Tiranë, 13. 04. 2016: Libri më i ri, romani ‘Kriza e arkivistit’ i autorit Gjokë Dabaj, njeri i letrave dhe shkencës, atdhetar dhe dijetar, është një shans tjetër për të komunikuar për fatin e qenies sonë, të qëndresës dhe sakrificave të shqiptarëve, përballë tmerrit të përjetur në vite e shekuj, përballë genocidit serb, që dhet se ka shfarosur me milona shqiptarë, ka asimiluar po kaq, si dhe për të parë më nga afër, jetën dhe përmasat e vetë shkrimtarit. Pra, më tepër se libër i vlertë në pikëpamje letrare, është libër i rëndësishëm, dhe kjo për faktin se na vë në sprovën e kujtesës pa të cilën jeta humbet kuptimin. Dihet se një njeri pa kujtesë, është si një mumje, vjen dhe ikën nga kjo botë pa kuptuar se pse erdhi, ndërsa një popull dhe një komb pa kujtesë, është i destinuar që të shuhet një ditë. Prandaj, ky roman është më tepër një libër kujtese, e bash për këtë shkak, duhet lexuar dhe sjellë në vëmendje të dijesë letrare dhe më gjerë se sa kaq.
Sa për të krijuar një ide, mbi jetën, sakrificat dhe kontributin e tij, pa drojë mundet të thuhet se tek Gjokë Dabaj, bashkëlidhen dhe udhëtojnë bashkarisht:
Së pari: Në jetën e tij, ecën fati i një shtegtari, që me dhe pa dëshirën e tij, përshkon të gjitha hapësirat e gadishullit, si dhe të vetë trevave shqiptare, në të gjitha anët e kufirit, shqiptar-shqiptar. Fati i shtegtarit, të detyruar prej rrethanave të vështira dhe absurde, në mënyrë të habitshme, ndërlidhet me fatin e njeriut të përndjekur, për shkaqe politike, në shumicën e hapësirave ku jetoi dhe mbijetoi, në Mal të Zi, Kosovë apo Shqipëri. Megjithatë, fatet e hidhura dhe tepër të vështira, të shtegtarit dhe të njeriut të përndjekur për bindje, e sidomos për atdhedashurinë e shqiptuar në të gjitha herët, nuk e penguan dot gëdhendjen e fatit të burrit të paepur dhe të intelektualit të shquar. Në fakt të gjitha këto anë, gjurmë dhe tipare të jetës dhe kontributeve të shumta të Gjokë Dabajt, do të kërkonte kohë, shqyrtime të thelluara, analiza dhe interpretime për të gjitha fushat ku ka lënë gjurmë. Kuptohet që romani ‘Kriza e arkivistit’ është një shtysë e radhës vetëm sa për të hedhur një vështrim në jetën dhe ndihmesën e dhënë prej tij në kulturën dhe shkencën shqiptare.
– Studiuesi & shkrimtari, Gjokë Dabaj –
Së dyti: Figura e intelektualit, të palodhur dhe të vyer, vjen e qartë plotësisht në gjithë harkun kohor të jetës së tij, të jetuar intensivisht, kudoqë punoi, kudoqë dha mësim, por më së shumti ajo skalitet në disa fusha të shkencës dhe letërsisë. Kështu në lëmin e krijimtarisë, me librat e shkruar përveçohet si poet, në veprat – Ta kisha një forcë të madhe – poemë – Prush plagësh të pambyllura – poemë elegjiake për Masakrën e Tivarit, vlerësuar si një nga veprat më të arrira kushtuar asaj masakre. – Prush mbi ujë. Në fytyrën e rrallë të eciklopedistit që na vjen me librin me dy vëllime, Shestani – një studim filologjik gjithpërfshirës i krahinës së tij, që në vlerësimin e lexuesve dhe studiuesve, shënon veprën e jetës së autorit, librin që ka gdhendur në kujtesë krahinën e Shestanit. Në realizimin me sukses të plotë të një vepre gjuhësore-leksikografike, titulluar Fjalori i Selman Rizës – një vepër leksikografike me rreth 4000 fjalë, e përbërë kryesisht me neologjizma, vjelë nga vepra voluminoze e profesor Selman Rizës. Në hartimin e programeve të mirëfillta politike, se nga duhet të lëviz qenia shqiptare, për të realizuar idealet e bashkimit kombëtar dhe të përparimit të trojeve arbënore, që shpaloset dukshëm në librin ‘Strategjia e shqiptarëvet’ – manifest kombëtar që rreh të ndjekë gjurmën e Sami Frashërit, duke i parë Shqipërinë dhe shqiptarët nga lartësia e shekullit XXI. Në skicimin e plotë dhe të detajuar të sakrificave të shqiptarëve, që na zbulohet në faqet e librit ‘Në rrugë rrëziqesh me vetëdije’ – bashkautor me shokun e vet të punëve ilegale, Fadil Cukajn nga Kranja e Shkodrës. Në zbulimin e të vërtetës së madhe mbi qytetin e Tivarit, në veprën ‘E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së Tivarit’ – shqyrtim shkencor i një libri të autorit sllav Ivo Jovoviq, libër, i cili i ka marrë Gj. Dabajt 10 vjet kohë, jo vetëm për ta shkruar, por edhe për të përballuar pengesat e botimit.
Së treti: Vlerat e përveçme që bart dhe shqipton romani ‘Kriza e arkivistit’, shkruar me nerv dramatik, që edhe na mblodhi për ta promovuar. Ky libër jo rastësisht është botuar fillimisht në serbisht, dhe pas përkthimit të vetë autorit, e kemi në dorë edhe në gjuhën shqipe. Vlerat e lirbit, jo vetëm janë të shumta nga shpalimet, e thënies dhe të shprehësisë letrare, por ndërkaq të gjitha këto anë të pranisë së shenjave shkrimore, edhe do të kërkonin shqyrtime të posaçme, në të gjithë përbërësit e vetë. Është një tekst që të fut në një botë makabër, tepër të rënduar, të nginjur në tmerr dhe në genocidin e tejzgjatur serb, të shtrirë në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët, që zbulon në dritën e diellit natyrën e serbëve, me shumë gjasa shkatërrimin moral dhe mendor të tyre. Në pikëpamje strukturore dhe domethënëse, ky tekst përbëhet nga disa rrafshe:
– Hapësira e tekstit letrar, në thelbin e vetë shkrimor, që shenjohet përmes narrativës, që të ofron ngjarjet makabër, personazhe të shumtë dhe të çuditshëm, të cilët të fusin menjëherë në rrjedhën e veprës, në një mënyrë letrare befasuese, sepse ngjarjet janë vendosur në Beograd, aty ku është kisha dhe akademia e shkencave, dy laboratorët kryesorë të krimit. Kozmosi letrar zbulohet me anë të përshkrimit dhe fjalëve të personazheve, të botës së serbëve, që besojnë se janë të përzgjedhur që të vrasin dhe presin, të bëjnë çfarë të duan me të tjerët, e sidomos me shqiptarët, sepse besojnë se janë qenie më të ulta se sa ata. Veçanësia strukturrore lidhet me një rrethanë të grimcimit të episodeve, që ndjekin rendin e ditarit për të sjellë atmosferën e tmerrit, si dhe të ndarjes në dy hapësira, të dëshmisë letrare dhe të asaj faktike.
– Hapësira e romanit, ku vjen dëshmia reale ose faktikja, e arkivistit që përfaqëson faktologjinë e tmerrit të provuar mbi shqiptarët dhe banorët e tjerë të gadishullit, nga ana e serbëve, që duket se krijon hapësirën reale të ferrit të përjetuar, ku madje edhe lëviz dhe shqiptohet alarmi i autorit, shpalet para botës tragjedia dhe makthi i fajtorëve, që mendojnë se kanë të drejtë. Kujtesa e zezonës së përjetuar nga shqiptarët, si dhe verbëria e serbëve, që nuk duan që të pranojnë bashkëjetësën, vjen me anë të shënimeve të arkivistit, ku janë hedhur të gjitha aktet e shkatërrimit të shqiptarëve, të vrasjeve dhe zhdukjes së tyre, e megjithatë as kjo nuk ka bërë punë. Madje as rruga e asimilimit të tyre, sepse gjaku ruan energjinë e tyre, ruan atë që është e patjetërsueshëm, rrënjët e qenies.