BELGIN JASHARI …

BELGIN JASHARI …

Sulmi ndaj të riut Belgin Jashari është i papranueshëm, por jo arsye për politizim

Më 21 prill 2025, gjatë ndeshjes ndërmjet SHF. Arsenal dhe SHF. Fushë-Kosova (rezultat 1:1), ndodhi një incident i papritur dhe i dënueshëm. Në terren u shfaq Januz Faniqi, prind i një lojtari vendas, i cili e goditi me shqelm në vithe sulmuesin e djathtë të skuadrës juniore të  SHF.Fushë-Kosova, Belgin Jashari, pandonjë arsye.

Këtij incidenti i parapriu një mosmarrëveshje mes disa lojtarëve vendas dhe mysafirë, ku Belgin Jashari, minoritar ashkali dhe njëherësh golashënuesi më i mirë i skuadrës U-15 të SHF, Fushë-Kosova, ndërhyri me qëllim që ta shuante tensionin.

Për habinë e të gjithëve, në vend se të vlerësohej sjellja e tij paqësore, ai u bë viktimë e një veprimi të dhunshëm nga një prind i papërmbajtur.

Ky veprim, megjithëse i kryer në afekt, është në kundërshtim të plotë me parimet e sportit dhe me normat bazë të edukatës qytetare. Dhuna ndaj një fëmije, sidomos në një fushë futbolli që duhet të jetë arenë gëzimi dhe miqësie, është e patolerueshme dhe duhet dënuar moralisht dhe juridikisht.

Fatkeqësisht, disa media, duke përfshirë edhe televizionin Klan Kosova, filluan ta stërmadhojnë rastin dhe t’i japin ngjyrime politike. Në njërën nga studiot e këtij televizioni u ftua z. Veton Berisha, minoritar egjiptian, ndonëse rasti nuk kishte të bënte aspak me komunitetin e tij. Ky interpretim i gabuar vetëm sa nxit tensione artificiale.

Kurse, prindi i Belginit z. Nijazi Jashari, dha një shembull të maturisë qytetare: ai përshkroi rastin pa hiperbolizime, duke apeluar për tolerancë dhe mosdhunë në sport.

Nijaziu në fund të prononcimit të tij  deklaroi : “Nëse vazhdohet me dhunë dhe ofendime, edhe nëse janë në pyetje milionët, unë djalin tim do ta tërheq nga futbolli.”

Ky incident i izoluar nuk duhet të politizohet. Ai nuk është reflektim i ndonjë qëndrimi shoqëror apo politik ndaj minoriteteve, por veprim i një individi të papërgjegjshëm.

Klubi, trajnerët dhe bashkëlojtarët e Belgin Jasharit dëshmuan respekt dhe dashuri ndaj tij, duke e përkrahur fuqimisht si pjesë të pandashme të SHF. Fushë-Kosova.

Kosova ka shembuj të shkëlqyer të bashkëjetesës dhe respektit ndëretnik në sport. Mjafton të përmendim mbrojtësin e djathtë të KF Llapit, Nezir Halili, minoritar ashkali, që për më shumë se dy dekada u adhurua nga shikuesit llapjanë pa asnjë dallim.

Po ashtu, një minoritar tjetër ashkali ishte i ngarkuar me mirëmbajtjen dhe pastrimin e lokaleve dhe pajisjeve të klubit,Llapi. Ai ishte pavarësisht përkatësisë së tij etnike ishte i barabartë me të tjerët.

Përgjithësimi i gabimeve individuale nuk i shërben as sportit, as integrimit, as frymës së paqes. Është thelbësore të kuptohet se traumat dhe reagimet impulsive të individëve nuk mund të justifikojnë as urrejtjen, as përgjegjësinë kolektive.

Skena të ngjashme dhe të pakëndshme ndodhin edhe në futbollin evropian e botëror, ku ofendime dhe fyerje bëhen nga tifozë të pakulturuar. Por këto raste trajtohen si veprime të izoluara të individëve, jo si tipare të shoqërive të tyre.

Sot, më shumë se kurrë kemi nevojë t’i edukojmë fëmijët tanë në frymën e bashkëjetesës së ndërtuar me shumë sakrifica. Sepse edhe ne, shqiptarët, për dekada të tëra kemi qenë viktima të diskriminimit dhe urrejtjes nga serbo-sllavët.

Prandaj, është jo vetëm gabim, por edhe e rrezikshme, që një rast i izoluar si ky të politizohet ose të përdoret për t’i fajësuar kolektivisht shqiptarët e Kosovës.

ARIF  EJUPI

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura