BESIM CENGU: PLISI ËSHTË IDENTITETI DHE DËSHMIA MË AUTENTIKE E EKZISTENCËS TONË SI POPULL I LASHTË

Tiranë, 21 tetor 2017: Pas gjuhës, plisi si element etnologjik dhe simbol identiteti është gjurma më e lashtë e popullit tonë.
… Përdorimi i leshit të deles dhe ngjyra e bardhë e saj (e ndriçimit hyjnor), dëshmon rolin e madh simbolik, por edhe të lashtësisë të rracës tonë dhe në kontekst, të vetë Plisit.
Delja, dashi, dhia, lopa (kau) në shekuj kanë patur rol e vend të rëndësishëm në simbolet dhe mitet e besimit pellazg e ilir parahelenik dhe janë trajtuar si kafshë të shenjta. Etnologu i njohur Pr.Dr. Mark Tirtja shprehet “dhia paraqitet me cilësitë e hyjnisë së pyllit…” dhe se “gjahtarët para se të dilnin për gjah në vendet ku kishte dhi të egra, laheshin dhe kryenin një sërë ritesh”.
Plisi si simbol edhe religjioz, edhe mbretëror është hyjnizuar në shumë objekte prej guri të pellazgëve, indianëve apo etruskëve. Por është faktuar edhe te fiset bashkëmoshatarë me ta, larg dhe afër tyre.
Plisi në lashtësi është përdorë edhe në Europë, Azi dhe Afrikë, fakt që përputhet me të dhënat e argumentuara historike dhe arkeologjike të përhapjes së fiseve pellazgo-ilire. Emri alban dhe plisi (apo kapuçi), dëshmojnë trashëgiminë pellazge nga para-historia deri në shekulli në të cilin jetojmë.
Dominimi i ngjyrës së bardhë në veshjen e njeriut tonë vjen pikërisht nga ngjyra e leshit të deles, ndërsa plisi është domethënie kuptimplotë e identitetit tonë. Pikërisht këtu qëndron vlera shkencore e ruajtjes së këtij simboli.

Përpjekjen e disa shoqatave apo përfaqësuesve të disa krahinave për të mbrojtur praninë e tij në trevat tona është një atdhetari e pastër, por njëherit edhe një detyrim intelektual. Them atdhetari e pastër dhe detyrim se për shkak të rrethanave sociale, ekonomike dhe kulturore, plisi (por edhe aksesorët e tjerë të kompletit të veshjes shqiptare) janë drejt asimilimit.
Së pari, kjo dukuri ka ardhur për shkak të revolucionarizimit të veshjes në Evropë e në mbarë planetin. Rrjedhimisht edhe tek ne shqiptarët do të ishte ky ndikim. Shekulli i XVII-XIX, solli ndryshimin e madh në perëndim në aspektin e veshjes. Si pjesë e kontinentit evropian nuk kishim si të mos ishim të ndikuar edhe ne. Dihet se shoqëria evropiane në shekujt e mesjetës e këndej shpenzonte shumë për veshjen e femrës sidomos, por edhe të burrit. Kompletimi i veshjes së një aristokrateje franceze në kohën parabonapartiane kushtonte sa vetë shtëpia. Po kështu edhe në Angli, Gjermani, Holandë, Rusi apo Itali.
Pas revolucionit industrial në Angli dhe Evropë, e sidomos shpikjes së makinave që prodhonin pëlhura të ndryshme, ndryshoi edhe koncepti për veshjen duke zbehur deri në zhdukje veshjen e vjetër. Është logjike dhe e natyrshme. Shoqëria në epoka e faza, ndryshon në përshtatje me rrethanat. Kjo dukuri filloi edhe tek ne shqiptarët, duke u demonstruar qartë në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Tek rilindasit tanë të shquar, madje edhe para kësaj epoke të madhe u praktikua kostumi dhe kravata. Naum Veçilharxhi, vëllezërit Frashëri, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Thimi Mitko, Pashko Vasa etj, e dëshmuan qartë refleksionin e këtij revolucioni në Shqipëri.
Së dyti, kjo dukuri erdhi për shkak të kultivimit e përdorimit gjithnjë e më pak të deles (edhe të kafshëve të tjera), apo ndryshimit të konceptit për mbarështrimin e tyre dhe, çka është më e rendësishmja, përdorimi gjithnjë e më pak i leshit të deles si lëndë e parë në industrinë e veshmbathjes.
Plisi dhe mbretërimi i ngjyrës së bardhë në veshjen tradicionale shqiptare ka ardhur pikërisht prej ngjyrës së deles. Plisi nëpërmjet zanatçinjëve, prodhohej prej leshit të shkelur të deles. Ndërsa leshi i dhisë për shkak të karakteristikës së tij, ndryshe prej atij të deles, nuk është përdorë shumë. Me lesh dhie populli ynë kryesisht ka punuar cergat dhe ndonjë rrobë tjetër që specifikisht e përdornin barinjtë, e ndonjë veshje tjetër.
Është faktuar shkencërisht se në praktikës jetësore të shqiptarit delja dhe dhia janë të pranishme ndër ne që para 8 mijë vitesh.
Në New York sot po organizohet Dita e Plisit. Kjo datë, 15 korrik, përkon me ditën e lindjes së Dervish Luzhës, një figurë të shquar popullore jo vetëm në Tropojë por mjaft e përmendur edhe në treva të tjera. Konsiderohet një aktivitet shumë serioz e vlerësues edhe këtu në Amerikë, pasi dimensionet e publikimit dhe vlerave të kësaj dite marrin përmasa edhe më të mëdha dhe interesimi është edhe më i fokusuar. Tregohet qartë nga organizatorët serioziteti e përkushtimi atdhetar, por edhe shkencor për të ruajtur këtë praktikë të çmuar jetësore të shqiptarëve.
Shoqata Bytyqi ka kohë që festën e plisit e organizon në Dajt me nismëtar kryetarin e saj Agron Xhedia, por edhe në Dobërdol të Klinës te oda e Zenel Hasan Berishës, me nismëtar Ismet Krasniqin e Prend Buzhalën.
Veprimtarinë e kësaj natyre këtu në Bronx prej Albanian American Society Foundation. Inc. në New York me kryetar zotin Esad A. Rizai, e konsideroj shumë të rëndësishme e thelbësore, sepse afërmendësh, edhe rrezatimi apo jehona është më e madhe. E kjo vjen se kjo veprimtari nuk bëhet vetëm brenda shqiptarëve, por jehona e këtij takimi është më i gjërë dhe interesi i studiuesve edhe përtej nesh është i pranishëm.
Unë mendoj se këto organizime nga nismëtarë e shoqatë të ndryshme duhet të bashkohen pasi kanë të njëjtin qëllim. Pastaj një bashkim i tillë siguron edhe më shumë vullnet dhe energji mendore për të faktorizuar edhe më shumë në të gjithë aspektet rendësinë që i takon këtij simboli lashtësie dhe identiteti.
Plisi është në agoni në fakt sot. Për fat të keq edhe përpjekja jonë sot nuk ka qëllimin për të qenë ai i pranishëm dhe i praktikueshëm tek njerëzit tanë. Qëllimi është të nxjerrim e faktojmë përpara të tjerëve lashtësinë tonë nëpërmjet këtij objekti të lashtë etnografik.
Dukuria e zbehjes së pranisë gjithnjë e më pak i plisit në mesin tonë ka plot arsye. Mbi të gjitha për shkak të ndryshimeve substanciale sociokulturore dhe ekonomike. Koha, moderniteti, integrimet kulturore globale, ndryshimet drastike në këtë rrjedhë në të gjitha fushat kanë përcaktuar të gjitha kushtet për tendencën e zhdukjes së tij.
Prandaj përpjekja për ta publikuar e bërë të njohur, ruajtur dhe praktikuar plisin si element etnologjik që tregon moshën tonë si popull, është akt patriotik para së gjithash, e pastaj edhe shkencor e kulturor.
Në fazat e agresivitetit shovinist sllav në këto dy shekujt e fundit sidomos kundrejt popullit shqiptar, urrjetja e hapur dhe tendencioziteti antishkencor i orjentuar qëllimisht, jo më kot janë drejtuar te ky simbol i lashtë i yni. Në luftën e vitit 1999 në Kosovë, unë vetë kam vërejtur e shënuar shumë raste të veprimeve të shëmtuara të serbëve kundrejt këtij simboli të shqiptarëve si hedhja përtokë me urrjejtje, shkelja me këmbë e plisit, ndotja, grisja etj.

Unë vij nga krahina e Lumës dhe jam marrë do kohë me studimin për plisin si element thelbësor etnografik të banorit të kësaj treve. Them thelbësor sepse ky element i rëndësishëm na ka bërë që të jemi ndryshe nga të tjerët, të dallojmë dhe tu themi kujtdo se prania e një plisi është prani e një pjese toke në kokën tonë si dëshmi e fortë autoktonie e vjetërsie.
Plisi te ne në Lumë kryesisht paraqitet dhe aplikohet i rrafshët. Por në fakt varianti më i lashtë i tij është i pranishëm pikërisht në këtë krahinë. Plisi i rrafshët është relativisht i vonë, ndërsa plisi tipik i burrit të Lumës është ai që kanë mbajtur të vjetrit dhe që gjurmën e tij janë ende edhe sot tek një grusht burrash, por gjithnjë e më pak fatkeqësisht. Kapuçi i Krahinës së Lumës është afërsisht si ai në Kosovë apo në Has e Malësinë e Gjakovës, por është më i vogël. Paraqitet me majë, jo i rrafshët, por pak më i shkurtër dhe më i cekët. Ndoshta ky variant është më i lashti dhe më autoktoni, pasi përafron edhe me plisat që kanë mbajtur pellazgët, etruskët apo edhe mbretërit ilirë. Interesante është se ky lloj plisi që përdoret në këtë krahinë, ngjason shumë me ato të papëve dhe çka është më e rendësishmja nuk e kemi hasur në asnjë trevë tjetër një variant si ky.
Prej kur në një punim shkencor para rreth 30 vitesh (1886) për kapuçin (Në krahinën e Lumës emërtohet kapuç) kam vërejt shumë ndryshime. Për shembull vetëm në fshatin Shtiqën që është qendra e krahinës së Lumës, në vitin 1985 kishte 66 burra me kapuç, nga këta 11 burra praktikonin variantin e vjetër (kapuçi me majë dhe më i shkurtër se ai që përdoret në Kosovë, Has e Malësinë e Gjakovës) ndërsa 24 manifestonin të gjithë takamin e veshjes, që do të thotë respektimi i kompletit prej nortës e deri te kapuçi. Ndërsa sot janë pikasë vetëm 4 burra mbajnë plisin, por ama vetëm plisin dhe as që bëhet fjalë për respektimin e kompletit të veshjes së burrit në Lumë.
Të nderuar pjesëmarrës dhe iniciatorë në këtë festival të Plisit shqiptar. Vetë pjesëmarrja e madhe këtu në New York sot tregon vlerësim, ndërsa interesimi i studiuesve nga vetë Amerika është emocionues. Prania e zotit Joseph MeCmauus, një mik i përhershëm i shqiptarëve dhe kauzës së kombit tonë sot është sinjifikative. E vlerësoj dhe shpreh respektin për të.
Kësisoj ky takim ia ka arritur qëllimit të vet dhe e ka kapërcyer organizimin vetëm brenda hapësirës shqiptare. Prandaj ky eveniment është më shumë se domethënës.
New York, 15 korrik 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura