BESI BEKTESHI: KONGRESI I LUSHNJËS, KRIJUESI I SHTETIT MODERN SHQIPTAR

Shkodër, 21. 01. 2015 – (Në 95 vjetorin e kongresit të Lushnjës) – Parlamentarizmi shqiptar foton më të lavdishme ka atë të Marubit mbas Kongresit të Lushnjës. Aty janë absolutisht idealist të çështjes kombëtare. Janë patriotët e lartë, që pastaj regjimi komunist shumicën i denigroi. I denigroi, por ato janë aty si idealistë dhe që kanë bërë demokracinë e parë shqiptare. Në qoftëse kujton dikush se si tregohet në filmin patjetër të bukur si intepretim “Koncert në vitin 1936” problemi i Kongresit të Lushnjës, mund të kuptojë qartë se si akademizmi, kinematografia, ideologjia dhe partia, e trajtonin pikërisht Kongresin e Lushnjës. Aty, ato që kanë lindur mbas viteve të 1990-tës kur shfaqet filmi, marrin vesh se “Ahmed Zogu” ka qënë një kundërshtar i Kongresit…..!! Nejse, kështu e kemi të “gatshme dhe të shpjegueshme” historinë në saj të Enver Hoxhës, por jo vetëm atij.
Janë dhjetra e dhjetra historianë të Universiteteve që nga Tirana dhe Shkodra dikur në diktaturë, por edhe më vonë në çdo shkollë të mesme apo fillore, që çdo gjë të shtetit shqiptar e lejonin përpara Enverit dhe Kongresit të Përmetit, vetëm te Ismail Qemali dhe shumë pak figurat e tjera…por pastaj….!! Nuk dua të shkoj më larg se sa kaq, por më duhet të them se “Kongresi i Lushnjës” ose bashkimi i vërtetë i Shqiptarëve, për të bërë shtetin e tyre dhe krijimi i Tiranës si Kryeqytet, kur Shkodra ishte akoma për faqe të zezë, administrim ndërkombëtar dhe nën sulm nga serbët, kur Vlora ishte domen italian, kur Durrësi ishte me qeverinë e Esadit dhe kërcënimi teritorial grek nuk kishte mbaruar qëndron shumë lart, tepër lart, dhe duhet të jetë krenaria jonë kombëtare.

Delegatët e Kongresit të Lushnjës -Janar 1920. (Foto nga Marubi)

Nuk është bërë një keqdashje për Kongresin e Lushnjës vetëm për shkak të Ahmed Zogut, apo njeriut më të rëndësishëm aty…jo!! Aty në fakt ishte edhe Sulejman Delvina, Iljaz Vrioni, Abdi Toptani, Ndoc Çoba, Aqif Pashë Elbasani, Luigj Bumçi, Mehmet Konica dhe Dr. Turtulli, Hoxhë Kadria, Sotir Peci, Ali Riza Kolonja, Eshref Frashëri, Idhomene Kosturi që ishte në fakt dhe qeveria, por edhe shumë të tjerë. Cilin prej tyre nuk e denigroi Enver Hoxha dhe akademizmi i tij politik dhe ideologjik. Po pra, historianografia e trajtuar si e tillë në Shqipëri, dhe që ka sot e kësaj dite qindra tituj doktorë dhe profesorë që kanë denigruar një nga ngjarjet më madhore të Shqipërisë moderne dhe shtetit të vërtetë shqiptar.
Këto doktorë dhe profesorë kanë emrat e tyre në librat e historisë (pa Kongresin e Lushnjes) dhe njëri prej tyre sot mban fjalime pro Kongresit…!!? Me këtë gjë, Enver Hoxha dhe servilët e tij të poshtër, të historianografisë që ndonjëri edhe sot nxjerr “bajga nga goja” nuk kanë denigruar Kongresin e Lushnjës vetëm për Zogun…jo!! E kanë denigruar, sepse nuk donin që shteti shqiptar të formohej në këtë kohë dhe në këtë formë.
E para, jo në këtë kohë, por mbas vitit 1944-tër, dhe jo në këtë formë, sepse ishte një formë e qartë dhe e mirë demokracie, dhe përpara shumë vëndeve në ballkan. Po, ajo që nuk përmëndin as historianët levendë të komunizmit dhe ato levëndë të demokracisë së sotme, por që janë të indoktrinuar, është se forma kushtetuese e parimeve të Kongresit të Lushnjës, është akoma më moderne se sa ajo që kemi sot dhe nuk kishte në Ballkan më moderne se sa kaq. Ajo që duhet thënë është edhe kjo: me datën 31 janar u vendos Tirana si Kryeqytet, dhe padyshim qeveria e dalë nga ky vendim është absolutisht më e përgjegjëshmja jo vetëm deri atëhere, por edhe sot. Enver Hoxha nuk donte kurrsesi një fillim demokracie të tillë, dhe për këtë vrau dhe denigroi pothuaj të gjithë pjesmarrësit në këtë qeveri, dhe në këtë asamble. Po absolutisht, dhe ky ishte një moment që duhet ti bënte politikanët shqiptarë të mbas vitit 1991, që të bënin rehabilitimin dhe nderimin e Kongresit të Lushnjës që bëri edhe diçka tjetër, sepse i hoqi edhe mundësitë Esad Pashës, të vazhdonte ambicjet absurde të zotërimit të Shqipërisë nga individi i tij. Kongresi i Lushnjës pastaj nga të gjitha analet e fuqive të mëdha është respektuar….absolutisht po. U detyruan…! Enveri…..jo! Në mbledhjen e pestë që u mbajt më 31 janar pasdite, kongresi zgjodhi antarët e Senatit, dhe u vendos që delegatët të mos shpërndaheshin derisa qeveria të merrte në dorë frenat e shtetit. Pas kësaj mbledhje, atë pasdreke të 31 janarit të vitit 1920-të, kongresi u dha fund punimeve të tija.
Shqipëria ishte në kaos dhe sidomos në një shpërbërje politike dhe religjonare kishte turkoman dhe grekoman, por kishte italianofilë dhe serbofilë dhe kjo është më se e vërtetë, kishte përkrahës të Esadit dhe religjonet në ndasi kishin një handikap të madh. Korça ishte franceze, Shkodra e modelit austriak, por në sulm serb dhe jugu në dorë të italianëve si model dhe veprim. Administrata ishte një shërbëtore interesash të dobëta dhe aspak kombëtare. Nga frika qeveria e Durrësit (nga frika e Zogut) dorëzoi arkivat e saj në shkurt të 1920-tës dhe kështu modeli filloi të unifikohej. Dhe….me 6 mars ndodh ajo që unë vazhdoj të përsëris dhe që është ndihma e amerikanëve, pra me 6 mars 1920-të, SHBA-të dhe qeveria e saj, bën një notë proteste Fuqive të Mëdha, që tashmë e dinin se fuqia më e madhe është Amerika me këtë përmbajtje: Presidenti amerikan Uillson, ripohon se nuk është e mundur të aprovojë asnjë plan që i jep Jugosllavisë shpërblime toksore nga krahinat e Shqipërisë në Veri….!!
Ngjarja më e madhe e Qeverisë së Lushnjës mbas Kongresit ishte dhe përfundimi i administrimit ndëraleat i qytetit më të madh dhe të rëndësishëm të Shqipërisë që ishte Shkodra, pikërisht me datën 11 mars 1920, kur gjenerali de Fortue u tërhoq, dhe kur kancelaritë tashmë ishin bindur për teritoret e plota së bashku me Shkodrën…. të Shqipërisë. Serbët në fakt, tentojnë Taraboshin, por Ahmed Zogu vjen dhe shpall se “shteti shqiptar ka shti në dorë qytetin e Shkodrës” por edhe administratën e saj në mesin e marsit, duke qënë vetë ai Prefekti i saj. Shkodranët armatosen, nxjerrin valutë dhe po ashtu krijojnë pushtetin e tyre në zyrën e Briotit, apo inxhinierit francez të urës së Bunës. Futja e Shkodrës në administrimin e qeverisë së Lushnjës, është edhe krijimi i vërtetë i shtetit teritorial shqiptar në të vërtetë.
Kurse 27 marsi është fillimi i jetës së vërtetë parlamentare në Shqipërinë moderne, dhe të një demokracie të vërtetë të aplikuar. Në këtë rast, ka foto të shumta ku shihen njerzit që më vonë kanë qënë kundërshtarë të fortë e që ishin bashkë dhe si shëmbull është Zogu së bashku me shumë e shumë të tjerë. Falenderohet populli nga asambleja, presidenti Willson, urohet që Italia të bëhet stimuluese për mirë e shtetit shqiptar, dhe tregohet ndjenjë e qartë e vazhdimit të punës për krijimin e më vazhdueshëm të shtetit dhe demokracisë, shtetit në funksionin pluralist dhe me zgjedhje. Më vonë Esad Pasha, sërish tenton, por shtypet nga lëvizjet e Zogut dhe teritori fillon të kontrollohet nga qeveria e krijuar në Lushnje, por që tashmë ka Tiranën si Kryeqytet. Shteti është i varfër dhe i vogël, por është i stimuluar dhe me qënësi dhe seriozitet të madh, bën punën e palodhur që duhej bërë.
Me datën 21 janar dhe si ditë e mërkurë në orën 10-të paradite, është e vërtetë që është hapur mbledhja, por në të nuk kanë marrë pjesë një pjesë e përfaqësuesve të Shqipërisë dhe jo vetëm ato të Shkodrës dhe Lezhës, sikundër thuhet. Por duhej bërë hapja, dhe u bë në shtëpinë e Kaso Fugës. U mblodh një komision i posaçëm prej 5-së vetash që u krijua prej Irfan Bej Ohrit, Qazim Kokoshit, Kostaq Kotta, Fasli Frashërit dhe Adem Peqinit. Por u vendos që takimi të pushojë punët deri në ardhjen e delegatëve. E këtë gjë sot duhet të kenë parasysh ato që me të drejtë duan të respektojnë datën dhe orët e krijimit të shtetit të parë modern shqiptar. Po, në se është apo jo datë vendimarrëse apo jo!

U deshën 22 vite demokraci që Kongresi i Lushnjes dhe sidomos qeveria e dalë prej saj, që asambleja apo parlamenti i parë, që senati dhe format e qartë demokratike të ndara tashmë nga e kaluara orientale… të respektohet qartë dhe haptas. Është një fat i madh, por besoj se në Shqipëri kur vijnë në pushtet njerzit e ndryshëm, dhe që pak kanë kuptuar nga historia sëpaku e këtyre 100 viteve të fundit, janë me mos repekt për Lushnjën dhe merren vetëm me Vlorën, pastaj kur kuptojnë respektojnë Vlorën, por kuptojnë se shteti i parë ka dalë në Lushnje, dhe patjetër ky është edhe veprimi që bota e njihte më qartë dhe më mirë, por edhe shqiptarët, arrinin të kuptonin më qartë.
Tani për mua nuk ka shumë rëndësi në se duhet 21 janari të jetë festë kombëtare dhe që përkon me fillimin e takimit të delegatëve në Lushnje. Në fakt nuk i takon marrjes së vendimeve të rëndësishme, kjo datë.
Po…por çfarë ka për të ndodhur?
Ka për të ndodhur se socialistët kur të dëgjojnë datën 21 janar, do të bëjnë “conection” me 21 janarin e kaluar, ku disa sulmuan ashpër kryeministrinë dhe disa u vranë përpara saj. E në saj të këtij dualiteti absurd, do të ulet edhe figura e “Kongresit të Lushnjës”, që është absolutisht nga veprat më të larta dhe të ndershme në historinë e shtetit dhe kombit shqiptar. Pa Kongresin e Lushnjës, nuk do të kishin as shtetin dhe as qeverinë, as pushtet më vonë dhe sidomos as teritoret e sotme. Po, as ato nuk do të kishim, prandaj respektin e duhur, duke larguar në periferi si politikanët që e kanë denigurar dikur, dhe po ashtu edhe historianët e politizuar, por edhe njerëzit që duan ta përdorin për kontradikta elektorale.
Ajo që ka rëndësi është se: Kongresi i Lushnjës, krijoi Senatin, që u quajt më vonë Këshilli Kombëtar, dhe ishte organ legjistativ, por ai kishte vetëm 37 anëtarë. Afirmohen me forcë parimet e parlamentarizmit si emërimi dhe shkarkimi i qeverisë nga Senati dhe kontrolli parlamentar, ndaj pikërisht qeverisë. Ishte kohë e shkurtë që zgjati deri në zgjedhje, por akti më i rëndësishëm ishte aprovimi i Statutit të Lushnjës, që ishte edhe ligji kushtetues. Mjafton të shikosh foton e Marubit, që i ka bërë parlamentit të parë normal shqiptar mbas Kongresit të Lushnjës, dhe kupton që nga veshja dhe emrat, se sa serioz dhe i plotësuar ka qënë parlamenti atëhere me ato burra. Mjafton ta shikosh foton, dhe kupton se duhen respektuar dhe shumë biles. Sëpaku të fillojnë të respektojnë pa politikë brënda, kësaj rradhe. Po, por nuk besoj!!
Megjithatë në foton e Marubit, janë bashkë, të majtë dhe të djathtë, të pasur dhe jo të pasur, myslimanë të krishterë dhe katolikë e bektashinj, veriorë dhe jugorë, të gjithë për parlamentarizmin e vërtetë. Po ishin…por që nga ajo ditë e deri tani, kanë rrjedhur shumë e shumë ujra armiqësie dhe mosmarrëveshje, gjaku dhe egërsie mes njëri tjetrit, dhe ky çast në foto ka mbetur i fundit kaq i lavdishëm. Po i pari dhe i fundit. Ajo foto është e lavdishme, sepse është e papërsëritshme jo si kohë dhe moment… thjesht, por si idealizëm kombëtar. Po, është një çast i vetëm deri tani….i vetëm.

……………………………………………………………………….

Duel 15 – Kongresi i Lushnjës (2011)

Duel 52 – Kongresi i Lushnjës………………………………………………………….

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura