BARDHYL MAHMUTI: KRIJIMI I TRIBUNALIT MBI BAZËN E PRETENDIMEVE TË DICK MARTY’t DO TË SIMBOLIZONTE DIKTATIN IDEOLOGJIK TË POLITIKËS MBI DREJTËSINË!

Zvicër, 04. 04. 2014 – Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Drejtori për çështjen e Europës qendrore dhe juglindore në departamentin amerikan të shtetit, Jonathan Moore deklaroi se “pretendimet në raportin e Dick Marty-t janë unike dhe janë të veçanta dhe ato nuk aplikohen për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë konfliktit dhe për këtë arsyeje ato duhet të zhvillohen jashtë Kosovës.”
Që në fillim të reagimit tim dëshiroj të vë theksin se pretendimet e Dick Marty-t, të mbështetura mbi gënjeshtra, nuk janë unike as për nga përmbajtja e shpifjeve e as për nga personi që i shpërndan. Strategjia e stigmatizimit të UÇK-së,e përpiluar në Shtabin Strategjek të Millosheviqit, është objekt i një analize që do të botohet si vepër e veçantë në muajt e ardhshëm. Në vazhdim po sjell disa fragmente që do t’i mundësojnë lexuesit të shohë implikimin e politikanit të Partisë Radikale Demokratike zvicerane, Dick Marty-t si implikim në përputhje me pikëpamjet e tija ideologjike të “anti imperializmit amerikan”.
Intervenimi ushtarak i NATO-s për t’i dhënë fund politikës së gjenocidit dhe pastrimit etnik të Kosovës mobilizoi të gjitha qarqet antiamerikane dhe anti imperialiste në Evropë dhe më gjërë. Në këtë kontekst, Dick Marty, së bashku me 19 deputet të parlamentit zviceran, më 21 prill 1999 i rekomanduan Këshillit Federal të Zvicrës “masat që synonin t’i jepnin fund luftës në Kosovë.”

Dick Marty dhe raporti me pretendimet e tij kundër UҪK’së!

 Në këto rekomandime kërkohej nga institucioni më i lartë qeverisës i vendit të tyre që të bëjë çdo gjë që është e mundur për të ardhur deri te një “armëpushim në mes palëve, të vendosej një trupë neutrale për të ruajtur paqen dhe të përgatitej terreni për një zgjidhje politike.”
Politikani që asnjë herë nuk e kishte ngritur zëri për të kërkuar ndërprerjen e fushatës ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, e cila fushatë pati për pasojë mijëra të vrarë dhe qindra mijëra shqiptarë të dëbuar, e çori gurmazin duke kërkuar që të ndërpriten bombardimet kundër caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe!
Demokrati radikal zviceran, Dick Marty, i cili në asnjë rast nuk përmend se Misioni Verifikues i OSBE-së në Kosovë ishte një mision i pjesëtarëve të paarmatosur që duhej të mbikëqyrnin, ndër të tjera, edhe respektimin e armëpushimit të realizuar me 13 tetor 1998 e që dështoi për shkak të vazhdimit të politikës luftënxitëse të regjimit të Beogradit, rekomandon në mënyrë “radikale” armëpushim dhe vendosje të “trupave neutrale” për t’u kujdesur për respektimin e një armëpushimi të propozuar prej tij!
Nëse e kemi parasysh se shumica e shteteve të demokracive perëndimore ishin të angazhuara në operacionet e NATO-s, atëherë mbetet e paqartë se me forcat e cilit vend do të konstituoheshin “trupat neutralë” të Dick Marty-t! Forcat ruse, bjelloruse, kineze, indiane apo të ndonjë vendi tjetër që dënonte sulmet e NATO-s? Nëse një gjë e tillë lehet e paqartë nga Dick Marty, ai është tepër i qartë se në “trupat neutrale” nuk mund të ishin forcat e shteteve që kishin sulmuar Serbinë, sidomos nuk mund të ishin amerikanët! Dick Marty është i mendimit se “ushtritë e komanduara nga NATO-ja bombarduan Serbinë dhe se ky ishte një agresion ilegal, pa miratimin e OKB-së.” Rekomandimi “për përgatitjen e terrenit për një zgjidhje politike” nuk dallon për asgjë nga rekomandimet e regjimit të Millosheviqit për të “ndërprerë agresionin dhe për të gjetur një zgjidhje politike.”
Në mënyrë të njëjtë si propaganda zyrtare e Beogradit edhe rekomandimi i deponuar nga Dick Marty la në heshtje të plotë angazhimet diplomatike të shteteve të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-ve për të përmbyllur konfliktin me një zgjidhje politike. Nuk u përmendën asnjëherë propozimet e Grupit të Kontaktit, as Konferenca në Rambouillet dhe Paris dhe as dështimi i tyre për shkak të strategjisë së Millosheviqit që të provokohej lufta.
Pozicioni i Dick Marty-t ishte i qartë! Në të njëjtën shkallë sa edhe “neutraliteti” i tij!
Për të denoncuar “agresionin ilegal kundër Serbisë, pa miratimin e OKB-së”, Dick Marty është tepër i zëshëm! Por, kur ai i rekomandon Këshillit federal të Zvicrës që të bëjë çdo gjë që është e mundur për të ardhur deri te një “armëpushim në mes palëve, të vendoset një trupë neutrale për të ruajtur paqen dhe të përgatit terrenin për një zgjidhje politike”, Dick Marty as që përmend OKB-në. Sipas kësaj logjike, anashkalimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ndërprerë bombardimet kundër regjimit të Millosheviqit nuk është ilegal!
Shumë më shumë se “pro-serbizmi” i Dick Marty-t është “anti-amerikanizmi” i tij dhe i shumë autorëve tjerë që i bën të rreshtohen përkrah propagandës zyrtare të regjimit të Millosheviqit.
Po i njëjti Dick Marty, disa vite më vonë, përmes Raportit paraprak të miratuar nga Këshilli i Evropës në janar të vitit 2006, ai u angazhua të jetë “unik” në pretendimet e tija se CIA kishte pasur “burgjet sekrete” në disa shtete të Evropës. Ky raportues i Këshillit të Evropës “hulumtonte” herë në Rumani, herë në Poloni dhe herë në vendet tjera të Evropës për të “gjetur prova që do të dëshmonin se amerikanët kishin shkaktuar krime të rënda në luftën kundër terrorizmit në «Guantanamot e Evropës» ”. Raporti i tij final i qershorit të vitit 2006 e shtyri Këshillin e Evropës të publikojë raportin më 8 qershor 2007 dhe të zhvillojë hetime lidhur me thëniet e Dick Marty-t.
Ai nuk ndalet me kaq. Akuza të veçanta do t’i adresojë kundër Kosovës që, sipas tij, “strehon bazën më të madhe amerikane në botë”. Në intervistën e 12 marsit 2008, për «Réseau Voltaire» të titulluar «Pavarësia e Kosovës nuk është vendosur në Prishtinë» Dick Marty del hapur kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër shteteve të cilat e njohin këtë pavarësi. Sipas tij, “Presidenti serb, Tadiqi, sado e rëndë që ishte për te, në prezencë të përfaqësuesve të 47 shteteve të Këshillit të Evropës, ai deklaroi se ishte i gatshëm të pranonte një autonominë të zgjeruar për Kosovës. Nuk e shfrytëzuam këtë rast!”
Dick Marty e sheh pavarësinë e Kosovës si komplot të amerikanëve “për të mbajtur bazën e tyre më të madhe në botë”. Ajo që është më e keqe, sipas tij, lidhet me faktin “UÇK-në e kanë prezantuar si të ishte e organizatë e virgjër dhe bamirëse”. Për këtë arsye, ai u angazhua intensivisht që “që të gjejë provat për të dëshmuar se UÇK-ja është organizatë kriminale, që provokoi luftën, që vrau civilë të pafajshëm dhe i mundësoi imperialistëve amerikan të ndërtojnë bazën më të madhe të tyre në botë!”.
Drejtori për çështjen e Evropës qendrore dhe juglindore në departamentin amerikan të shtetit, Jonathan Moore, e di më mirë se shumë kush që prezenca amerikane në Kosovë nuk paraqet asnjë rrezik imperialist për Evropën, ashtu siç pretendojnë “në mënyrë unike” Dick Marty dhe antiimperialistët tjerë të orientimit politik të djathtë apo të majtë.
Raporti i Dick Martyt i titulluar “Trajtimi jonjerëzor i personave dhe trafikimi kundërligjor i organeve njerëzore në Kosovë” nuk ka asgjë unike. Përkundrazi, janë akuza të dëgjuar sa e sa herë në nga goja e atyre që në çdo intervenim të amerikanëve, qoftë edhe në rastet kur qëllimi ishte humanitar, nuk shohin asgjë tjetër pos “komploti” për të dominuar botën!
Për këtë arsye, krijimi eventual i Tribunalit të veçantë mbi bazën e gënjeshtrave të frymëzuara nga pikëpamjet ideologjike të Dick Martyt do të ishte një diktat ideologjik i politikës mbi drejtësinë.
Bardhyl Mahmuti – 4 prill 2014

 ————————————-

XHEVAT BISLIMI: LUM I FORTI E MJER I LIGU
(Gjykata per “krimet” e UCK-se)

Mos ma turbullo ujin, i thoshte ujku qengjit qe po pinte uje poshte ujkut! E si mund t’ia turbullonte ujin qengji qe pinte uje me poshte se ujku?! Por, ujku ia kishte bere ben qengjit, donte ta perlante dhe ta shqyente per ta ngren… Keshtu dikur i thoshte Serbia shoviniste shqiptarit qe jetonte, punonte, ushqehej dhe pinte ujin e tij dhe ne token e tij… Por, qe t’i thoshte Serbia shqiptarit se po ia turbullonte ujin edhe mund te kuptohet, sepse ishte deshira e saj e madhe t’i perlante dhe t’i shqyente tokat e Shqiperise, sic edhe beri me mbi pesembedhjete mije km katrore toke te Shqiperise nga Nishi e kendej… Por, si mund te kuptohet Bshkimi Evropian dhe demokracite e perparuara qe po i thone shqiptarit se ia ke turbulluar ujin Serbise, prandaj duhet te pergjigjeni!! Ia paskemi turbulluar ujin asaj Serbie fashiste qe ka vrare, masakruar e shperngulur mbi nje milion shqiptare vetem nga viti 1912 e kendej, pa perfshire ketu gjenocidin, holokaustin dhe spastrimin e viteve 1876-1912… Apo u hidherua Evropa dhe miqte e Serbise pse shqiptaret “guxuan” te qendrojne, t’ia kthejne pushken Serbise dhe te luftojne kunder saj?!! Serbia qe vrau, masakroi, dhunoi, deboi, shkaterroi dhe djegi shtepi e katandi, madje dogji edhe kufomat (holokaust) “meriton” vetem perkdhelje, ndihma dhe perkrahje nga Bashkimi Evropian (nga demokracia dhe qyteterimi evropian), ndersa shqiptaret qe qendruan dhe luftuan me shpirt nder dhembe per lirine dhe mbijetesen e tyre ne kete hapesire shqiptare qe kishte shpetuar akoma duhet te pergjigjen para nje Gjykate te formuar kastile (enkas) per “krimet e UCK-se gjate viteve 1998-1999”!! Vertet suis generis! Nje Gjykate e tille nderkombetare do te ishte e arsyeshme dhe ne perputhje me vlerat humanitare dhe civilizuese te Evropes po te behej per hetimin dhe gjykimin e gjenocidit dhe te holokaustit serb ne tokat e pushtuara te Shqiperise… Por, “sipas kokes edhe festen (kesulen)”, thote fjala e urte ppullore… Ndersa Kosoves po i behet kesula sipas klases se saj politike (sidomos asaj shteterore)…! Megjithate duhet te dihet dhe te thuhet me sa ze kemi se kjo Kosove, institucionet e saj, (anti)drejtesia e saj dhe cdo gje tjeter (edhe klasa politike dhe shteterore) eshte bere sipas shijes se Bashkimit Evropian (kryesisht), i cili ka bashkepunuar ngushte edhe me Beogradin e Mosken… (Xhevat Bislimi – Viti, 4 prill 2014)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura