Tiranë, 24. 03. 2013 – (Rreth librit “Misioni i djallit” i Misin Brahës) Diku nga fundi i muajit prill të vitit 1999, në Radio Kukësi erdhi gazetari nga Mitrovica Hamdi Miftari, i cili si të gjithë shqiptarët e tjerë nga Kosova, ishte i dëbuar nga trojet e veta etnike. Bashkë me të ishte një burrë bjond. Ky burrë, që në pamjen e parë të jepte përshtypjen e një njeriu delirant. Në atë kohë ne gazetarëve që pasqyronim orë e çast ngjarjet nuk na bënin shumë përshtypje tipa të tillë. Ndoshta ishte diku te 30 vjetët e jetës. Me Hamdiun ishim njohur disa ditë më parë kur në Radio Kukësi më solli për intervistë Xhevat Sabljakeviçin (të cilit të them të drejtën as nuk ia kisha dëgjuar emrin asnjëherë deri në atë kontakt). Hamdiu mu lut t’ia bëja një intervistë se “Xhevati është një gazetar i famshëm, i cili pas bombmardimit të Sarajevës jeton në Francë”, – më sqaron Hamdiu.
Ngaqë nuk kisha asnjë informacion për të mbiemri i tij më bëri të hezitoja. Intervistën e lamë për pasdite me synimin që gjatë kësaj kohe unë të kisha mundësi të informohesha më mirë rreth veprimtarisë së tij. Atë kohë interneti në vendin tonë vetëm sa kishte filluar të përmendej, ndërsa aksesi i këtij sherbimi ishte privilegj më shumë i gazetarëve të huaj. Për të ndihmuar në Radio Kukësi në aspektin teknik kishte ardhur edhe një shoqatë franceze me emrin “Droit de parole” (E drejta e fjalës) dhe një prej përfaqësuesve të saj, me emrin Mishel Pershe (nga Parisi) e mbaja në shtëpi. Ishte një burrë rreth 70 vjeç dhe jashtëzakonisht i sjellshëm. Unë e pyeta dhe zoti Pershe me foli shumë mirë për Sabljakeeviçin dhe me bindi se vërtet ai ishte një gazetar që ishte sakrifikuar në luftë kundër dhunës serbe. Në Bosnjë Xhevati ishte një gazetar shumë i njohur televiziv dhe gjatë bombardimit në qytetin e Sarajevës nga ushtria serbe kishte humbur edhe dëgjimin. U binda prej gjithë asaj që zoti Pershe më tha për të dhe pasdite e realizova intervistën brendinë e së cilës ne e kemi bërë pak a shumë të njohur për opinionin publik në një kapitull të librit tim “Përmasat e mbijetesës” (2003).
Kirurgu Craig Juriseviç – ky misionari I djallit!
Nejse! Dhe ja pas pak ditësh përsëri Hamdiu në redaksi. Por tani me një tjetër. Një mesoburrë bjond. Sapo ma tha emrin u ngatha. Hamdiu përsëri me një “viç” tjetër: Craig Juriseviç! Nuk e di se pse u irritova, por e mbajta veten. Askush s’e vuri re ndryshimin tim. Ndryshe nga intervista e paradisaditëve me gazetarin boshnjak, ndjesia për këtë “viç” të ri ishte çuditërisht negative pa u futur fare në njohjen e tij. “Është nga Australia, – më thotë Hamdiu, mjek dhe ka ardhur të ndihmojë të tejkalohet kriza në Kukës”. “O Hamdi, së pari nuk është krizë kjo që po ndodh te shqiptarët, – i thashë, është tragjedi njerëzore. Një luftë. Së dyti, ç’është ky Juriseviç në Australi!?” Si nëpër mjergull më kujtohet se Hamdiu bëri një përpjekje për të më sqaruar prejardhjen e tij, por unë nuk i kushtova shumë rëndësi. Një farë “antipatie” e pashpjegueshme për këtë njeri që në fillim më stimuloi t’i them pa asnjë dilemë “jo” të vendosur një interviste me të. Biseduan bashkë për disa çaste dhe më dhanë dorën e ikën.
***
Diku nga muaji janar apo shkurt i vitit 2012, më thotë dr. Shaqir Shehu (që aq shumë ka dhënë për luftën e vitit 1999) se një mjek australian me origjinë nga Sllovenia me emrin Craig Juriseviç ka shkruar një libër kujtimesh me titullin “Duart e përgjakura, kirurgu në luftë” (Blood On My Hands: A Surgeon At War) i botuar nga fundi i vitit 2009 apo fillimi i vitit 2010 në Melburne të Aushtralisë nga enti botues “Wild Dingo Press”, kurrë nuk më shkoi mendja te një bjond nga ky vend i largët i para 13 vjetëve që kërkoi të realizonte një intervistë në mikrofonin e Radio Kukësit ishte autori. Deri në atë bisedë me doktorin asnjë dijeni nuk kisha se qenka botuar një libër për atë periudhë prej një australiani i ardhur nga “prapa diellit” dhe që ai me të gjitha mënyrat e kishte denigruar jo vetëm luftën e drejtë të luftëtarëve tanë të lirisë, por edhe kishte përbaltos popullin shqiptar.
Para se të gjej librin me kujtime unë lexova gjithçka në internet rreth këti libri dhe autorit. I brishtë, delikat, i ndrojtur, frikacak. Këto janë cilësitë që ai pat transmetuar tek ata pak njerëz me të cilët ka patur “fatin” të takohet me to. Një farë tipi i ngjashëm me personazhin komik të Sandër Mafishes te komedia “Pallati 176”. Duke hulumtuar rreth këtij individi dhe kujtimeve të botuara në shqip te enti botues “Koha” në Prishtinë, më çuditi fakti se si reagimet e para mediatike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni kanë qenë pozitive për këtë libër. Një intervistë në “Zhurnal Plus” të Shkupit realizuar nga Rozafa Kelmendi më 26 janar 2010. Pas një muaji në New York (23 shkurt 2010) në revistën shqiptare “Ilyria” botohet një shënim me titullin “Një film në Holliwod kushtuar UÇK-s” ku opinioni sqarohet se mbi bazën e këtij libri të shkruar nga Crajg Juriseviç në bashkëpunim me Robert Hillman do të realizohet një film. Madje përmendet edhe aktori që do të luaj rolin kryesor, Sam Worthington që është bërë i famshëm në filmin “Avatar”, “Clash of the Titous” dhe “Terminador salvation”. Duke vënë re disa artikuj të përciptë dhe pa patur bazën elementare të njohjes për librin dhe autorin arrita në një fakt të tmerrshëm: mjerisht nga disa gazetarë e publicistë shkruhen artikuj pa njohur materialin apo personin për të cilin flasin. Po nejse, temë tjetër kjo.
Ata që e lexuan me vëmendje librin e autorit kuptuan gjithçka. Kuptuan djallëzinë e tij, qëllimin ogurzi, helmin që përmes një gjuhe të rëndomtë joartistike e jopublicistike kishte hedh, nëpërkëmbjen e zhvlerësimin për këtë epokë të lavdishme të popullit shqiptar dhe për përpjekjet titanike të popullit shqiptar në përballimin e kësaj situate tragjike. Uk Lushi, një luftëtar i pari. Pastaj të tjerë, Besim Muhadri, Behudin Murati, Ibrahim Hajdarmataj etj.
”DUART E PËRGJAKURA: KIRURG LUFTE”,
NJË LIBËR ME GËNJESHTRA PËR SHQIPTARËT.
* * *
Por për tu ndalë seriozisht e imtësisht mirë në zbërthimin e librit bazuar në dukumentacion autentik e dëshmi reale është ndalë dr. Misin Braha. Ky mjek pediatër shumë i respektuar për humanitetin e tij dhe përvojën e gjatë, realisht ka shteruar pothuajse gjithçka për çka trillon Juriseviçi në librin e tij me kujtime.
Libri i Juriseviçit vërtet është një “paqavure” si e quan shpesh autori Misin Braha. Ai vërtet është misionari i djallit. Është i tillë se nga faqja e parë deri kur e mbyll këtë libër nuk ka asgjë të vërtëtë. Madje përtej kësaj të pavërtete ka shumë keqdashje e ligësi. Për të arritur synimin e vet autori i paçavures është i paskrupullt; nga skutat e errëta të egërsisë njerëzore buron gjithçka e lig. Gënjen, mashtron, fantazon duke e bërë librin e tij një krijim që i përket një gjinie krejt të veçantë e specifike që e ka “shpikur” vetëm Juriseviçi.
Autori siç apostrofuam më lart aspiron që libri të jetë bazë skenari filmi që ëndërron të luhet prej aktorëve të Holliwudit. Kjo ëndërr e nxit që të jetë i pandalshëm në të pavërtetat që publikon, në shtrembërimin e realitetit, në nxirjen e çdo veprimtarie e përpjekje të popullit shqiptar për të përballuar këtë situatë tragjike dhe për të mbijetuar.
Kështu ky libër-skenar që pas leximit të duket sikur je zgjuar pas një ëndrre të keqe, të lë ndjesinë se autori është ashtu si thotë dr. Misin Braha: jo një mjek, por misionari i djallit, jo një mik, por e kundërta e tij për popullit shqiptar e njerëzit e tij të mirë, jo një human, por një sadist që ka dëshirë të shohë vetëm vuajtje, rënkime, klithma, trupa të kalbur, krahë e koka të prera… Shkurt është ndjellës i vdekjes. Sidomos i vdekjeve të fëmijëve! O zot, çfarë mjeku!
Juriseviçi vërtet ka për mision të arrijë në një pikë; në atë “që serbët janë më të mirë se shqiptarët!” Pikërisht këtë fjali dr. Misin Braha qëllimisht e kthen në lajmotiv të librit prej fillimit e deri në fund. Ashtu sikurse në lajmotiv e ngre edhe togfjalëshin “misionari i djallit” që e ka vënë edhe për titull të librit.
Për Juriseviçin shqiptarët janë njerëz të pacivilizuar kur flet për kulturën, mënyrën e sjelljes, të konceptuarit e jetës, marrëdhëniet me të tjerët etj. Serbët në konceptin e tij janë shumë më të mirë. As në rastin e parë dhe as në të dytin nuk e fakton autori. Nuk jep argumenta. Mungojnë faktet e argumentat. Lind pyetja elementare: ç’dreq libri kujtimesh a libri historik është ky kur i mungojnë komponentët kryesorë!? Sa herë kur ai flet për shqiptarët të duket sikur shtërngon dhëmbët, prish fytyrën dhe kalon në një gjendje urrejtje dhe anormaliteti. Sepse qëllimi dhe misioni i tij është i tillë.
Për Juriseviçin të gjithë shqiptarët janë të deformuar psikologjikisht, të dhunshëm, pijanecë, të pakulturuar, vrasës. Serbët edhe nëse veprojnë dhunshëm, sipas tij janë të logjikshëm, i kanë detyruar rrerthanat e afërsisë me shqiptarët prej të cilëve kanë përjetuar masakrime të herëpashershme (!). Ç’farë dashakeqësie prej kësaj fare mostre!
Për Juriseviqin shqiptarët janë antihumanë. Jo më kot ai në paçavuren e tij vë në qendër spitalin e Kukësit. Pikërisht istitucionin shëndetësor më të rendësishëm, i cili përballoi me heroizëm këtë situatë tragjike. Unë personalisht që pata fatin të jem gazetar në atë kohë të vranët për shqiptarët di shumë e shumë gjëra. Di edhe atë që mjekë të spitalit të Kukësit si vetë autori, dr. Shaqir Shehu, dr. Mark Nufi, dr. Mustafë Mustafa, dr. Dashnor Lisha etj., nuk kanë shkuar për ditë të tëra në shtëpitë e tyre. Vetëm për tu qëndruar problemeve të shumta në spital ata këtë institucion shëndetësor e patën shndërruar në shtëpitë e tyre. Gjithkush e lexon këtë libër nuk mund të mos indinjohet për “pallavrat” e një mendje të sëmurë e të çekuibluar si e Juriseviçit. Kush prej kuksianëve, hasjanëve, tropojanëve, kush prej shqiptarëve të dëbuar dhunshëm nga territoret e veta etnike në atë kohë i beson kësaj mendje dhe trillimeve që ajo pjell!? Spitali i mbushur me vrasës, mjekë mafiozë, infermiere të droguara, njerëz të vdekur në korridore, lopë të ngordhura në oborrin e spitalit që e hanë njerëzit si të jenë kafshë xhungle ku mbisundon I pastër ligji i luftës për ekzistencë…Nuk ka se si të shkruhet me kaq urrejtje patologjike, me kaq mëllef për një popull e komb që vetëm këto prirje nuk e ka demostruar kurrë. Kurrë.
Për Juriseviçin shqiptarët nuk janë as luftëtarë. Kujtoni “praninë” e tij brenda rradhëve të UÇK-s se si e pasqyron gjendjen aty. Mbretëron kaosi, mungesa e rregullit, mungesa e respektit për eprorin e njëri-tjetrin, konfliktet janë të pranishme deri në shkallën ekstereme të eleminimit mes luftëtarëve. Kujtoni se si një ushtar i bindet atij aq përulësisht sa që i duket si një kone e vogël që i luan bishtin të zotit. Cili luftëtar i lirisë mund ta mbajë këtë ofendim kaq të rendë sa guri i Sizifit mbi supe? Mirëpo ja që këtë e bën një mjek kirurg anonim në fakt krejt i parëndësishëm, i panjohur e i pavlerë në atë kohë të rilindjes së shqiptarëve me emrin Juriseviç.
Pa u futur në detaje unë vlerësoj shumë librin reagues të dr. Misin Brahës. Veçoria kryesore dhe më e rëndësishme e tij është fuqia e argumentimit. Si një hulumtues i palodhur që është autori i “Misionit të djallit” nuk ka lënë dokument pa parë e studiuar me kujdes, regjistër pa shfletuar, ditar pa kontrolluar, kartelë pa e qëmtuar. Ka shteruar të gjitha faktet konkrete përmes bisedave me dëshmitarë okularë e faktorë konkretë në ngjarje me emra e mbiemra, me data e ditë, me orë e ngjarje. E jo me ngjarje pa emra, pa data, pa njerëz realë, pa situata të ndodhura siç bën autori i librit “Duart e përgjakura, kirurgu në luftë”.
Misin Braha thamë që është një mjek pediatër, por në librin “Misioni i djallit” performon si një polemist racional shumë bindës. Del i tillë se ka në dorë çelësat me të cilin zhvillohet një polemikë e suksesshme: argumentin e faktin. Ai i ka këto, prandaj i rrjedh fjala e bukur dhe e sinçertë, e besueshme dhe mendjembushëse. Edhe emocioni i fjalës (që në libër është e pranishme) në raste të tilla ka funksionin e vet. Si i tillë ky libër është shumë i vlefshëm, një dokument i rëndësishëm që i bën bllok ndërmarrjes së pistë aventureske të një sharlatani. Nga ana tjetër botimi i “Misionit të djallit” u ndal turrin edhe sharlatanëve të tjerë të këtij soji që guxojnë të ndërmarrin misione të tjera shpifëse e trilluese, kriminale dhe antishqiptare për të hedhur baltë në përpjekjet tona atdhetare si ajo e fundshekullit të kaluar.
Unë që e kam lexuar me vëmendje librin e Crajg Juriseviçit, por edhe e kam redaktuar fjalë për fjalë librin e dr. Misin Brahës, habitem me një fakt të dhimshëm gati apokaliptik: në heshtjen e mjekut Ylber Vata. Si është e mundur që ai thellësisht i nëpërkëmbur dhe i zhvlerësuar, i keqpërdorur deri në maskarallëk prej autorit të qëndrojë kaq indiferent!? Nuk dime se ç’emër t’i vemë këtij veprimi. Po ashtu edhe për përkthyesin dhe shoqëruesin e tij. Ata duhet të prononcohen për të mbrojtur veten të paktën, për të ruajtur dinjitetin, moralin dhe qenien e tyre si shqiptar. Është një detyrim. Të qenit shqiptarë, por edhe kuksianë duhet t’i bëjë të ndjeshëm në këtë rast. T’i vlerësojnë “të vërtetat” juriseviçiane dhe të mbrojnë të paktën personalitetin e tyre, e përmes këtij veprimi, të mbrojnë edhe të drejtën e dinjitetin e popullit shqiptar që aq shumë kontribuoi për të përballuar këtë pragkatastrofë njerëzore.
Libri i dr. Misin Brahës është një ndërmarrje dinjitoze në mbrojtje të vlerave humane të popullit shqiptar. Është një reagim atdhetar kundër mohimit të vlerave tona prej njerëzve dashakëqinj si Crajg Juriseviçi. Jemi të sigurtë se ky autor nuk është i vetmi. Djalli ka shumë misionarë. Arritjen e qëllimit të vet nuk e mbështet vetëm tek një. Është akt patriotik që i bën nder vendit të vet, popullit të vet, mundit e gjakut të tij. Është respekt i thellë për luftën e popullit shqiptar për lirinë e tij, për të mbrojtur identitetin. Është nderim për luftën e drejtë e heroike që bëri UÇK dhe gjithë luftëtarët e lirisë, përulje e mirënjohje para dëshmorëve të lirisë.