me dy djemtë e tij Bekimin (25 vjeçar) dhe Musanë (30 vjeçar), Xhevdet Sadik Rakoci (55 vjeçar), Naser Qamil Thaçi (29 vjeçar), Asllan Osman Halilaj (87 vjeçar) në mesin e tyre edhe dy piktorë akademikë Shefqet Nasir Pruthi (53 vjeçar) dhe Avni Osman Ferizi (63 vjeçar).
     Në të ngrysur të së njëjtës ditë më 26 mars 1999 në Mahallën e Gecës në shtëpinë e Zenel Abedin Dervishdanës u bë edhe një masakër, u vra i zoti i shtëpisë (59 vjeçar) me djemtë Fahriun (37 vjeçar), Eminin (32 vjeçar) dhe musafirët e tij: mikun e shtëpisë Sulejman Malik Begollin (48 vjeçar), fqinjtë Arif Jakup Bytyçin (73 vjeçar) dhe Urim Arif Bytyçin (33 vjeçar).

     Në mëngjesin e 1 prillit kriminelët serbë, të cilët ishin nga serbët vendas e dy prej tyre edhe nga e njëjta rrugë (Nikolla Trifun Steviq dhe djali i tij Bojani), filluan të bastisin dhe plaçkisin shtëpitë në rrugën e Gjykatës komunale të Gjakovës, pastaj meshkujt e mbetur në këtë lagje i mblodhën në shtëpitë e Fehmi Tefik Spahiut dhe pasi i rreshtuan me fytyrë të kthyer nga muri i vranë.
     Tre nga të vrarët qenë nga familja Spahiu (Aliu, Qamili dhe Astriti) dy vëllezërit nga familja Zhubi (Muhametin dhe Skenderin), me ta e vranë edhe Petrit Mehdi Haraqinë. Pas këtij krimi të kryer në mes të ditës ua futën flakën shtëpive. Pas luftës nën shkrumbin e shtëpisë së tij është gjetur trupi i karbonizuar i Suphi Adem Arllatit.
     Masakra më e tmerrshme ndodhi në natën e 1 e 2 prillit 1999 në Mahallën e Qerimit në Rrugën ”Sadik Stavileci” kriminelët serbë masakruan: Rexhë Hasan Gucin, Xajë Ramë Kurtin, Shukri Ramë Haxhiajn, Mazllom Kasim Kavajën (nga Mitrovica), Sulejman Murat Gërçarin së bashku me tre djemtë e tij (Skënderin, Haxhiun dhe Albertin), dy vëllezërit Dylatahu (Skënderin e Naserin), Melaim Musa Qarkaxhiun, inxhinierin e shquar të ndërtimtarisë Blerim Xhevdet Bërdoniqin, ndërsa e plagosën rëndë Bujar Faruk Tetricën, i cili gjatë rrugës për në Shqipëri vdiq.
     Kriminelët serbë, vëllezërit Zoran e Lubisha Dogançiq. Xhaxhai i tyre Bozhidar Dogançiq me të birin Sasha, polici serb Llaza Drashkoviq (nga Klina), vëllezërit malazezë Millosh e Dragan Shqepanoviq, këtë masakër e kanë bërë në bazë të planit të hartuar më parë. Këtë konstatim e vërteton bindshëm fakti se një ditë para se të kryhej masakra djaloshi 11 vjeçar Aca Dogançiq, djali i Zoranit, ka hyrë në shtëpinë e vëllezërve Skender e Naser Dylatahu dhe u ka thënë: ”Largohuni sa më shpejt nga shtëpitë sepse e kam dëgjuar babain dhe gjyshin tim, duke biseduar se do t’u vrasin të gjithëve”. Dëshmia e këtij fëmije flet për motivin patologjik të autorëve të masakrave. Fëmija, i rritur në mesin e fqinjëve shqiptarë, duke parë iracionalitetin e prindit të tij, gjyshit dhe të tjerëve i paralajmëroi fqinjët e tij, (viktimat e së nesërmes) për planin makabër.
     Duke mos u mjaftuar me masakrën në Rrugën ”Sadik Stavileci”, po atë natë të zezë, kur sapo kishte filluar 2 prilli i zi për Gjakovën, afër Stacionit të autobusëve u krye një masakër edhe më e tmerrshme.
Derisa në masakrat e mëparshme në Gjakovë u masakruan kryesisht burrat dhe aty këtu ndonjë djalosh i moshës së mitur, në këtë masakër u goditën familje të tëra, të cilat u masakruan në shtëpitë e tyre, e disa prej tyre u dogjën së bashku me shtëpitë.
     Në familjen Haxhia u vranë vëllezërit Hasan (49 vjeçar) e Adem (46 vjeçar) Ali Haxhia, djemtë e Ademit Berati (17 vjeçar) e Gëzimi (26 vjeçar) dhe gruaja e Hasanit Myzafere Murat Haxhia (49 vjeçare), ndërsa familja e Januz Canës (72 vjeçar) e përbërë nga gruaja e tij Ganimete (Rexha) Cana (60 vjeçare), vajza Shpresa (43 vjeçare) dhe djali Fatmiri (41 vjeçar) pasi u masakrua u dogj së bashku me shtëpinë. Kjo familje u zhduk pa lënë asnjë pasardhës. U vra Afërdita Deda-Demjaha me të birin Argjentin, të cilin e masakruan me thika në gjumë e pastaj e tërhoqën zvarë dhe e varën në shtyllën elektrike.
     Për këtë masakër dëshmitari okular Agron Nagavci (shih Dëshminë e tij të dhënë në N/KMDLNJ në Gjakovë) ndër të tjera thotë: ”Natën kritike forca të shumëta policore dhe paramilitare (60 sosh) kishin rrethuar lagjen tonë pas mesit të natës së 1 e 2 prillit 1999. Ngjarjen e kam shikuar nga kati i dytë i shtëpisë sime, e cila gjendet në këtë lagje. Aksioni ka filluar me sinjalizimin e bërë nga komandanti i policisë së Gjakovës Novak Pituliq, i cili e ka ndezur shkrepsën. Posa e morën sinjalin, policët ndezën dritat e automjeteve për ta ndriçuar terrenin. Ndezja e dritave më ka mundësuar t’i identifikoj pjesëmarrësit e krimeve të asaj nate. Ata ishin kryesisht banorë të kësaj lagjeje, ishin fqinjtë tanë, disa prej tyre i kisha shokë të fëmijërisë me të cilët kisha raporte të mira gjerë atë natë. Ata nuk hezituan të vrisnin mbi 60 veta, të digjnin më shumë se 100 shtëpi dhe banorët e tyre t’i përzinin për në Shqipëri. Gjatë kryerjes së krimeve këndonin këngë çetnike dhe bërtisnin: ”Keni kërkuar NATO-n! Do të ju vrasim! Shkoni në Shqipëri”! Momenti, kur kam vendosur ta lëshoj vendvrojtimin, ka qenë, kur kam dëgjuar të shtënat në familjen Vejsa. Pjesëmarrës në krime në këtë lagje më 2 prill 1999 ishin: Novak Pituliq (komandant policie), Mishko, Nenad, Tihomir, Sasha dhe Lubisha Raiçeviq, Millosh Shçepanoviq (polic me uniformë) me vëllezërit Dragan (i njohur me nofkën Gajo) dhe vëllai tjetër i tij i njohur me nofkën Skipi (punëtorë në PTT), Novica e Llazar Nedelkoviq, Nebojsha Simonoviq, Ratko Vujoviq me tre djemtë e tij (Zllatko, Neno, Millorad), Zvonko Pavlloviq (shofer i Momqillo Stanojeviqit-kryetar i KK Gjakovë), Velko Obradoviq (punëtor i sigurimit shtetëror serb), Danillo Obradoviq dhe Momqillo Simonoviq”.
     Përmasat makabre të kësaj masakre janë edhe më të gjera edhe më të thella: Ato s’mund t’i përthekojë mendja e shëndoshë njerëzore. Dëshmia më autentike dhe më rrëqethëse është tmerri që ndodhi në bodrumin e shtëpisë së Mehdi Vejsës së ndjerë. Aty ndodheshin: gruaja e Mehdiut Fetije Gashi-Vejsa (60 vjeçare), gruaja e djalit të saj Lulzimit Tringa Hani Hoxha-Vejsa (30 vjeçare), e ëma e Tringës Shahindere Nushi-Hoxha (55 vjeçare), motra e Tringës Flaka Hani Hoxha (15 vjeçare), fëmijët e Tringës Rita Lulzim Vejsa (2 vjeçare), Arlind Lulzim Vejsa (5 vjeçar), Marigona Lulzim Vejsa (9 vjeçare), Dorina Lulzim Vejsa (11 vjeçare). Në bodrum ndodhej edhe vajza e Fetijes dhe Mehdi Vejsës Valbona (38 vjeçare), e martuar për Behar Haxhiavdinë me fëmijët: Doruntinën (3 vjeçare) Egzonin (5 vjeçar) dhe Rinën (7 vjeqare). Pos këtyre në bodrum ndodhej edhe Valbona Valdet Byci-Caka (34 vjeçare), gruaja e Ali Xhemil Cakës, me tri vajzat e saj Dionën (2 vjeçare), Delvinën (7 vjeçare), Dalinën (14 vjeçare) dhe djalin e saj Drenin (9 vjeçar), Hysen Shaban Gashi (53 vjeçar), Mandushe Lutfi Nuqi (52 vjeçare) dhe nëna e saj Shirine Lama Nuqi (73 vjeçare). Gjithsej në bodrum ndodheshin 21 veta: një mashkull i moshës madhore, 7 gra të moshave prej 30-73 vjeçare dhe 13 fëmijë prej moshës 2 në 15 vjeçare. Në të gjithë këtë masë fëmijësh dhe grashë kanë shkrepur rafale automatikësh dhe pasi i kanë vrarë ia kanë futur flakën shtëpisë. Nëpër tym e flakë Dren Ali Caka (9 vjeçar, i plagosur me dy plumba në krahëror) ka arritur të dalë nëpër dritare dhe të shpëtojë, por nuk ka mundur ta nxjerrë prej aty motrën e tij të vogël Dionën 2 vjeçare, e cila kërkonte ndihmë nga ai. Diona u dogj e gjallë. Është rrënçethës rrëfimi i Drenit të plagosur, i cili kur po dilte nëpër dritare e kishte lënë motrën e vogël duke kërkuar ndihmë nga ai: ”Bacë merre çikën!”
     Autorë të këtyre masakrave, të kryera me gjakftohtësi, ishin policë dhe banorë serbë e malazezë të kësaj lagjeje, të cilët ishin zbatues të politikës shtetërore serbe për spastrimin etnik të Kosovës, si formë e realizimit të programit nacional serb për zhdukjen e shqiptarëve. Këto krime u kryen me paramendim nga zingjiri komandues policoro-ushtarak serb, por ky konkludim nuk e shpjegon tërë natyrën dhe motivet e krimit. Fqinjtë civilë serbë e malazezë të mbushur me urrejtje, e cila nuk ka ndonjë motivim të qëndrueshëm në realitetin paraprak të Kosovës, morën pjesë në krime. Atyre civilëve serbë askush nga shqiptarët nuk u ka shkaktuar ndonjë dëm e të mos flasim për ndonjë formë të dhunës të ushtruar mbi ta, përkundrazi ata kanë qenë gjithmonë të priviligjuar. Bile edhe në kohën e Luftës së Dytë Botërore serbët e paktë të mbetur në Gjakovë i kanë mbrojtur shqiptarët, duke i marrë nëpër shtëpitë e tyre dhe duke i mbajtur me bukën e tyre. Me bujarinë, ndershmërinë dhe besnikërinë shqiptare ata janë tallur, duke i quajtur shqiptarët ”besnik si qeni”.
     Rrënjët e motivimit për të bërë masakra të tilla mbi fëmijë e gra shqiptare nuk duhet kërkuar, pra, vetëm tek urdhërat nga lart, por edhe tek kultura serbe, e cila nuk i ka bërë jehonë humanizmit, por përkundrazi është shndërruar në mbjellëse të urrejtjes patologjike serbe ndaj popujve fqinj e sidomos ndaj popullit shqiptar, i cili shekuj me radhë ka qenë viktimë e aspiratave hegjemoniste serbe. Shembuj të urrejtjes iracionale serbe ndaj shqiptarëve ka aq shumë në kulturën serbe saqë urrejtja iracionale dhe ksenofobia është shndërruar në model kulturor. Argument më bindës për këtë se masakra mbi fëmijë e gra në bodrumin e familjes Vejsa nuk di që mund të ketë.
     Pas masakrës së 1 e 2 prillit lagjet veriore të Gjakovës u zbrazën pothuajse në tërësi nga banorët e tyre, pjesa dërmuese e tyre formoi kolonat e gjata të të dëbuarve, të cilët u nisën drejt Qafës së Prushit për ta parë për herë të fundit prej andej Gjakovën e mbuluar nga tymi dhe flaka e piromanisë serbe, nga mjegulla e trishtimit. Gjakova ishte shndërruar në qytet fantazmë. Ishte një ndjenjë e çuditëshme te njerëzit, ata nuk ndienin dhembje për shtëpitë e lëna dhe për çdo gjë që kishin pasur. Ndienin dhembje vetëm për ata, që kishin mbetur në Gjakovë, të cilëve vdekja, çnderimi, sëmundja dhe uria u kërcënoheshin në çdo çast.
Makineria kriminale serbe Mahallës së Qerimit e po të njëjtës rrugë, pra, asaj ”Sadik Stavileci” iu kthye sërish dy javë më vonë e pikërisht më 16 prill për t’ua shuar jetën edhe: Skender Binakut, Xhemajl e Florent Kerraxhiut, Xhevdet dhe Isuf Dafotës e Dr. Masar Isa Radoniqit stomatolog.
     Kjo makineri mortore vizitoi çdo lagje e çdo rrugë të Gjakovës dhe fshatrave të saj. Shumica e fshatrave të Ujanës së Keqe e sidomos ato të brezit kufitar ishin zbrazur nga makineria vrastare serbe që në vitin 1998, ndërsa pjesa tjetër filloi të zbrazej në prill të vitit 1999. Jo më larg se dy kilometra prej qytetit në vijë të drejtë, në fshatin Meje më 27 prill 1999 ndodhi masakra më e tmerrshme, e cila për nga përmasat na e përkujton Sebrenicën. Në Meje pasi u ndanë nga kolona 345 meshkuj të moshave të ndryshme prej 14-86 vjeçar dhe tri femra, gjithsej 348 shqiptarë u masakruan në mënyrën më barabre.
     Në këtë atmosferë të mbizotëruar nga makabriteti serb plasi konflikti në mes të njësitit të UÇK-së dhe forcave policore, ushtarake dhe paramilitare serbe. Ky konflikt u zhvillua më 7, 9 e 10 maj 1999. Sipas dokumenteve të gjyqësisë serbe në këtë konflikt u vranë: polici Stanko Tomoviq, ushtarakët Aleksandër Rakoviq e Dejan Milanoviq, ndërsa janë plagosur: Lubisha Novoviq, Mladan Tomasijeviq, Momir Dodiq, Radovan Bogovac, Millutin Novakoviq (policë serbë) dhe Lubomir Mariq e Sërgjan Kërstiq (ushtarakë), ndërsa e vërteta për plagosjen e Sërgjan Kërstiqit është se ai është plagosur në Betejën e Rahovecit.
Terrori serb në Gjakovë kishte arritur përmasat gjenocidale që në masakrat e 1 e 2 prillit, kur, pos të vrarëve të apostrofuar më parë, qenë zhdukur dhe mbetur pa ”nam e nishan” edhe 29 veta të tjerë. Por, në fillim të majit, pikërisht më 7-12 maj, numri i shqiptarëve, që duhej të vriteshin dhe t’u merrej edhe e drejta për të pasur një varr në tokën që i ka lindur, u bë shumë më i madh. Vetëm brenda këtyre 3-4 ditëve të fillimit të majit në qytet, pa llogaritur fshatrat, u vranë, u zhdukën pasi u vranë, u zhdukën të gjallë mbi 100 shqiptarë të pafajshëm, kishte fëmijë, të rinjë, pleq e plaka, por makineria vrastare nuk shikonte as moshë e as gjini, për te pafajsia njerëzore nuk ekzistonte. Për te nuk ishin fajtorë vetëm të gjallët, po edhe të vdekurit. Hapësira semantike e simbolit apo nocionit mitologjik të Hadit, Zotit të botës së të vdekurve, dukej e ngushtë për veprën e nekrofilisë kolektive serbe. Kjo nekrofili nuk mund të perceptohet pa piromaninë dhe serinë e manive tjera të makinerisë serbe, e cila po bënte përpjekjet e fundit për ta zhdukur nga faqja e dheut biofilinë shqiptare.
     Këto ditë e tërë pjesa perëndimore e qytetit, e cila shtrihet rrëzë kodrës së Çabratit, u zbraz nga banorët e saj, të cilët u nisën në kolona të gjata për në Shqipëri, por të gjithë nuk e patën fatin të shkonin atje dhe të shpëtonin nga kthetrat e Luciferrit serb. Shumica e meshkujve u ndanë nga familjet e tyre, djemtë nga prindërit e motrat, burrat nga gratë dhe fëmijët e tyre. Kishte raste kur ndaheshin të gjithë meshkujt e familjes pleq e të rinj siç ndodhi me familjet: Dana (8 veta), Sharani (6 veta), Saraqini (4 veta), Haxhiavdyli (4 veta), Haxhibeqiri (3 veta), Morina (3 vet) Guta (të gjithë meshkujt) etj.
Mbi 300 meshkuj i morën dhe i dërguan fillimisht në ndërtesën e improvizuar të policisë serbe e pastaj në hangarin e familjes Kurti te bodrumi i verës në rrugën Gjakovë-Prishtinë.
VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura