BESIM CENGU: HORDHITË E SKAPTAÇËVE DHE PROBLEMET E SHQIPTARËVE SOT

Tiranë, 23. 10. 2016: Kam ngelur pa tekst në njohuritë sipërfaqësore të Berat Buzhalës për historinë tonë, për rrethanat ku ndodhemi si komb, për kushtet specifike ku kanë qenë shqiptarët dje e ku ndodhen shqiptarët sot. Kurrë nuk do të doja ta besoja se është në këtë konfuzitet mendimesh e idesh krejtësisht të paqarta për probleme kaq krruciale dhe për zhvillime të rëndësishme historike që po kalon kombi ynë. I indroktinuar deri në substancë dhe i karakterizuar nga një inflacion fjalësh pa lidhje (karakteristikë e gjuhës me të cilin flasin e shkruajnë opinionistët tanë sot edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë) thjesht atë natë dëshmoi (dhe jo vetëm ai) se është me dituri thellësisht të përcipta.
Të paktën ky gazetar (por edhe të tjerët) duhet ta dijnë se rruga e vështirë, e gjatë, e mundimshme dhe e komplikuar e bashkimit kombëtar nis dhe përfundon në Shqipëri, ashtu sikurse duhet ta dijnë se procesi i formimit të kombeve ka përfunduar dhe kurrë, në asnjë mënyrë dhe rrethanë as Berat Buzhala, as Halil Matoshi, as Migjen Kelmendi, as Nexhmedin Spahiu, as Ekrem Kryeziu dhe as Enver Hoxha(j) nuk do të mund të krijojnë një strategji apo platformë për formimin apo stisjen e një “kombi”, hibridi të ri apo të një identiteti tjetërlloj. Një gjë e tillë është kundërrjedhë në zhvillimet e sotme evropiane dhe globale. Vetëm naivet nuk e kuptojnë këtë.
SKAPTAÇËT DHE INFLACIONI I FJALËVE BOSHE
Të ftuarit në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, nuk i linin rradhë njëri-tjetrit se kush e kush të flasë më parë dhe kur nuk arritën t’i dalin në krye problemeve që u shtruan, për shkak të mosdijes dhe inkompetencës, në atë paloopinion ndër të tjera dikush prej tyre me siqeritet tha se “ne nuk jemi elitë”. Ah, këtu ndalemi. “Ngadalë beg se ka hendek”, thotë populli. Dhe pyesim: kur nuk jeni elitë pse ndërmerrni të mbartni pesha të cilat nuk mund t’i ngrini dot? Barrën e kalit nuk mund ta mbajë pula. Pastaj përderisa nuk jeni elitë dhe keni marrë guximin për t’ia mbushë mendjen opinionit publik, jemi të detyruar të gjejmë një emërtim të ri. Për mua emërtimi që ju shkon më shumë jo vetëm këtyre, por gjithë atyre që janë si ata është “skaptaç”.

Dhe përderisa këta vetë nuk e shikuan veten në familjen e elitarëve (afërmendësh që nuk janë) ne që i ndjekim do t’i thërrasim skaptaçë.
Ju lutem mos e merrni si ofendim, por mundohuni të hulumtoni kuptimet dhe ngjyrimet emocionale të kësaj fjale të bukur shqipe. Nëse nuk e dini pyesni profesor Ekrem Kryeziun se ndoshta e di pasi e fliste vërtet bukur dhe me elekuencë për të ngelur merak.
Skaptaçi Buzhala mbi të gjitha kërkon të ndalë gojën e Kryeministrit shqiptar për të mos folur ai për Kosovën. Kaq empirik është sa nuk e di se është detyrim kushtetutor i Edi Ramës si Kryeministër i Shqipërisë të flasë për Kosovën. Sepse Kosova është ende edhe sot afro dhjetë vjet pas pavarësisë pjesa më e rëndësishme e pazgjidhur kombëtare. Nuk do të zgjatem më tej se janë kompetentë të fushës të flasin për një gjë të tillë. Qëllimi i këtij shkrimi është tjetër.
SKAPTAÇËT ME KËTË TURR I SHËRBEJNË SERBISË MË SË MIRI
Skaptaçi tjetër Halil Matoshi është shprehur (jo në “Opinionin” e Fevziut) se “nëse ju na pranuat në kohën e luftës së vitit 1999, ne ju dhamë të holla.” Kësaj unë i them jo vetëm dashakeqësi, por edhe cinizëm. Kësisoj ai, por edhe të tjerët që janë pjesëtarë të këtij kori të çakorduar i shërbejnë Serbisë mrekullisht.
Duke qenë një prej njohësve të mirë të situatës së asaj periudhe të vështirë të popullit shqiptar, na bind se ky skaptaç nuk e di fare se Shqipëria përpos shumë kontributeve të tjera luajti edhe rolin e prapavijës. Dihet se një ushtri që nuk ka prapavijë është e destinuar të pësojë disfatë. Për mua po të mos ishte në atë kohë kjo prapavijë (Shqipëria) sot Kosova ishte defacto e pastruar etnikisht. Sikur të mos ishin strehuar në Shqipëri më shumë se 600 mijë banorë, të gjithë do të ishin shpërndarë si zogjtë e qyqes nëpër botë dhe kurrë më nuk do të ishin kthyer në territoret e veta.
Xhevat Sabljakieviç, një gazetar i njohur i TV Sarajevës në kohën e luftës së Kosovës më tha në një intervistë se “shqiptarët e Kosovës do të kthehen në trojet e tyre brenda dy muajve, sepse ndryshe nga Bosnja, Kosova ka prapavijë Shqipërinë. Rreth 300 mijë banorët e shpërngulur në kohën e konfliktit nga Bosnja nuk janë kthyer në trojet e tyre për këtë shkak.” Dhe vërtet ky gazetar e kishte ditur.
Pa u thelluar në detaje po kështu prapavi Shqipëria qe edhe për ushtarët e UÇK, ndërsa skaptaçi Halil Matoshi skapton në mënyrën e tij sigurisht në shërbim të tjetërkujt. Nuk e konsideron ky pjetar i korit të skaptaçëve se thirrja thellësisht atdhetare e Kryeministrit Pandeli Majko më 2 prill 1999 ishte me rëndësi të madhe historike. Majko tha se “të gjithë shqiptarët e dëbuar me dhunë të mos largohen në asnjë mënyrë nga Shqipëria. Jeni në shtëpinë tuaj dhe do të jetë i shpejtë kthimi. Prandaj mos u largoni në vende të tjera.” Por veshët e skaptacëve nuk duan të dëgjojnë se janë të shurdhër e sytë e tyre nuk duan të shikojnë se janë të verbër për shkak të diturive sipërfaqësore që kanë e për më tepër për shkak të nostalgjive titisto-millosheviçiane.
MBI TË GJITHA EKREM KRYEZIU NA KA ÇUDITË KREJT
Kulmi i njohjeve sipërfaqësore për problemin shqiptar për hir të së vërtetës ishte te Ekrem Kryeziu. Drama “Epoka para gjyqit” e tij na ka edukuar në fakt për gjetjen. Kjo vepër është një dramë dokumentaro-patetike për shkak të kohës kur u shkrua (sipas meje pa ndonjë vlerë artistike). Megjithatë siç thamë ka ndikuar shumë në masën e gjërë për tematikën, gjetjen artistike, por më shumë famë mori për meritë të lojës mjeshtërore të aktorëve të shquar. Por se flet me kaq pa përgjegjësi Ekrem Kryeziu kurrë nuk më ka shkuar mendja.
Ai jo vetëm që nuk tha asgjë për çfarë ishte thirrur, por na çuditi në momentin kur skaptaçi Blendi Fevziu publikoi gjoja një poezi të Fan Nolit. Të gjithë e besuan se vërtet Noli e ka shkruar këtë krijim artistik duke dëshmuar thjeshë se nuk dinë asgjë, mu si ata deputetët e famshëm të parlamentit që ngatërrojnë vargjet e Pashko Vasos me të Naim Frashërit, apo vargjet e Migjenit me të Ndre Mjedës. Asnjëri nuk u thellua dhe nuk tha se kjo poezi nuk është e tij, se kjo poezi është ndonjë krijim i rëndomtë i ndonjë veterani që i ka shkruar pasi ka luajtur dhjetë lojë domino poshtë ndonjë rrapi, se stili e arti i Nolit është i një stature tjetër shumë të lartë artistike, se kjo vjershë e rëndomtë herë pas here pasurohet me vargje që shtohen nga anonimë duke shtuar cilësi për krahina të ndryshme etj.
Studiues të thelluar të krijimtarisë së Nolit (Nasho Jorgaqi, Piro Tako etj) e kanë vërtetuar me argument e fakte kokëfortë se kjo vjershë-bejte banale nuk është kurrësesi e këtij korifeu.
Ekrem Kryeziu e quajti Nolin e madh “baza e komunizmit në Shqipëri”, “njeri kot”, “ka mbajtë zi për Leninin” tha e plot etiketime të padenja për të. Ku e mori e ku e la. Harron Ekremi, ende i indroktinuar me psikologjinë e burgut, se Noli vetëm me tri kontribute u mbyll gojën skaptaçëve dhe gjithkujt.
Së pari, Noli ngriti Kishën Autoqefale Shqiptare që përbën një prej akteve më atdhetare gjatë gjithë shekullit të XX.
Së dyti, Noli solli në gjuhën shqipe gjigandë e mendje të çmuara botërore si Shekspiri, Servantes, Po, Longfellou etj.
Së treti, Noli pasuroi panteonin letrar shqiptar me krijime të nivelit të lartë artistik deri në prefeksion.
Kaq do të mjaftonte që secili skaptaç në studio të mos e linte të fliste kështu Ekremin që u binte tupanave të magjypëve të Prizrenit. Sigurisht duke mos e lenë të fliste do ta mbronin përballë diskretitimit intelektual e kulturor.
Mirëpo mjerisht të gjithë ishin të bindur se kjo poezi është e Nolit dhe ishin në një ritëm e në një notë me të dhe nuk mund të bënin ndryshe.
E keqja më e madhe është se njerëz të kësaj kategorie e masin veten me hijen e mëngjesit. Të gjithëve u mbushet mendja të zëvendësojnë mendimtarët tanë Aleks Buda, Kristo Frashëri, Eçrem Çabej, Rexhep Qosja, Kristaq Prifti, Moikom Zeqo, Pëllumb Xhufi, Ali Hadri etj., krijuesit e mëdhenj Fan Noli, Faik Konica, Migjeni, Gjergj Fishta, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ali Podrimja etj., që janë sintezë e energjive dhe mendimit kombëtar.
Prandaj me kaq papërgjegjësi atdhetare, morale dhe intelektuale flet edhe Berat Buzhala dhe skaptaçë të tjerë që shkon deri atje sa të hedhë baltë edhe në Ismail Qemalin, themeluesin e Shtetit Modern Shqiptar. Të skaptojë me urrejtje kundër Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit etj.
Akademiku Rexhep Qosja në intervistë të këtyre ditëve këtë dukuri e quajti “vetëkënaqësi feudale”, ndërsa Presidenti Hashim Thaçi u shpreh se kur lexojmë shkrimet e disa opinionistëve (e kishte fjalën për skaptaçët) të vjen për të vjellë. Po jam plotësisht dakord me Akademikun Rexhep Qosja dhe Presidentin mendjekthjellët Hashim Thaçi.
Ç’farë mjerimi?

Opinion – Sherri i mediave Shqiperi-Kosove! (20 tetor 2016)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura