BARDHYL MAHMUTI: A U BIND ZOTI BLUSHI SE NË MAQEDONI PROBLEMET NDËRETNIKE NUK ZGJIDHEN ME ZGJIDHJE USHKURËSH?!

Pashtriku.org, 20. 05. 2015 – Vizita që i bëri deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Ben Blushi Lagjes së Trimave në Kumanovë është vizitë që zuri vendin e merituar në mediet e vendit. Krahas asaj se ishte vizitë tejet domethënëse për banorët e terrorizuar nga një shtet terrorist mediet aktualizuan qëndrimin e z. Blushi se “zgjidhja e mundshme e problemit etnik në Maqedoni do të bëhet përmes martesave të shqiptarëve dhe maqedonasve”.
Ajo që më bëri përshtypje nga deklaratat e tij kanë të bëjnë me konstatimin e z. Blushi se “banorët e Kumanovës u sulmuan nga një shtet i pabesë” dhe se kjo “ditë e shëmtuar në historinë e Ballkanit modern, që nga koha e luftërave në Bosnjë dhe në Kosovë u përsërit në Kumanovë për arsye që ende janë të pashpjegueshme”!
Fillimisht desha të theksoj se pabesia mund të vij nga dikush që nuk e pret. Sa u përket shqiptarëve Maqedonia ka pasur një politikë konsekuente të aplikimit të terrorit shtetëror dhe shqiptarët e kanë pritur dhe presin vetëm të këqija nga ky shtet terrorist.
Po sqaroj për lexuesit që nuk e dinë se me shtet terrorist në shkencat politike definohen ato shtete që nuk synojnë legjitimitetin e popullit në përgjithësi, apo të një grupi të caktuar etnik, racor, kulturor apo fetar në veçanti.
Që nga themelimi i saj, Maqedonia nuk e ka dëshiruar legjitimitetin e shqiptarëve. Përkundrazi, që nga fillimi i funksionimit të këtij shteti Maqedonia ka aplikuar diskriminimin racial kundër shqiptarë.
Madje, ky diskriminim vazhdoi edhe pse më 18 janar 1994 Maqedonia nënshkroi Konventën Ndërkombëtare për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racial dhe Paktin Lidhur me të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore. Përkundër zotimeve se nuk do të kryej asnjë veprim apo praktikë të diskriminimit racial kundër personave, grupe personash apo institucionesh dhe se do tё sigurojë që të gjitha autoritetet publike dhe institucionet publike, kombëtare dhe lokale, t’i përmbahen këtij detyrimi dhe u zotua se do të heq diskriminim racial, që me Konventat ndërkombëtare nënkupton çdo dallim, përjashtim, kufizim, ose preferenca që bazohet në racën, ngjyrën, prejardhjen ose origjinën kombëtare e etnike, gjuhën apo fenë Megjithatë, në praktikë diskriminimi racial ndaj shqiptarëve në Maqedoni vazhdoi me intensitet edhe më të madh.

Përkundër nënshkrimit dhe ratifikimit të Kartës Evropiane për gjuhët nga shteti i Maqedonisë (25 korrik 1996) gjuha shqipe, si kërkesë e vazhdueshme e përfaqësuesve politikë shqiptarë, nuk u zyrtarizua në nivel shtetëror. Asgjësimi i gjurmëve ilire, që dëshmonin për vazhdimësinë e shqiptarëve në këto troje, vazhdoi, ashtu siç vazhdoi ndërrimi i toponimeve dhe imponimi që toponimet të shkruhen dhe shqiptohen vetëm në gjuhën maqedonase. Gjykata Kushtetuese ndaloi përdorimin e flamurit kombëtar dhe simboleve tjera me të cilat identifikohen shqiptarët; u shkatërrua Instituti për Trashëgimi Kulturore Shqiptare, si i vetmi institucion ku duhej të përcaktohej mënyra e sistemimit të vlerave historike dhe kulturore, pa gjykuar për statusin politik të shqiptarëve, dhe u krijua «Muzeu i Lirisë», hipokrizi e pashembullt për një popull të robëruar!…
Të gjithë e dinë se për shkak të dhunës dhe politikës së diskriminimit racial, që Maqedonia aplikonte ndaj shqiptarëve, shpërtheu Lufta e vitit 2001. “Marrëveshja e Ohrit” përfundoi luftën por nuk ndërtoi paqen!
– Në vend të rregullimit të statusit të dëshmorëve të kombit dhe përkujdesjes
institucionale të familjarëve të tyre, kemi privilegje të panumërta për “branitelët maqedonas”;
– Në vend të riparimit të dëmeve materiale të luftës në territoret shqiptare, u zhdukën gjurmët e 500 milion eurove, që Konferenca e Donatorëve në Bruksel i ndau Maqedonisë për zonat e dëmtuara nga lufta e vitit 2001;
– Në vend të ndarjes proporcionale të buxhetit, nuk u bë asnjë investim në vendbanimet shqiptare;
– Në vend të paqes dhe sigurisë, u ushtrua dhunë e paparë në territoret e banuara me shumicë shqiptare (mbi 500 shqiptarë u vranë dhe u plagosën në rrethana ende të pandriçuara pas përfundimit të luftës);
– Në vend të respektimit të ligjit për amnisti, term që nuk është adekuat për luftëtarët e lirisë, kemi burgosje masive të ish ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare;
– Në vend të lirimit nga burgu i shqiptarëve që padrejtësisht janë dënuar, ndodhi montimi i procese të reja gjyqësore gjatë të cilëve u dënuan me burg të përjetshëm me dhjetëra persona të pafajshëm…
Zoti Blushi e di se Maqedonia është nënshkruese e Konventës për të drejtat e fëmijëve. Neni i 16 i kësaj konvente përcakton qartë se “asnjë fëmijë nuk u nënshtrohet ndërhyrjeve arbitrare ose të paligjshme në jetën e tij private, në familje, në shtëpi …”
Megjithatë, që nga përfundimi i luftës së vitit 2001 dhe ardhjes së VMRO-së në pushtet, nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit u ushtrua dhunë dhe terror shtetëror në Tanushë, në Brodec dhe në Kumanovë. Gjatë këtyre operacioneve ushtarako-policore maqedonase, u vranë, u plagosën dhe u arrestuan me dhjetëra shqiptarë në prezencën e familjarëve të tyre. Posaçërisht fëmijët shqiptarë përjetuan tmerret, duke qenë dëshmitarë të dhunës shtetërore edhe ndaj prindërve të tyre.
Vizita e z. Blushi në Lagjen e Trimave në Kumanovë është një vizitë me vlerë të madhe simbolike për popullin e terrorizuar. Shpresoj se ai gjatë kësaj vizite e kuptoi hendekun e madh ndëretnik që ka krijuar pushteti maqedonas përmes politikës së diskriminimit racial kundër shqiptarëve. Shpresoj se ai është bindur se në Maqedoni problemet ndëretnike nuk zgjidhen përmes martesave por përmes instalimit të një shteti demokratik që do të respektojë diversitetin etnik, kulturor dhe fetar.
Zotit Blushi, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe si intelektual me peshë në hapësirën kulturore shqiptare mund të kërkojë që institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës të ngrenë zërin në të gjitha institucionet ndërkombëtare kundër torturës dhe institucionet politike të BE-së dhe të kërkojnë krijimin e një komisioni të veçantë ndërkombëtar për hetimin e tërësishëm të asaj që ndodhi në Kumanovë.
Në Kumanovë janë ekzekutuar njerëz të grupit të armatosur shqiptar që u dorëzuan;
Në Kumanovë janë ekzekutuar edhe njerëz që nuk kanë pasur lidhje me grupin e armatosur;
Në Kumanovë janë torturuar çnjerëzisht të arrestuarit, pjesëtarë të grupit të armatosur;
Në Kumanovë janë torturuar njerëz që nuk kanë lidhje me grupin e armatosur vetëm e vetëm për të pranuar veprat që nuk i kanë bërë.
Bashkimi Evropian e ka për obligim të ndriçojë këtë krim të rëndë që pushteti i VMRO-së dhe BDI-së e bënë kundër shqiptarëve në Kumanovë.
Ajo që është tepër urgjente e që z. Blushi mund të ndikojë të bëhet është krijimi i një ekipi mjeko ligjor të ekspertëve të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe të kërkojnë ndihmën e BE-së në këtë drejtim për të vërtetuar pohimet se të dorëzuarit janë ekzekutuar dhe gjymtuar pas dorëzimit. Ky është hapi i parë i domosdoshëm për ndriçimin e një pjese të asaj që ndodhi gjatë terrorit shtetëror në Kumanovë.

– Kontakti me autorin: [email protected].

…………………………………………………………………….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura