BEDRI ISLAMI: CILI ISHTE ROLI I SHQIPËRISË ZYRTARE NË DEMONSTRATAT E PRANVERËS 1981 NË KOSOVË (II)

(Pashtriku.org, 13. 03. 2013) – Udhëheqja e shtetit shqiptar ishte e bindur se krijesa jugosllave nuk do të ishte jetëgjatë, sidomos pas vdekjes së Titos. Dhjetë vite më parë se të ndodhte shpartallimi i përgjakshëm i saj, një gjë e tillë kishte parashikuar në librin e Enver Hoxhës për vetadministrimin. Dhe kjo jo vetëm që ishte shkruar, por edhe ishte besuar. Jo vetëm për drejtuesit e lartë, por edhe për njerëzit e zakonshëm. Ndaj, duke pritur këtë rënie, shteti shqiptar, mendonte se duhej pritur një kohë tjetër. Në atë kohë, në aparatin drejtues të komitetit qendror, sidomos në drejtorinë për Kosovën – sepse ka ekzistuar një drejtori e tillë e veçantë, e cila kishte zakonisht si drejtues të saj një antar të Komitetit Qendror, si psh Mehmet Karakushi, nga familja e njohur e Karakushëve të Kukësit – ka qenë mendimi se përshpejtimi i proçeseve, ndërsa ende nuk ka filluar shprishja jugosllave, do të kishte edhe reprezalje masive.
Në shtatorin e vitit 1982, në takimin me Ramiz Alinë, në shtëpinë e tij të detyruar, unë e kam pyetur edhe për ngjarjet e marsit të vitit 1981. Megjithëse natyra e tij, jo rrallë, është sfinksore, përgjigjja ishte e besueshme. Zoti Alia, i cili, në vitin 1981 ishte sekretar i KQ për propogandën dhe njëri ndër autoritetet më të besueshme të Enver Hoxhës, sigurisht që do të ishte fare mirë në rrjedhën e ngjarjeve. Asaj kohe ai ishte njeriu nr.3 i shtetit, pas vdekjes dy vite më parë të Hysni Kapos. Alia më tha se shteti shqiptar nuk i kishte pritur këto ngjarje, sepse në planet afatgjata të shtetit dhe të partisë kishte prognoza të tjera, ishte menduar për një ecje ndryshe, duke mbështetur njëkohsisht lëvizjet që mund të ndodhnin.
– Së pari, kjo vonesë nuk është aq sa bëhet dhe, së dyti, udhëheqja shqiptare u ndodh e befasuar. Por, kjo nuk ka lidhje me atë që më pas, gamibisht është quajtur si vonesë e qëndrimit të hapur të shtetit shqiptar. Që shteti shqiptar dhe strukturat e tij u zunë krejt papritur, dëshmon edhe mungesa e plotë e informacionit që kishte në ditët e para. Nuk dihej se kush ishte organizatori dhe cilat ishin qëllimet themelore, nuk dihej në se ishte një lëvizje spontane, sporadike apo gjithshka ishte e organizuar, në se kishte në thelbin e saj kërkesa të zakonshme jetësore apo ishte një lëvizje politike, e fshehur përkohsisht pas anëve sociale. Për reagimin e vonuar të shtetit shqiptar është polemizuar shpesh, sidomos pas vitit 1990. Ka qenë reagim i vonuar apo në kohën e duhur, pra kur është dashur të bëhet një reagim i tillë? Ka qenë një reagim i cili kishte në thelbin e vet qëndrimin kombëtar të shtetit shqiptar , apo gjithshka ishte fasadë patriotike? Është një moment kur qëndrimi kombëtar ndahet përfundimisht nga qëndrimi ideologjik, apo kishte një përputhje mes tyre dhe vazhdim të njëri tjetrit?

Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, në vitin 1982.

Demonstratat e vitit 1981, sido që të arsyetohet sot, e gjetën shtetin shqiptar me një qëndrim kombëtar të përcaktuar dhe të afishuar. E vërteta është se fillimi i demontsrtave ka datën e 11 marsit 1981, ndërsa qëndrimi i parë i afishuar i shtetit shqiptar është i datës 8 prill 1981. Ka një diferencë rreth një mujore mes tyre dhe gjatë kësaj kohe, tashmë, për shtetin shqiptar, ishte gjithshka e qartësuar. Ka pasur thënie se “shteti shqiptar heshti në fillim, pasi nuk e dinte saktësisht se cilët ishin pas këtyre demonstratave, forcat ilegale të majta apo forcat e dikurshme të djathta”, është thënë se ” dyshimi se e gjithë kjo kishte ndodhur ishte nën organizimin e ” pjesëve të ballit” apo të “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” dhe meqënëse këto forca nuk kishin lidhje me shtetin shqiptar, fillimisht është heshtur”. Dyshimi ka shkuar edhe më tej, duke hedhur mendimin se sikur e gjithë kjo të ishte bërë nga nacionalistët shqiptarë, shteti shqiptar nuk do i kishte përkrahur, pasi , për qeverinë e Tiranës, në rradhë të parë ishin parimet ose prirjet ideologjike. 
Mendoj se është krejtësisht ndryshe. Së pari, shteti shqiptar kishte lidhje me forcat, e ashtuquajtura nacionaliste të shqiptarëve në Kosovë. Dem Ali Pozhari ishte njeriu që ishte ftuar përsonalisht në shtetin shqiptar dhe ishte pritur nga Enver Hoxha, me një organizim të posaçëm dhe publicitet të rrjedhshëm. Nga ana tjetër, ekzistojnë ende shënimet e Enver Hoxhës, si letër porosi, për forcat ilegale të majta të Kosovës, brenda vendit ose në diasporë, mes të cilave , jep mendimin për një bashkëpunim të ngushtë me Ballin Kombëtar të Kosovës, i cili, sipas shënimeve, ishte patriot dhe krejt ndryshe nga Balli Kombëtar në Shqipëri, i cili kishte kolaboracionist. Një dallim i tillë, i bërë haptas, sjell mendimin se parësore në afishimin e qëndrimit të shtetit shqiptar, nuk ka qenë se kush i organizoi, por çfarë ishte thelbi i tyre.
Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 kishin, në shumicën e tyre dërmuese, kërkesa të karakterit social. Prandaj ata edhe u injoruan nga shteti federativ, u minimizuan. Duhej të vinte dita e 26 marsit, dy javë më pas, që gjithshka të bëhej saktësisht e ditur se çfarë donin dhe çfarë kërkonin shqiptarët në Kosovë. Me 26 mars, kërkesat sociale kaluan në rradhën e tretë, u hodh haptas kërkesa për Republikën e Kosovës dhe për të drejtat politike të shqiptarëve në Kosovë. Këto kërkesa, që u afishuan edhe në ngjarjet e 1 dhe të 2 prillit, do të ishin boshti dhe themeli i vertetë i ngjarjeve të pranverës së vitit 1981. Këto kërkesa do i përkrahte fuqimisht edhe shteti shqiptar. Nga 26 marsi dhe deri me 8 prill, do të ishin në mes vetëm 12 ditë, kohë jo e madhe për të afishuar qëndrimin e hapur të një shteti, jo përmes një deklarate politike të një zëdhënësi të ministrisë së punëve të jashtme, por përmes drejtuesit të atëhershëm të shtetit shqiptar. Themelore është se shteti shqiptar nuk kishte hezitime në qëndrimin që do të mbante. Kjo ishte parësore. Po ashtu parësore ishte se ky qëndrim i shtetit shqiptar ishte në përputhje të plotë me qëndrimin e shtetasve të tij. Momenti i afishimit, që kur kërkesat sociale në Kosovë u bënë kërkesa politike dhe deri tek publikimi me 8 prill i qëndrimit të shtetit shqiptar, nuk është një vonesë aq sa bëhet dhe aq sa dëshirohet të bëhet. Parësore, ajo që mund të shihet edhe pas 26 viteve, është në qëndrimin që u mbajt, në se ishte një qëndrim i drejtë, kombëtar, apo ishte në të kundërtën e asaj që po ndodhte në Kosovë.
Strukturat diferencuese në Kosovë, në reagimet e tyre të para, duke mbajtur vesh nga qëndrimi i Shqipërisë, nuk u ngutën të sulmojnë, pasi, për to, do të kishte qenë shumë e leverdishme, në se shteti shqiptar do të kishte heshtur. Kjo do u thonte demonstruesve dhe sidomos të burgosurve politikë se ishin të vetmuar. Qëndrimi zyrtar i shtetit shqiptar u bë i njohur me 8 prill 1981, përmes artikullit të gjatë “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë?” (Zëri i Popullit, 08 prill 1981).
Cilat ishin disa nga thelbet e këtij qëndrimi, kundër të cilave, me një furi të pabesueshme, u vërsulën të gjitha strukturat partiake dhe qeverisëse jugosllave, mes të cilave edhe shumë nga vasalët e tyre shqiptarë? A përbënin ata thelbin e asaj që kishte ndodhur dhe publikisht, a bënin të njohur, se e përkdhelura jugosllave kishte fshehur nën mantelin e jetës të përmirsuar, të vërteta të mjerueshme që kishin pas vetes, çka u dëshmua më pas, gjakimin e të gjithë popujve që përbënin atë?
Ndoshta do të ishte e vlefshme nëse do riktheheshim në disa nga qëndrimet e shfaqura në 8 prill 1981.
– “Por, pavarësisht nga ç’thuhet e ç’shkruhet në Jugosllavi, shkaqet e vërteta të demonstratave të Kosovës, përmbajtja e tyre, kërkesat që u paraqitën në to nuk mund të mbulohen me frazeologjira të rreme dhe të zhurmshme, siç veprojnë shtabet e Beogradit. Çdo njeri objektiv, çdo vëzhgues i paanshmëm e shikon dhe e kupton menjëherë se në bazë të ngjarjeve të fundit në Kosovë qëndrojnë prapambetja e madhe e kësaj krahine, varfëria e mjerimi i njerëzve të saj, mungesa e lirive demokratike dhe e të drejtave politike. Demonstratat janë shpërthimi i një gjendjeje të padurueshme që vazhdon prej dhjetëra vjetësh, është errësimi i mëtejshëm i perspektivës për të dalë nga kjo gjendje”.
– “Tani, popullsia shqiptare që jeton në Kosovë dhe që përbën pjesën dërrmuese të saj, kërkon, brenda normave kushtetuese, por edhe në rrugë, që Krahina e Kosovës të çlirohet nga tutela e Serbisë, ajo kërkon t’i njihet statusi i një republike brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ç’krim bëri populli i Kosovës me këtë kërkesë, që u cilësua si i tillë nga udhëheqja e Federatës së Jugosllavisë dhe nga disa udhëheqës kryesorë të Krahinës së Kosovës? Ai s’bëri asnjë krim. Përkundrazi, këto kërkesa të ligjshme janë nënvlerësuar, janë quajtur armiqësore, prandaj dhe u arrit në demonstratat që u zhvilluan. Asnjëherë populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve të tjera të Jugosllavisë nuk është lejuar të shprehet lirisht dhe në mënyrë demokratike mbi statusin që duhej të kishin krahinat ku ata banonin. Persona të tjerë kanë vendosur për ta”.
– “Jo vetëm kaq, por studentët trima kosovarë i akuzuan se gjoja vepruan si gangsterët e Çikagos dhe vunë përpara kalamanët e vegjël. Këto zakone të ndyra mund të jenë cilësi të të tjerëve, por kurrë të shiptarëve që kanë luftuar dhe luftojnë me pallën sheshit. Pretendimi i shtypit jugosllva vërteton të kundërtën, se demonstratat ishin popullore dhe paqësore. Ky pretendim, gjithashtu, të le të kuptosh, se, po të mos ishin turma nxënësish, policia serbe do t’i kish grirë njerëzit me mitraloza. Këto gjëra nuk harrohen kollaj. Ato nuk tregojnë forcën, por dobësinë, nuk tregojnë pjekurinë, por hutimin”.
Afishimi i qëndrimit të hapur të shtetit shqiptar, edhe pse më pas është quajtur i vonuar, mendoj se ka qenë në kohën e duhur dhe po ashtu, edhe në nivelin e duhur. Edhe sot, këtij qëndrimi nuk mund ti shtohet asgjë dhe ti hiqet asgjë. Edhe në se ka qenë vetëm një perde patriotike, gjë që nuk është e saktë, një qëndrim i tillë ishte i mirëpritur në tërë skenën politike ilegale të Kosovës dhe tek të gjithë njerëzit e thjeshtë. Po të kishte ndodhur e kundërta, në se shteti shqiptar do të kishte mbështetur dhunën policore, tanket dhe reprezaljet në Kosovë, ose në se do të kishte heshtur, kjo do të përbënte njërën ndër thyerjet më të mëdha të kombit. Fakti është se në vitin 1981, i gjithë arsenali i propogandës titiste e udbashe synoi pikërisht në thyerjen e asaj që ekzistonte mes shqiptarëve, pavaresisht kufijve të vendosur, në ndërtimin e një miti të rremë për shqiptarët “ndryshe” që ishin në Kosovë, ashtu si kishin bërë deri atëherë mekanizmat serbë, në ndarjen e shqiptarëve në ” të ndershëm” dhe rebelë.
Pas afishimit të qëndrimit të shtetit shqiptar, në Kosovë, pa mëdyshje, kemi dy tabllo të ndryshme. Nga njëra anë është ndjenja e madhe e lehtësimit dhe e ripërtëritjes që përshkoi demonstruesit, sidomos të burgosurit politikë, nga ana tjetër egërsinë e mekanizmave shtetërorë. I gjithë ky mekanizëm i stërmadh titist, në gjashtë republika dhe në dy krahina, u vue në lëvizje. Nuk duhet harruar se ky mekaniziëm kishte aso kohe, mbështetje jo të paktë. Jugosllavia e pastitos, ndonëse e çaluar, ende kishte një vello, që kur do i hiqej plotësisht, do të dilte gjakimi që do të ndodhte. Asnjë krijesë e sajuar shtetesh dhe e mbështetur aq verbërisht, nuk do të kishte një fund aq të përgjakshëm, si Jugosllavia e Titos. “Plaku”, si i thonin asaj kohe, kishte mbajtur vendin nën vete, por, ndërkohë, nacionalizmat, kishin mprehur thikat. Shqiptarët nuk do të duhej të bëheshin kurban i këtij gjakimi, në fillimin e gjithshkaje për to ishte e rëndësishme të dihej se, edhe në një moment të vështirë të ardhshëm, do të kishin një mbështetje nga shteti shqiptar.
Është e qartë pse u sulën kundër Shqipërisë gjitëfarë robinjsh sllavë, por më e çuditshme ishte se nuk mbetën pas tyre edhe çakejtë shqipfolës. Dushan Ristiq thërriste se kurrëfarë librash nuk na duhen nga Shqipëria dhe kjo është edhe faza , kur për të disatën herë ngrijnë marëdheniet mes dy shteteve, por njerëzit, besoj se nuk i kanë harruar edhe Kolë Shirokën, Xhavit Nimanin, Fadil Hoxhën, Veli Devën, që, si përmjerrur, bridhnin nëpër sallat famëzeza të diferencimit. Pikërisht në atë kohë filloi të merrte “hov” edhe njëri nga pinjollët më të paskrupullt të titizmit dhe të diferencimit, Azem Vllasi, kariera e të cilit, si rradhë herë, u ngrit mbi gjakun që ishte derdhur në pranverën e vitit 1981, dhe, po ashtu, si rradhë herë, edhe pas 25 vitesh, mbetet në të njëjtën pozitë mjerane dhe diferencuese. Deri në atë kohë, në shtypin e shtetit shqiptar, ishte bërë kujdes me emrat e politikanëve shqiptarë të Kosovës. Ata, ose nuk përmendeshin ose, përgjithsisht, përmendeshin pa asnjë kontekst, negativ ose pozitiv. Mendohej, në rrethe të ngushta gazetarësh , se kjo vjen nga një lloj nostalgjie e Enver Hoxhës, pasi ata ishin nisur nga vetë ai për të organizuar luftën në Kosovë dhe për të bërë Konferencën e Bujanit, nostalgji, që po ashtu nuk ishte edhe shumë e justifikueshme, në se mund të mendoje njëkohsisht edhe për ngjarje të tjera. Por, kur filloi debati i madh, kjo tabu u thye dhe, për herë të parë, u bë publike shprehja ” një qen serb me emërin Sinan Hasani”.
Për implikimin e drejtëpërdrejtë të shtetit shqiptar në ngjarjet e marsit, edhe pas 26 vitesh, nuk është sjellë ndonjë provë konkrete. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur implikim indirekt, përmes një mijë e një gjërave të tjera, si propogandës që bëhej posaçërisht për Kosovën, nëpërmjet radistacioneve dhe TV Shqiptar, dërgimit të librave, kontakteve me njerëz të ndryshëm. Mirëpo këto nuk përbëjnë fakt dhe nuk janë forcë madhore për të organizuar ngjarjet e pranverës së vitit 1981.
Muajt që kalonin, natyrisht duke mos i lënë asgjë spontanitetit, e bënë edhe më të qartë qëndrimin e shtetit shqiptar. Me 23 prill, përsëri në “Zërin e Popullit” dhe përmes RTSH, u bë publik artikulli “Kush e nxit armiqsinë midis popujve të Jugosllavisë”. Ishte një përshkallzim i mëtejshëm i qëndrimit të shtetit shqiptar dhe përsëri, kushdo e kishte të qartë se në të ishte , në mos në të gjithin, në thelbin e artikullit, dora e Enver Hoxhës.
Çfarë kishte të re në këtë qëndrim të afishuar për herë të dytë?
Le të shkëputim dy nga pasazhet më thelbësorë:
– “Udhëheqësit jugosllavë, që nga më i madhi deri te më i vogli, pretendojnë se në vendin e tyre për të gjitha kombet dhe kombësitë ekziston “barazia në të drejta politike dhe ekonomike”, eziston “bashkim – vëllazërimi”. Po si mund të besohen ata, kur një republikë apo një krahinë trajtohet si “djali i nënës” dhe krahina tjetër si i njerkës, kur një “vëlla” ha me lugë të artë, kurse tjetri me lugë të vogël prej druri? Kjo nuk tregon as “bashkim”, as “vëllazërim”.
– “Dolanci, në intervistën që përmendëm, tha se në demonstratat në Kosovë u vranë 11 veta. Një shërbëtor i tij shqiptar nga udhëheqja e Kosovës tha nëntë. Me sa duket, s’patën kohë të merreshin vesh dhe të binin dakord. Megjithatë, të gjithë gënjyen opinionin botëror dhe atë jugosllav. Por këto më mirë i di vetë populli i Kosovës, pse gjaku i tij u derdh. Ai e di, gjithashtu, pse u derdh ky gjak dhe kush e bëri këtë gjëmë”.
– “Në rast se në demonstrata ishin pak njerëz, atëherë pse Beogradi dërgoi ushtrinë, milicinë e kryeqytetit, tanket dhe avionët? Përse u vranë dhe u plagosën me armë zjarri aq njerëz dhe përse u vendos shtetrrethimi? Për një “grusht të vogël armiqsh”, për 10-15 veta që u quajtën nga udhëheqja jugosllave “reaksionarë, shovinistë, e irredentistë”? Vallë për një kokërr limoni prishet dasma, ajo “dasmë”, për të cilën tani nga të katër anët e Jugosllavisë vërshojnë si ujët e Danubit, të Savës dhe të Dravës telegramet plot indinjatë e zemërim kundër “shovinistëve dhe irredentistëve shqiptarë”, dhe plot himne ditirambike për “unitetin e kombeve dhe të kombësive të Jugosllavisë”? Me të tilla truke nuk është e lehtë të gënjehet një popull trim e i pjekur, siç është populli shqiptar që jeton në pjesë të ndryshme të Jugosllavisë, të gënjehen punëtorët, fshatarët, studentët dhe intelegjencia e ndershme, të cilët janë të ndërgjegjshëm për jetën dhe fatin e kombit të tyre.
