BEHXHET SH.SHALA BAJGORA: NDËRHYRJA NË DREJTËSI APO LEGALIZIM I STANDARDEVE TË DYFISHTA I MUSKULOZËVE NDËRKOMBËTARË!

Prishtinë, 18. 03. 2016: Ministri i Drejtësisë në ikje, z. Hajredin Kuçi u ngatërrua në konformizmin e tij me bosin e EULESH- it , z. Miuci shkaku se misioni të cilin e drejton e akuzoi zotin Kuçi për ndërhyrje në drejtësi përmes frikësimit të gjyqtarëve të Apelit që së shpejti duhet të vendosin për rastin Drenica , sepse e paska quajtur këtë gjykim , në një emision televiziv si rast jo logjik. Për këtë arsye u refuzua takimi i rregullt që mbahet midis EULESH-it dhe drejtësisë kosovare që nominalisht udhëhiqet nga Kuçi kurse faktikisht udhëhiqet nga EULESH-i. Në rastin e “konfliktit” , anën e EULESH-it e mbajti edhe ambasadori amerikan dhe pas kësaj pritet të formohet shpejt togu për pushkatim medial nga një pjesë e shoqërisë civile kosovare , analistëve të “pavarur” që kujdestarojnë në përmbushje të gjitha kërkesave të ndërkombëtarëve dhe mënyra më e mirë është pikërisht pushkatimi publik i Kuçit i cili , edhe ashtu politiko – klinikisht ka qenë gjysmë i vdekur. Kuçi , në intervistën televizive këtë vlerësim për rastin Drenica e ka dhënë në cilësinë e juristit e jo si ministër i Drejtësisë. Pas sulmeve joparimore dhe të paskrupullta të EULESH -it , ekskluzivisht nga pozita e të fortit, z. Kuçi u tërhoq nga vlerësimi për rastin Drenica duke deklaruar se me një bisedë telefonike qenka sqaruar me z. Miuci , bosin e EULESH-it ! Mund ta merrni me mend se çka kanë biseduar dhe si janë sqaruar ! Po të ishte treguar i vendosur z. Kuçi për këtë pohim se gjykimi në rastin Drenica është veprim jologjik , do të duhej të përkrahej nga të gjithë që e promovojnë dhe e mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e fjalës që , edhe nga EULESH sikur edhe nga ambasadori amerikan do të duhej të përkrahej si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut për të cilat aq shumë angazhohen shtetet nga janë ambasadori Delavi dhe z. Miuci si përfaqësues i 28 shteteve të Europës demokratike. Liria e shprehjes dhe liria e fjalës e kanë një standard demokratik që buron nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut , nga Karta e Madhe e Lirisë , Deklarata Universale e KB për të Drejtat e Njeriut , Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut e deri te kushtetutat respektive të këtyre shteteve përfshirë edhe Kosovën ku demokracia është më shumë deklarim se sa përmbajtje. Pikërisht duke falenderuar standardeve të dyfishta që i kanë legalizuar ndërkombëtarët që i përdorin për qëllime politike , kryesisht duke e dëmtuar demokracinë , duke e shndërruar në një demokraci për mbijetesë politike , mirëmbajtje të sigurisë dhe të cilën e ka përqafuar një pjesë e oligarkisë politike kosovare sikurse edhe një pjesë servile e shoqërisë civile e kemi këtë gjendje edhe në drejtësi. Pikërisht ekzekutimi që i bëri EULESH ministrit Kuçi është ndërhyrje në drejtësi dhe demonstrim i arrogancës të të fortëve ndaj atyre të cilët pakusht duhet t’i bindet dhe dorëzohet para këtyre mujsharëve.

Shefi i EULEX’it, Gabriele Meucci dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

A ishte trimëri apo detyrim
Deklarimi i ministrit Kuçi është gjëja më e vogël që e ka pasur për detyrim të bëjë një ministër i Drejtësisë për një proces gjyqësor i cili është skandaloz , si përkah procedura e sidomos vendimi që është marrë. Po të ndodhte ky proces në vendin e ambasadorit Delavi apo në njërin nga 28 shtetet që në Kosovë përfaqësohen nga një mbytës dhe shantazues i lirisë së fjalës , reagimi i opinionit do të ishte aq i fuçishëm saqë ministri i Drejtësisë do të fluturonte nga posti me një shpejtësi që do të matej me orë ose minuta. Si rezultat i presionit të opinionit që kërkon drejtësi përmes gjykimit të paanshëm dhe të pandikuar , në njërën anë , dhe si rezultat i përgjegjësisë morale dhe profesionale të ministrit , në anën tjetër. UNMIK dhe EULESH kanë pasur dhe kanë monopol ekzekutiv në fushën e drejtësisë në Kosovë dhe asnjë emërim në postet e larta nuk është bërë pa pëlqimin e tyre ose kundër vullnetit të tyre. Prandaj, në sistemin e drejtësisë kosovare kanë mbajtur poste të rëndësishme ish prokurorë dhe gjykatës jugosllavë që kanë gjykuar me ligje diskriminuese duke dënuar me dënime të rënda shqiptarë për bindje politike të tyre që janë angazhuar për liri dhe çlirim nga një regjim kriminal.
UNMIK dhe EULESH nuk kanë bërë asgjë për ndriçimin e krimeve të luftës kundër shqiptarëve në Kosovë ndonëse i kanë pasur kallëzimet penale të avokatëve të KMDLNj-së menjëherë pasi ka përfunduar lufta të cilat i mbajtur të kyçura në sirtarë në mos se një pjesë të tyre edhe e kanë zhdukur si provë materiale. UNMIK-u nuk bëri asgjë për vrasjet e serbëve në Staro Gracko të Lipjanit, në autobusin në Merdarë apo të fëmijëve serbë në Gorazhdec. UNMIK i kompromentoi hetimet për ngjarjet e marsit 2004 sepse bëri hetime , arrrestoi dhe dënoi vetëm shqiptarë të dyshuar për vrasjen e 7 serbëve ndërsa nuk bëri fare hetim për vrasjen e 12 shqiptarëve (2 prej tyre ishin ekzekutuar nga ndërkombëtarët) dhe mbytjen e 3 fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër të fshatit Çabër. Madje, këto zhzvillime ndërkombëtarët i përdorën për shantazhimin e klasës politike kosovare ku edhe filluan lëshimet e mëdha politike që e dëmtuan dhe po e dëmtojnë Kosovën edhe sot e kësaj dite.
UNMIK – u dhe ndërkombëtarët nuk sollën para drejtësisë ata që i mbytën 5 të burgosur shqiptarë në Dubrave ( shtator 2003 ) sikur që nuk bëri hetime për ekzekutimin e 2 protestuesve paqësorë , Arben Xheladini dhe Mon Balaj në demostratat e vitit 2007. Këta u ekzekutuan nga policia e UNMIK-ut. UNMIK i liroi nga burgu i Mitrovicës 22 serbë dhe romë të akuzuar për krime lufte ndaj shqiptarëve dhe kurrë nuk kërkoi nga Serbia ekstradimin e tyre.
Me ndihmën e UNMIK-ut sepse nuk i mori në mbrojtje shqiptarët dhe jo serbët që jetonin në Mitrovicë (tash të ndarë) u vranë 12 civilë të pafajshëm dhe u bë spastrim etnik duke i përzënë me dhunë mbi 13. 000 shqiptarë dhe jo serbë nga kjo pjesë e okupuar e Kosovës. UNMIK dhe EULESH i toleruan forcat ekstremiste , paramilitare dhe kriminale serbe në veri të dhunojnë të drejtat e shqiptarëve dhe joserbëve , të pengojnë kthimin e tyre, të vrasin policë të Kosovës , policë ndërkombëtarë , qytetarë shqiptarë dhe boshnjak , si dhe të pengojnë ta zhvendosurit të kthehen në pronat e tyre.
UNMIK, EULESH dhe ndërkombëtarët përndoqën politikisht aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje duke i arrestuar , rrahur dhe vrarë dhe duke i ndërsyer politikanët kosovarë kundër tyre në kohën kur organizonin protesta paqësore.
UNMIK, EULESH dhe ndërkombëtarët ndërhynë në drejtësi duke i liruar serbët e Kosovës që ofronin qindra – mija euro për të siguruar dëshmi për “ heqjen e organeve “ për të mbështetur një aventurier dhe mercenar , përpilues i raportit për trafikim të organeve së bashku me del Ponten. Këtë e bëri me kërkesë të Beogradit.
UNMIK, EULESH dhe ndërkombëtarët, pas kërkesës ultimative të Nikoliqit dhe Tadiqit, brenda 3-4 orëve pas arrestimit ndërhynë të lirohen të arrestuarit e strukturave paralele serbe .
UNMIK , EULESH dhe ndërkombëtarët detyruan autoritetet kosovare t’i arrestojnë policët kosovarë që intervenuan kundër provokimeve të truprojave ilegale të ministrit fashist serb , Aleksandar Vulin që pastaj edhe të dënohen.
UNMIK, EULESH dhe ndërkombëtarët lejuan vizitat e çetnikëve serbë në Gazimestan , politikanëve shovinist serbë në Kosovë që shpërndanin gjuhën e urrejtjes ndërsa gjithashtu detyruan autoritetet kosovare ta ekstradojnë Bojken Abazin në Shqipëri duke ia mohuar hyrjen në Kosovë në dy vitet e ardhshme e që nuk ka ndodhë me asnjë politikan , paramilitar apo pjesëtar të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë.
UNMIK dhe EULESH nuk prekin peshqit e mëdhenj të korrupcionit ndërkombëtarë në Kosovë duke i mosarrestuar ata apo duke i zhvendosur në misione tjera. UNMIK dhe EULESH e promovuan , për qëllime politike , një grup oligarkësh kosovarë ( multietnike ) që korrupsionin , së bashku me ndërkombëtarët e shndërruan në një aktivitet të lejueshëm , standard moral dhe mjet për mirëmbajtje të sigurisë. Në një shtet normal, çdo ministër i Drejtësisë ose do të kërkonte përgjegjësi , ose do të jepte dorëheqje në rast se injorohet kërkesa e tij. Shumë procese gjyqësore në Kosovë, si ato liruese (për kurropsion dhe krime lufte) janë të dyshimta kurse disa vendime për dënime kapitale sikur që ishte “rasti Hajra “ dhe “rasti Drenica” por edhe ai i “ grupit të Llapit” juridikisht janë shumë të kontestueshme dhe këto vendime “gjyqësore” mund të llogariten lirisht si vendime politike apo barazpeshuese. Duke mos e mbrojtur ministrin Kuçi e kam një pyetje të thjeshtë: “ Le të na tregojnë zotërinjt në fjalë një rast të vetëm që në shtetin e tyre është dënuar dikush për një vepër kur as që dihet vendi i vrasjes , personi që është vrarë , ku nuk është gjetur trupi i të vrarit sikur që ka ndodhur në rastin Drenica dhe pastaj edhe mund të fajësohet ministri për ndërhyrje në punën e gjyqësorit ?”Rastet të tilla nuk ka dhe vendimi për rastin Drenica është non sens juridik dhe dhunim i drejtësisë ! Korrupsioni dhe krimet e luftës nuk luftohen me improvizime dhe diktat por me sigurimin e provave. EULESH ka aq shumë mëkate në Kosovë , së bashku me UNMIK – un saqë nuk ka kredibilitet material e as moral të akuzojë të tjerët për ndërhyrje në drejtësi. Ministri Kuçi në rastin konkret nuk ka bërë një punë aq të madhe por e ka bërë një punë që është dashur ta bëjë shumë vite më parë ose të largohet nga posti. Është dashur ta mbrojë të drejtën për gjykim të paanshëm , të pandikuar dhe të mbështetur në fakte e jo t’i nënshtrohet një diktati politik të ndërkombëtarëve por edhe të vendorëve. Në fund po e paguan faturën , në rastin konkret për rastin Drenica ndërsa fatura e përjetshme ajo e Gjykatës Speciale do t’i adresohet pikërisht atij pavarësisht përpjekjeve që autorësia t’i adresohet Washingtonit , Brukselit dhe Beogradit . Po të ishte vetëm pak korrekt , bosi i EULESH-it, Gabriele ( Xhebrail) Miuci , jo që nuk do të kërcënonte , shantazhonte dhe frikësontë Hajredin Kuçin por do të duhej të kërkonte falje publike për dështimet e misionit që e drejton e për të cilin ka deklaruar se është mision eksperimental e që nënkupton se ne, qytetarët e Kosovës jemi minj për këto eksperimente. Në Kosovë, me ndihmën e ndërkombëtarëve po zbatohet një rregull të cilin nuk e njohin praktikat e të drejtave të njeriut , ai i diskriminimit pozitiv që është disejnuar vetëm për serbë të cilët po amnistohen nga të gjitha krimet prandaj e kemi një drejtësi ku viktimat nuk trajtohen si viktima e as të dyshuarit për krime si të tillë por se trajtohen në bazë të fuqisë politike , statusit material , kapacitetit për stabilizim përmes destabilizimit e sidomos në saje të përkatësisë etnike . Pse do të duhej që autoritetet kosovare të zbatojnë të drejtat e shpikura vetëm për serbët kur ato janë të rregulluara me dokumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe , madje për rastet me një demokraci të paqëndrueshme siç është Kosova , pranohet edhe zbatimi i standardeve minimale i këtyre të drejtave. ?
Pse do të lejohej që serbët të flasin për Kosovën si pjesë e Serbisë ( edhe në kushtetutën e Serbisë është ky formulim ) ndërsa llogaritet si jodemokratike dhe kundër intereseve të Kosovës të flitet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë si e drejtë krejtësisht e natyrshme e një procesi që do të ndodhë në të ardhmën patjetër! Pse kundërshtimi i marrëveshjeve që cilësohen si të dëmshme për Kosovën (demarkacioni dhe Asociacioni i Serbisë në Kosovë) do të duhej të ndiqeshin dhunshëm dhe me burgosje të shumta ! Pse vendosja e flamujve të Serbisë në institucionet kosovare që drejtohen nga serbët jolojalë ndaj Kosovës dhe lojalë ndaj Serbisë tolerohen kurse vendosja e flamujve shqiptarë (i Shqipërisë) konsiderohet si etnonacionalizëm dhe shovinizëm?! Pse serbët paskan të drejtë të deklarohen si serbë ndërsa ne duhet të deklarohemi si kosovarë?! Pse Serbia paska mundësi dhe të drejtë të organizojë zgjedhje të Serbisë në Kosovë kurse Kosova nuk ka të drejtë të organizojë zgjedhje në Luginën e Preshevës ? Ku është këtu bashkësia ndërkombëtare ?! Në anën e Serbisë .
Koka e turkut në trupin e Hajredinit
Në rrethana normale ministri i drejtësisë në ikje nuk do të kishte fare nevojë të sqarohet me Miucin por do të qëndronte prapa vlerësimit profesional që e ka dhënë në intervistë televizive . Miuci këtu është kalimtar i rastit dhe nuk ia ndien aspak ç’do të bëhet me Kosovën, as për shqiptarë e as për serbë . Ai nuk e mbron Kosovën nëse nuk e mbrojmë ne që jetojmë këtu . Sikur në filmat e Fellinit ati i intereson të kalojë sa më lehtë dhe sa më mirë këtu. Dolce Vita ( Jeta e Ëmbël ) është moto e tij vepruese sikur edhe e atyre para tij ! Për fat të keq këtë moto e kanë edhe disa politikanë të Kosovës. Me bisedën sqaruese të ministrit Kuçi me Miucin, karriera e tij politike është në pikën 0.1 % por e riciklueshme si material shpenzues . Po ta kishte mbrojtur profesionalizmin dhe nderin intelektual për rastin Drenica dhe shumë raste të tjera, Miuci do t’i bjente fyellit dhe do të mbetej fyell ndërsa ministri do të forcohej. Nuk po ndodhë kështu prandaj EULESH është kontribues kryesor i kësaj drejtësie, qoftë duke mos vepruar në parandalimin e dukurive negative, qoftë duke amnistuar kolegët e tyre të korruptuar dhe duke krijuar ortakëri klienteliste me vendorët. Nuk është aspak vështirë t’i mbyllet goja ministrit Kuçi sa është dhe do të jetë e vështirë në të ardhmën të arsyetohet ndërhyrjet në drejtësi pikërisht e ndërkombëtarëve dhe disa vazalëve të vendit duke ua mohuar të drejtën zërave kritik të flasin për padrejtësi dhe kundër diskriminimit. Provoni t’i mbyllni gojën Gjuriqit , Nikoliqit, Stankoviq zkryeministrit, Laziqit të Srpska Krainës dhe ministarve tjerë të Serbisë në qeverinë e Kosovës . Në fund të fundit, çdo gjykatë normale dhe profesionale, me lehtësi do ta rrëzonte vendimin për rastin Drenica dhe rastet e tjera që i përmenda më lartë nëse nuk janë të ndikuara politikisht. Hajredin Kuçit po i hakmerret kjo shkaku se botërisht pati deklaruar se nuk do të jetë pjesë e politikës aktive dhe se do t’i kthehet karrierës akademike e që nuk e bëri. Si politikan Hajredini e ka të vështirë të mbijetojë në gërshërë midis partisë dhe EULESH-it prandaj po vjen koha që një Miuc , po ia hjek kokën. Dhe kjo është më mirë se mundësia që ta mbajë kokën e lëkundur që varet gjithmonë nga shpata e huaj . Jeta nën stres kushton shumë. Si politikan Hajredini nuk ka qenë asnjëherë vetja e vet kurse si profesionist mund të bëhet avokat i shkëlqyer apo gjykatës jashtëzakonisht i mirë në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasbur ! Nëse e bënë depolitizimin . Në të kundërtën , kush të vjen pas Miucit dhe miucëve tjerë do t’ia presin nga një kokë . Duhet të mbrohet parimi i barazisë, e drejta e shrehjes së lirë , liria e fjalës , paanshmëria si vlera elemntare të demokracisë . Dhe krejt në fund, nëse i lejohet Miucit dhe ambasadorëve të ndërhyjnë në drejtësi duke komentuar vendimet e gjyqësorit pse nuk do t’i lejohej kjo e drejtë edhe një ministri siç ishte Hajredini apo ndonjë ministri tjetër. Apo edhe me këtë rast vlen thënia e famshme: “Quod licet Jovi , non licet Bovi“ (Çka i lejohet Jupiterit-Zotit, nuk i lejohet Buallit – të vdekshmit). Figurativisht!

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Prishtinë, 18 mars 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura