BEHXHET SH. SHALA: KOSOVA, TOKË E ASKUJT, PLAÇKË E GJITHKUJT!

Prishtinë, 28.09. 2012 – Viti i Abetares Unike – Ne, pas 100 vjetëve shtetësie (shqiptarët) e kemi botuar Abetaren Unike! Dhe kemi festuar duke vallëzuar dhe kënduar në valle me presidentët, kryeministrat, ministrat, zyrtarët qeveritarë dhe joqeveritarë nga jugu, lindja, perëndimi dhe veriu deri te Laver Bariu! Prandaj, nëse i kemi parasysh këto fakte, nuk jemi edhe aq keq! Po i mësojmë shkronjat! Të tjerat më vonë. Pas 100, 200, 500 apo 1000 vjetëve. Nuk ka fort rëndësi!
Dy krahasime, dy përjashtime
Nëse nuk harroj me 15 dhe 16 dhjetor 1998 në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork mbahej një mbledhje ku diskutohej pranimi i organizatave joqeveritare si anëtare të Kuvendit të OJQ-ve të OKB-së e që është disi sikur sot kur pranohen shtetet e reja anëtare të OKB-së. Kuptohet se bëhej fjalë për segmentin joqeveritar të OKB-së. Gjithashtu, kuptohej se pranimi i KMDLNj-së në këtë Kuvend kishte refleksione politike prandaj politika ishte përcaktuese nëse KMDLNj do të pranohej si anëtare e barabartë apo se do të refuzohej ky pranim. Për ne që kishim kërkuar të pranohemi dhe që kishim marrë ftesën nga OKB të marrim pjesë në seancën ku do të shqyrtohej kërkesa jonë ishte shumë e rëndësishme të jemi aty sepse e përfaqësonim një popull të diskriminuar skajshëm, një vend të dhunuar dhe një territor në të cilin pregatitej gjenocidi në kohën kur veprimet luftarake kishin përfshirë thuaja tërë Kosovën. Ishte koha kur nuk kishim as përkrahje financiare e as politike për këtë udhëtim. Përkrahjen politike e kërkonim aty ku në fakt nuk mund ta kishim dhe ku nuk e patëm. Te Shqipëria. Përkrahjen materiale e kërkonim aty ku do të duhej ta kishim sepse kishte mjete. Te qeveria në ekzil (rezil). Edhe të parët, edhe të dytët na përkrahën sikur një lypës të rrugëve. Diplomati shqiptar mori pjesë në seancën e pasditës së ditës së dytë. Pasi u fal Bajrami (pasi u mor vendimi)! Ndonëse gjatë komunikimit premtonte se do të na priste dhe se do të ishte me ne tërë kohën. Qeveria në ekzil (rezil) na përkrahu me para që nuk mjaftuan as për dy bileta aeroplani në relacionin Beograd – Nju Jork në ndërkohë që shkërdhente pa mëshirë paratë e 3%. Me fjalë të tjera Fondin e 3% e shndërruan në Fond 100% personal. KMDLNj në takim në OKB e përfaqësonin dy vetë, unë në cilësinë e sekretarit dhe Ismet Bërdynaj, anëtar i Kryesisë dhe njohës i shkëlqyeshëm i gjuhës angleze. Dhe jo vetëm i gjuhës angleze. Njeri me kulturë të gjerë, admirues i veprave të Shekspirit, sharmer dhe gjithashtu njeri me një sens të zhvilluar diplomatik. Dhe me përvojë të gjatë përfaqësuese meqë kishte përfaqësuar KMDLNj në punët e Komisionit dhe Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së në Gjenevë. Në mungesë të fondeve u detyruam të shkojmë te shqiptarët mërgimtarë që nuk kursenin asgjë gjatë qëndrimit tonë atje. Në Gjenevë për vite me radhë ia kemi ”rrjepur lëkurën” veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare dhe aktivistit për të drejtat e njeriut, Arif Ejupit i cili ndonëse jetonte me ndihma të shtetit zviceran për muaj të tërë ofroi mikëpritje për delegacionin e KMDLNj duke hyrë edhe borxh me të vetmin qëllim që delegacioni të ndjehej sa më mirë. Arifi nuk i kishte as shëndetin e as paratë për këtë. Sot, kontributin e Arif Ejupit nuk e vlerëson fare shteti i Kosovës përfshirë këtu Ministrinë e Diasporës e cila i detyrohet shumë! Ministri e Diasporës ???!!! Në Nju Jork mikëpritje na ofroi për 12 ditë Afrim Shala, Patrik Avenju, Bronks. Në banesën e tij të vogël që e kishte me qira. Na ndihmuan shumë edhe Bërdynajt e Radavcit që punonin në Menhetn. Në veçanti Fahri Bërdynaj. Por edhe gjithë shqiptarët e tjerë. Sa për Qeverinë në ekzil (rezil) do t’i binim fyellit! Përkrahjen politike gjatë seancave na e dha 100% Ambasadori i Turqisë i cili ishte avokat i KMDLNj dhe Kosovës. Ai i Shqipërisë dukej se kishte punë më të ”rëndësishme“. Kundër pranimit të KMDLNj në Kuvendin e OJQ-vë të OKB-së ishin Kuba, India dhe Kina. Diplomati i Jugosllavisë së Zhablakut nuk kishte të drejtë të fliste prandaj ishte afër nesh dhe fliste me ne. Mirëpo tërë kohën lobonte në korridor kundër dhe ia doli që të mos e lejonte pranimin e KMDLNj-së. Dhe pati sukses.

……………………………………..

Shtojcë e pashtriku.org

Përfaqësuesit politik të Kosovës (kështu i cilësonte Ban Ki Mun) në takimin që pati me Atifeten dhe Hashimin në selin e OKB-së, më 23.09. 2012! 

………………………………………….

Për në Nju Jork kishte udhëtuar një Batalion përfaqësuesish të Kosovës dhe ky batalion vendoset në Hotelin më të shtrenjtë në Nju Jork! Klikoni që të bindeni edhe ju:
http://orainfo.com/?p=39336
Për në NJu Jork kishte udhëtuar i madh e vogël (nga qeveria dhe presidenca), madje edhe burri pa kurorë i presidentes! Klikoni që të bindeni edhe ju:
http://orainfo.com/?p=38588

=================================

* * * 
Në muajin shtator të vitit 2012 një delegacion i madh i Kosovës mësyu selinë e OKB-së në Nju Jork për të marrë pjesë në një seancë dhe për të “lobuar“ për njohje të shtetit të Kosovës. Në fakt ishte sikur një invazion dikur i hunëve, osmanëve apo mongolëve. Nuk shkuan vetëm drejtuesit e institucioneve që do të kishte një kuptim por edhe shpura e tyre që e bënte më “madhështore“ këtë vizitë! Sidomos fotografët dhe gazetarët pa të cilët historia jonë e re do të mbetej krejt e varfër! Sepse, ndryshe nuk do të dinim se presidentja është takuar disa sekonda me Barak Obamën. Se kryeministri qenka takuar me baroneshën Ashton pas së cilës morëm lajmin se duhet të bëhemi gati të marrim disa vendime të vështira dhe të rënda. Jemi mësuar më me këto vendime. Na është trashur lëkura. Na është bërë si e elefantin. Sidomos politikanëve. Mendoj se këta që kanë vendosur t’i bëjnë rrush e kumbulla ato para është dashur të shfaqin një keqardhje apo mëshirë për 60% të papunët dhe 70% të të varfërve që mbijetojnë falë asistencës sociale. Kjo është skajshmërisht e pamoralshme dhe se dikush duhet të jepë përgjegjësi për shpenzimin e mjeteve sipas modelit të Ali Babës me 40 shokë! Madje, edhe nëse në atë seancë të OKB-së do të pranohej Kosova, delegacioni do të duhe të ishte më modest. Përkah numri dhe shpenzimeve të bëra! Zyrtarët shtetërorë do të duhej të tregoheshin më të mëshirshëm dhe më të kujdesshëm për shpenzimin e parasë publike edhe nëse do të shfrytëzonin mjete nga buxheti i Serbisë , shtet ky që po mundohet të na shkatërrojë në çdo mënyrë e lëre më ato të buxhetit të Kosovës që është buxhet social krahasuar me buxhetin e çdo shteti evropian. I tërë buxheti vjetor i Kosovës është sa çmimi i lojtarit të Barcelonës, Lionel Mesi! Është shumë e vërtetë se në Kosovë, pas përfundimit të luftës, të gjitha garniturat e pushtetit paranë publike të buxhetit të Kosovës e kanë konsideruar si para të xhepit! Si pronë private! E kanë privatizuar Kosovën për nevoja të tyre dhe llaskucëve të tyre. Servilëve të tyre! E kanë shndërruar Kosovën në tokë të askujt dhe në plaçkë të gjithkujt!
Hezitime për bisedime
Subjektet politike në Kosovë tërë energjinë e tyre po e shpenzojnë për çështjen pro ose kundër bisedimeve me Serbinë! Për diçka që nuk i pyet askush dhe për çka nuk vendosin fare! Për diçka që kanë vendosur ata krijojnë shtete apo shkatërrojnë pushtete! Ata që formojnë qeveri, legalizojnë votën e vjedhur e që përmes PTK-së zgjedhin presidentë. Me sms apo në mënyrë partizanqe me zarfa! Ata që metoda të alkimisë së stupcit injorantin e ambalazhojnë si të ditur, kriminelin si bëmirës, hajdutin si roje të thesarit, pakurrizorin si shtyllë çeliku, të pamoralshmin si predikues morali, spiunin si atdhetar, të korruptuarin në mbrojtës të ligjit etj. Me një fjalë, ata kanë marrë një vendim! Edhe për bisedime politike, seksuale, teknike, apokaliptike. Edhe për veriun e Kosovës. Edhe për jugun, lindjen, perëndimin, qendrën, epiqendrën etj. Na i kanë prerë teshat dhe i kemi vetëm dy mundësi. Ose t’i veshim kështu si na i kanë prerë ose të mbesim lakuriq! Me prapanicë të cullakosur! Këta që kanë vendosur për bisedime i mbajnë këta në pushtet dhe nuk lejojnë të vijnë në pushtet ata që janë kundër bisedimeve! Këta të vendit që janë pro bisedimeve me Serbinë e bëjnë këtë pasi janë mbështetur për muri e që janë në pushtet apo ata që janë në opozitë e duan të bëhen pjesë e pushtetit! Këta që kundërshtojnë bisedimet nuk janë të sinqertë sepse duhet ta vënë në peshojë (pa) fuqinë e tyre! Dhe, po të ishin në pushtet sigurisht se do të vepronin njëjtë si këta që janë sot në “pushtet“. Dhe këtu qëndron josinqeriteti i tyre! Botërisht përdorin një retorikë atomike (të fortë) ndërsa kur të takohen me ATA lëshojnë pordhë që prodhojnë vetdridhje tektonike! Ata që merren seriozisht me politikë asnjëherë nuk e kërkojnë të pamundurën. I marrin parasysh mundësitë por edhe kushtet që e rrethojnë përkatësisht faktorët e jashtëm dhe të brendshëm. Politika nuk është rrugë njëkahëshe e cila rëndom përfundon në udhë qorre! Asnjëherë nuk kam pasur dilema nëse do të ketë bisedime politike me Serbinë. As për statusin e Veriut. As për rezultatet e këtyre “bisedimeve“! Por, kam qenë i sigurt dhe jam i sigurt se kufijtë e Kosovës nuk do të ndryshojnë! Jo se nuk e lejojmë këtë por se nuk e lejojnë ata që duan të forcohen shqiptarët dhe Shqipëria. Ndërkombëtarë dhe shqiptarë! Sikur që me një hu nuk thurret gardhi, me një Ismet (Beqiri) nuk mbrohet Kosova! Por, definitivisht Kosova ka ardhmëri të sigurt! Në bashkimin me Shqipërinë për të cilën nuk e kam as mëdyshjen më të vogël!
Duket se do të shpëtojmë edhe nga kijameti
Adem Demaçi apo “crasy Baca “ siç e quajnë patriotët e devijuar dhe titistët në patriotë të konvertuar ka të drejtë kur thotë se Zoti i paska dashur shumë shqiptarët kur i ka ruajtur nga asimilimi gjatë robërimit me shekuj. Zoti na donë edhe sot se sa për mend që i kemi dhe punën që e bëjmë shumë pisk do t’i kishim punët! Thuhet se shenjat e para se jemi para kijametit apo përfundimit të botës janë: hajvanati i qëndrueshëm, lindja e fëmijëve dhe budallenjt! Përkundër disa parashikimeve apokaliptike për shkatërrimin e botës në Kosovë duhet të ndjehemi të sigurt. E kemi përtrirë fondin e hajvanatit. Nataliteti është në rënie që është parashenjë alarmuese për kijament. Por, që të sigurohemi se në Kosovë nuk do të ketë kijamet mjafton fakti se numri i budallenjve është në rritje! Garanci më të mirë nuk mund të gjeni!
Vërtetë jemi rast sui generis
Thuhet se Kosova është rast sui generis. Për çdo gjë. Madje edhe në fushën e arsimit, edukimit dhe zhvillimit! Ne nuk jemi sikur popujt e tjerë! Si amerikanët, gjermanët, kinezët apo japonezët. Të cilët humbin kohë së koti duke kërkuar burime të reja të energjisë. Që merren me sofistikimin e teknologjisë informative dhe klonimin e njerëzve. Që kërkojnë hapësirë për kushte jete edhe në Mars. Ne merremi me gjëra praktike. Të prekshme me dorë dhe që shihen me sy! Ne, pas 100 vjetëve shtetësie (shqiptarët) e kemi botuar Abetaren Unike! Dhe kemi festuar duke vallëzuar dhe kënduar në valle me presidentët, kryeministrat, ministrat, zyrtarët qeveritarë dhe joqeveritarë nga jugu, lindja, perëndimi dhe veriu deri te Laver Bariu! Prandaj, nëse i kemi parasysh këto fakte, nuk jemi edhe aq keq! Po i mësojmë shkronjat! Të tjerat më vonë. Pas 100, 200, 500 apo 1000 vjetëve. Nuk ka fort rëndësi!

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura