TALLJA E ESCOBARIT!

TALLJA E ESCOBARIT!

“DO TA KEMI ASOCIACIONIN, NËSE NUK PËRFSHIHET QEVERIA, DISKUTIMI ZHVILLOHET ME PARTNERË ALTERNATIVË DHE ME SHOQËRINË CIVILE”!

Nga Sheradin Berisha, FB 14. 12. 2022 – Pashtriku 14. 01. 2023

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe Emisari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një intervistë me shefen e Redaksisë për Kosovën të Radios Evropa e Lirë, Amra Zejneli-Loxha, ka thënë menjëherë duhet të fillojë puna për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Konkretisht në pyetjen e Radios Evropa e Lirë: “Kosova i ka shtyrë zgjedhjet deri në prill (2023). Çfarë prisni që të ndryshojë deri atëherë (?) Gabriel Escobar përgjigjet: “Ajo se çfarë pres të ndryshojë, është që fillimisht të nisin me urgjencë diskutimet për normalizim. Shpresoj që të kenë nisur deri atëherë. Së dyti, që deri në prill veçse t’i kemi të nisura diskutimet për Asociacionin. Më duhet të jem i qartë, ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit. Është duke u dëmtuar biznesi, është duke u dëmtuar e ardhmja e të rinjve, të gjithë duan të shohin që këto dy shtete të ecin përpara.”

***

Për çështjen e Asociacionit mund të diskutohet me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, të gazetarëve dhe me çdo komunitet tjetër të interesit publikë, por nuk janë grupimet civile ato që marrin vendime politike për themelimin dhe zbatimin e Asociacionit politik të Serbëve në Kosovë!

Janë ekzekutivi (qeveria) dhe legjislativi (Kuvendi) që marrin vendime dhe si të tilla i zbatojnë ato. Për mendimin tim kjo është një tallje e Escobarit me këtë çështje mjaftë të ndjeshme e cila cënon përgjithmonë sovranitetin dhe integritetin unitar të Kosovës.

Partnerë alternativë të Escobarit mund të jenë partitë politike që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, në rastin konkret PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja të cilat përbëjnë grupimin opozitarë në Kuvend, por megjithatë këto parti pa deputetët e pozitës e kanë të pamundur ratifikimin e një marrëveshjeje finale ku përfshihet edhe Asociacioni.

Zoti Escobar sa herë ka ardhur në Prishtinë i ka takuar kryetarët e tri partive opozitare, Memli Krasniqin (PDK(, Lumir Abdixhikun (LDK) dhe Ramush Haradinajn (AAK). Memlin dhe Lumirin ai i ka takur muajin e kaluar (në nëntor) edhe gjatë vizitës së tyre në SHBA. Në të gjitha takimet ka biseduar për themelimin e Asociacionit dhe ka marrë miratimin e tyre për themelimin e tij.

Derisa Kryeministri Albin Kurti është kundër themelimit të asociacionit, Escobar mund të përgatisë terrenin për rrëzimin e qeverisë “Kurti 2”, ashtu siç kishte bërë ish-emisari special për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, i cili përmes LDK dhe partive të tjera në Kuvend e rrëzoi qeveria “Kurti 1”, më 25 mars 2020.

Zoti Escobar në intervistë te REL-i ka potencuar edhe “mbrojtjen e të drejtave kolektive për serbët në Kosovë”, ngjashëm siç ka deklaruar edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, para disa ditëve në emisionin “Intervistë” për televizionin serb “Insajder”.

Me këtë rast Ambasadori Hill shprehet se Albin Kurtit ia kemi bërë të qartë se s’ka marrëveshje tjera pa zgjidhjen e çështjes së të drejtave kolektive të serbëve në Kosovë.

“Ai do të duhet të flasë me negociatorët në Evropë, ndërsa amerikanët dhe BE-ja i kanë thënë qartë se duhet të zgjidhë çështjen e të drejtave kolektive të serbëve në Kosovë. Jini të sigurt se nuk do të ketë marrëveshje të mëtejshme derisa ta zgjidhim këtë çështje”, ka thënë Hill në “TV Insajder”.

Të drejtat kolektive të serbëve mund të realizohen vetëm përmes bashkimit dhe administrimit politik të Komunave serbe, si Bashkësi e Komunave me shumicë serbe, në nivelë të një Krahine Autonome në kuadër të Republikës së shpallur me deklaratën e 17 shkurtit 2008 sipas pakos së Ahtisarit, ku në mënyrë të veçantë theksohet edhe rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Më gjerësisht lexoni:

ËSHTË I ÇUDITSHËM PRESIONI I AMBASADORIT HILL PËR THEMELIMIN E ASOCIACIONIT, SI NJË KRAHINË AUTONOME E SERBËVE NË KOSOVË!

Kliko këtu 👇👇👇

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=10221611956904652&id=1125324528

­­­­­­­­­­­­­­­­­­_____________________

NËSE IMPONOHET ME PRESION ZAJEDNICA – TË HAPET KUTIA E PANDORËS!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura