HAJRUDIN MUJA: KRAJA – NJË TREVË E MALËSISË SË MBISHKODRËS

Ulqin, 09. 06. 2015 – Kraja, një trevë shqiptare e Malësisë së Mbishkodrës, shtrihet nga Taraboshi, përgjatë bregut jug-prendimorë të Liqenit të Shkodrës, dhe shpateve verilindore të kurorës së Maleve të Rumisë (1.959m), Malit të Gjanë (1.323m) e Shëngëllisë, nga Cermnica e deri në Shirokë. Në aspektin më të ri tipologjik, në kuptimin e gjërë, ndahet në dy Bashkësi Lokale. Në anën Prendimore të saj, është Bashkësia Lokale e Shestanit me fshatrat: Krricë, Dedaj, Gurëz, Pinç, Muriq dhe Ljare. Ndërsa në anën Lindore të saj gjendet Bashkësia Lokale e Ostrosit me fshatrat: Ftjan (505m), Kështenjë (245m), Bobosht (48m), Martiq (174m), Ostros i Madh (279m), Ostros i Vogël (240m), Arbnesh (302m) dhe Skje (109m) [fshati Zogaj dhe Shirokë nga ndarja kanë mbetur në territorin e Shqipërisë]. Përveç kësaj ajo ndahet edhe në tërësi rajonale të Krajës së Poshtme, me fshatrat: Krricë, Muriq, Bobosht, Sjerrç dhe Skje, si dhe në Krajën e Epërme me fshatrat Kështenjë, Martiq, Ostros i Madh, Ostros i Vogël dhe Arbnesh. Është edhe një tërësi e tretë me fshatrat: Shestan, Draçevicë, Rjeps, Pinç, Muriq i Epërm, Ljare, Brisk dhe Ftjan. Dokumentet e vjetra, duke përshkruar Krajën, fillojnë me fshatin Shirokë në lindje dhe përfundojnë me fshatin Selcë në prendim. Në Kadastrin e Shkodrës për vitin 1485 përmendet si fshat, kurse në atë të vitit 1582, shënohet si një Krahinë e përbërë prej 18 fshatrave me 927 familje. Marian Bolica më 1614, “Krajë” i quan fshatrat nga Ura e Bunës deri në Carnicë [Zamputi:1963,I/dok.3]. Ndërsa sipas Nikolla Ericos, më 1692: “Kraja përfshinë gjithë pjesën e vendit, të rrethuar prej detit, prej lumit të Bunës e Liqenit të Shkodrës, që kufizohej në veri me Malin e Zi, përfshirë këtu edhe Tivari e Ulqini…”. [Zamputi: 1990/dok.162] Po kështu, edhe gjeografi Kluverius, në fundin e shekullit XVI, thoshte se Kraja quhejt “territori ndërmjet liqenit të Shkodrës dhe detit…”. [Zamputi:1990/dok.176]
Toponimi “Kraja” ka qenë e është bërë objekt studiuesish të ndryshëm. Ekzistojnë mendime e supozime se toponimi “Krajë”, buron prej fjalës sllave “kraj”, që ka kuptim “skaj”, “fund”, “anë”, ose siç thotë Vasilije Lukiq (Prečista Krajinska,1974): “Vendbanim në jugun më të skajshëm”. Edhe studiuesit e tjerë sllavë e nxjerrin toponimin e “plotë” si Kraja e Malit të Zi” (sllavisht: ‘Crnogorska Krajina’). Por dihet se toponimi “Kraja”, ekzistonte shumë më heret se formimi i Malit të Zi, madje se edhe vetë toponimi i saj. Toponimi “Kraja” përmendet në analet e priftit të Duklës qysh në vitin 1149. Ndërsa Mali i Zi për së pari herë përmendet në Kisobulin e Karl Milutinit në vitin 1318. Madje, edhe në këtë kohë Mali i Zi pothuaj ishte i panjohur, ndërsa Kraja ishte edhe qendër arqipeshkvale (Koliqi:1991).
Nëse toponimi “Kraja” vërtetë ka kuptimin e “anës” apo “skajit”, atëherë më e logjikshme do të ishte që në vend të skajit të Malit të Zi (Crnogorska Krajina) të quhej “skaji i Shkodrës” (Skadarska Krajina), siç e quan edhe Krajl Nikolla. Kraja ishte Nahi (krahinë) e Shkodrës qysh në shekullin XV-të, dhe pjesë integrale e Sanxhakut të Shkodrës gjatë gjithë shekujve të ekzistimit të saj, kështu që një emërtim i tillë do të ishte më e logjikshme (Koliqi:2001/9). Sipas Konstantin Jeriçekut (Istorija Srba – Beograd 1923), “Kraj”, “Krajina” ose “Krajishta” quheshin famullitë kufitare serbo – bizantine. Sipas këtij konstatimi Milan Shufflay (Historia e shqiptareve të veriut, 1968), shton se “Kraja” (Krajina) serbët e quanin anën përgjatë Liqenit të Shkodrës, ndërmjet Bunës e Luginës së Cërmnicës (Shuflaj: ‘Serbët dhe shqiptarët’, f.15). Përkufizimi i tillë i shtrirjes gjeografike të Krajës është shumë i vonë. Një studim tjetër jep hipotezën se toponimi “Kraja” e ka prejardhjen nga emri i një fshati (të Krajës), që sllavisht quhej Krajina. Me këtë emër e gjejmë në analet e priftit të Duklës, që në shekullin XII dhe në defterët e parë osmanë, në shekullin XV. Në analet e priftit të Duklës “Krajna” është vetëm një vend (sot: Ostros), ku gjendej Kisha e Shën Mërisë së Krajës. Në Regjistrin e Kadastrit të Shkodrës për vitin 1485, paraqitet toponimia “Krajna”, jo në formën e një krahine, por të një fshati (Pulaha:1974/137-145), për të cilin shumë studiues mendojnë se është fjala për Ostrosin e sotëm. Në kuadër të Nahisë së Krajës këtu përmendet se “fshati Krajna është një nga fshatrat e luginës së Romanesë (Lugina e Rumisë).

Toponimin “Krajna” në një kuptim më të gjërë, tani jo si fshat por si krahinë, e ndeshim në Defterin e Kadastrit të Shkodrës të vitit 1582, e cila në kuadrin e saj, bashkë me Shestanin, mbante në vete 18 fshatra me 623 familje (Memiq: 1996/111). Relacioni i Marian Bolicës “Kraja” (Ponte di Scutadi…) i quan fshatrat nga Ura e Shkodrës (Ura e Bunës), rrëzës së malit nëpër breg të liqenit (Kraja) deri në Carnicë (Zamputi:1963/259-265). Proveditori i jashtzakonshëm i Kotorrit Nikolla Erico, në shkrimin e datës 1 mars 1692, thotë se: Kraja (krahina) përfshin të gjithë pjesën e vendit, të rrethuar prej detit, prej lumit të Bunës e Liqenit të Shkodrës, e që kufizohet në veri me Malin e Zi, përfshirë këtu edhe Tivari e Ulqini… (Zamputi: 1990/401-413). Në një pjesë gjeografike të Kluveriusit, e shkruar nga fundi i shekullit XVI apo fillimi i shekullit XVII, “territorin që gjendet ndërmjet liqenit të Shkodrës dhe detit, populli e quan Kraja, dmth. krahina e Shasit dhe kjo është mbërthyer në male… “ (Zamputi:1990/258-261). Ndërkohë, Andrija Joviceviq krahinën e Krajës e konsideron nga fshati Shirokë deri në fshatin Selcë, duke përfshi këtu edhe Shestanin (Crnogorsko Primorje i Krajina, Beograd 1922). (Muja:2009/145-146)
Ka një sërë arsyesh që koha ka detyruar banorët e Krajës të shpërngulën nëpër vende të afërta ose të largëta. Vendin e parë të këtyre arsyeve gjithsesi e nxënë sëmundjet çfarosëse, dhuna dhe kushtet e vështira për jetesë. Historia shënon epidemi çfarosëse që nga viti 146 deri në 180 të erës së re, që përfshiu edhe Romën.. Ajo që plasi në vitin 545 në Stamboll, u përhap në të gjithë Europën duke përfshi edhe Shqipërinë. Barleti na kujon vitin 1479, kur familje të shumta u vendosen ne Venedik, që t’i shpëtonin epidemisë së kolerës… Sëmundja e murtajës shënohet e pranishme në vitin 1692, kur Sulejman Pashë Bushatliu “Në luftë kundër malazezëve kishte me vete edhe luftëtar nga Kraja – vendi i murtajës”. Dr. Kërrçiku numron 12 periudha epidemie në Shkodër që nga viti 1761- 1821. Austriaku Fosell, vë në dukje “kolerën e katundit Shirokë të Krajës” dhe shton se kjo epidemi kishte ardhur prej Malit të Zi e përmes Krajës më 1868 kaloi edhe në Shkodër duke shkaktuar shumë vdekje. Kujtimin e këtyre sëmundjeve e vërtetojnë sot varrezat e shumta nëpër oborre shtëpishë, në kopshinje, buzë rruge, në ara, në pyje e gjetkë, pasi viktimat e këtyre sëmundjeve (ngjitëse) varroseshin sa më parë, mu aty ku vdisnin. Tradita popullore i këndon Gjylës një vajze të Krajës, e cila ose ishte shpërngulur me familjen e saj ose ishte martuar në More. Në qendrën e Perandorisë Osmane mërguan një numër i madh i tyre, që nuk u kthyen kurrë më. Në Zarë të Dalmacisë një komunitet i tërë krajanësh të shpërngulur ndërmjet viteve 1726 – 1733.
Shpërnguljet masive në Shkodër kanë të bëjnë me vendimet e Kongresit të Berlinit me grabitjen e tokave nga malazezët, pa përjashtuar rastet për arsye thjeshtë ekonomike. Si rezultat, sot në rrethinen e ngushtë të Shkodrës janë të regjistruara 1549 familje krajane me afërsish 5-6 mijë banorë, 14 persona vetëm me emrin Fadil Kraja. Për kushte më të mira jetese, krajanë të shumtë u shpërngulen edhe ne rrehinat e Ulqinit e të Tivarit. Por së fundi, shpërngulje masive në botën prendimore, sidomos në Amerikë, Australi, Francë e Gjermani, shpopulluan dukshëm Krajën. Pa dyshim në Amerikë ata përbëjnë një Krajë të dytë me më shumë se 1000 familje e 4000 banorë.

Nëse mendoni sa Kraja nuk ka nxjerrë njerëz meritorëtë historisë, pëmirsohuni. Historia nuk ka mund të fshehë Stefanin prej Krajë, firma e të cilit gjendet në vendimin e këshillit të dhjetëve më 28 gusht 1484. As Gjon Buzukun i cili më 1555 përktheu Mesharin, vepra e parë (fetare) që njihet e shqipëruar. As Dom Lekën dhe Kont Dhimirin nga Shestani, që më 21 mars 1607 shënohen si krerë kryengritës në marrveshje me Spanjolët. As Tahir Pashë Krajanin, Brahim Pashë Sjerçin, Hoxhë Curën, Alo Selim Runjin, Tahir Pashë Qyrjanin, Isuf Hardollin, Halil Beg Shahinin, Abdullah Begun e Osman Pashë Dodën që arrijtën në qarqet më të larta të administratës Osmane. Historia nuk ka mund të fshehë Halil Isuf Subrahimin – pjesmarrës në Luftën e Lesendrës as Ali Brahimin të rënë në Betejën e Krricës më 1862. Murto Ftjani, Salih Ftjani e Mustaf Bogdani që erdhën nga Stambolli për të luftuar malazezët në Luften e Taraboshit. Historia nuk ka mund të fshehë Tahir Hoxhën, Cano Has Muriqin, Lukë Pjetrin, Mark Nikën, Mark e Gjokë Perën, Çobo Nika, Pjeter Luc Shestanin, Salih Hardollin, Hasan Lulin, Selim Maxhurin, Ibrahim Maxhurin dhe Dul Mulatibin që nënshkruan protestën drejtuar Kongresit të Berlinit kundër coptimit të trojeve shqiptare. As Veli Ademin, Beqir Sykon, Hasan Ethemin, Haxhi Tahirin, Nezir Bardhin, Selman Sylon, Idriz Ymerin, Hasan Alinë, Beqir Zenelin e Ymer Hasanin që nënshkruan protestën dërguar konzulit Anglez në Shkodër me 7 Tetor 1878. Historia nuk ka mund të fshehë Gjergj Junk Dobrecin dhe Pjetër Perkolën që qëndruan në krye të ipeshkvisë së Tivarit. Historia gjithashtu ka veçuar kontribues të ndryshëm në lëmi të ndryshme, si intelektualët: Abdullah Kraja, Jak Kraja, Haxhi Hasan Alija, Hfiz Ali Kraja, Mulla Jusuf Kraja, Jusuf Mehmet Kraja, Shefqet Kraja, Hafiz Ibrahim Kraja, Filip Kraja, Kolë Kraja… e deri tek ato më të fundit mësimdhënës e edukatorë, shkrimtarë, dramaurg, poet, shkenctarë, inxhinjerë, mjekë, këngëtarë, instrumentalistë, e deri te udhëheqës të partive politike.

_________________
HAJRUDIN MUJA: ULQINI DHE TIVARI NË DOKUMENTET ARKIVORE (1)
PJESA E PARË:
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=4124
***
HAJRUDIN MUJA: ULQINI DHE TIVARI NË DOKUMENTET ARKIVORE (2)
PJESA E DYTË:
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=4125

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura