BEHXHET SH.SHALA: MOS ËSHTË PAK; VETËM NJË NJERI PËR VERI!

Prishtinë, 22. 05. 2012 – …Thaçi nuk është as hardhucë, zhapin e lëre më bretkocë. Ai mbanë nofkën gjarpër. Në rastin e veriut, ndonëse me nofkën Gjarpër ai nuk do të pranojë ta gëlltisë i vetëm veriun. Përkundër metabolizmit të fuqishëm, i vetëm nuk do të jetë në gjendje ta bluaj ate. Prandaj edhe do ta ndajë me të tjerët. Dhe këta nuk do të kenë mundësi të refuzojnë këtë ndarje. Botërisht do të kundërshtojnë ndërkaq realisht e kanë pranuar. Edhe përkundër faktit se do të ndahemi të lagur për veriun, do të deklarohemi se jemi fitues. Sepse, edhe sipas Koelhos “Fitimtari është i vetëm“. Humbës nuk ka.
Gjarpri, bretkocat dhe kameleonët
Është një fenomen që i bashkon këta dy pjesëtarë dikur të së njëjtës familjeje. Zvarranikëve. Gjatë proceseve evolutive është bërë një diferencim dhe rolet kanë ndryshuar. Gjarpri ka luajtur një rol dhe ka pasur domethënie të veçantë, edhe te shqiptarët por edhe te popujt e tjerë. Bretkoca thuaja ka mbetë personazh vetëm në filmat e vizatuar, pa luajtur ndonjë rol në proceset politike apo historike. Sot, kur flitet për bretkocën mendohet për një burrec frikacak të cilit i rrahë zemra me një ritëm të përshpejtuar edhe para një rreziku shumë të vogël. Ose për një person që për një interes të vogël përjarget deri në neveri! Sikur disa politikanë injorantë aktual kosovarë! Të cilët përjargen dhe përqyrren para Gjarprit sikur në përrallat e Hafuz Ibn Leshit. Gjarpri është karakter, pamje dhe përmbajtje krejt ndryshe nga bretkoca. Është gjakftohtë dhe nuk të kafshon pa qenë i sulmuar. Ka qenë simbol kulti te ilirët e lashtë dhe mbrojtës i shtëpisë te shqiptarët e lashtë (në mungesë të shqiptarëve të rinj). Helmi i gjarprit mund të të sjellë vdekjen por edhe shërimin! Është në korrent me modën sepse ndërron shpesh lëkurën. E ka një metabolizëm të jashtëzakonshëm sepse e tretë ushqimin për muaj të tërë. Mund të gëlltisë gjahun që është me peshë disa herë më i rëndë se vet gjarpri. E ka shumë të zhvilluar mekanizmin e mbijetesës dhe përshtatjes. Mirëpo, në rast se parasheh rrezik për jetën është në gjendje ta nxjerr jashtë gjahun e gëlltitur (ta vjellë ate) dhe të lirohet nga kjo barrë e domosdoshme për mbijetesë por tash e shndërruar në pengesë për të lëvizur shpejt duke e rikthyer shpejtësinë e dikurshme. Dhe kështu shpëton. Deri në gjahun tjetër. Gjarpri e vulosi fatin e Kleopatrës pas katrahurës së pësuar me Mark Antonin. Përkatësisht pickimi apo kafshimi i kobrës ishte përcaktues për fatin e Kleopatrës sikur që kafshimi i kobrës (Kleopatrës, një dashnore pasionante) ishte përcaktues për fatin e shumë perandorëve të asaj kohe . Po, kjo nuk ka të bëjë fare me realitetin sot në Kosovë. Fatmirësisht në Kosovë nuk ka gjarprinj të rrezikshëm. E lëre më kobra. Janë do gjarprinj të livadheve, lumenjve apo gjarprinj të rrugës. Kryesisht, për shkak të evoluimit politik janë shndërruar në hardhuca, zhapinë apo kanë bërë një diversion evolutiv duke u shndërruar në bretkoca. Por, definitivisht në Kosovë më së shumti ka kamelonë që për një interes shumë të vogël ndryshojnë bindjet politike, karakterin, ngjyrën madje edhe përkatësinë kombëtare.

Ngjashmëritë e Hashim Thaçit me Hundrakun – gjarprin më helmues në Europë!

__________________________________________

Çka të thuhet më për veriun
Nuk ka ndarje të Kosovës apo ndryshim të kufijve. Nuk ka autonomi e as status special për veriun. Nuk do të bisedohet me strukturat paralele të krininalizuara. E ndërrojmë veriun me Luginën. Nëse tentohet të dhunohet Pakoja e Ahtisarit (e cila pariparueshëm e ka dhunuar funksionalitetin e shtetit të Kosovës) atëherë sipas efektit domino do të bien gjashtë shtete të Ballkanit. Nuk ka satus të Tirolit, Tajvanit, model të dy Gjarmanive e të tjera ndarje dhe ngjarje. Nuk do të bisedohet me Serbinë për veriun. Ky është përkushtimi deri në “flijim“ i politikanëve të vendit Këta janë muskujt politikë të udhëheqësve të vendit që përdoren njëanshëm. Për qytetarët e Kosovës.
Serbët e veriut nuk e pranojnë autoritetin e Prishtinë dhe kurrë nuk do t’i pranojnë institucionet e ashtuquajtura të shtetit të Kosovës. Veriu por edhe Kosova është tokë serbe. Dhe e tillë do të mbetet. Kosova nuk është e pavarur dhe asnjë marrëveshje nuk mund të arrihet pa pëlqimin e Beogradit. Kështu thonë Serbia dhe Rusia. Dhe Karl Bild , gjithashtu. Edhe shumica e diplomatëve pasi ta kenë përfunduar mandatin e tyre.
Qeveria e Kosovës nuk po u qaset në mënyrë konstruktive serbëve të veriut. Duhet një plan tjetër për bisedime. Duhet një ofertë më serioze. Nuk bëhet kiameti nëse planit ekzistues së Pakos së Ahtisarit i shtohet një plus apo, nëse është nevoja edhe disa pluse. Kështu po thonë Zhbogari, Fitu, Lajçaku, Fejti dhe drejtori ekzekutiv i OJQ-së të quajtur KFOR, z. Drus. Për t’u mos zgjeruar më shumë e keni të qartë se janë tri qëndrime. Në fakt duket se janë dy qëndrime. Ai i “forti“ i palës kosovare dhe ai i dyti apo “konstruktivi“ i palës serbo – ruse dhe ndërkombëtare. Të gjitha zhvillimet tregojnë se do të ketë vetëm një qëndrim. Ai i palës ndërkombëtare që brenda e ka propozimin serbo – rus dhe në të cilin do të shkrihet si një “fjollë” bore qëndrimi i “fortë” i palës kosovare. Në këtë gjurulldi diplomatike dhe politike pala kosovare është e hendikepuar. Ai që ishte mbret i veriut, Yl-beri u bë diplomat. Me-rati si mjeshtër i penës dhe konspiracioni po e zbaton patriotizmin parlamentar. Zezdita është ngrirë pasi e humbi Bor-kën. Gjet Macolli me firmën e tij “shverc – komerc“ po e lavron Afrikën dhe me paratë e Buxhetit të Kosovës, si bëmirës që është po ua kthen borxhin kurvave politike dhe mediale që e ndihmuan të bëhet president edhe për mandat të një fluture. Me konstruktivitet, sinqeritet dhe pozitivitet po e shpërblen Pushikarin, Mentorin dhe bythëlëpirësit tjerë. Në fakt, kjo është vërtetim se “faturat e dallaverxhinjve vonohenë por gjithmonë e gjejnë adresën e duhur“.
Tash, unë si laikë në politikë shtroj një pyetje. Pse duhen propozime, plane apo zgjidhje të reja nëse Ahtisari është ende gjallë ?! Pse duhen të mërziten diplomatët në Bruksel, Washington dhe ata në Prishtinë për veriun nëse nuk duan ta ndryshojnë Ahtisarin? Si naiv që jam besoj se çështja e veriut do të zgjidhet definitivisht dhe botërisht deri në vitin 2013 ndonëse jam i sigurt se 90% të punëve kanë mbaruar. Përmbajtja dihet prandaj duhet një ambalazhim që të jetë i pranueshëm për qytetarët e Kosovë. Në këtë drejtim po punojnë ndërkombëtarët. Prandaj u duhet edhe një ekip për garantimin dhe zbatimin e kësaj “marrëveshjeje“ historike. Koalicioni aktual PDK me pakica (AKR + pakicat tjera) nuk mjafton prandaj duhet një koalicion më i gjerë. Në të cilin të gjithë do të dilnin të “lagur“. E di se LDK por edhe disa ”skifterë“ të AAK që sapo kanë dalë nga vezët po mbajnë qëndrim të “vendosur“ që të mos jenë pjesë e “vendimmarrjes“ për veriun. Lëvizja “VETËVENDOSJE!” nuk po pyetet më për asgjë. Është në embargo ndërkombëtare dhe të brendshme. Me synim që të eliminohet krejtësisht apo të relativizohet maksimalisht si lojtar në këtë skenë politike. Por LDK dhe AAK nuk kanë nga të ikin. Kanë hyrë brenda në restoranin “Liburnia“ ku u kanë mbushur cullën prandaj edhe duhet të paguajnë një çmim. Këto dy subjekte politike janë vënë në pozitën e një femre që ka vendosur të ngelë shtatzënë por jo në mënyra klasike siç e ka lënë Zoti por si shën Mëria që ka mbetur shtatzënë duke ruajtur virgjinitetin. LDK dhe AAK e kanë humbur “virgjinitetin” në takimet dhe flirtet e çastit dhe të “fshehta” të mbrëmjeve romantike në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës ndërsa dollinë e ngrenin në “Liburni“. Si dikur ilirët e lashtë pasardhës së të cilëve janë edhe këta. Pastaj, definitivisht nuk mjafton “vetëm një njeri për veri“. Qoftë ky edhe vet kryeministri Hashim Thaçi i cili, për momentin është lojtar i pazëvendësueshëm. E si të mos jeshë i pazëvendësueshëm nëse ke trajner si Kristofer Dell Guardiolën, Piter Fejt Murinjon Katrin Eshton Fergusonin dhe trajnerë të tjerë të cilët i kanë fituar të gjitha lojërat në futboll-politikë në shumë raste duke bërë trukimin (kurdisjen) e rezultateve. Kosova është rast eklatant ku trukimi (kurdisja) është treguar i suksesshëm 100%. Përparësitë e Thaçit janë të mëdha. Është i ri, sharmant, vishet mirë dhe është xhonglerë i paparë. Vetëm ky ka mundur ta bëjë Macollin president. Dhe vetëm ky ka mundur ta lëshojë për tokë pas 45 ditëve Macollin. Ndonëse ka mbaruar historinë Thaçi është i specializuar për ortopedi. Me saktësi të 100% e qëllon se cilin asht (koskë) duhet t’i hedhë personit të duhur i cili pastaj e lëpinë atë asht. Për një kohë të caktuar. Dhe për këtë kohë i shërben qenqe ortopedit Thaçi. Vetëm pasi të ketë mbaruar lëpirja e ashtit fillon të lehë kundër pronarit të ashtit! Deri këtu ka rënë morali politik dhe ai tjetri! Cili ke ai tjetri?! Dhe, definitivisht Thaçi nuk është as hardhucë, zhapin e lëre më bretkocë. Ai mbanë nofkën gjarpër. Në rastin e veriut, ndonëse me nofkën Gjarpër ai nuk do të pranojë ta gëlltisë i vetëm veriun. Përkundër metabolizmit të fuqishëm, i vetëm nuk do të jetë në gjendje ta bluaj ate. Prandaj edhe do ta ndajë me të tjerët. Dhe këta nuk do të kenë mundësi të refuzojnë këtë ndarje. Botërisht do të kundërshtojnë ndërkaq realisht e kanë pranuar. Edhe përkundër faktit se do të ndahemi të lagur për veriun, do të deklarohemi se jemi fitues. Sepse, edhe sipas Koelhos “Fitimtari është i vetëm“. Humbës nuk ka.
Brukseli votoi për Nikoliqin
Në një shkrim timin para zgjedhjeve në Serbi pata shkruar se Nikoliqi do të mund Tadiqin në garë për president dhe se për Kosovën është më mirë që çetniku i sinqertë Nikoliq të bëhet president se një çetnik i pasinqertë të fitojë edhe një mandat siç është në fakt Boris Tadiq. Boris Tadiq nuk i humbi zgjedhjet për shkak të dështimit në ekonomi apo në politikë. Më së paku shkaku i Kosovës. Kosovën për mjeshtri e përdori për t’u bërë pjesë e Evropës. Boris Tadiqit ia humbën zgjedhjet Brukseli. Duke e përkrahur me çdo kusht dhe duke e stigmatizuar Nikoliqin. Kështu, Nikoliqin e shndërruan në “mollë të ndaluar“ duke e bërë tërheqës për elektoratin serb. Sepse, politika përjashtuese e ndërkombëtarëve në Kosovë e cila i favorizon servilët dhe i eliminon të ndershmit duket se nuk ndez në Serbi. Pikërisht për këtë arsye votuesit serbë e dënuan Tadiqin dhe e votuan Nikoliqin. Ka gjasë që ndërkombëtarët duke e përkrahur shumë Tadiqin me qëllim e kanë eliminuar nga skena politike duke e ditur mentalitetin e votuesit serb. Ndërkombëtarët i konsiderojnë politikanët e Ballkanit si material shpenzues me afat të caktuar përdorimi pastaj i hudhin në shportë të hedhurinave. Rasti Tadiq është pikërisht dëshmi për këtë që e shkruaj. Çfarë do të bëhet me bisedimet?! Asgjë. Ato do të vazhdojnë në një nivel më të lartë. Serbinë mund ta përfaqësojë Tadiq. Tash ndoshta si kryeministër apo në një cilësi tjetër. Pse jo? Është e tmerrshme por e vërtetë se dinamikën e proceseve politike dhe të tjera në Kosovë po e cakton Serbia. Me ndihmën 100% të ndërkombëtarëve. Kosova është jashtë loje. Po flet me vetveten! Por, në aspektin strategjik koha po punon për Kosovën dhe shqiptarët! Për këtë nuk kam fare dyshim!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura