Prishtinë, 4. 11. 2016: Siç është e njohur, shqiptarët jetojnë në trojet e tyre etnike në 6 shtete të Ballkanit. Ky fakt vetvetiu shtyn secilin të pyes se pse shqiptarët erdhën në këtë situatë? Dhe pse shqiptarët por edhe popujt tjerë edhe pse jetojnë në trojet e tyre etnike nuk jetojnë në një shtet kombëtar është një çështje historike dhe komplekse, andaj nuk do të provojmë ti japim përgjigje këtu, përkundrazi në vend të këtij vështrimi eventual historik ne po mundohemi që të shohim përpara dhe të japim një vizion se si do të duhej të ecim përpara nga kjo gjendje e dhënë-faktike dhe të parashohim se cilat janë (mund të jenë) rrugët e mbrojtjes së interesave shqiptare në Ballkan që këto interesa të mos dëmtohen edhe më tutje.
Për mua është gati e habitshme që shqiptarët si komb dhe kështu të ndarë në 6 njësi shtetërore dhe në diasporë nuk kanë ndonjë platformë të integrimit të tyre ndërmjet veti në Ballkan, pra nuk kanë asnjë vizion se si e shohin ata të ardhmen e tyre të përbashkët, përkatësisht, të ardhmen e këtyre marrëdhënieve ndërshqiptare pas 10, 20 apo 50 vjetëve. Kam hulumtuar dhe vazhdoj të hulumtoj se a ka pasur vështrime apo studime të veçanta për këtë çështje, por ende nuk kamë hasur në ndonjë projekt apo hulumtim, i cili pretendon apo ka pretenduar të jap një pasqyrë të gjendjes së këtyre marrëdhënieve dhe aq më pak që të parashoh perspektivën e tyre afatmesme dhe afatgjatë. Në kushtet e një bashkëpunimi të hapur dhe intensiv ndërmjet këtyre 6 shteteve ku jetojnë shqiptarët, në kushtet e një gatishmërie të plotë të respektimit të të drejtave të njeriut, të drejtave të komuniteteve jo shumicë dhe të mungesës së çfarëdo diskriminimi kombëtar, detyrat e kësaj platforme do të ishin më të lehta, por në rastin e gjendjes së tanishme të këtyre marrëdhënieve këto detyra janë më komplekse por edhe më urgjente.
– Avokati Bejtush Isufi –
Disa pyetje mund të shtrohen që në fillim të këtij parashtrimi;
– a duhet të ketë një platforme të tillë?
Nëse po,
– kush do të duhej ta hartonte atë?
Dhe nëse platforma nuk është hartuar deri më sot
– a mundet dhe si mund të hartohet ajo?
Duke u nisur nga gjendja e marrëdhënieve ndërshqiptare sot, unë besoj se është me rëndësi vitale që shqiptarët në Ballkan të kenë një platformë të tillë dhe në këtë platformë po ashtu të përfshihet edhe bashkimi dhe mbrojtja e diasporës shqiptare. Se shqiptarët e ndarë dhe shpërndarë në 6 njësi shtetërore kanë arsye të shumta dhe të veçanta për të komunikuar dhe koordinuar veprimet e tyre e konsideroj një fakt të vetëkuptueshëm dhe të vetëmjaftueshëm. Është për të besuar se Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mund të realizojnë këto nevoja duke supozuar ekzistimin e qeverive demokratike në të dy vendet, por sa do të kenë gatishmëri në katër vendet tjera tona fqinje që të tregojnë vullnetin e tyre të mirë dhe të mjaftueshëm për mos penguar dhe kufizuar këto nevoja dhe të drejta legjitime?
Përgjigja ime është se duhet parë edhe të kaluarën për të parashikuar të ardhmen, por edhe duke mos paragjykuar këtë të ardhme, unë besoj fuqishëm në nevojën e kësaj platforme si një kusht dhe mundësi pa të cilin do të tregoheshim të pa pjekur, të pa përgjegjshëm dhe do të ballafaqoheshim me vështirësi dhe dëme të mëdha, prandaj për mua pyetja nuk ka të bej me faktin:
– a duhet por kush duhet të hartoj këtë platformë dhe kush mund ta zbatoj atë pastaj?
Siç thamë edhe më sipër, nuk mund të presim pajtim apo marrëveshje të qeverive të këtyre vendeve për të kuptuar dhe akomoduar këto nevoja jetike të kombit shqiptar, të ndarë në disa njësi shtetërore dhe po ashtu as nuk mund të pritet nga akademitë e shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës, e as nga të dy institucionet së bashku se do të zgjohen nga gjumi dhe do të ndërmarrin një nismë të tillë dhe të realizojnë një projekt të ngjashëm, por besoj se kjo mund të iniciohet nga shoqëria civile duke qenë e përkrahur nga të gjitha insitucionet publike. Një organizatë e tillë e cila do të hartonte këtë platformë (në kuptimin e gjer një lloj kushtetute) do të mund të ishte Kongresi botëror i shqiptareve, ashtu siç i kanë themeluar dhe organizuar këto kongrese disa prej popujve të Ballkanit. Duket se kjo formë organizimi kombëtarë është ngritur me qëllimin e komunikimit dhe përafrimit me diasporat e këtyre popujve. Kongrese të tilla me objektiva dhe misione të ngjashme kanë krijuar:
– kroatët,
– boshnjakët,
– maqedonasit,
– serbët dhe
– shumë më herët hebrenjtë.
Kongresi botëror i shqiptarëve duhet të jetë i veçantë prej kongreseve të deritashme të kombeve tjera në kuptimin që t’u jap përgjigje konkrete nevojave specifike të shqiptarëve në fillim të këtij shekulli, përkatësisht në epokën e globalizimit.
Nevoja kryesore e shqiptarëve është që ata edhe pse të ndarë në 6 njësi shtetërore të arrijnë të jenë të bashkuar shpirtërisht, ekonomikisht dhe strategjikisht. Te ne është folur dhe flitet më shumë vetëm për një segment të këtij problemi, atë të bashkimit politik të Kosovës dhe Shqipërisë.
Por çka do të ndodh me shqiptarët deri atëherë në 4 shtet tjera, a kemi ndonjë përgjigje?
Është e njohur se në marrëdhëniet ndërmjet popujve fuqia është njëri prej faktorëve që përcakton këto marrëdhënie, ndërsa njëri prej parimeve themelore në rastin e marrëdhënieve ndërmjet pjesëtarëve të një kombi është solidariteti. Me çlirimin e Kosovës u lëviz një gur i madh në zgjidhjen e çështjes shqiptare, por për fat të keq para se të çlirohej Kosova, shqiptarët në ish Jugosllavi ishin ndarë tashmë edhe në tri shtete tjera. Shqipëria dhe shqiptarët e Kosovës kanë detyrë dhe përgjegjësi ndaj pjesës tjetër të shqiptarëve të cilët mbetën të jetojnë në Maqedoni, Serbi dhe Mal te Zi. Dhe ky detyrim solidariteti, në të njëjtën masë ka të bëj me Shqipërinë ndaj Kosovës. Me një fjalë në këto marrëdhënie duhet të dominoj solidariteti vëllazëror për dallim nga marrëdhëniet ndërmjet kombeve ku vlejnë rregulla tjera si fuqia, konkurrenca, aleancat dhe rrethanat tjera.
Në fillim të viteve 90-të duke e pritur shthurjen e ish federatës kishte një përpjekje që të mbrohen interesat e shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe për këtë qëllim u themelua Këshilli koordinues i partive politike në Jugosllavi. Kjo ishte një shkëndijë e përpjekjes, vetëdijes dhe pjekurisë politike, solidaritetit dhe bashkimit të fuqive (një “conditio sine quo non”) për të fituar lirinë, emancipimin, zhvillimin dhe konsolidimin afatgjatë të shqiptarëve. Ajo që ngjau me vonë është e njohur për të gjithë.
Sot, në fillim të shekullit XXI, kemi një realitet të ndarjes së shqiptarëve, një gjendje të njohur dhe legalizuar ndërkombëtarisht, prandaj edhe përkundër efekteve tragjike të këtyre kufijve ata janë aty dhe nga perspektiva e sotme ne duhet të shohim se si do të mund ti relativizojmë ata pa e kontestuar sovranitetin e këtyre shteteve (brenda rendit juridik ndërkombëtar) me qëllim që nevojat dhe kërkesat legjitime shqiptare kudo ku ata jetojnë në trojet e tyre etnike të mos kufizohen apo edhe rrezikohen. Në përputhje me të drejtën ndërkombëtare publike dhe të drejtat e garantuara në botën e sotme të globalizuar, shqiptarët munden nëse duan dhe janë seriozisht të preokupuar me të drejtat dhe interesat e tyre nacionale që ato ti mbrojnë me komunikim, bashkëpunim dhe koordinim në pajtim me aleatët e tyre dhe në mirëkuptim edhe me fqinjët.
Siç e kemi të njohur, në mungesë të gatishmërisë së fqinjëve tonë, të gjitha zonat kufitare janë të pazhvilluara, sepse ende ato shihen si vija të ndjeshme, e jo si hapësira bashkëpunimi. BE-ja ka zhvilluar programe të sofistikuara të zhvillimit të rajoneve ndërshtetërore, ndërsa Presheva, Gjilani dhe Kumanova edhe pse janë në faqet e të njëjtës bjeshkë nuk e kanë tërhequr as një vizë të vetme të parashikimit të bashkëpunimit ndërmjet tyre, siç nuk e kanë bërë as Prizreni dhe Tetova apo Bajram Curri dhe Gjakova. Ne nuk duhet të krijojmë mure të reja, sepse i kemi tashmë në të gjitha anët, e as ti lartësojmë apo zgjerojmë ato që janë, por përkundrazi ato duhet të kthehen në pika bashkëpunimi deri në relativizmin e tyre si rezultat i mirëbesimit dhe integrimit. Stabiliteti, zhvillimi, paqja dhe largimi i frustrimeve nga e kaluara duhet të arrihet me guxim, drejtësi dhe zbatim të ligjit të brendshëm dhe ndërkombëtar. Dallimi themelor në detyrat e Kongresit botëror të shqiptarëve nga Kongreset e kombeve tjera do të jetë detyra e integrimit të trojeve etnike në Ballkan, jo duke rrënuar kufijtë ekzistues por duke relativizuar ata në maksimum, duke pasur për bazë proceset botërore të lirisë dhe globalizimit, të drejtat legjitime për afirmim dhe identitet, për zhvillim dhe komunikim, qarkullim të lirë të njerëzve, ideve dhe kapitalit në gjithë hapësirën evropiane, prandaj edhe në hapësirën shqiptare të Ballkanit.
Dimensioni i dytë i Kongresit do të jetë bashkimi i diasporës shqiptare, lidhja, komunikimi dhe ndërveprimi i sajë me trojet etnike, ndërsa dimensioni i tretë dhe i fundit do të jetë ai kulturor, emancipues dhe vetëdijsues i shqiptarëve të shekullit XXI. Detyra e Kongresit do të ishin ngritja e solidaritetit dhe vetëdijes kombëtare te të gjithë shqiptarët, që të mbajnë përgjegjësi për njëri tjetrin. Kongresi do të ishte organizatë ndërkombëtare, e cila përfaqëson Bashkësinë Shqiptare dhe organizatat apo shoqatat shqiptare, nëse këto të fundit i kanë dhënë asaj autorizimin për këtë. Kongresi si organizatë do të avokonte pranë qeverive të ndryshme, parlamenteve, organizatave ndërkombëtare, organizatave religjioze dhe organizatave tjera. Ai do të përfaqësonte pluralitetin e popullit shqiptar shtetëror, ideologjik, fetar etj., dhe si organizatë politikisht do të ishte absolutisht e paanshme. Kongresi do të paraqiste “armën diplomatike” dhe zërin e popullit shqiptar. Kongresi që nga themelimi i tij do të ishte aktiv në ndërmarrjen e iniciativave, duke avokuar për drejtësi për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë dhe trashëgimtarët e tyre; për të gjitha viktimat e konflikteve luftarake në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës si dhe trashëgimtarët e tyre; do të avokonte për drejtësi për të gjitha viktimat nga Çamëria dhe për trashëgimtarët e tyre, duke kërkuar kthimin ose kompensimin e pasurisë së konfiskuar të çamëve dhe negociuar marrëveshjet me qeverinë Greke; do të avokonte për realizimin e të drejtave civile për të gjithë mërgimtarët shqiptarë dhe do ti mbronte ata nga asimilimi.
Po ashtu, Kongresi do të punonte në vendosjen e komunikimit të përhershëm, intensiv dhe cilësor midis besimeve fetare si dhe në përforcimin e bashkëjetesës fetare, do të angazhohej në rritjen e solidaritetit ndër shqiptarë anembanë botës, do të siguronte të drejtat, statusin dhe interesin e shqiptarëve dhe do ti mbronte ato çdo herë kur ato të drejta refuzohen, dhunohen apo kërcënohen, do të inkurajonte dhe asistonte në zhvillimin kreativ të bashkësisë shqiptare në fushën shoqërore, religjioze dhe kulturore anembanë botës, do të përkrahte edukimin dhe ngritjen e vlerave kombëtare shqiptare si dhe të kontribuonte në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare. Më tutje, Kongresi do të ndihmonte shqiptarët në forcimin e identitetit të tyre kombëtar dhe të ballafaqimin me problemet politike, juridike, religjioze, kulturore dhe ekonomike; do të përfaqësonte dhe vepronte në emër të bashkësisë shqiptare si dhe të popullit shqiptar përballë qeverive, autoriteteve tjera qeveritare, organizatave ndërkombëtare dhe autoriteteve të tjera, organizatave jo qeveritare dhe religjioze; do të merrte pjesë dhe do të përkrahte dialogun e besimit dhe do të punonte vazhdimisht në ngritjen e vetëdijes publike në luftë kundër urrejtjes nacionale, fetare apo racore.
Organizata “Kongresi botëror i shqiptarëve” nuk është zëvendësim i qeverive por është vullnet popullor në emër të të cilit do të bashkëpunonte me qeveri, me popuj, organizata dhe individ, me synim të realizimit të qëllimeve të misionit të saj në frymën e paqes, lirisë, barazisë dhe të drejtësisë.
Përderisa fqinjët tanë (si në traditën e tyre më të “mirë”) hartojnë Memorandume të fshehta ku shteti së bashku me institucionet fetare, akademinë dhe shërbimin e inteligjencës hartojnë strategji të veçanta për të defaktorizuar dhe pushtuar popujt fqinjë, ne shqiptarët si qytetarë të lirë të Evropës dhe Botës do të duhej të punojmë hapur, me transparencë dhe fuqinë e argumenteve dhe të drejtave tona për të mbrojtur të kaluarën, identitetin tonë dhe interesat tona legjitime kombëtare kudo në trojet tona etnike në Ballkan, me mirëkuptim me fqinjët dhe bashkëpunim me aleatët.
– Autori është avokat me profesion dhe Koordinator i “Përkujdesjes shqiptare” me seli në Prizren.