Kush e ndjell dhe e nxit pra armiqësinë në mes popujve të Jugosllavisë? Artikulli i natyrshëm, i drejtë dhe i matur i “Zërit të Popullit”, apo kjo fushatë e tërbuar që ka ngritur udhëheqja e Jugosllavisë kundër popullsisë shqiptare të Kosovës?”. Artikulli i 8 prillit 1981, që ishte edhe shfaqja e parë e qëndrimit politik dhe kombëtar i shtetit shqiptar, ishte pritur pa dyshim me një ankth të madh nga demonstruesit, dhe secila ditë që kalonte, e shtonte ankthin e pritjes së tyre. Demonstruesit e kishin të qartë dhe e kishin pritur se nga shovinizmi serbomadh dhe pasuesit e tyre në Kosovë do të quheshin, ashtu si u quajtën, “shovinistë, irredentistë, reaksionarë, shqiptaromëdhenj, prishës të bashkim – vllaznimit” etj etj. Heshtja disa ditëshe e shtetit shqiptar i kishte vënë ata në një dyshimtjetër: mos vallë kishin gabuar dhe nuk do e kishin këtë mbështetje, të cilën edhe e pritnin.Thyerja e heshtjes dhe qëndrimi i shtetit amë kishte sjellë qetësinë e pritur të shpirtit të tyre, por njëkohsisht, edhe arrogancën dhe thelbin nacionalist serbomadh. Për shtetin jugosllav dhe sidomos atë serb, qëndrimi i shtetit shqiptar, ashtu si po ndodhte dhe afishimi i gjendjes së vertetë në Kosovë, ishin shkaku themelor i ngirjes së marëdhënieve dypalëshe, gjë që ishte llogaritur edhe nga Shqipëria se mund të ndodhte dhe ishin marrë parasysh të gjitha pasojat e mundshme.
Megjithate shteti shqiptar shkoi edhe më tej në afishimin e qëndrimit të tij. Ndoshta ishte pritur se, në mos një ditë, një ditë tjetër, mendjet e arsyeshme të politikës jugosllave, në se do të kishte të tilla, do të kuptonin të vertetën se përmes gjakut dhe vrasjeve nuk mund të qetësohej gjendja në Kosovë. Kishte qenë një pritje e kotë, ashtu si do të ishte edhe më vonë. Duke mos e marrë vetë rolin e primarit, strukturat e larta të shtetit, organizuan afishimin dhe mbështetjen e mendimit intelektual shqiptar, në të gjitha organet dhe ne të gjitha strukturat e mundshme. Qëlimi i kësaj fushate nuk ishte thjeshtë mbështetja e qendresës që po ndodhte në Kosovë, por edhe dëshmimi historik , moral dhe kushtetues i së drejtës së shqiptarëve në Jugosllavi për të patur Republikën e tyre, si kërkesë themelore e demonstruesve. Është mëkat i madh dhe faj i jashtëzakonshëm historik ,që klasa politike në Kosovë, me përjashtime të rradha, si Pajazit Nushi, Ymer Jaka, Ukshin Hoti, nuk u ngrit, të paktën në nivelin kombëtar të demonstruesve të thjeshtë, por u kthye në pinjollë, herë pas here të neveritshëm, të mbështetjes së masave të jashtëzakonshme dhe dhunës policore që ushtronte Beogradi mbi popullin e tyre. Ishte dhe vazhdon të mbetet njolla më e madhe politike e kësaj klase, e cila, jashtëzakonisht paarsyeshëm, vazhdoi rrugën e diferencimit masiv mes popullit, krijoi mitin e rremë të “demonstratave armiqsore”, thirri në ndihmë ushtrinë dhe policinë serbe dhe lejoi, që, edhe një herë, të gjakosej populli i Kosovës. Mjerisht, në asnjë tubim publik, kjo klasë politike, nuk mbështeti haptas kërkesën për republikën e Kosovës.
Atëherë kjo detyrë, që ishte edhe imperativ i kohës, u mor përsipër nga shteti shqiptar, i cili afishoi hapur se “Kërkesa për t’i njohur Kosovës statusin e Republikës është e drejtë (“Zëri i Popullit”, 17 maj 1981)
Çfarë ishte esenciale në afishimin e 17 majit të vitit 1981:
“Kosova do të qetësohet po të hiqet shtetrrethimi, të tërhiqet ushtria dhe policia ndëshkuese serbe, të normalizohet gjendja, të lirohen të burgosurit e pafajshëm që kanë mbushur burgjet, t’u kthehen familjeve të vrarët e tyre në demonstrata, se kjo është një çështje e shenjtë dhe humanitare. Studioni me vëmendje dhe drejtësi kërkesën e popullit të Kosovës për republikë, zgjidhni drejtë problemet ekonomike të saj. Vetëm kështu do të qetësohet Kosova…” “Kosova kërkon statusin e Republikës brenda Federatës Jugosllave. Ky status përfaqëson aspiratën e një populli të madh që kërkon me të drejtë “statusin e sovranitetit” dhe jo atë të “pakicës kombëtare”, që padrejtësisht i ka pasë qenë caktuar që në Jajcë”. “Kërkesa e Kosovës për të fituar statusin e republikës federale është e drejtë. Ajo këtë e ka marituar me luftën që ka bërë bashkë me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër fashizmit. Shovenizmi serbomadh e ka gjakosur rëndë Kosovën dhe ka krijuar një situatë të tillë, që me espedientë zor se shërohet. “Për sa u përket atyre “udhëheqësve shqiptarë” që morën fjalën në këtë forum të lartë të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, ose jashtë këtij forumi, fjalimet e tyre u karakterizuan nga një histeri sa e madhe, aq edhe servile e shërbyese ndaj zotërinjve të tyre Vidiç, Miniç, Stamboliç etj. Kuptohet se këta “udhëheqës” fantoshë i urren populli i Kosovës”. “Shqiptarët janë një etni, një popull, quaje “Shqipëri të vogël”, ose “Shqipëri të madhe”. Këta shqiptarë të kësaj Shqipërie “të vogël” ose “të madhe”, që përbëjnë një popull kompakt dhe që kanë të gjitha tiparet e një kombi të vërtetë, as kanë zaptuar tokat e të tjerëve, as kanë shkelur të drejtat e ndokujt. Ata vetëm të drejtat e veta kanë kërkuar, i kanë mbrojtur dhe do t’i mbrojnë. Këtë ju e gjeni të jashtënatyrshme, e quani “shqiptaromadhe”, “nacionaliste”, deri dhe “fashiste”. Kur Kosova kërkon statusin e Republikës brenda Federatës, për të cilën kanë luftuar 50 mijë partizanë, ju guxoni ta quani këtë një kërkesë kundërrevolucionare, nacionalizëm shqiptar e t’i ngjitni plot epitete të tilla”.
A ishte në dijeni Enver Hoxha për ngjarjet që po përgatiteshin në Kosovë në pranverën e vitit 1981? Dikujt mund ti duket absurde ngritja e një pyetje të tillë. Logjika e thjeshtë të çon tek mendimi se, për deri sa shteti shqiptar nuk ishte në dijeni, edhe ai, Enver Hoxha, që ishte numuri një, i padiskutueshëm i shtetit, nuk mund ta dinte. Në këtë rast, njësimi i dijenisë së shtetit dhe asaj që ka ditur Enver Hoxha, mund të jetë i vertetë, ashtu si edhe është e mundur që të ketë qenë ndryshe. A mund të ngrihet një tezë e tillë? Thënë të drejtën, deri para disa vitesh, edhe unë nuk e kisha menduar kurrë se mund të ngrija një tezë të tillë. Duke ditur sot, atë që nuk kemi ditur dje, pra mekanizmin e fshehtë të shtetit shqiptar, nganjëherë deri në strukturat më të panjohura, duke patur sot pjesë të arshivave që kanë qenë rreptësisht të mbyllura, edhe mund të mendohet se, ndryshe nga pjesët e tjera të shtetit, ai mund të ketë qenë i përgatitur ose , më saktë, ka qenë në pritjen e asaj që mund të ndodhte, pa e ditur saktësisht se kur. Në shtetin shqiptar kishte struktura të fuqishme të sigurimit të shtetit dhe sidomos të atyre segmentëve që merreshin me survejimin e shteteve, të cilat quheshin, konsideroheshin dhe jo rrallë ishin, edhe armiq të kombit shqiptar.
Krahas strukturave të ditura, të njohura, qoftë për publikun, qoftë për kundërzbulimin, ka pasur edhe një strukturë tjetër, e cila varej, në rastet më të shumta, direkt dhe nga askush tjetër, veç Enver Hoxhës, dhe e cila, më shumë se gjithshka, kishte lidhje me zbulimin e jashtëm. Nuk janë të pakta rastet, që janë bërë të ditur më vonë, kur vetë Enver Hoxha ka drejtuar lidhje të posaçme, ka pasur marëdhënie të drejtpërdrejta me diplomatë, gazetarë, specialistë, biznesmenë të huaj, disa prej të cilëve, i kanë sjellë atij informata nga më sekretet.
Është i njohur tashmë fakti se, mes shumë të tjerëve, shërbimi i ngritur dhe i kontrolluar nga E.Hoxha dhe grupi i veçantë pranë tij, kishte infiltuar edhe pranë CIA, duke pasur role të rëndësishme në operacionet që kryheshin në drejtim të Shqipërisë apo që lidheshin me ngjarjet në pjesët e banuara nga shqiptarët në Jugosllavi. Njeriu i njohur në dosjet e Sigurimit të shtetit shqiptar si “Sali Dani” ishte njëkohsisht edhe njëri ndër funksionarët më të rëndësishëm të CIA-s. Nëpërmes tij shteti shqiptar, në mesin e viteve 70, kishte arritur të merrte gjithë rrjetin e agjentëve të UDB-së në Shqipëri, por edhe të Asfalisë greke dhe të shërbimit sekret italian. Do të ishte i njëjti agjent, i cili vendosi një lidhje mes EH dhe agjentit të shkallës së lartë, rusit Njekov, i arratisur nga BS, bashkëpunëtor i CIA dhe i disa shërbimeve të tjera,gazetar dhe botues në Romë. (Sipas librit “Mëkatarët” të Nafiz Bezhanit)
Përse i solla këto pasazhe?
Përmes lidhjeve të krijuara me botën agjenturore, lidhje të cilat, e përsëris, kanë qenë shumë të fuqishme, EH kishte një informacion, shpesh herë, më të gjërë se sa vetë strukturat zyrtare të shtetit. Jo rradhë, njohja ishte e veçantë vetëm për EH. Është krejt e mundshme, që pikërisht në kohët e para të pasvdekjes së Titos, EH të ketë marrë informacion të gjërë, jo vetëm për gjërat e zakonshme, por edhe shumë më tepër se kaq. Informacioni i tij, si duket, ka shkuar edhe më tej sferave të zakonshme, dhe lidhjet e tij, jo rrallë, kanë qenë shumë më të thella, se sa ato që mund të dukeshin. Struktura të tilla kishin lidhje me sfera të larta të shteteve të ndryshme, sidomos ballkanike dhe europatlantike, ata nuk hynin në veprim për gjëra të vogla dhe të zakonshme, por për aktivitete të një rëndësie të veçantë, si ishte rasti i gazetarit të njohur ruso-italian Njekov, i cili,çuditërisht, pas realizimit të disa misioneve që kishin lidhje të drejtpërdrejtë me EH, u gjend misteriozisht i vrarë. EH i ruante këto struktura vetëm për linjën e tij, as ministri i punëve të brendshme shpesh herë nuk e dinte fillin e tyre dhe nuk kishte lidhje me to. Si duket, ishin pikërisht këto struktura që, duke përdorur lidhjet e dyfishta, në fillimin e vitit 1980, e lajmëruan EH se gjendja në Kosovë, megjithëse dukej e qetë, nuk ishte ashtu, veçse në sipërfaqe. Ata e lajmëruan po ashtu se, megjithë heshtjen që zotëronte, shteti jugsllav dhe sidomos nacionalizmi serb po përgatitej të lante përfundimisht hesapet me kombet e tjerë në ish Jugosllavi dhe se Kosova do të ishte kurbani i parë i madh i kësaj bëme. Ishin të gjitha shenjat se miti i Rankoviqit kërkonte të zgjohej dhe këtë, jo rradhë, e kishin vërejtur edhe republikat e tjera jugosllave, sidomos kroatët dhe sllovenët, të cilët, përmes lidhjeve të tjera, kishin lajmëruar për rrezikun që mund ti vinte. kroatëve apo sllovenëve nuk do u vinte aspak keq sikur i gjithë tërbimi nacionalserb të shkonte drejt shqiptarëve, ata kishin filluar nxitjen e këtioj tërbimi, duke menduar se kështu githshka do të rrokullisej drejt viseve shqipfolëse. Sidoqoftë unë mendoj , se edhe në se i ka ditur ngjarjet që mund të vinin, ai nuk ka bërë asgjë për ti shpejtuar dhe për ti shmangur ngjarjet e marsit 1981. Të paktën nuk ka bërë asgjë të dukshme, sepse, për atë, që për shumë vite ishte e padukshme, ai filloi të bënte.
PLANI SEKRET ”SHPËRTHIMI”
Fjala është për planin sekret “Shpërthimi”, i cili përfshinte në vete një seri operacionesh, në rast të një lufte për Kosovën dhe në Kosovë. Ky plan , që ka qenë tejet sekret dhe për të cilin kanë ditur fare pak vetë, është pëshpëritur për herë të parë, nga agjensitë e huaja, menjëherë pas ngjarjeve të marsit, pastaj është heshtur për shumë vite dhe është zgjuar, i detajuar, në kohët e fundit. “Zgjimin” e tij e bëri njëri ndër hartuesit kryesorë, ish shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, Veli Llakaj. Në një intervistë të gjatë të tij, për herë të parë, ai bëri të njohur origjinën e këtij plani sekret, hartuesit e tij, urdhërin e dhënë drejtpërsëdrejti nga EH, dhe seriozitetin me të cilin ishte marrë ai plan. Megjithëse sot gjithshka mund të quhet utopi dhe në fakt ka shumë gjëra që nuk do të mund të realizoheshin, ai përsëri ngre disa pika dyshimi.
Së pari, përse E.H u kujtua për hartimin e këtij plani kaq sekret dhe kaq masiv në vitin 1980? Në realitet midis dy shteteve kishte pasur ngrirje të plota marëdheniesh, gjendje të jashtëzakonshme, ulërima, dërgim agjentësh, akte terrori në tokën shqiptare, një shkrirje të çastit në vitin 1956, pastaj përsëri akullim, kishte pasur masakra të rënda ndaj popullit shqiptar në Kosovë, dhe, megjithatë, asnjëherë nuk ishte ndërmarrë një plan i tillë sekret, i cili, as më pak e as më shumë, planifikonte dërgimin e ushtrisë së shtetit shqiptar për çlirimin e viseve shqiptare në Jugosllavi. Pra nuk kishte pasur asnjëherë asnjë plan të tillë e për më shumë, nuk kishte pasë asnjë tentim të tillë. Në vitin 1980 klima mes dy shteteve nuk paralajmëronte ngrirje, shteti shqiptar nuk kishte më asnjë aleat, ishin prishur marëdheniet me BS dhe me Kinën, pra ishte një Shqipëri, si kurrë ndonjëherë, krejt fillikat dhe për më tepër, një Shqipëri me një gjendje ekonomike, që gjithnjë e më shumë po vështërsohej. Megjithë këtë akullim në lidhjet me botën e jashtme, përsëri EH i garantonte hartuesit e planit sekret se Traktati i Varshavës, nga i cili Shqipëria kishte dalë në vitin 1968, nuk do të ndërhynte. Në këtë kohë ndodhën ngjarjet e marsit dhe kjo ishte edhe koha, kur për herë të parë, qoftë edhe teorikisht, shteti shqiptar, mendon dhe të ndërmarrë diçka, që në fakt, i binte ndesh të gjitha konventave ndërkombëtare. ´
Si u bë hartimi i këtij plani sekret, me emërin e koduar “Shpërthimi”
Le të sjellim një pjesë nga intervista e ish shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, Veli Llakaj.
“Takimi në zyrën e Enverit„
Bisedën e filloi me pyetjen se si jeni ju andej nga Komanda e Përgjithshme, ( se kështu e quante Enveri Ministrinë e Mbrojtjes), si janë shokët, po poshtë nëpër reparte si janë, si i keni lidhjet me ta, çfarë kërkesash imediate kanë dhe çfarë ndihme kërkojnë nga Komanda e Përgjithshme, si jua zgjidhni ju këto probleme, i keni mundësit apo jo etj. ”Kërkoni ndonjë ndërhyrjeje nga shoku Mehmet se ky ua zgjidh gjithçka, se është më i mirinformuar, më i lidhur me hallet e ushtrisë, pastaj vijnë shokët e tjerë e në fund vij edhe unë”, -theksoi mes të tjerave Enveri. ……. ….Duke dëgjuar këtë lloj përshkrimi apo panoramën që i bëmë, ai më pyeti: ”Si thoni ju të Komandës së Përgjithshme dhe të Shtatmadhorisë, mundet që ne të bëjmë një ndërhyrje ushtarake për çlirimin e popullsisë shqiptare në këto treva për t’i çliruar një herë e përgjithmonë nga thundra revizioniste e fashiste, ashtu siç ndërhymë edhe gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare?” Ky propozim më çuditi, por edhe më hutoi, dhe isha në vështirësi e dilemë, që përse nuk ia bënte këtë pyetje Mehmet Shehut, por mua? Jam i bindur se ata të dy këtë çështje mund ta kishin shoshitur disa herë dhe kanë rënë dakord, por tani, si duket, ka ardhur koha te konkretizimi dhe përgatitja e ndonjë plani operacioni luftarak. Qëndrimi im ishte disi indiferent, por i trembur. Në moment nuk dhashë asnjë përgjigje, por thjesht mblodha supet, çka do të thoshte se nuk jam në gjendje t’i përgjigjem. Enveri me një herë ndërhyri.”Përse heziton, çfarë të mundon, pse nuk ke besim!” Atëherë e mblodha veten dhe iu përgjigja: “Shoku Enver, në situatën aktuale të krijuar, kur regjimit serb po i digjet toka nën këmbë nga forcat kryengritëse të popullatës shqiptare kudo në trevat e banuara nga shqiptarët edhe mund të ndërmerret një operacion i tillë, por ne nuk kemi atë fuqi jo vetëm goditëse, por as të shpejtësisë së mjeteve të blinduara ta bëjmë këtë në kushte kur në këtë situatë mund të ndërhyjnë Forcat e Traktatit të Varshavës të dislokuara në Hungari, Bullgari e Rumani, pra po ndërhynë këto forca, ne jemi të dështuar!”. “Sepse, -vazhdova t’i flisja më tej Enver Hoxhës, – këto (Forcat e Traktatit të Varshavës) do të vijnë më shpejt se trupat tona jo vetëm në Gjilan – Prishtinë – Ferizaj – Mitrovicë – Klinë, por unë mendoj se në momentin kur ne të kemi hyrë në Prizren nga drejtimi i Kukësit dhe Hasit, në Gjakovë – Pejë – Deçan nga drejtimi Tropojës, apo në Strugë nga drejtimi Librazhd – Rajcë etj. Forcat e Traktatit të Varshavës në bashkëveprim me forcat e ushtrisë jugosllave kanë mbërritur përafërsisht në Tharandë (Suharekë) Malishivë-Rahovec.” Kurse në drejtim të Maqedonisë, – vazhdova unë më tej – që ne mund të futemi nga Rajca mbi Strugë ose nga Tre Portat e Korabit drejt Kërçovës ose në çdo drejtim tjetër, forcat kundërshtare na kanë marrë Kërçovën bashkë me divizionin e gjeneral Ibrahimit.
Pa mbaruar akoma argumentet që po jepja, Enveri më ndërpreu dhe më thotë: “Po sikur ta rregulloj unë me Mehmetin që Forcat e Traktatit të Varshavës të mos futen, a mund të futemi në luftë e të çlirojmë Kosovën?” Pashë i përqendruar, pa kuptuar fillimisht se ku donte të dilte, ndërsa më pas do të kuptoja disa gjëra që as më kishin shkuar ndërmend deri në ato momente që isha në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Isha përgatitur t’i raportoja Enverit për çdo problem në strukturat e ushtrisë, por nuk e kisha menduar se thirrja ime urgjente në zyrën e tij së bashku me Mehmet Shehun do të kishte një tematikë tepër të rëndësishme, për mua, të papritur! Gjithsesi, nën efektin e “garancisë” që më afroi Enveri me shprehjen: “Po sikur ta rregulloj unë me Mehmetin që forcat e Traktatit të Varshavës të mos ndërhyjnë, a mund të futemi e të çlirojmë Kosovën?”, duhej të bëja llogaritë shumë shpejt e të përgjigjesha. Të them të drejtën u shushata fare, se si ka mundësi kur ne shaheshim përditë me revizionistët e të gjitha vendeve të Lindjes e në mënyrë të veçantë me ata sovjetikë, si mund ta rregullonin këta këtë çështje luftarake kaq kapitale! Pa u menduar fare, por me një analizë të shpejtë që bëra të raportit të forcave e situatës luftarake në luftën e pritshme, i përgjigjem: “PO!”. Bëhet fjalë për më shumë se dy dekada e gjysmë më parë, e ndoshta, ky moment e kjo bisedë ka qenë i pari për mua të mësoj se ç’është politika, ku jo çdo gjë që thuhet e premtohet haptas, është e do të bëhet ashtu siç thuhet; përkundër, në të shumtën e rasteve, ndodhe kundërta!
Pasi e pranova këtë version, megjithëse jo shumë bindës për mua, duke menduar se këta kërkojnë të më fusin në valle që të bëhet një plan i ndërhyrjes ushtarake për çlirimin Kosovës dhe pastaj shohim e bëjmë sipas situatave që mund të krijohen. Enveri më merr mendimin se sa kohë më duhen ta paraqes planin tek ai dhe Mehmeti për miratim. Unë ju përgjigja se kjo varet me sa persona do të punojnë për hartimin e tij. Ndërhyn Mehmeti: ”Do të punosh vetëm me një person dhe unë, (pra, Mehmeti, V. Ll.), do të jem në krye të këtij grupi pune”. Kërkova 30 ditë kohë. Enveri më thotë: ”Po të lëmë 45 ditë, por plani të jetë i argumentuar saktësisht e deri në çdo detaj nga ana ushtarake”. Marrja e detyrës u bë fakt i kryer, ishte një detyrë e vështirë, jo e lehtë, por thellë ndjeva një gëzim e kënaqësi të pa provuar. Meqenëse më lejohej të bashkëpunoja vetëm me një njeri, nuk ishte e lehtë të zgjidhja e për më tepër të vendosja vetë. Kërkova se a kishin ata ndonjë mendim se me cilin do të punoja unë. Enveri më thotë: ”Zgjidhe vetë!” Propozova nja tre persona, ndër kuadrot më të lartë e më të përgatitur ushtarakë të vendit. Pasi dëgjojnë, Mehmeti i thotë Enverit: ”Do të punojë vetëm me Maliq Sadushin që është zëvendësministër i Mbrojtjes, është i aftë, konspirativ, ka mbaruar akademinë ushtarake “Frunze”, ndërsa unë do të jem në krye të këtij grupi!”. Mehmeti i kishte idhuj të gjithë ata ushtarakë që kishin mbaruar akademitë ushtarake “Frunze” dhe “Vorshillov”, por Maliqi qe i përzgjedhuri i tij, edhe për faktin se ka qenë partizan i Brigadës 5 Sulmuese në çlirimin e Kosovës dhe e njihte shumë mirë terrenin, garanci kjo e domosdoshme për një planëzim e zbatim të saktë të planit luftarak. Për mua, ishte një kënaqësi tepër e veçantë se do të punoja me Maliqin për hartimin planit për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, për faktin se ishim shokë, kolegë, njiheshim mirë, si dhe ishte profesionalisht tepër i aftë.
Fillimi i punës për përgatitjen e planit
Ajo natë, për mua, ishte një natë ankthi. Vrisja mendjen se si do të veprohej më tej, çfarë detyra do të merrja, si do ta filloja punën, çfarë vështirësish do të hasja, e shumë e shumë gjëra të tjera. Gjithçka kishte ardhur papritur, e tashmë suksesi i planit dhe operacioni i pritshëm varej nga ne. Të nesërmen e asaj dite Mehmet Shehun vjen në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, më thirri mua dhe shokun Maliq Sadushi, ku na precizoj detyrat përkatëse, na dha orientime shumë precize ashtu siç t’i jepte ai. Afërsisht na përcaktoi zonat e veprimeve luftarake të çdo korpusi që do merrte pjesë në këtë operacion, brigadat e këmbësorisë, të tankeve, të artilerisë dhe llojeve të armëve e shërbimeve për çdo specialitet, afërsisht vendkomandën e grupit operativ të Shtabit të Përgjithshëm që do të drejtonte operacionin, disa vendkomanda rezervë në drejtimin e Maqedonisë e të Malit të Zi, vendkomandat e korpuseve e të brigadave, drejtimet e goditjeve kryesore për çdo drejtim, rezervat materiale në ushqim, veshmbathje e medikamente mjekësore etj. Na përcaktoi afërsisht edhe të gjitha njësitë ushtarake që do të merrnin pjesë në operacion, duke caktuar edhe njësitë sulmuese apo repartet e zbulimit që do të vepronin në terrenet më të vështira e që do të jepnin goditje rrufe e në befasi. Pasi na dha detyrat e mësipërme, Mehmeti shtoi: “Unë kaq munda t’u jap për sot, ju i shikoni dhe veproni me kompetencë vetë, ashtu si ta gjykoni dhe mos i qëndroni strikt këtyre që ju them unë”.
Ai u interesua shumë edhe për hartat topografike me të cilat do të përpilohej plani, duke më porositur mua që të shikoj me shumë kujdes hartat që të jenë sa më të reja e të kenë sa më shumë objekte, në të kundërt dërgoni me urgjencë në Austri ose Zvicër. Për këtë Mehmeti shtoi: “Të merrni hartat më të fundit (të reja e me shumë objekte), mos llogarisni çmimin se sa janë!”. Më pas shtoi: ”Kjo punë kërkon operativitet, iniciativë dhe marrje përgjegjësie mbi vete, e mos u mbytni me një pikë uji!”. Pra, si duket, ai (M.SH) kishte menduar e punuar tërë natën dhe të nesërmen na i komunikoi ne këto detyra. Për problemin e hartave, u konsultova me shefin e Degës së Topografisë në Ministrinë e Mbrojtjes shokun Limoz Alimucaj dhe drejtorin e Institutit të Topografisë shokun Përparim Likaj. Mbasi ju kërkoj hartat për një studim të hollësishëm të terrenit, në trojet etnike shqiptare (Mali i Zi – Kosovë – Maqedoni), pa u treguar qëllimin e vërtetë pse i doja. Ata më rekomanduan, sipas të dhënave që kishin, se harta të tilla me objekte të sakta e të imtësishme kishte kryesisht në Austri. Atëherë bisedova me Përparim Likën dhe ai u dërgua në Zvicër për blerjen e këtyre hartave, i shoqëruar nga një punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, pjesëtar i zbulimit të jashtëm. Këto harta u blenë me ato çmime që afruan austriakët. U sollën në Shqipëri, u përgatitën nga grupi përkatës i Institutit të Topografisë dhe iu dhanë Shtabit të Përgjithshëm në përdorim. Pra, plani i ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, i quajtur “Shpërthimi”, u përgatit mbi bazën e këtyre hartave që kishin të dhëna të hollësishme të terrenit dhe objekteve përkatëse.
Kjo është një dëshmi, pas më shumë se 24 viteve, e ish shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare. Nuk mund të vlerësoj autencitetin e këtyre ngjarjeve, fakt është se, në shtypin shqiptar në Tiranë, ku edhe u botua intervista e tij, nuk kishte kundërshtime për vërtetësinë e planit, por debati u përqëndrua më shumë, megjithëse në fare pak kohë, në utopinë e një plani të tillë. Mirëpo diçka tjetër është e vertetë dhe kjo është tashmë e njohur. Në veriun e Shqipërisë, pak para ngjarjeve të vitit 1981 dhe me më shumë nguti pas tyre, u ngritën depo të mëdha armatimi, për rreth 3o mijë ushtarë, me të gjitha mjetet e duhura logjistike, që nga paisjet më të thjeshta dhe deri tek armatimi i rëndë. Çdo gjë ishte e siguruar, përmes kanaleve të ndryshme, në shtetet perëndimore, logjistika ishte përgjithsisht angleze dhe e destinuar për një luftë në Kosovë. Çdo gjë që ishte në këto depo u shit pastaj, si është publikuar, me çmime qesharake nga zoti Zhulali, diku në Afrikë apo tek serbët e Bosnjes. Ndoshta EH, në vitin 1981, kishte menduar se, me anë të një lufte në Kosovë, qoftë edhe utopike, mund të shmangte vështërsitë e vendit të tij, mirëpo një logjikë e tillë nuk më duket e arsyeshme. Nëse shteti shqiptar, 25 vite më parë do të niste një luftë të tillë do ishte e vështirë, në mos e pamundur, që të mos merrte edhe reagimin e ashpër nga shtetet europerëndimore. 17 vite pas ngjarjeve të marsit 1981, përsëri në mars, kur nisi lufta në Kosovë, megjithëse shteti shqiptar nuk i hapi depot, përsëri ai u vue nën vëzhgim ndërkombëtar.
Mundësinë e shmangies së problmeve nga një krahinë shqiptare në tjetrën, gjithnjë sipas mendimit tim, unë e përjashtoj, pasi duke njohur deri diku, psikologjinë, karakterin dhe filozofinë politike të E.H dhe ndihmësve të tij më të afërt, shpesh herë shumë fish më të egër, si Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu, nuk e kishin zakon të pyesnin për gjëra të tilla dhe as të bëheshin merak se çfarë thonin rreth tyre. Këtë EH nuk e kishte pasur edhe shumë vite më herët, nuk do e kishte deri në fund të jetës së tij, duke sjellë, me dhimbje, kthimin e vendit të tij, në një fortesë, ku mund të rrije ankthshëm brenda, por nuk mund të dilje jashtë. Shteti shqiptar, për këtë jam i bindur, ka synuar githnjë, që përmes mërgatës shqiptare të Kosovës dhe të viseve të tjera në Jugosllavi, të ndikonte tek njerëzit. Nuk e përjashtoj që përme ambasadave shqiptare në shtetet perëndimore, sidomos në Zvicër dhe në Austri, janë bërë të gjitha përpjekjet për të patur lidhje të vazhdueshme me lëvizjet ilegale. Nga ana tjetër, edhe ilegalët që ishin jashtë Kosovës, e kërkonin dhe e donin këtë lidhje, e cila, asnjëherë, nuk ka qenë një lidhje agjenturore, e interesshme, edhe kur janë vendosur mes tyre strukturat e fshehta. Në fund të fundit shqiptarët në perëndim kishin dy ambasada ku mund të shkonin, tek ajo e Beogradit dhe tek ajo e Tiranës.
Në fundin e viteve 80 mërgata shqiptare e Kosovës merr një hop të ri cilësor, por, e kam të vështirë të besoj se, përmes tyre, shteti shqiptar ka ndikuar në zhvillimin e demonstratave të marsit 1981, dhe sidomos të atyre të 11 marsit. Fakti që më vonë, sidomos me 26 mars, këto demonstrime morën karakter të theksuar kombëtar dhe politik, ka edhe ndikimin e mendimit politik të mërgatës shqiptare e përmes tyre, edhe të shtetit shqiptar. Në demonstratat e vitit 1981 kishte shumë parulla politike, mes të cilave, më e rëndësishmja dhe më sunduesja ishte “Kosova Republikë”. Po të vëresh me kujdes qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj parullave të hedhura, do të vëresh se, ndërsa u pajtua dhe mbështeti fuqishëm kërkesën për Republikën e Kosovës, ai nuk u prononcua për bashkimin kombëtar. Në asnjë nga materialet bazë të qëndrimit të shtetit shqiptar, nuk është mbëshetur haptas një parullë e tillë, duke bërë përjashtim një citim i artikullit të fundit, në të cilin, aludimet bëhen shumë konkrete. Do të doja të përmbyllja këto shënime, me precizitetin shumë të lartë që u ka bërë ngjarjeve të pranverës së vitit 1981, studjuesi dhe njëkohsisht njëri ndër miqtë dhe mbështetësit më të mëdhenj të lirisë së Kosovës dhe të Ushtrisë së saj çlirimtare, profesor Shaban Sinani. “Shqiptarët qenë të parët që i treguan botës se “federalizmi shumëkatësh” i këtyre vendeve nuk funksiononte si propogandohej, sepse liria dhe mirëqenia e një pale sigurohej në kurriz të nënçmimit dhe shfrytëzimit të palës tjetër. Kosova i tha kësaj bote se çështjet nacionale ende nuk janë futur në arkiv dhe nuk mund të mbahen gjatë tabu. Herojtë e asaj kohe dhe sfida e tyre janë në nderin e historisë shqiptare. Tek kjo sfidë historia do të rikthehet shpesh. Ne e dimë se historia rrotullohet ngadalë, por kurdoherë që fati i shqiptarëve do të jetë afër mbarësisë, kurdoherë që cikli i historisë do të rikthehet aty ku çështja mbeti në vitet 80, protogonistët e saj do të çmohen”.(“Zëri i Kosovës”15 prill 1996). 30 vite pas këtyre ngjarjeve epike historia është rrotulluar në të mbarë të shqiptarëve. Ata kanë shansin e tyre të madh që të bëhen pjesë e historisë së vendit dhe kombit të tyre, nëse nuk do të harrojnë se deri këtu, është dashur një përkushtim i disa brezave, të cilin, nuk mund ta nëpërkëmbin pinjollët e një skote të namun. (FUND)
– Autori është Shkrimtar dhe publicist i njohur.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura