Tiranë, 15. 06. 2015 – Jemi mësuar që heronjtë tanë të qëndrojnë vetëm në piedestal, të pamundur të mund të zbresin prej aty. Është kaq e vërtetë kjo, sa për vite të tëra, brezat e shqiptarëve u rritën me mendimin se heronjtë tanë ishin vetëm të përkorë, sypetritë, atdhetarë si ata dhe nuk mund t’u vije re asnjë të metë njerëzore. Kjo është vënë re që në skulpturën e para Luftës së Dytë Botërore, por që pas Çlirimit të vendit mori pamje të frikshme me muskujt në artin e Realizmit Socialist.
Një hero duhej të ishte patjetër i bukur, sy-shqiponjë dhe me shikimin e drejtuar tejet. Të tjerët (lexo: populli) ishin thjesht numërorë, që duhet ta ndiqnin. Ashtu të paarritshëm, ata u jetësuan prej luzmës së madhe të historianëve, që krijuan me ta lloj-lloj sajesash, ku vetëm për subjekte humane nuk mund të bëhej fjalë.
Do të mjaftonin pak kujtime vite më vonë, që të tregonin se këta njerëz ishin të thjeshtë dhe të zakonshëm dhe aktet heroike ose veprimtaria patriotike nuk bëhej thjesht vetëm për kombin, por edhe nga rastësia e pse jo edhe për interesa vetjake. Kështu, pakkush sot do të pranojë se Faik Konica ishte fjalaman, konjuktural dhe cinik apo se Isa Boletinin e manipulonte “Crna Ruka”, Bajram Curri ishte kumarxhi apo sesi në zgrip të varfërisë dhe pa asnjë mbështetje në Shkodër Çerçiz Topulli nuk i merrte dot paratë borxh Luigj Gurakuqit që e qesëndiste, trimin tashmë të reckosur. Por pse Luigji vetë vallë vdiq me fare pak para në xhep, aq sa nuk mjaftonin edhe për të ngrënë një vakt bukë dhe pak më tej Avni Rustemi që mëtonte vetëm të vriste ata që e kishin mbajtur. Pakkush e thotë se heroi Hasan Prishtina mori pjesë në përndjekjen e armenëve apo se Zogu vrau priftërinj aq sa do t’ia kishte zili dhe Enver Hoxha që do i qesëndiste të gjithë pastaj në kujtimet e veta, por që nuk do përmendte kurrë se për të shpëtuar kokën rrinte i fshehur te kunati i vet nacionalist Omari, që e shpagoi me plumbin pas koke.
Lista është e gjatë dhe mbase do vijë një ditë që do kemi fat, që historia të bëhet pikërisht edhe me këto elementë ndryshe, duke na treguar se historinë e bëjnë njerëzit që dalin shpesh nga rastësia. Anipse, personazhet që përmendën kanë edhe shumë vlera. Ndryshe nga personazhet politikë që kemi para syve, e ku rëndomtësia e tyre po bëhet gati proverbiale. Ndaj duhet të ruhemi. Edhe pse ka të ngjarë të jenë vonë, pasi librat e historisë do jenë zëvendësuar me këta heronj të rinj, që njësoj si shumë paraardhës do ngjiten në piedestale me sytë drejt në paanësi, me pyetjen reale për ne: Po vallë ç’duan aty?!