GJOKË DABAJ: PROJEKT – STATUTI I PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE

Tiranë, 22 prill 2018: – Një komb pa përkujdesje, si një bimë e lënë në mëshirë të fatit –

 

 

 

I. QËLLIMI
1. Ruajtja e gjuhësh shqipe nëpërmjet përdorimit të saj të përditshëm: në familje, në shkollë, në vendbanime e vendtubime, në administratë, në libra e gazeta, në rrjetet socialë dhe kudo ku ajo është e duhet të jetë e pranishme. Kujdesi që gjuhën shqipe ta mësojnë dhe zotërojnë edhe pjesëtarë të kombevet të tjerë, ashtu siç mësojmë edhe ne shqiptarët gjuhët e tyre.
2. Ruajtja dhe kultivimi i të gjitha traditave të mira të Kombit Shqiptar: Ruajtja dhe kultivimi i folklorit shqiptar, i tekstevet të këngëvet popullore, i thënievet të urta popullore, i legjendavet, i gojëdhënavet, i përrallavet popullore, deri edhe i shprehjevet dhe idiomavet, që janë karakteristikë e dallueshme e gjuhës shqipe.
3. Ruajtja e vleravet dhe kultivimi i melosit popullor shqiptar, i muzikës sonë popullore, me gjithë larminë e saj ndërkrahinore, e cila është një pasuri nga më të mrekullueshmet e Kombit tonë. Kujdesi që dasmat shqiptare t’i ruajnë tiparet e vet të trashëguar, duke ruajtur e praktikuar çdo element e rit të tyre të mirë e të bukur dhe duke shmangur elementët që nuk janë të pëlqyeshëm.
4. Ruajtja dhe praktikimi i vallevet tona popullore të të gjitha krahinave. Transmetimi i tyre ndër breza të rinj. Praktikimi i lojëravet tona tradicionale zbavitëse.
5. Ruajtja dhe përdorimi, në raste të caktuar, i veshjevet tona popullore, në të gjithë larminë e tyre ndërkrahinore. Stilizimi modern i atyre veshjeve, pa cënuar tiparet tradicionalë të lashtësisë.
6. Kultivimi i tiparevet të tjerë etnokulturorë të Kombit Shqiptar, që nga përshëndetjet dhe shprehjet e mirësjelljes, në familje, në rrugë e në ambiente grupimesh, deri te nderimi ndaj të parëvet dhe ruajtja e kujtimit të tyre.
7. Ruajtja dhe kultivimi i arkitekturës sonë tradicionale. Kujdesi për të mos prishur ndëritmet dhe monumentet tanë ndërtimorë, të lashtë e të rinj, të të gjithë llojevet.
8. Ruajtja dhe kujdesi ndaj natyrës shqiptare, që nga formacionet gjeologjikë të vendevet ku jetojnë shqiptarët historikisht, deri te kujdesi dhe ruajtja e ambientit bimor dhe shtazor. Kujdesi ndaj ujëravet, ndaj detravet tanë, ndaj liqenevet, ndaj burimevet, ndaj lumenjvet. Dashuria për Atdheun shprehet edhe në mosdëmtimin e një lisi apo një ulliri.
9. Ruajtja dhe kultivimi i virtytevet kombëtarë (si dhe gjithnjerëzorë): mbajtja e fjalës së dhënë, të quajtur proverbialisht besa e shqiptarit, krenaria që je pjesëtar i një kombi shumë të lashtë dhe përdorues i një gjuhe nga më të pasurat e nga më të bukurat (natyrisht, pa kaluar në ksenofobi), çiltërsia në të shprehurit e mendimevet, nderimi ndaj të moshuarvet, nderimi ndaj prindërvet dhe kryerja e detyrimevet ndaj tyre, kujdesi prindëror ndaj fëmijëvet, përkrahja reciproke midis vëllezërvet dhe motravet, bashkëpunimi dhe ndihma reciproke midis shqiptarëvet kudo që ata ndodhen, afirmimi i vajzës e gruas shqiptare, trashëguese të tiparevet aq mbresëlënës të gravet të Ilirisë.
10. Mospajtimi me veset dhe me çdo lloj dukurie negative, si te vetja, ashtu edhe te të tjerët. Të ruajturit, që të mos na dalë nami i keq si shqiptarë. Mospajtimi me gënjeshtrën, mospajtimi me hajdutërinë, me grabitjen, me shfrytëzimin e dobësisë së tjetrit, mospajtimi me arrogancën, me sjelljen prej të forti, me lakminë ndaj parasë, ku hyn edhe vesi i ulët i pranimit korruptiv të ryshfetevet. Të luftuarit e çdo gjëje të ulët e të neveritshme te shqiptarët, sado që ato veti po aq të neveritshme mund t’i kenë kombet e tjerë.
11. Punë këmbëngulëse të përditshme kundër dukurisë së gjakosjevet njëri me tjetrin. Parandalim i përgjakjevet para se të ndodhë e keqja dhe gjykimi i arsyeshëm në rastet kur e keqja ka ndodhur. Themi gjykimi i arsyeshëm, sepse s’ke si e kërkon gjakun e djalit apo vëllait, kur ai është vrarë sipër gruas së tjetrit ose kur është vrarë duke grabitur shtëpinë e tjetrit.

12. Thelbi i Përkujdesjes Gjithshqiptare është prania e asaj Përkujdesjeje kudo ku ndodhen shqiptarët, brenda Atdheut, që nënkupton në të gjashtë shtetet ku sot jetojnë shqiptarët, dhe jashtë Atdheut, dhe në diasporë, qoftë të vjetër, arvanite a arbëreshe, qoftë të shekujvet të fundit. Thelbi i kësaj Përkujdesjeje, pra, është kompaktësimi vëllazëror i krejt Kombit, kudo që ai gjendet sot dhe kudo që mund t’i shpjerë jeta shqiptarët në të ardhshmen.
13. Përkujdesja Gjithshqiptare do t’i kushtojë vëmendje të veçantë librit shqip. Libri shqip ndahet në dy kategori: libri me autorë shqiptarë dhe libri i përkthyer në gjuhën shqipe. Që të dy llojet kanë rëndësi të madhe për kulturën shqiptare, por libri me autorë shqiptarë do të ketë përparësinë që i takon, sepse njohja fillon nga vetëvetja.
14. Përkujdesja Gjithshqiptare do të kërkojë bashkëpunim dhe bashkëveprim me të gjithë subjektet shqiptarë, kudo që ata veprojnë. Do të kërkojë bashkëpunim me qeveritë shqiptare dhe me organet qeverisës në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, në Republikën e Maqedonisë (a si do të quhet në të ardhshmen), në Republikën e Sërbisë dhe në Republikën e Malit të Zi.
15. Do të kërkojë bashkëpunim dhe mirëkuptim me përfaqësistë e bashkësivet fetare, me qëllim që veprimtara e tyre ta ruajë atë harmoninë e mrekullueshme që na e kanë krijuar Rilindësit, si një pasuri tonën shpirtërore nga më të vlefshmet, dhe me qëllim që mirëkuptimi tradicional midis shqiptarëvet me besime të ndryshëm të vazhdojë të konsolidohet.
16. Përkujdesja Gjithshqiptare do të punojë që veprimtaria e të gjitha shoqatave atdhetare, që sot ekzistojnë në shkallë kombi, të harmonizohet, duke pranuar një udhëheqje të vetme, pa i cënuar specifikat e secilës shoqatë.
17. Përkujdesja Gjithshqiptare do të veprojë në bashkëpunim të ngushtë me profesoratin shqiptar dhe me armatën e madhe të krijuesvet tanë të të gjitha fushave, prej të cilëvet kjo Përkujdesje shpreson të marrë një përkrahje të pakursyer e të gjithanshme.
18. Përkujdesja Gjithshqiptare do të përkujdeset me përkushtim të madh sidomos për fëmijët tanë dhe për rininë tonë, e cila do të jetë në të gjitha kohët shtylla më vitale e këtij organizimi të Kombit Shqiptar.
19. Tipar dallues i Përkujdesjes Gjithshqiptare do të jetë edhe nderimi dhe shkuarja mirë me të gjithë kombet e tjerë, virtyt ky që na e kanë kultivuar të parët tanë e në veçanti rilindësit. Ndaj fqinjëvet ne do të sillemi në mënyrën më korrekte të mundshme, duke u përpjekur që ata t’i njohin, edhe historinë tonë, edhe historinë e vet në raport me ne, me objektivitetin e domosdoshëm. Ne kemi bindjen që vetëm ashtu mund të shkojmë mirë njeri me tjetrin.
II. ORGANIZIMI DHE PËRHAPJA
1. Përkujdesja Gjithshqiptare do të ketë si bazë teorike mendimin shqiptar të pasqyruar ndër libra që kur njihet shkrimi në gjuhën tonë. Kuptohet, mendimin pozitiv dhe progresist, të përmbledhur dhe të botuar në një kolanë të posaçme, që unë po e quaj simbolikisht “Ungjilli Kombëtar Shqiptar”.
2. Përkujdesja Gjithshqiptare do të ketë një Kryesi, të organizuar në atë mënyrë që të mund ta realizojë përkujdesjen kudo ku banojnë shqiptarët dhe me afat të gjatë. Selia e saj është parashikuar të jetë në Prizren.
3. Ajo Kryesi duhet të jetë dhe do të jetë rigorozisht e përkushtuar ndaj interesavet jetikë të Kombit Shqiptar dhe Atdheut të shqiptarëvet, duke kultivuar te të gjithë ne vetëdijen se Kombi ynë është faktor i rëndësishëm paqeje e mirëkuptimi në gadishullin tonë.
4. Kryesia e Përkujdesjes Gjithshqiptare do të ketë nën varësinë e vet: një administratë në qendër dhe në terren njësitë vendore të Përkujdesjes Gjithshqiptare, të përhapura në të gjithë vendbanimet tanë, si brenda Atdheut, ashtu edhe në diasporë dhe që do të quhen Fjalëmira të Gjuhës Shqipe. Jo më kot ua kemi vënë emrin Fjalëmirë.
5. Për të garantuar mbarëvajtjen e punëvet dhe për të udhëhequr procedurat kundër çdo devijimi apo shkeljeje të mundshme, në kryeqendrën ku do ta ketë selinë Kryesia, do të mblidhet njëherë në vit një Këshill Kombëtar i Përkujdesjes Gjithshqiptare me kompetenca të përcaktuara mirë në projektin tonë.
6. Njësitë vendore të Përkujdesjes Gjithshqiptare, pra Fjalëmirat e Gjuhës Shqipe, janë organet e zbatimit në terren të programit tonë kulturor kombëtar. Ato do të jenë ndërtesa në të cilat do të kryhen të gjitha punët që i përcakton platforma e kësaj Përkujdesjeje. Në krye të secilës Fjalëmirë do të ketë një organizues të punëvet, sigurisht, njeri me arsim të lartë, i përgatitur gjithanësisht dhe i përkushtuar ndaj Kombit dhe Atdheut. I gjithë suksesi i Përkujdesjes Gjithshqiptare do të përcaktohet nga suksesi pikërisht e Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe.
III. FINANCIMI I PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE
1. Financimi i Përkujdesjes Gjithshqiptare do të bëhet mbi baza vullnetare prej krejt Kombit Shqiptar. Cilido shqiptar, kudo që ndodhet, e ka për obligim moral ta mbështesë Përkujdesjen Gjithshqiptare edhe financiarisht aq sa ka mundësi.
2. Në radhë të parë janë të detyruar (kombëtarisht dhe moralisht) të gjithë të pasurit shqiptarë për të kontribuar në mënyrë të rregullt në financimin e kësaj veprimtarie mirëfilli patriotike. Të pasurit shqiptarë duhet të dinë se, duke kontribuar në financimin e Përkujdesjes Gjithshqiptare, ata kontribojnë në kompaktësimin dhe forcimin e vetë Kombit të tyre e, rrjedhimisht, kontribojnë edhe në konsolidimin dhe jetëgjatësinë e ekonomisë së vetë atyre.
3. Në radhë të dytë dhe krahas të pasurvet, detyrim moral për të dhënë rregullisht një kontribut në të holla, kanë të gjithë pjesëtarët e tjerë të këtij Kombi, të cilësdo shtresë qofshin, të mesme apo të varfër, sepse të japësh diçka për mbarëvajtjen e Kombit tënd është një vepër e shenjtë. Është thënë e thuhet gjithandej: Kush bie dëshmor për Atdheun, shenjtërohet. Por këtu nuk kërkohet të biesh dëshmor. Këtu kërkohet të ndash sado pak nga të ardhurat e tua për të mirën e Atdheut dhe Kombit tënd.
4. Një ftesë të veçantë për të kontribuar, aq sa mundin, në mbarëvajtjen e Përkujdesjes Gjithshqiptare kanë personalitetet e shquar të shkencës, të kulturës, të artit, të sportevet, si dhe të shtetit e të politikës. Ka shumë rëndësi kur një politikan shqiptar ndan diçka për mbarëvajtjen e Kombit të vet edhe në këtë formë, në këtë rast, pa kërkuar privilegje e përfitime, personalë apo partiakë. Ka shumë rëndësi kur një shkencëtar, artist apo sportist, përveç kontributit që objektivisht jep në dobi të Kombit, po edhe të Njerëzimit, të ndajë një sasi prej të ardhuravet të veta në emër të një përkujdesjeje të veçantë dhe të specializuar kombëtare.
5. Kontribut financiar duhet të japin edhe organet shtetërorë, qeveritë qendrore të Republikës së Shqipërisë e të Republikës së Kosovës, deri te komunat e bashkitë shqiptare, dhe kjo, sepse, sa më shumë punë të kryejë Përkujdesja Gjithshqiptare, aq më lehtë do ta kenë qeverisjen qeveritarët e të gjithë rangjevet, pa marrë parasysh përkatësitë partiake.
6. Detyrime moralë për të kontribuar në financimin e Përkujdesjes Gjithshqiptare kanë, sigurisht, edhe ata njerëz të nivelit të lartë ose të mesëm, të cilët mund të jenë pjesë e organevet shtetërorë të shtetevet të tjerë, kudo në botë, por që e dinë se janë shqptarë ose se kanë prejardhje shqiptare. Po marrim vetëm dy shembuj: a.Në parlamentin turk të sotëm thuhet se ka rreth 50 deputetë me origjinë, të afërm ose të largët, shqiptare. Sa mirë do të ishte që ata deputetë të jepnin nga një kontribut simbolik në emër të mbarëvajtjes së Kombit të tyre të origjinës?! b.Në Çamëri ka nja 10 a 20 kryetarë të bashkivet, për të cilët dihet se janë me prejardhje shqiptare. Sa mirë do të ishte që ata kryetarë të bashkivet të ndanin diç nga rrogat e tyre e t’ia arkëtonin Përkujdesjes Gjithshqiptare dhe sa do të ndihmonte gjesti i tyre për ta forcuar besimin reciprok midis shqiptarëvet dhe grekëvet?! Por kjo, natyrisht, varet nga mënyra si do të veprojnë udhëheqësit e kësaj Përkujdesjeje.
7. Në menaxhimin e të ardhuravet financiare, të cilat, në të gjithë rastet vijnë nga kontributet vullnetarë, përgjegjësinë ekskluzive, morale dhe ligjore, e mban Kryetari i Përkujdesjes. Vetëm rigoroziteti i tij në aspektin financiar mund t’ia sigurojë jetëgjatësinë këtij institucioni themelisht kulturor dhe humanitar! Të gjithë përgjegjësit e tjerë janë nën vartësinë e tij, ndërsa ai, përgjigjet dhe jep llogari vetëm para Këshillit të Madh të Përkujdesjes.
8. Çdo sasi të hollash që hyn në fondet e Përkujdesjes në formë kontributi, është e detyrueshme të dokumentohet me shkrim dhe çdo sasi që shpenzohet është gjithashtu e detyrueshme të dokumentohet me shkrim. Vetëm kështu ky organizëm do të mund të quhet jofitimprurës, në kuptimin që, me punën e saj, administrata e këtij organizmi nuk realizon fitime për vete, me përjashtim të rrogës dhe të dietavet, që janë thjeshtë shpërblime pune.
9. Të ardhurat financiare të Përkujdesjes Gjithshqiptare do të përdoren kryesisht në këto fusha të veprimtarisë: a.Në pagesat e administratës. b.Në blerjen dhe mirëmbajtjen e objektevet, në qendër dhe në terren, sidomos të Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe, të cilat duhet të ndërtohen në çdo qendër banimi ku ka shqiptarë. c.Në blerjen e pajisjevet dhe të libravet. ç.Në krijimin dhe mirëfunksionimin e sektorit mediatik. d.Në dietat e udhëtimevet që lidhen vetëm me punën e Përkujdesjes.
IV. DISPOZITA TË VEÇANTA
1. Përkujdesja Gjithshqiptare është një institucion i përjetshëm, deri sa të ekzistojë Kombi Shqiptar, deri sa të ekzistojnë kombet e tjerë, që do të thotë, deri sa të ekzistojë Njerëzimi.
2. Kombi është një qenie që ekziston dhe, logjikisht, çdo qenie që ekziston ka nevojë për një përkujdesje të kualifikuar. Përndryshe, asaj i kërcënohen në çdo çast rrëziqe nga më të ndryshmit.
3. Anëtarë të Përkujdesjes Gjithshqiptare do të konsiderohen të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, brenda Atdheut apo jashtë Atdheut. Anëtarët e Përkujdesjes Gjithshqiptare mund të jenë aktivë dhe pasivë. Detyra e organevet të Përkujdesjes është, që të mbledhë rreth kauzës së vet sa më shumë anëtarë aktivë. Prandaj edhe duhet të krijohen sa më parë Fjalëmirat e Gjuhës Shqipe kudo ku është e mundur dhe kudo që ka më shumë nevojë.
4. Midis anëtarëvet të Përkujdesjes Gjithshqiptare, dmth brenda Kombit Shqiptar, ka edhe individë apo grupe individësh që veprojnë kundër Kombit të vet. Detyra e Përkujdesjes është që, ose t’i kthejë këta persona në rrugë të mbarë, ose t’i neutralizojë.
5. Ky projekt i Përkujdesjes Gjithshqiptare nuk mund të kombinohet as shartohet me asnjë projekt tjetër.
Gjokë Dabaj – Tiranë, 18 prill 2018.

***
Lexoni Projekt-Statutin e Përkujdesjes Gjithshqiptare në formatin PDF:
PROJEKT – STATUTI I PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE
Gjokë Dabaj
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/statuti%20i%20perkujdesjes%20gjithshqiptare.pdf

~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~
© Pashtriku.org, Prill 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura