Tiranë, 5 janar 2021: Gjashtë vite më parë, në fillimin e vitit 2014, pata publikuar një esse kushtuar Besnik Hallaçit të paharruar…
Më ngjan sikur e kam shkruar dje.
Nuk po e komentoj… por ju ftoj ta lexoni…
Esse kushtuar Besnik HALLAÇIT
Besim R Cengu
Zbulimet e reja nuk janë thjesht rastësi. Përkundrazi janë përpjekje të mundimshme që të kushtojnë dhjetra vite e ndoshta gjithë jetën e njeriut që i përkushtohet profesionit të vet. Issak Njutoni, Tomas Akuini, Nils Boor, Darvini, Volta, Rajt, Tesla, Ajnshtajn e plot të tjerë, qenë revolucionarë të mëdhenj e shpikës të mëdhenj, pikërisht prej punën e talentit, mundit e sakrificave të mëdha.
Kanë sakrifikuar edhe shëndetin e tyre për shkak të stërmundimin, lodhjes e stresit për të nxjerrë dritë zhvillimi për njerëzimin, diçka që ndryshon esencialisht jetën e njerëzve në aspektin pozitiv. Njerëzit e kohës së tyre përgjithësisht nuk i kanë vlerësuar ata pikërisht për shkak, se punën e tyre e kanë quajtur krejt të zakonshme e rutinë brenda profesionit apo edhe pasionit të tyre. Zakonisht ndodh kështu me të gjithë talentet në te gjithë botën. Më vonë kur rezultatet e zbulimeve të tyre kanë ndryshuar shoqërinë njerëzore u kanë dhënë gradën që meritojnë.
… e di se ndonjë e përcakton esenë time emocionale kur unë bëj krahasimin me elitën shkencore botërore… por nuk mund të hesht pa paraqitur arritjet e tij shkencore (por edhe humane), nuk mund të jem indiferent kundrejt vlerave që ai ka në tëvërtetë….
Nuk mund ta lë pa i thënë dy fjalë për ketë sdudiues të pasionuar, modest e punëshumë. Dua të shpreh mendimin tim për shokun tim e afërt Besnik Hallaçi, i cili ngjason (nëse më lejohet të bëj këtë krahasim) si ato futbollistët mesfushorë, që në fakt organizojnë gjithë lojën, por nuk ndjehen shumë.
Ai para pak kohësh ka bërë një zbulim të madh në specialitetin e vet, në fushën e biologjisë… ka zbuluar TULIPANIN SHPIPTAR, po TULIPANIN SHQIPTAR. Unë jam nga ata miq, shokë e bashkëpunëtor të tij të afërt që e njoh “nga brenda”, me një fjalë ia di përpjekjet e tij shkencore, stërmundimin dhe pasionin për shkencën të cilën e zotëron si rrallë kush. Ia di lodhjen, gëzimin dhe hidhërimin e suksesit të tij. Ashtu sikurse ia di edhe modestinë e tij si koncept kulturor e njerëzor.
Shikoni: Besnik Hallaçi nuk e ka privatizuar zbulimin e tij të rëndësishëm. Jo. Ai e ka “kolektivizuar” atë edhe me studiues të tjerë vendas dhe të huaj. E ky veprim i jashtëzakonshëm i tij, shkencor e njerëzor, jashtë unit e përvetësimit egoist, është bërë me qëllim popullarizimi pozitiv. Synimi është që t’i dalë sa më shumë zëri Tulipanit Shqiptar, e nëpërmjet tij Shqipërisë e zonës së tij që ai e do aq fort. Ajo periudhë kur u fut Tulipani në listat shkencore si specie e re është një prej zbulimeve më të rëndësishme të biologjisë në shkallë vendi dhe botërore. Habitat i tulipanit është zona e tij (e jonë), e me këtë fat ai i jep dritë shumë gjërave, i thirr ndërgjegjes së njerëzve se jetojnë në një hapësirë të larmishme, në një vend ku jetohet dhe ekzistojnë mundësitë për zhvillim në të gjitha aspektet.
Kështu ka ndodhur edhe me elementët kimikë kur u realizua Tabela e Mendelejevit. Shumëkush në atë kohë nuk e ka njohur kush ka qenë ky shkencëtar, sepse shkencëtari nuk punon për të tashmen, por për të ardhmen.
Besnik Hallaçi e njeh si rrallëkush florën, por edhe faunën. Si rrallëkush! Pëllëmbë për pëllëmbë e ka shkelur atë, njeh çdo dru e lule… Madje i ka edhe të “inventarizuara” dhe shumë prej tyre i “viziton” vitin që vjen, shikon me vëmendje zhvillimin e ndryshimin që ka ndodhur në kohë. Kur punon ai humb dimensionin kohor, siç na pat humbur në Malin e Sharrit para dhjetë vjetësh, ndërsa Unë, Demir Reshiti e Bedri Halimi shqetësoheshim për të.
Po shkruaj me pasion për Besnik Hallaçin jo se e kam shok, porse është vërtet vlerë që i duhet shoqërisë e komunitetit. Pablo Koehlo, një shkrimtar i njohur latonoamerikan ka shkruar një libër interesant me titullin “Manual i Luftëtarit të Dritës” ku thekson se synimi e qëllimi i madh sot i inteligjencës avangardiste, është të përcjellim dritë në shpirtin e njerëzve. Sepse shoqëria e sotme ka nevojë për dritë shpirti, e cila më së shumti mungon. Një burrë i respektuar kuksian që sot nuk jeton në një shkrim interesant e pat krahasuar Besnik Hallaçin si Vladan Gjurica i kohës. Vladan Gjurica ishte një humanist i jashtëzakonshëm slloven që jo vetëm i ndihmonte njerëzit, por përcillte edhe dritë në shpirtin e tyre.
Pa patur frikë se e teproj them se Besnik Hallaçi përveçse shkencëtar është një humanist i pashoq. Ai është një studiues i përkushtuar e i palodhur. Organizator i talentuar i aktiviteteve shkencore dhe artistike, shoqërore dhe atdhetare. Një mik i madh i të gjithëve dhe vetëm armik i padrejtësisë, i brutalitetit, servilizmit e dallkaukllëkut.
Vetëm kur ai do t’i mungojë komunitetit ku jeton, keni për t’ja ndjerë thekshëm mungesën e tij.
Keni për të parë!…
Tiranë, më 12 janar 2014