BEDRI ISLAMI: DEMONSTRATA E SHTUTGARTIT – ISHTE PRELUDI I ORGANIZIMEVE NË SHËRBIM TË UҪK-së, NË GJITHË BOTËN PERËNDIMORE

(Pashtriku.org, 09. 03. 2013) – Sot është e shtunë, 9 mars. Desha të rikthehem në një ngjarje, mendoj madhore, të 15 viteve më parë. Edhe atëherë ishte e shtunë, pikërisht 9 marsi i vitit 1998. Në Kosovë ende vazhdonte të ngrihej tymi mbi kullat e Jasharëve dhe të vrarët sapo ishin varrosur. Kishte qenë një ngjarje sa tragjike, e po aq madhështore. Njëra ndër ngjarjet epike që bëjnë kthesën në jetën e një kombi, duke u ngritur mbi flijimin. Dhe Flijimi kishte qenë i madhërishëm, i pashoq, monumental, por, tepër i dhimbshëm. Mbi 70 burra, gra, fëmijë ishin flijuar vetdijshëm për lirinë e Kosovës, dhe mes tyre, Njeriu që do merrte barrën e madhe të shndërrimit të historisë, Adem Jashari.
Asaj dite, me 9 mars, gazeta “Zëri i Kosovës”, padyshim më e merituara në mbështetjen e luftës, kishte botuar shkrimin tim, “A vdiq Adem Jashari”, i cili do të ishte shkrimi i parë për figurën madhore të tij në të gjithë shtypin tonë të shkruar. E kam pasur këtë bindje ahere, e kam edhe sot, se njeriu si Ai, mund të vritet, por nuk mund të vdesë…

9 Marsi i vitit 1998 do të ishte një ditë me diell mbi qytetin e Shtutgartit. Nga të gjitha anët, nga të gjitha rrugët, drejt qendrës së qytetit, që njihet edhe si Königstrasse, pra Rruga Mbretrore, po vërshonin mbi 20 mijë shqiptarë, nga të gjitha viset, dhe qielli po mbulohej nga flamurët kuq e zi, por edhe nga pankartat e mëdha në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte hera e parë që valëviteshin kaq shumë flamuj e pankarta në mbështetje të UÇK-së, dhe kjo do të ishte preludi i asaj që do të ndodhte më pas në të gjitha kryeqytetet e Europës, e më pas në të gjithë botën. Nga ai shesh po merrte rrugën mbështetja për luftën, që ai shesh do të fillonte kthimi i madh i djemve e vashave të reja për të bërë të lirë vendin e tyre.
Çfarë kishte ndodhur?
Sapo kishte filluar lufta në Prekazin e Drenicës, dhe kishin filluar të vinin lajmet e para të ngjarjeve të atjeshme, Lëvizja popullore e Kosovës, padyshim institucioni themelor në krijimin, organizimin dhe mbështetjen e UÇK-së, mendoi se duhej bërë diçka më shumë se zakonisht, duhej vënë në lëvizje të gjitha energjitë, për t’i thënë luftëtarëve në Kosovë se nuk do të ishin kurrë të vetëm, por edhe për të nisur një periudhë të re të qendresës.
Këshilli i Lëvizjes në Shtutgart dhe në Ludwigsburg mori përsipër organizimin e kësaj demonstrate të jashtëzakonshme, por gjithçka duhej bërë në fare pak ditë, në dy apo tre të tilla, dhe duhej të ishte një gjë e pazakontë. Kushtrim Hadergjonaj, Sheradin Berisha, Gëzim Abdimetaj, Hamid Xhema, Islam Rafuna… do të ishin ata që do të merrnin përsipër të organizonin gjithçka, që nga sigurimi i lejes në institucionet përkatëse të shtetit gjerman, motivimin e sheshit kryesor, lajmërimin e njerëzve, dekorin e duhur, e më pas sigurimin e një rregulli të veçantë. Sepse, të lodhur nga vuajtjet, nga ashpërsia e sundimit serb mbi Kosovë, të gjendur nën vrasjet dhe masakrat që sapo kishin filluar, njerëzit mund të bënin edhe gjëra që nuk duheshin.

Në mëngjez herët, nga trenat që futeshin në Shtutgart, zbrisnin gjithnjë e më shumë njerëz me flamurë kombtarë, e për herë të parë, masivisht, po dilnin edhe pankartat e mëdha me tregërmëshin që do të bëhej i njohur në të gjithë botën, UÇK. Kolonat po formoheshin vetvetiu, nga të gjitha drejtimet, si rrekezat që papritur kthehen në lumej. Shtutgarti nuk kishte parë deri asaj dite një lumë të tillë njerëzish. Institucionet gjermane kishin pritur 2 mijë apo tre mijë vetë, por kurrë nuk e kishin menduar se mijrat do të shumëfishoheshin, se dalngadalë do të shndërrohej në det dhe ky det njerëzor do të buçiste furishëm në mbështetje të luftës.
Si njëri nga drejtuesit e lëvizjes do të mbaja fjalën e rastit. Tani është e është e lehtë të ta thuash, por asaj dite, kur shikoja mijrat e njerëzve që prisnin dhe brohorisnin, mendoja nëse do të mund të thoja atë që duhej për to. Sepse ishte një ngjarje e re, dalja e njerëzve nëpër sheshe. Një vit më parë, në kryeqytetin e asaj kohe të shtetit gjerman, në Bon, ishte bërë demonstrata e parë në mbështetje të luftës. Ishte ideuar, drejtuar nga Fehmi Lladrovci, që ishte edhe drejtuesi ynë, dhe fjala e tij kishte qenë nga të rrallat.
Ndërsa po shkoja drejt qendrës, së bashku me Kushtrim Hadërgjonajn dhe Sheradin Berishën, që deri atëherë e kishin bërë gjithçka mrekullisht, e dija se tashmë Fehmiu dhe Xheva ishin rrugës për në Kosovë, por e dija po ashtu, se sado të mundohesha të gjeja fjalët e duhura, ato kurrë nuk do e kishin peshën e barotit të fjalës së Fehmiut.
Turma po shtohej në çdo moment. U bënë gati dy herë të fillonim metingun, dhe dy herë na thanë të prisnim, sepse grupe të tjera masive po vinin nga trenat e fundit. Sheshi tashmë dukej kuq e zi, një masë e madhe njerëzish, e jashtëzakonshme.
Nuk do e harroj kurrë atë ditë marsi, njerëzit që kishin në vete një zjarr të jashtëzakonshëm, të ardhur nga të gjitha anët, djem të rinj të mbuluar me flamurë kombëtarë, burra të heshtur, dhe qeleshet e bardha dukeshin si dallgë deti mbi kokat e njerëzve, xhamadanët e hapur, të qëndisur mrekullisht, dukeshin si gjurmët e gjakut…
Milaim Zeka, gazetari i njohur, erdhi afër meje dhe më tha se nuk duhej pritur më, duhej filluar. Isha së bashku me profesor Hasan Ukhaxhaj, figura që gëzonte respektin, besimin dhe mirësinë e të gjithëve. Pranë tij ndjehesha gjithnjë i qetë, ashtu si ndjeheshin të gjithë pranë tij.
Kur nisa të flas kisha në vete bindjen se asgjë nuk do të ishte më e rëndësishme se sa ky fakt: njerëzit ishin në atë shesh për të mbështetur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Nëse do të thonim fjalë zemre, kjo do të ishte e mjaftueshme. Njerëzit nuk kishin nevojë për fjalë të mëdha, por për thjeshtësinë e gjërave.
Dhe ndërsa po flisja, në një çast, thashë se zemra më doli nga kafazi i krahërorit, nga ndjenja e veçantë e asaj që po ndodhte. Sapo kisha thënë se njerëz si Adem Jashari nuk do të vdesin kurrë, kur e gjithë ajo masë e jashtëzakonshme njerëzish, një zëri, filloi të therrasë me gjithë fuqinë e zemrës, “Adem Jashari”, Adem Jashari”, “UÇK”. Ishte hera e parë që në sheshet e botës po thirrej haptas, me ndjenjë krenarie dhe bindje se ai nuk vdes kurrë, emri i jashtëzakonshëm i Adem Jasharit. Kjo ishte mrekullia e ringjalljes së tij, ishte sfida që populli i bënte pushtuesit serb, që mendoi se e kishte vrarë dhe se historia e tij po mbyllej tashmë. Populli hapi zemrën dhe prej aty nxorri emërin e heroit, të Njeriut që e kishin pritur dhe që solli mesazhin e madh të Pavdeksisë.
Nuk do e harroj kurrë atë çast të madhërishëm. Ishte 9 mars, ishte ende mbi Drenicë tymi i luftës, sapo ishin varrosur të rënët për liri, dhe me vetdijen e tij, populli po i ringrinte. Kishte filluar të ngjizej Legjenda. Dhe si çdo e tillë që fillon nga zemra, ajo do të mbetej e përjetshme.

===============================

(Ilustrimet: Nga arkivi i kryeredaktorit të pashtriku.org, Sh. Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura