FATBARDHA DEMI: DARDANIA E PAZBULUAR (1)

Tiranë, 13. 6. 2016: (E vërteta asnjëherë nuk mund të zbresë në nivelin e atij që e kërkon, përkundrazi për ta marrë, i takon kërkuesit të ngjitet në nivelin që ajo gjëndet. Rruga më e mirë për të përcjellë një të vërtetë është një lloj komunikimi që i kapërcen kufijt e fjalës : është të kuptuarit intuitiv. – Helena Balvatsky)
Për Shqipërinë veri-lindore natyrale, nuk dihet ndonjë emërtim gjeografik më i lashtë se sa toponimi Dardania, origjinën e të cilit janë përpjekur ta zbulojnë pothuaj të gjithë emrat e shquar të historisë dhe gjuhësisë albanologjike dhe botërore. Libri i parë që ka folur për popujt e lashtësisë ka qenë edhe libri i parë i historisë europiane, Iliada e Homerit: “Dardanët i drejton Enea i shquar…” (Omero, Iliade II, 816-823) (1) dhe më vonë Straboni (64 pK – 19 pas K) “people of the Dardaniatae…”(fis i Dardanisë) në librin e tij (Descriptive Ethnology: Europe, Africa, India).(2)

Ndërsa Edith Durham (Prejardhja e disa fiseve dhe disa kanune e zakone të Ballkanit) pohon se në hartat e vitit 140, të astronomit dhe gjeografit Claude Ptolémée ( 90 – 168 pas K) gjejmë toponimin Dardani dhe vetëm kohët e fundit, emri i saj është fshirë nga hartat tona: “Mendoj se emri i saj nuk është shkruar në hartat e shekullit të nëntëmbëdhjetë ”.(3)
(majtas) Faqja e parë e librit XXVII të Strabonit Rerum geographicarum libri XVII. (1620) (4)
Që nga shekulli i 18-19, kur studiuesit filluan të gjurmojnë origjinën e gjuhëve dhe rrjedhimisht edhe të shumë toponimeve, e deri në ditët e sotme, për emrin Dardania (europiane), të gjithë kanë qënë të një mendimi se e ka origjinën nga emri “dardhë”.
– Johann Georg von Hahn (Albanische Studien, I ,1854) qe nga të parët që emrin e dardanëve e lidhi më fjalën shqipe “dardhë”. Duke parë, përveç afërsisë në shqiptim edhe faktin se, ”Sidomos shpati i saj lindor (i Dardanisë) ishte i veshur plot me dardha të egra (…) për rrjedhim kuptimi i emrit Dardania në zanafill ngjan të jetë “vënd dardhash.” (5)
– Edith Durhami, duke e mbështetur mendimin e Hahnit, vëren se në gjuhën sërbe në tokat fushore përtej Drinit, që u serbizuan në fillim të mesjetës, ndodhen toponime Krushevo, Krushevas dhe Krushenica. Në gjuhën serbo-kroate këto emërtime kanë kuptimin dardhë (kruška).
– Sipas Eqerem Çabejit (Emri i Dardanisë dhe izoglosat shqiptaro-kelte), shpjegimin që dha G.Hahni “ është i mbështetur mirë si materialisht, si gjuhësisht (…) Ky emër del ndër të tjera në Veri në anët e Iballës e të Mirditës, në krahinën e Lezhës, në Shqipëri të Mesme, në anët e Elbasanit, në Skrapar, në rrethin e Korçës e të Leskovikut, si emër krahine Reç-e-Dardhë në Shqipërinë Verilindore, si kompozitë Dardhëzeza në Mollas afër Gramshit” . Pas trajtimit të një vargu emrash të drurëve dhe të bimëve, në gjuhën kelte dhe shqipe, E.Çabeji mendon se origjina e fjalës “dardhë” mund të jetë nga gjuhët e fiseve kelte të lashtësisë, që kishin hyrë në Ballkan në shk.V. (6)
– Idriz Ajeti (Studime gjuhësore në fushë të shqipes) e lidh origjinën e emrit Dardania nga “dardhë”, duke u nisur nga emri i fisit dardan Pirustë (Pirustae) të ngjashëm me emrin latin të dardhës “pyrrus” (7)
– Skënder Rizaj (Pellazgët Hyjnorë) pohon se: Toponimi dhe antroponimi Dardan është fjalë pellgazgjishte – dardanishte – shqipe: Dard (h) + An (ë)= ana e dardhave. Dhe vërtet në Pellgun e Dardanisë sot e kësaj dite ka shumë dardha, madje të llojeve të ndryshme dhe me shije dhe erë të lloj-llojshme. (8)
Nuk po zgjatem më tej, meqënëse ky mendim qëndron edhe sot në çdo botim historik mbi këtë toponim. Pra, pamvarësisht se emri “Dardania” është nxjerrë nga studiuesit me origjinë nga gjuhë të ndryshme, të gjithë bashkohen tek mendimi se e ka burimin nga emri i pemës së dardhës. Ky përfundim nuk është bindës nga fakti, se emrat e figurave të lashtësisë shprehin simbole të besimit dhe emri i dardhës nuk njihet si i tillë.
Për të njejtin toponim, (bëhet fjalë për Dardaninë e Azisë së Afërme) historianët e huaj pohojnë se e ka origjinën nga emri i Dardanit, i njohur në mitollogji nga veprat e Homerit e të shumë shkruesve të tjerë të lashtësisë. Në rast se Straboni dhe autorët e tjerë, e kanë gjetur në popull emërtimin Dardania (europiane) dhe meqenëse deri në kohët moderne nuk ka ndryshuar, kjo dëshmon se ky emërtim është zanafillor dmth i trashëguar brez pas brezi, që nga koha kur bashkësitë fisnore kishin një identitet tashmë të formuar. Për rrjedhojë, ky emër ka një origjinë parahistorike dhe rruga e parë që do të ndjekim, do të jenë burimet shkrimore ku pëmendet emri Dardan.
Për të vijuar qetësisht kërkimin tonë, duhet t’i japim në fillim përgjigje pyetjes, që shumë studiues modernë e shikojnë te dyshimtë për popujt europianë:
– A janë shqipetarët e sotëm të Kosovës, pasardhës të fiseve Dardane të Strabonit? Dr. Arif Mati (Odisea e pabesueshme e një populli parahelen “(f21,2007) shkruan se “Është rast unik në Europë, fakti se shqipetarët e sotëm kanë rrjedhur prej një popullsije autoktone”. I pari që e pohoi këtë fakt në vitin 1774 ishte gjuhëtari suedez Johann Erich Thunmann (1746 – 1778). (Über die Geschichte und Sprache der Albaner und der Wlachen) (9) por edhe studiuesit arbëresh të Italisë .
Që nga shekulli i 18-të e deri në ditët tona, kjo tezë është pasuruar me dëshmi shkencore historike, gjuhësore, arkeologjike, të besimit dhe të traditës, nga studiues shqipetarë dhe të huaj, prandaj do të mjaftohem duke sjellë provën e një shkence të kohëve të fundit – të gjenetikës – sistemin HLA. Sipas përfundimeve të studimeve botërore të zhvilluara në këtë fushë, Pr. Genc Sulçebe (Fakte gjenetike që hedhin dritë mbi lashtësinë dhe autoktoninë e popullit Shqipetar) pohon se rivërtetohet autoktonia e popullit shqipetar në trojet e tij.(10)
***
Sipas shkruesve të lashtë, njihen katër figura mitike me emrin Dardan. (Hom. Il. xx. 459; Eustath. ad Il. pp. 380, 1697; Paus. viii. 24. § 2.) (11), por tre prej tyre nuk përmënden që të kenë emërtuar ndonjë qytet, apo hapsirë gjeografike, për rrjedhojë do të ndjekim emrin e …. Dardanit nga buroi dinastia e trojanëve të Iliadës
J.G.von Hahni (Studimet Shqipetare) pohon se sipas gojdhënave, ai ishte djal i Zeusit dhe i Elektrës (bijës së Atlasit) dhe vëlla i Iasonit dhe Harmonisë. Vëndlindja e tij, sipas miteve është Arkadia, krahinë pellazge e gadishullit të Peloponezit (Greqi). Por mitë të tjëra thonë se është me origjinë nga Kreta apo qyteti etrusk i Krotones (Crotone,Itali) (12)
Sipas Pierre Gautruche, (1602-1681) (L’Histoire poetiqve, Pour l’Intelligence des Poetes & des Autheurs Anciens, 1668) Dardani është bir i Elektrës dhe Perëndisë romake Jupiter. Me qënëse kishtë vrarë vëllanë e tij Iasonin, u detyrua të aratisej drejt Azisë së Vogël në Frigji. Ai u martua me Bateian, vajzën e mbretit Teukër dhe ndërtoi qytetin që njihet në histori me emrin e tij – Dardania. Mbretërinë e trashëgoi Erichthoni, biri i Dardanit, pastaj nipi i tij Trosi, i cili kur u bë mbret e ndroi emrin e qytetit në Trojë edhe vëndi u quajt po me këtë emër. Një nga fëmijët e Trosit ishte Anchise që së bashku me Venusin (Afërdita pellazge dhe Turan etruske) patën për djal Enean e famshëm, por kurorën mbretërore e trashëgoi djali tjetër i tyre, Ili (Ylli) i cili i dha qytetit të Trojës emrin Ilium. Nipi i tij Priami, ishte trashëgimtari i fundit i fronit mbretëror dardan të Trojës. Priami i dha Trojës një shkëlqim që nuk e kishtë parë asnjëherë, por për fat të këq, e pa me sytë e tij se si u shkatërua, pa mbushur akoma 300 vjet të jetës së saj. (13) Disa autorë të lashtë kanë shkruar se nëna e Dardanit, Elektra e cila me gjashtë motrat e saj ishte kthyer në yje të ndritshme, mbas rënies së Trojës e humbi shkëlqimin.(14)
Sipas Virgjilit (Énéide III,VII) Enea Dardani, mbasi u largua nga Troja u vendos në Latium dhe pasardhësit e tij themeluan Romën. Është e dukshme që mbi mitet e mbritura nga lashtësia, në periudhat e mëvonshme “vihej dorë” për të ndërtuar historinë dhe origjinat e fiseve të vendeve të tyre. Manipulimet më të shumta të miteve janë bërë në kohën e Rilindjes italiane, për të nxjerrë qytetin etrusk Cortone, vënd-origjinën e themeluesve të Romës dhe të Trojës.(15) Megjithatë historianët e pranojnë se mitet greke (pellazge) janë më të lashta se ato romake dhe anojnë në mendimin se vëndlindja e Dardanit ishte në Gadishullin Pellazgjik (Ballkanin e sotëm). Studiues të tjerë të kohëve moderne, me Dardanin trojan, kanë lidhur origjinën e popujve europian.
Në Fjalorin e William Hazlitt (1811-1893) “Dictionary of Ancient Geography, Sacred and Profane”,1851) shkruhet se “origjina e Dardanit është prej fiseve të Moesisë (…) Janë fise barbare por të dhënë pas kënaqësive dhe muzikës”. (16) Në mitet “greke” (pellazge) përmëndet një Dardan, nip i Kadmit dhe Harmonisë, motrës së Dardanit trojan, i cili mendohet se u ka dhënë emrin Dardanëve arbër.
Albanologët nuk e përmëndin në historinë e vëndit tonë origjinën arbërore të themeluesit të Trojës dhe lidhjen e tij me Kosovën (Dardaninë e lashtë), të penguar nga “pema e dardhës” (tezë e shk 19) dhe faktit se, legjendat tona popullore nuk kanë pasqyruar ndonjë heroizëm apo vete Dardanin trojan. Lidhja e vetme e përbashkët ka mbetur vetëm emërtimi.
Me qënëse, emrat e paraardhësve dhe të figurave mitikë tek arbërit trashëgoheshin (17) ka mundësi, që Dardani i Trojës të ketë qënë brez pas brezi me origjinë nga Dardania europiane , por nuk jemi të sigurtë nëse ka qënë pikërisht ay, që u ka dhënë emrin fiseve arbërore dardane dhe vëndit të tyre. Të ndodhur në këtë udhëkryq, do të kthehemi përsëri tek pika jonë e nisjes, dmth në shkencën e gjuhësisë, për të zbuluar burimin e emrit të Dardanisë, të përmëndur nga Straboni.
Fillimisht do ta kërkojmë në toponimët e hapësirës mesdhetare . Për emërtimet e popujve dhe toponimeve, do të merret për bazë rrënja e emrit Dardan “ dard” dhe forma të afërta të saj ,të formuara nga shqiptimi i ndryshëm i tij. Siç e ka vënë në dukje Straboni (xvi. F 785), emrat pësojnë ndryshime kur kalojnë nga një gjuhë në tjetrën. (18)
Në veprën e William Hazlitt (Dictionary of Ancient Geography, Sacred and Profane), na jepet një e dhënë e rëndësishme se, një nga fiset ilire quhej Dardi. (19) Edhe Pr. Eqerem Çabej pohon se në dokumentet e vëndit tonë ky emër shfaqet për herë të parë në Kadastrën e Shkodrës të vitit 1416-17, si “villa clamada Darda”. Në anët e Përmetit në Jug, ku ka gjasë të hyjë edhe Darsi (…) si dhe emri i krahinës Darsia në Shqipëri të Mesme. (20)
Gjithashtu E.Çabëj vëren se : “ Tema Dard- në onomastikën e kohës antike ka qënë e përhapur përtej caqeve të trevës dardane dhe të trevës dardane-trojane. Ajo na del më një anë te Dardas, emri i një ‘praetor Epiroatarum’, te Derdenis, emër i shpeshtë princash makedonë-elimiotë, bashkë me Derdia, emri i një qyteti në trevën elimiote, me Derdaia në Tesali, Derdenis në ishullin Lesbos, më anë tjetër në truallin italik, në Apuli, si emër i një populli Dardi të daunëve, si emër krahine Dardensis dhe si emër i një qyteti Dardanon” (21)
Tek Stefan Bizantini (Stephani Byzantii, «De Urbibus et Populis ») gjejmë toponime : Daristane- qytet i Persis ku jetojnë fiset Daritae; Darion- qytet në Frigji; Daunium-qytet në Itali; Darsii-popull i Thrakës; Darsania-qytet në Indi; Daridna-qytet në Paphlagoniae (22). Lidhur me një fakt tjetër, do të paraqitet një hartë më e zgjëruar e rrënjës “dard”.
Por këto të dhëna nuk na ndihmojnë për të zbuluar origjinën e emrit e të dy Dardanive , sepse shkruesit e parë nuk janë marrë me këtë punë dhe ata modernë (K.M.Sheard “Complete Book of Names…) pohojnë se zanafilla e emrit është e panjohur dhe ka mundësi të jetë paragreke. (23) E vetmja mënyrë për të zbuluar origjinën e emrit, na mbetet të mësojmë se çfarë mendonin dhe besonin njerëzit e lashtë, në kohën kur lindi nevoja t’iu tregojnë të tjerëve përkatësinë e tyre.
Dardania emër parahistorik?
Emri Dardania është fjalë e përbërë, nga rrënja dard + an (ia), ku “an” nuk është mbaresë por fjalë që dëshmon së nga vjen (psh- jam nga këto anë ; shkodran, lezhian etj). Fjala “dard ” gjëndet në fjalorin e sotëm të shqipetarëve (2002, internet), vetëm në formën e fjalës “dardallë” për një shkop të gjatë, të përdorur në peshkim. (24) Duke e zgjeruar hapësirën gjeografike edhe në travat e banuara nga fiset pellazge të lashtësisë, fjalën “dard” e gjejmë :
Dard – në gjuhën katalane (Spanjë) – shigjetë.
Dardo -në gjuhën spanjolle (Spanjë) –shigjetë
Dardu- në gjuhën korse (Korsika) – shigjetë
Dard- në gjuhën franceze – shigjetë apo heshtë druri me majë hekuri.
Dardar – si ndajfolje në gjuhën franceze – shumë shpejt, pa kthim.
Dar-dar – shigjetë, në fjalorin e fiseve në Tibet dhe kjo ka arësyen e vet që do trajtohet më vonë. (25)
Këto të dhëna dëshmojnë se fjala « dard » emërton shigjetën apo heshtën. Nuk mund të themi se kjo fjalë nuk ka qënë edhe në gjuhën tonë, sepse Fjalori i botuar i gjuhës shqipë nuk përfshin të gjithë leksikun dialektor (gegë dhe tosk), e sidomos atë të vjetër, as atë të shqipetarëve në trevat autoktone, të arbëreshëve të Italisë dhe kolonive shqipetare, ku janë ruajtur shumë fjalë të lashta. Megjithatë, ne kemi mundësi ta vërtetojmë origjinën arbërore të fjalës «dardë=shigjetë/heshtë» me mjete të tjera : nëpërmjet BESIMIT dhe HISTORISË.
Sipas Petro Zhejit (Shqipja dhe sanskritishtja) “Gjuhët e para kanë qënë simbolike. Duke qënë kështu, ne me të drejtë e kërkojmë shpjegimin e fundit të një fjale, jo tek një koncept, por tek një simbol “ (26) Të nisur nga ky fakt, ne do të nisim gjyrmimin në periudhën më të herëshme të historisë, në kohën kur u krijua gjuha dhe do të vërejmë rolin besimtar që zinte shigjeta tek ta.
Gjurmët më të hershme të përdorimit të harkut me shigjeta i përkasin kohës së Paleolitikut të hershëm (nga 120.000 deri në vitet 20.000) (27) Studiuesi nga Presheva, Ibrahim Kelmendi (Prej miteve deri në Butmir) pohon se kultura më e vjetër e Europës mendohet të ketë qënë kulturaVinka, qëndra e së cilës përfshinte hapësirën prej Thesalisë deri në Pruth, Starçevo , duke u përhapur më vonë në të gjitha anët e Europës.
Në vitin 1866 A. Arcelin dhe A. Ducrost, zbuluan një shpellë të Niaux de Ariège (France) në vizatimet e së cilës janë pasqyruar shumë shigjeta. (28)

Niaux de Ariège (Carsac, Dordogne) b- vizatime në objektet arkeologjike të kulturës Vinka. (29)
Në fig.1 duken qartë dy shigjeta mbi trupin e bizontit. Në fig.2 vërehet se shigjeta përdorej nga njeriu primitiv i kulturës Vinka me një kuptim të caktuar. Çuditërisht pamja grafike e shigjetës së njeriut të shpellave është pothuajse e njetë me atë të shekullit 21. Megjithatë, kanë një dallim jashtzakonisht të madh midis tyre. Shigjeta e jonë është ”një mjet” që e këmi trashëguar dhe e përdorim për të trëguar drejtimin, ndërsa ajo e stërgjyshërve tanë të shpellave është prodhim origjinal i një botkuptimi zanafillor praktik, filozofik dhe besimtar (simbolik).
George Dumézil (La religione romana arcaica Miti, leggende, realta) duke folur për besimin e romakëve , pohon se idea e “shpirtit” në zanafill, nuk lidhej me vdekjen, por me “energjinë – magjike” të përjetëshme tek sendet. (30) Njëriu primitiv habitej se si shigjeta mund “të fluturonte dhe të vriste ” dhe i shikonte këto veti si shprehje e “shpirtit” hyjnor të saj . Fakti që shigjeta “e ndihmonte dhe e mbronte”, mendon E.Cassirer (Sprache und Mythos) ishte origjina nga buroi më vonë idea e Zotit. (31) Ky fakt dëshmohet në studimet e bëra mbi shoqëritë e lashta. G. Dumézil pohon se përpara se të bëhej Marsi Perëndi e luftës, adhururohej kulti i heshtës dhe kur vendosej ndonjë marrëveshje, betimi bëhej mbi të. (32) Në tempujt kushtuar shigjetës, zhvilloheshin rite të ndryshme si psh në rastet e vdekjes së mbretit apo familjarëve të tij. (33) Romuli betohej për heshtën e tij . (34)
Në të gjitha besimet e lashta , shigjeta ishte arma me të cilën Perënditë dënonin njerëzit, si Zeusi dodonas, Athina, Artemisi, Apolloni, Rudra indiane, perëndia egjiptiane Sikhmet,etj . Sipas shkrimeve të Kuranit (V.3) në Babiloninë e lashtë , shigjeta përdorej nga orakujt për të parashikuar fatin dhe ishtë simbol i pushtetit dhe mbretërimit (35)
Në fig.1, (poshtë) shigjeta në gur-varr është përdorur pikërish si simbol besimtar . Trekëndëshi, gjysëm-hëna dhe ylli brënda saj në formën e topthit, dëshmojnë besimin hënor të Kartagjenasve. Poshtë është Perëndesha hënore Tanit.

a-Gur varri e Kartagjenës (British Museum) shk 2-1 p.K.; b-Kopia romake e Pallade Athinës; c- Amuletë argjëndi me figurën e majës së shigjetës shk 5-3p.K.; d- maja të heshtave të kohës së luftës trojane. (36)
Rëndësia e veçantë e shigjetës dhe heshtës, për bashkësitë fisnore dhe mbretëritë, diktohej nga fakti se, që nga periudha e gurit e deri në kohën kur filluan të përdoren armët e zjarrit (shk 12-të, Dinastia Song), ishtë ARMA kryesore goditëse në largësi, gjatë gjuetisë dhe luftimeve. Sidomos me zbulimin e metaleve, shigjeta dhe heshta u bënë mjete më praktike se sa gurët apo topuzët prej druri, të përdorura në zanafill. Sipas Homerit, armatimi kryesor i Grekëve në kohët e fundit ka qënë heshta së cilës në kohët heroike i vendosej një kokë metalike. (Hom. Il. 2; v. 320; Eustath.) (37) Duhet vënë në dukje se ngjarjet dhe emërtimet pellazge të lashtësisë, shkruesit latinë në Fjalorët historik, i kanë emërtuar “greke”.
Rënditëm këtë biografi të shkurtër të shigjetës, për të kuptuar vëndin shumë të rëndësishëm që ka zënë në besimin e lashtë dhe arësyen, se përse mbretërit më të fuqishëm të mitologjisë, e kanë patur kultin apo emrin e saj dhe është nderuar si Perëndi.
Sipas Mircea Eliadës: ”Emrat e shumë popujve në lashtësi ishin të perëndive të tyre” (38) Më qënësë “dardha” nuk ka patur ndonjë kult, nxjerrim pëfundimin së emri Dardania dhe i dardanëve i pohuar nga Straboni, e ka origjinën nga emri i Mbretit Shigjetë (Dard) dhe ishte Orakulli i Zotit në atë vënd. Hahni e pohoi këtë fakt, si nga ana gjuhësore edhe mitike dhe nuk e kuptoj se, përse e lidhi emrin e Dardanisë dhe banorëve të saj me pemën e dardhës. Në veprën e tij “Studime shqipetare” Hahni shkruan : “Jemi të mendimit që kuptimi i vërtetë i emnave të fiseve të sigunëve (Herodoti, V,9) dardanasve, kuretëve, kuiriteve, samnitëve dhe sabinëve vjen nga arma kryesore e tyre. Kjo fjalë (Dard-an) nga tingulli i ngjan fjalës italiane, spanjolle «dard» dhe angleze «dart» : « heshtë ». (39)
Një fakt tjetër është emri Gjetë, i një prej fiseve dardano-ilire. Ky emër, sikurse edhe i shumë emërtimeve të fiseve të gadishullit Pellazgjik, gjen kuptimin vetëm në gjuhën shqipe dhe është forma e shkurtuar e emrit “shigjetë”. “Armët më të preferuara të Herkulit, ashtu si tek Gjetët, ishin harku dhe shigjetat- pohon studiuesi francez Eduard Shnajder- Gjet vjen nga “shgjet”, që në shqip bën shigjet, prandaj ato popuj (skithët dhe gjetët-shën im) ishin pellazg”. (40) Kur flasim për fiset e Gjetëve, këtu futen edhe fiset Dake.

a- Mbretëria e mbretit dardan Burebistra ; b- Monedha Trajane në Dakinë romake 107 p.K. Gur-varrë ilire në Bosnjë . Simboli i zik-zakut, i rrethit dhe dora , dëshmojnë besimin hënor të popullsisë. Harku me shigjetë (djathtas lart), i përdorur këtu si simbol besimtar dhe fustanella shqipetare, tregon përkatsinë fisnore dardane . (41)
Historiani latin i shk 3 pK, Marcus Junianus Justinus në vëprën ë tij (Epitome of Pompeius Trogus) shkruan:”Dakët janë pasardhës të Getëve”. Constantin C. Giurescu (Formarea poporului român.) duke u mbështetur tek trashëgimia gjuhësore, pohon se ”Ata (Dakët dhe Gjetët) janë dy emra të të njëjtit popull […] të ndarë në një numër të madh fisesh”.(42) Që Gjeto-dakët janë fise dardane e dëshmon edhe qeleshja në monedhën e prodhuar në Daki.(fig.2 lartë) Përdorimi i emrit “dakë” dhë përfshirja e të gjitha fiseve veriore ballkanike nën ëmrin “ilir”, besoj se është pasojë e administratës romake, e cile donte ta fshinte emrimin “dardan” nga dokumentet e tyre, për telashet e mëdha që u kishin shkaktuar këto fise , sidomos nën udhëheqjen e Burebistrës.
Faktet e mësipërme mbi emrin “dard=shigjetë”, mbështeten edhe nga mitet, sipas të cilave, shpikës i harkut mbahet Apolloni Ipeboreal (43) figura e të cilit lidhet me vëndin e Ipeborealëve, që sipas përshkrimit të Strabonit (Geografia, 11, 6, 2), ndodhet pikërisht në zonën gjeografike të Dardanisë së lashtë .(44) Për të mbështetur mendimin tonë për emrin e Mbretit- shigjetë (Dard), që krijoi bashkësinë e parë të organizuar të fiseve dhe të prftërinjve fat-thënës, emrin e të cilit e trashëgoi krahina e Dardanisë dhe shqipetarët e Kosovës, do të lidhim disa fakte të zbuluara në fushën e historisë, gjuhësisë dhe miteve më të hershme.

VIJON…

___________________________

FATBARDHA DEMI: DARDANIA E PAZBULUAR (1)
https://pashtriku.org/index.php?kat=45&shkrimi=5441
***
FATBARDHA DEMI: DARDANIA E PAZBULUAR (2)
https://pashtriku.org/index.php?kat=45&shkrimi=5442
***
FATBARDHA DEMI: DARDANIA E PAZBULUAR (3)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=5766
***
FATBARDHA DEMI: DARDANIA E PAZBULUAR (4)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=5767

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura