Galicë, 07. 07. 2014 – (Kёto ditё doli nga shtypi libri postmortum i Zenun Gjocajt “Vёshtrime letrare”) – Njerëzit e mirë kudo që shkojnë lënë gjurmë pavdekësie. Kjo ka qenë edhe porosia e përhershme e të parëve tanë përvojëhidhur që thoshin: Kahdo që të shkosh, mbaroje nga një shtëpi. I tillë qe edhe arsimdashësi, veprimtari, studjuesi, zemërmiri e profesori atdhetar, Zenun Gjocaj. I lindur e i mëkuar me qumësht ambrozi e me këngën e Zanave te Kroi i ftohtë gurgullues i Livadhit të Madh, në Bjeshkët e Junikut e deri lart në Padesh e në Rrasë të Zogut, nuk mund të mos brumosej me vetitë e malësorëve plot besë, burrëri, bujari, mençuri, trimëri e atdhedashuri.
Njё fёmijёri e pa fёmijёri
Zenun Gjocaj u lind në prillin e vitit 1943, në Gjocaj, fshat që i dha letërsisë shqipe edhe poetin e njohur Din Mehmeti. Mësimet e para i mori në Junik. Të mesmet i filloi në Normalen e Prishtinës, por pas dy muajsh u kthye në Gjimnazin e Pejës, drejtimi pedagogjik.
Në vitin shkollor 1963/64 u emërua mësues në Jasiq, në shkollën e sapohapur, ku ishte mësuesi i parë në këtë vatër të re arsimore. Studimet për gjuhë e letërsi shqipe i nisi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren e i mbaroi në Fakultetitn Filologjik në Prishtinë. Në vitin shkollor 1972/73 nisi punën në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan dhe u regjistrua në studimet pasuniversitare në Prishtinë, në Degën e Gjuhësisë, duke pasur mësimdhënës emrat më të shquar të albanistikës, siç ishin: Çabej, Domi, Kostallari, Demiraj etj. Në vitin shkollor 1976/77 punoi në Akademinë Pedagogjike në Prishtinë dhe magjistroi në temën “Gjuha e Luigj Gurakuqit dhe konceptet e tij gjuhësore stilistike”.
Veprimtarinë arsimore në këtë institucion ia ndërpresin organet policore në pranverën e vitit 1981. Atë vit pas dy muajsh që mbahet në burg lirohet për mungesë provash. Ndërkaq, në vitin tjetër ia vunë sërish prangat dhe e dënuan me disa shokë si pjesëtar të Lëvizjes ilegale. Ishte ndër të burgosurit e rrallë me gradën shkencore magjistër i shkencave filologjike.
Siç dihet, pas demonstartave të vitit 1981, rrethanat politike në Kosovë përkeqësoheshin gjithnjë e më tepër. Ato i përjetonte mbarë populli e në veçanti intelegjencia shqiptare, të cilën pushtuesi dhe argatët e tij përpiqeshin ta gjunjëzonin me çdo kusht. Edhe Zenun Gjocaj, i liruar nga burgu në gjysmën e dytë të asaj dekade, s’kishte si të mos përballej me ato rrethana. Mirëpo, ai qëndroi i palëkundur e i pathyeshëm në rrugën e atdhetarisë.
Studiues i hollё i gjuhёsisё dhe edukator shembullor
Profesori i “papërshtatshëm”, pas gjithë asaj golgote, ndërroi vendbanimin. Ai erdhi në Vicianën e lashtë, konkretisht në Novolan, tek e fejuara e tij, mësuesja Remzije, me të cilën u martua dhe iu kthye jetës intelektuale. Edhe pse këtej pakkush e njihte, puna e tij sizifiane shpejt zbuloi portretin e veprimtarit të palodhur të çështjes kombëtare. Në vitin 2007 mbrojti temën e doktoraturës “Struktura leksiko- semantike e stilistike e frazeologjisë shqipe”.
Fill pas kurorëzimit të luftës çlirimtare të UÇK-së, të cilën e përjetoi rëndë, hoqi të zitë e ullirit me babanë plak e të sëmurë e një vëlla, Agimin, ia fali lirisë, nisi punën në QMT “Marin Beçikemi”, në profesionin e shpirtit, që barbaria serbosllave ia kishte ndërprerë përgjysmë. Krahas edukimit dhe arsimimit të brezit të ri, u angazhua në mbijetesën e shkollës shqipe gjatë kohës që na dëbuan nga objektet tona shkollore dhe iu bashkua Lëvizjes për pajtimin e Gjaqeve, duke dhënë ndihmesë të madhe. Fjala e tij qe mehlem për varr, siç thotë populli. U angazhua në themelimin e Këshillit Komunal të Arsimit, ku dha kontribut të madh në mbijetesën e shkollës shqipe dhe disa herë u keqtrajtua rëndë nga policia serbe.
Me konstituimin e organeve të para komunale të pasluftës ai u caktua në vendet e duhura. Më 1999 këshilltar pedagogjik në Drejtorinë e Arsimit në Vushtrri. Në zgjedhjet e lira të vitit 2000, në bazë të meritave dhe aftësive profesionale KK e zgjodhi drejtor të Drejtorisë komunale të Arsimit, detyrë që e kreu me profesionalizëm dhe me ndershmëri të pashoqe. Këshillat e tij profesionale e pedagogjike ndihmuan shumë, sidomos ata që për herë të parë rroknin ditarin në dorë. Bamirësia, modestia, afria me njerëzit hallexhinj, e bën të dashur për të gjithë qytetarët e mjedisit tonë. Meqë atëbotë edhe sektori i kulturës ishte në kuadër të Drejtorisë Arsimore, shumë aktivitete me peshë kombëtare u realizuan me ndihmën e tij të pakursyer.
Për kulturën dhe arsimin në Vushtrri
Mua më ra hise të punoj shumë më Prof. Zenun Gjocajn. Na lidhte profesioni i mësuesisë dhe i krijimtarisë. Prej punëve të Tij të mëdha që i kreu, që kur erdhi në Vushtrri, do i përmendi disa më kryesoret.
E para: Vazhdimësia me sukses e mbajtjes së Takimeve të Poeteshave Shqiptare, tashmë tradicionale, eveniment kulturor që e identifikon këtë qytet të lashtë.
E dyta: Nisma dhe finalizimi i fazës së parë të ndërtimit të Kompleksit Përkujtimor “Azem e Shotë Galica” në Galicë. Kjo është një kaptinë në vete. Ai nis me formimin e Këshillit nismëtar, më 19. 11. 2003, dhe pas një varg punësh aspak të lehta, me plot pengesa e peripeci, përfundon më 15 korrik 2004, në 80-vjetorin e Epopesë së Arbërisë së Vogël, për nder të të cilit u organizuan: Simpoziumi në Prishtinë, Tubimi në Galicë dhe Akademia në Vushtrri.
Në fjalën përmbyllës në Vushtrri, Prof. Zenun Gjocaj, pos tjerash tha: Kam përshtypjen, ndoshta jo të qëlluar, sikur na duhet të kemi më shumë forcë, jo vetëm patriotike, por edhe shpirtërore e mendore t’i çmojmë vlerat kombëtare, sidomos të figurave të shquara që lanë nam në historinë tonë të re, siç ishin Skënderbeu, A. P. Tepelena, Isa Boletini, Azem Bejtë Galica, së fundi Adem e Hamzë Jashari.
E treta: përpjekja për sjelljen e eshtrave të heroinës Shotë Galica nga Fushë- Kruja dhe rivarrosjen e tyre në Galicë, në varrin kenataf, pranë bashkëshortit dhe bashkëluftëtarit Azem Galica. Ai, krahas qindra kërkesave e petecioneve, drejtuar organeve shtetërore të Kosovës e të Shqipërisë, pati thënë: Në kohën e sotme Evropa do të krenohej me figurën militante heroike të Shotës, që i tejkalon përmasat e mirëfillta heroike, madje edhe të heroinës së njohur franceze Jeane d’Arc me luftën e saj, disa fish më të kufizuar se Shota jonë heroike, e cila luftoi 12 vjet me radhë me pushkë në dorë. Grekët krenohen me kunatën e tyre, heroinën e gjakut shqiptar, Dhaskalina Bubulina, e cila zëvendësoi bashkëshortin e vet grek të rënë në luftë për liri…Për fat të keq, Zhan d’Ark e Dhaskalina Bubulina jonë (Shotë Galica), jo vetëm që nuk haset gjëkundi, pos një lapidari në Fushë- Krujë, në folklor e letërsi, por, sa qe gjallë, nuk i qe ofruar mundësi jete as shërimi të mirëfilltë. Si e tillë, nuk do të gabonim kur themi se ajo luftoi heroikisht, por vdiq tragjikisht.
Merre me mend, është për keqardhje, mungesa e një koncensusi brendakombëtar të mundësisë së kthimit të eshtrave të saj nga Kruja për në varrezën e hapur në Galicë, pranë eshtrave të të shoqit të saj të jetës e të luftës, pranë Azem Galicës e 82 të rënëve në betejën e fundit, për të cilën po flasim. E Kosova, Galica, të gjallët e të rënët, me të cilët luftoi si motra me vëllezër, me të cilët kaloi jetën me pushkë në dorë, nëpër beteja, mbeten në pritje. Ju përkujtoi krahasimisht se qeveria shqiptare e viteve ’70 të shekullit që e lamë, qindra partizanët e vet, i çvarrosi nga Kosova dhe i rivarrosi me nderime shtetërore, duke i mermerizuar artistikisht e profesionalisht.
E katërta: ndihmesën për përgatitjen e librit “Azem Bejtë Galica”, përmbledhje me kumtesat e Simpoziumit kushtuar këtij heroi, të cilin e financoi kryeshefi i PTK-së, z. Shyqri Haxha.
E pesta: puna e palodhshme si bashkautorë në hartimin e Monografisë së Vushtrrisë etj.
Edhe kur kaloi në Prishtinë (2003), ligjërues në Fakultetin e Edukimit, nuk u shkëput dot nga Vushtrria. Në projektin e madh kombëtar, trilogjinë letrare epiko- historike, me rreth një mijë vargje fishtiane (“Rilindjet e orës arbërore”, “Kosova e kuqe” dhe “Krahët e shqipes”), ku suksesshëm përthekoj gjithë historinë tonë që nga Skënderbeu, madje edhe më herët, që nga Kreshnikët, e deri tek Adem Jashari, i përfshiu edhe heronjtë dhe dëshmorët e kësaj ane. Aty kanë zënë vend Azem e Shotë Galica, Hasan Prishtina, Mehmet Konjuhi, paskëtaj dëshmorët e epokës së re të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe betejat kryesore të tyre.
Zenun Gjocaj punoi, gjithashtu, me përkushtim, në përgatitjen dhe botimin e veprës në disa vëllime “Feniksët e lirisë- Dëshmorët e UÇK-së”. Përveç të tjerave ai i shkroi edhe biografitë e dhjetëra dëshmorëve, të rrethit të Vushtrrisë, si: Isak Halilin, Adem Ademin, Ahmet Haxhën, Asllan Cimilin, Lumni Surdullin, Mehdi Musliun, Safet Ajetin, Shahin Krasniqin, Hamdi Sheremetin, Basri Hysenin, Rrustem Hysenin, Blerim Zuçakun, Shemsi Ahmetin, Mehdi zabelin, Sahit Avdullin, Shahin Sylën etj.
Një dorëshkrim që priste dritën
Duke qenë bashkëpunëtor i tij i ngushtë, pasi ai, papritur, na e la shëndenë, ndjeva obligim shoqëror, kolegial e moral që recensionet e botuara nëpër revista e gazeta të ndryshme t’i përmblidhja në një libër të veçantë (kështu e mendonte për të gjallë edhe autori, Zenun Gjocaj, ndjesë pastë). Kështu, më 5 prill 2013, në pranin e Habib Mustafës, Smajl Berishës, Fisnik Jasharit (djaloshi që e kishte ndihmuar në kompjuter) dhe të shoqes, mësueses Remzije, mora materialin, të cilin e punova me përkushtim dhe e përgatita librin me titull “Vështrime letrare”.
Ky libër, siç thash, qe një projekt ideor i vet autorit e që ngeli ashtu vetëm si ide, më çukiste në kokë si kambanare pengu, andaj dhe e mora si punë që duhej realizuar. Atë e konceptova në dy pjesë jo të barabarta:
1. Zenun Gjocaj për të tjerët dhe
2. Të tjerët për Zenun Gjocajn
Pjesa e parë, që është më e gjerë, përmban shkrime të ndryshme kritike, analitike, studimore, eseistike, recensionale, publicistike, vlerësuese e referencuese, të botuara e të publikuara nëpër gazeta e revista shkencore, apo të lexuara nëpër sesione a simpoziume shkencore. Në to trajtohen e vlerësohen vepra e punime nga më të ndryshmet si: monografi, biografi, poezi, tregime, romane, studime gjuhësore e shkencore, shkrime publicistike etj. Autori përdor një metodë krahasimtare e analitike, duke i shkoqitur e zbërthyer gati në mënyrë shteruese, gjë që janë të vlefshme dhe të nevojshme si literaturë për nxënës e për studentë. Ai ka marrë në shqyrtim tridhjetë e dy vepra të gjinive, llojeve dhe zhanreve të ndryshme.
Në pjesën e dytë, që përbëhet nga shtatë punime kushtuar veprave të Zenun Gjocajt, takojmë penat e Ibrahim Doçit, Sheremet Krasniqit, Begzad Baliut, Hilmi Saraçit etj.
Libri “Vështrime letrare” përmbyllet me shtojcën Përkujtime, në të cilën janë përfshirë ca momente përkujtuese për autorin nga kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij, në mesin e të cilëve jam edhe vetë.
Kaq munda, kaq bëra.
Dorëshkrimi priti disa javë e muaj.
Dhe, një ditë, pas përkujtimit të 1-vjetorit të pavdeksësisë së Profesor Zenun Gjocajt, më 15 shkurt 2014, organizuar nga Radio Kosova e Lirë, në Bibliotekën Kombëtare, i doli fati. Kryetari i Junikut, z. Agron Kuçi, mori përsipër botimin e librit, të cilin e falënderoj nga zemra, sepse kështu mund të them se e kam larë një trohë borxh ndaj kolegut dhe atdhetarit të shquar, Prof. dr. Zenun Gjocaj. Ashtu kishte vepruar edhe vetë i ndjeri, dritë pastë. Kur pёrmbushi njё amanet pёr liribёrёsit (hartoi nё vargje historinё tonё qё nga epoka e Skёnderbeut e deri tek Adem Jashari e lufta e Ushtrisё Çlirimtare tё Kosovёs, duke botuar tre libra:“Rilindjet e Orës Arbërore” (2010) , “Kosova e kuqe” (2011) dhe“Krahët e shqipes” (2012), bashkё me ta vajti nё pёrjetёsi. U mishёrua me yjet e pashuar dhe u shndёrrua nё meteor.
Një falenderim i takon Radios Kosova e Lirë, drejtorit, z. Ahmet Qeriqi, i cili e ndihmoi realizimin e këtij Projketi.