BEDRI TAHIRI: LIBRI “UDHËTIM – S” – PASQYRIM ARTISTIK I PUNËS SË MËSUESVE TANË MËGIMTARË

Galicë, 22. 07. 2015 – (Botime të reja nga Mërgata) – Këto ditë, kur Mërgata jonë e ka begatuar vendin tonë me aktivitete të shumta kulturore- artistike, dhe po kremtohet edhe një Jubile: 10-Vjetori i Seminareve të mësuesve mërgimtarë në atdhe, punëtori i palodhur mërgimtar, krijuesi dhe mësuesi Hazir Mehmeti, që punon e vepron në Vjenë, doli me librin e ri publicistik “Udhëtim S”, ku, në mënyrë përmbledhëse janë përfshirë seminaret dhe aktivitetet e mësuesve tanë mërgimtarë, këtu e në mërgim, brenda këtij dhjetëvjetëshi.
Për librin, më mirë flet vetë autori, kur thotë: Vlerat e një seminari fillova t’i ndiej këtu ku punoj në kontaktet me shumë profesorë, kolegë nga shumë kombe e shtete. Gjuha shqipe është e treta për nga numri i nxënësve në Austri, por me një tretman jo të duhur lidhur me numrin e mësuesve, teksteve, materialeve mësimore, përfaqësimi në faqet elektronike. Këtu një pjesë të madhe të fajit e ka komuniteti ynë dhe veçan mësuesit dhe prindërit. Kjo tek unë krijoj një shqetësim të brendshëm duke me shtyrë të mendoj se çka mund të bëjë lidhur me këtë. Këtë e shpreha me qëndrimin tim dhe angazhimin tim, por dëshira ishte të kemi komunikim me atdheun. Për këtë seminaret ishin vendi dhe koha e duhur.
Tani kur po mbushen dhjetë vjet nga seminari i parë në atdhe, në Prishtinë, mendova, do ishte e arsyeshme bashkimi i reportazheve të mia që ishin botuar në “Zëri”, fillimisht e pastaj “Fakti Ditor”, “Bota Sot” dhe në shtypin elektronik. Krejt kjo ishte nga dëshira e zjarrtë për afirmimin e mësimit plotësues në gjuhën amtare, e punëve madhore të kolegëve/eve, veprimtarëve, miqve tanë për mësimin e gjuhës shqipe.

– Hazir Mehmeti – 

Nuk pretendoj se kam bërë diç të jashtëzakonshme, por le të bashkohen gjithë ata pjesëmarrës në një shkrim përkujtimi për sot e për nesër. Fryma e rilindësve fitoret nuk i mat me lekun e fituar, por me efektin shpirtëror tek njeriu ynë i thjeshtë e i vuajtur në stuhitë që rrahën atdheun dje e sot. Le të jetë ky libër një pikë respekti ndaj gjithë atyre që dhanë dje e sot kontribut në ruajtjen e gjuhës së shenjtë shqipe, simboli i parë kombëtar.
Gjithmonë ndjehem i nderuar dhe i privilegjuar kur më bie të flasë e të shkruaj për mërgimtarët tanё, tё cilёt, si ambasadorёt mё tё mirё, me punёn dhe veprat e tyre, na bёjnё krenarё para gjithё botёs. Mërgata shqiptare, si përherë, edhe sot, mbase mё shumё sё kurrё, po luan rol të madh në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar në dhe të huaj. Ajo më nuk është mërgata e qyqeve të dikurshme, por krenaria jonë, pa të cilën nuk do të funksiononte dot as vetë Shqipëria Etnike. Ajo vepron kudo në globin tokësor, ama, në Austri, gjegjësisht në Vjenë, ku vepruan dhe lanë gjurmë krijues e veprimtarë të mëdhenj të kombit tonë, është e organizuar për lakmi.
Mërgimtarët tanë, krahas ndihmës së madhe materiale që na ofrojnë, hiç pa u ndalur po punojnë edhe në mbajtjen gjallë të shtyllës kryesore të kombit- arsimimin e brezave të rinj në gjuhën amtare. Zaten, kjo, është edhe kryesorja, ruajtja e qenësisë sonë nga asimilimi dhe shkrirja. Të organizuar në klube, në shoqata e në grupime të ndryshme, vende- vende, të përkrahur e të mbështetur edhe nga institucionet përkatëse shtetërore, ata po bëjnë mrekullira. Madje, edhe aktivitetet e tyre jashtëshkollore janë të një rëndësie të veçantë historike- kulturore e edukativo- arsimore.
Mirëpo, e gjithë kjo edhe mund të shkonte huq e me kohë të mbulohej nga tisi harrestar, sikur në mesin e tyre të mos kishte punëtor entuziastë të penës, të cilët e mbajnë vath në vesh atë thënie e mençur latine: Fjalët i merr era, shkrimet mbesin!.
I tillë është edhe mësuesi i Vjenës, publicisti, studiuesi, hartuesi i teksteve shkollore, tregimtari e krijuesi mendjehollë, z. Hazir Mehmeti. I lindur në Beçiq të Drenicës më 1952 dhe i edukuar e shkolluar në frymën e atdhetarisë, edhe në mërgim, me mish e me shpirt u vu në shërbim të çështjes kombëtare. Aktualisht, mësues në Vjenë, veprimtar i palodhur në fushën e kulturës, përgjegjës i faqes së internetit në Ministrinë e Arsimit të Austrisë për gjuhën shqipe, pjesëmarrës aktive, me kumtesa e referate, nëpër seminare që organizohen në Austri dhe në vende të tjera, veçan në ato për mërgimtarët etj. Shquhet edhe në fushën e publicistikës, shkrimet e tij publikohen nëpër gazeta të ndryshme dhe në faqet e internetit, dhe është anëtar i Asociacionit Ndërkombëtar të Gazetarëve. Ai, krahas librave si bashkautorë, ka botuar: “Tekst ushtrimi 1”, “Mësimi shqip në Austri (1987- 2012)”, “Fibel-A-B-C- Abetare”, e para abetare shqip, e përkrahur nga Ministria e Mësimit të Austrisë, etj.
Libri “Seminaret e mësuesve nga mërgata” është një përmbledhje e bukur e reportazheve për seminaret e mësuesve tanë mërgimtarë, kryesisht nëpër trojet tona të begata, është një mozaik ngjyrash ylberore. Autori, si pjesëmarrës dhe përjetues i drejtpërdrejtë i tyre, falë imagjinatës së tij të bujshme dhe pasionit për përshkrime, fotografime e organizime, ka arritur që suksesshëm të pasqyrojë artistikisht punën e zellshme e të palodhur të mësuesve e veprimtarëve tanë mërgimtarë, pa lënë anësh as studiuesit e huaj që preokupohen me sfidat dhe problematikën e të mësuarit shqip në mërgatë. Shumica prej tyre kalojnë kufijtë e reportazhit dhe më shumë dalin si tregime artistike mbresëlënëse, të cilat lexohen me një frymë.
Lexuesi i vëmendshëm, duke i përcjellë ato organizime e vizita, do të kënaqet e do të mësojë shumëçka për qytetet tona historike. Në mendjet e tyre do të thadrohen për kohë të gjatë: Prishtina, kryeqendra e Kosovës; Prizreni i lashtë me mrekullitë e veta historike; Durrësi plak i Aleksandër Moisiut; Struga, kjo perlë shqiptare; Mitrovica që fle mbi argjend; Prekazi i lavdisë ademjashariane; Vlora e Pavarësisë; Korça me Mësonjëtoren e Parë Shqipe e me mësuesit e martirizuar; Ulqini me Kalanë e Balshajve; Berati, ky qytet i gurtë mijëra vjeçar etj.

Nëse thuhet se një fotografi vlen sa njëmijë fjalë, atëherë ky libër, vërtet do të marrë përmasat e një enciklopedie. Brenda kopërtinave të tij kanë zënë vend mësues, intelektualë, krijues, organizatorë, drejtues institucionesh, botues e redaktorë, studiues e shkencëtarë, nga mërgata, nga trojet shqiptare e nga bota përparimtare evropiane. Paskëtaj, krahas ligjëratave, referimeve, vizitave, shëtitjeve, aty bëhen edhe përurime të librave, fletushkave e revistave të autorëve mësues mërgimtarë. Rëndësinë e tyre e shton edhe pjesëmarrja e vazhdueshme e studiuesve e mësuesve të huaj, në mesin e të cilëve shquhet i palodhuri, Prof. Dr. Basil Schader, i cili pas seminarit në Vjenë, i dërgon letër autorit të librit që po shqyrtojmë, ku pos tjerash i thotë se ishte shumë i kënaqur me punën e seminarit aq të rëndësishëm për të gjithë pjesëmarrësit e në veçanti për mësimdhënësit shqiptarë.
Nëse ne u kemi borxh mërgimtarëve në përgjithësi, e mësuesve, në veçanti, atëherë, edhe ata: prindërit, nxënësit, kolegët, duhet të ndjehen borxhli ndaj Hazir Mehmetit, i cili, me penën e tij të mprehtë po u ngrit lapidarë përjetësie që do të jetojnë në shekuj. Dhe, ndoshta, kjo nuk është rastësi. Vjena, kryeqendra e kulturës evropiane, vendi i albanologëve më të mëdhenj, kurrë nuk ka mbetur pa gjurmues dhe studiues të etnosit e të kulturës shqiptare. Këtë po e vazhdon edhe Hazir Mehmeti, andaj përfundojmë, duke i thënë: Punë të mbarë dhe suksese!
Duke u bazuar në punën e derisotme të Hazir Mehmetit, në vlerat e këtij libri dhe librave të tjerë, të publikuar e në dorëshkrim, në forcën e pashtershme krijuese prej intelektuali erudit, lirisht mund të përfundojmë, me shpresën që nga mendja e tij brilante do të dalin edhe libra të tjerë, të rëndësishëm për kulturën tonë, të lakmueshme edhe nga të tjerët.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura