BESNIK IMERI: KORKUTI, MOHUESI I ORIGJINËS PELLAZGE (II)

Vlorë, 15 gusht 2020: Çështja e banorëve të brigjeve të detit, të fushave dhe të Epirit në raport me atë të malësorëve ndryshon. Atje ka pasur një popullsi të shumtë helene (shiko sa bukur) … por ka marrë një karakter shqiptar si rezultat zbritjes së malësorëve drejt bregdetit e qyteteve…
Më konkretisht, banorët e Epirit të Veriut në mënyrë absolute, formuan një popullsi helene autentike (Ja ku fle lepuri, doni më për Behlulin)…”
(Enigma-Robert D’Anzhely,f-309).
Tani, shumë thjesht mund të bëhet pyetja: Kujt i intereson që origjina e shqiptarëve të mos jetë edhe nga Epiri? Ose e shprehur më qartë, kujt i intereson që toskët epirotë të mos quhen shqiptarë, por t’u jepet një emër tjetër; psh të quhen grekë. Kush dëshiron që kufirin e shtetit të vet ta çojë deri në Shkumbin, ku ndahen gegët me toskët; pra që toskët të zhduken dhe të mos përmënden më, por të quhen grekë? E shikoni që dogma që mbrohet me fanatizëm i ka rrënjët të thella dhe pasojat shumë të rrezikshme. Prandaj edhe vllaho greku, Barka, i ka dalë në mbrojtje dhe njëkohësisht nxjerr si mburojë, Kryetarin e Akademisë të Shkencave të Shqipërisë, z.Korkuti.
Megjithatë, ju z.Korkuti, po të ishit thelluar, po t’i studjonit në thellësi dhe gjërësi Ilirët, me domosdo ju në fund të këtij studimi do të kishit cekur pellazgët; ashtu si një anije e madhe kur futet në ngushtica prek fundin e detit.

Shëmbullin e keni shumë afër, një banor i bregdetit Adriatik, Aleksandër Stipçeviq, që i ka studjuar seriozisht dhe me dashuri Ilirët, ka nxjerrë një vepër të madhe për ta. Në këtë vepër, pavarësisht se ai është marrë me ilirët, përfundimet e kanë shpënë tek lidhja e tyre me pellazgët. Që të jem më konkret po përmend nja dy raste të veprës së tij “Ilirët”.
“Përputhshmëria e dokeve të shumta të varrimit të të vdekurve te ilirët edhe te grekët e hershëm (dhe grekët e hershëm janë pellazgët), përputhshmëria e simbolikës funerale, siç mund të përcaktohet në bazë të dokumentacionit arkeologjik… e tërë kjo flet për bazën shpirtërore që ka qënë e përbashkët për të dy grupet etnike” (f.308 e veprës së cituar në shqip).
Kur flet për kultin e gjarpërit tek ilirët, Stipçeviq, rrëfen se ky kult është i njëjtë me atë të Hititëve në Azinë e Vogël. Por Hititët, nuk e di në se ju z.Korkuti e dini apo jo, që janë pellazgë. Perandoria zulmëmadhe Hitite me kryeqytet Hatushën ishte një perandori pellazge, nga shpërbërja e së cilës dolën mbretëritë e fuqishme të Likianëve, Lidianëve (paraardhësit e pellazgëve Tirrenë), Kanaenëve (Fenikasit), Karianëve, që të gjithë popuj pellazgë etj.,etj.
Dhe që të jem pak më konkretë po i referohem plakut Katapano, i cili na tregon për disa fjalë të përdorura nga Hititët. Ata për të treguar kohën e tashme përdornin fjalën njërrokshe “NI”. Në gjuhën e sotme shqipe kemi këto fjalë për kohën e tanishme: NITASH (që e përdorin gegët), TANI (që e përdorin toskët), NANI, (që e përdorin arvanitasit), NIME (që e përdor Shqipëria e Mesme); Pra nuk do shumë mend që kemi të bëjmë me të njëjtën fjalë dhe ajo që është më e çuditshmja, dialektet e shqipes së sotme për këtë fjalë janë më larg njëra tjetrës, ndërkohë që në lidhjen e drejtëpërdrejtë me fjalën hitite janë me afër dhe ajo që i lidh të gjitha, është fjala njërrokshe “NI”, pra është fjala rrënjëse pellazge “NI”. Katapano na tregon se Hititët përdornin edhe fjalën “URIM”, e cila ka ardhur pa asnjë ndryshim në gjuhën e sotme shqipe.
Por këtu Katapano na surprizon kur na thotë se fjala “URIM” në hebraishten e vjetër përdorej nga priftërinjtë hebrenj, kur ata komunikonin me perëndinë. Surpriza vazhdon më tej kur ai na tregon se në hebraishten e vjetër fjala “SHEINAH” ka kuptimin “prania e zotit mes nesh”. Zbërthimi i kësaj fjale nga pellazgjishtja, ose hebraishtja, si të doni, në gjuhën e sotme shqipe bëhet “SHEH-AI-NA”, sheh-ai-(kah)na. Meqënëse zoti në lashtësi thirrej “AI”, ose thjesht “I”, në toskërisht kjo fjalë është më e kuptueshme, pasi gërma “H” nuk shqiptohet dhe fjala ”SHEH” shqiptohet “SHE”; atëhere ajo shqiptohet “SHE-I-NA”, sheh ai kah na.
Pra, vazhdojmë atje ku e lamë, kulti i gjarpërit, para se të jetë një kult ilir ka qënë një kult pellazg, pra i trashëguar nga pellazgët tek ilirët. Madje, ai shkon më tej kur duke ju referuar një autori, K.Oshtirit, i cili nga ana e vet emrin e etnisë së madhe të ilirëve e lidh me emrin e gjarpërit hitit, Illujankash. Sipas këtij autori, origjina e emrit Ilir nuk është indo-europian por “Alarodik dhe pikërisht pellazgjik”.
Por në këtë linjë, në lidhjen e emërit të Ilirëve me Hititët, pra edhe me pellazgët, është edhe Xhuzepe Katapano, i cili nuk përdor emërtimin pellazgë, por në vend të tij përdor emërtimin Ilir. Ai shprehet se ilirët atlantidas (pellazgët atlantidas) pas përmbytjes së madhe 12.000 vjet para erës sonë shkuan në Kaukaz dhe pas largimit të ujrave zbritën në Azinë e Vogël me emrin e ri, Hitit, duke krijuar 6500 vjet p.e.s perandorinë hitite me kryeqytet Hatushën. Por vazhduan edhe në drejtim të Egjyptit.
Po citojmë disa nga vargjet e Zef Katapanos që shprehin këtë mendim: “Kjo e ditura hyjneshë (perëndesha egjyptiane MAT) është po e farës sonë arbëreshë, që me Thotin shkoi Misir ka Kaukazi, kur Ilir ynë llauzi po i nxir gjithë ka stera e bardhë e dëlirë… dreq Evropën bënë të lirë. Kështu llauzit tonë arbëror i dhanë ëmrin pra hyjnor: “I Lir”, se për lirinë sterës bardhë e për shpërblim”.
Pra, ka autorë z.Korkuti, që edhe emrin Ilir e nxjerrin me origjinë pellazgjike. Po vetë banorët e Ilirisë atëhere, a nuk janë edhe ata me origjinë pellazgjike, për derisa vetë emri i tyre ka këtë origjinë.
Në vazhdim të kultit të gjarpërit Stipçeviq tregon se nga kërkimet arkeologjike në Prishtinë në një figurinë të neolitit të vonë është gjetur gjarpëri i mbështjellë kutullaç. Figurina të tilla, vazhdon ai, janë gjetur në Mikenë. Nuk ka pikë dyshimi thotë autori, se domethënia e kultit në Prishtinë dhe Mikenë, është e njëjtë; dmth paraqet mbrojtësin e vatrës së shtëpisë dhe njëkohësisht personifikimi i kryetarit të ndjerë të fisit.(f.319 e veprës së cituar). Pra, besoj se nuk ka nevojë që t’ua shpjegoj, se zakonet e pellazgëve dardanë janë të njëjta me ato të pellazgëve mikenas.
Në përfundim Stipçeviq thotë: “religjioni ilir dhe grek kanë pasur së paku pjesërisht, bazën e përbashkët shpirtërore në botën neoeneolitike mesdhetare, që ka rezultuar pa dyshim në ngjashmërinë e një sërë detajesh në mes të këtyre dy religjioneve dhe mitollogjive, dhe gjithësesi edhe të simboleve gjegjëse”. F.438.
Por ajo që nuk thotë Stipçeviq, është fakti se bota neoeneolitike mesdhetare nuk është gjë tjetër, veçse bota mesdhetare pellazge. Janë pellazgët ata që popullonin gjithë bregun e Mesdheut, Azi të Vogël, Lindjen e Afërme, Veriun e Afrikës, gadishujt, Iberik, Apenin dhe Ballkanik; Pra, janë pellazgët, parahelenë dhe parailirë, që u kanë lënë trashëgimi të njëjta dy etnive të krijuara dhjetra shekuj më vonë.
Neritan Ceka flet për kultin e gjarpërit të pasqyruar në monedhat e gjetura nga gërmimet arkeologjike në qytetet e lashta të Bylisit, Amantias dhe Olimpes në Mavrovë të Vlorës. Por, ajo që është më e rëndësishmja, është fakti se këtë kult, kultin e gjarpërit, të gjetur në këto monedha, Neritan Ceka e quan kult pellazgjik.
Por që të mos dalim nga tema, po përmëndim një autor, të cilin dalëzotësi juaj, z.Barka, e ka shumë për zëmër. Ky është N.G.L.Hamond. Ja çfarë na thotë Hamondi. Gjakmarrja është një zakon i njëjtë si tek grekët e lashtë (pellazgë po i quaj unë) ashtu edhe tek shqiptarët, banorë të Ilirisë, apo të Epirit. Ai i drejtohet një episodi të shkruar në Iliadë, ku përshkruhet tablloja e mburojës së Akilit; ku pleqësia ishte mbledhur për të ndalur një gjakmarrje. Në vijim, ai shpjegon se edhe Drakoni, ligjvënësi i madh Helen u përpoq që të ndalte gjakmarrjen; po ashtu, pas tij edhe i madhi Solon. Në vazhdim ai tregon, se në vitin 1894 njëzetekatër pleqtë e Kastratit vendosën të njëjtin ligj, që kishte vendosur edhe Soloni para 25 shekujsh, lidhur me qarjen me lot për faqe. (“Epiri”, f..41-42 në shqip).
Në vazhdim të kësaj ideje, që si ilirët, ashtu edhe epirotët, rrjedhin prej pellazgëve; po hidhemi pak në traditat dhe zakonet e sotshme të shqiptarëve, të cilat kanë mbetur të tilla për mijra vjet dhe vijnë që nga mugëtirat e kohrave. Hamondi përmendi gjakmarrjen. Por unë do të përmënd mikpritjen, një zakon i stërlashtë pellazgjik. Një zakon që kishte për dalëzotës bash vetë Zeusin gjëmimmadh.
Në malësitë tona thuhet që shtëpia është e mikut dhe e zotit. Nëqoftëse do të kthehemi prapa 3000 vjet, kjo shprehje do të thuhej që banesa është e mikut dhe e Zeusit. Për të vërtetuar këtë po i referohemi drejtëpërsëdrejti “Odisesë” :
“…ki nderim për hyjni o trim bujar! Ne sot të biem ndër këmbë: ta dish se Zeusi hakmerret rëndë për miq e nevojtarë, se Zeusi do t’u shtrohet miqve buka…” f.157 në shqip.
Vazhdojmë:
“…Zeusin mikpritës e nderoj në ty…Tamam po thua, mik! Kjo është mënyra më e lehtë në të gjithë botën t’më dalë nami e të më tallin sot e përgjithmonë! (shiko se me të njëjtën gjuhë do të fliste edhe një malësor i yni pas 3000 vjetësh) të pres tjetrin si mik, pastaj t’i sulem e t’ia marr shpirtin! Zoti mos e dhëntë! Me ç’sy e faqe unë pastaj t’i lutem Zeusit, birit të Kronosit atë…”.
Hidhemi tek Eskili, tek Lutëset, ja çfarë u tregon Danau plak Danaideve, se si e priten fjalën e tij për mbrojtje argivët dhe vetë mbreti i tyre Pelazgu:
“Argivët që të gjithë u shprehën pa ngurim dhe ndezën zjarr të ri në zëmrën time plakë. Të gjithë ngritën lart të djathtat ogurmira.- Një pyll i tërë duarsh- dhe ja si vendosën: “këtu, në këtë vënd të lirë mund të rroni, askush nuk do t’ju prekë, askush t’ju marrë peng. I huaj qoftë a vëndas, njeri s’mund t’ju trazojë. Në rast se kundër jush veprohet me përdhunë, këdo nga vëndalinjtë që ndihmë nuk ju jep, e prek veç damk e turpit dhe rruga e mërgimit” për ne të tilla fjalë tha mbreti i pelazgëve. Pa shtoi se qyteti nuk duhej në të ardhmen të cyste zëmëratën e Zeusit ndaj lutsve, se njollë të dyfishtë mbi vete do të merrte- për miqtë vëndalinj- se kjo patjetër shpagim do të kërkonte, shpagimin e së keqes. Dhe populli argiv, këto me të dëgjuar, me dorë dha pëlqimin pa pritur që ta ftonin. Nga fjala e goditur u bind me të vërtetë ky populli pelazg, po vulën e vu Zeusi…”.(f.75 e veprës së cituar).
Po të shtoj ndonjë fjalë unë, prishet, se pastaj më vret Zeusi dhe Eskili.
Nga zakonet hidhemi tek etnografia: Të gjithë e njohim xhubletën e malësisë, vendësit thonë që është një veshje e lashtë e malësoreve, thonë që është edhe ilire. Nuk kam kundërshtim. Por, në gjetjet arkeologjike në Kretë janë zbuluar veshje të grave kretane, pellazge të njëjta me xhubletën e Malësisë. Hane shan hane Bagdad. Malësoret tona me veshje greke!!!! Apo greket e lashta me veshjen shqiptare, apo ilire në daçi!!! Vetvetiu, këtu na shpëtojnë pellazgët, të cilët kanë banuar si në Kretë dhe në Mikenë, si në Argos dhe në Korinth; po ashtu edhe në Dardani dhe në Iliri. Përgjigja është e thjeshtë:
Xhubleta është një veshje pellazge, dhe që të gjithë ata që e kanë përdorur kanë qënë pellazgë. Ndërsa ata që e përdorin sot e kësaj dite, si rrjedhojë e kanë origjinën nga pellazgët.
Vazhdojmë më tej. Veshja tradicionale e burrave malësorë në Shqipërinë e Veriut me tirqe përdoret edhe nga burrat kretas në Greqi si veshje popullore. Po kësaj çfarë t’i themi?!!! Janë malësorët tanë grekë?!!! Apo janë kretasit, ose kretanët, malësorë shqiptarë?!!! Këtë rebus po e lë që ta zgjidh vetë z.Korkuti, mbase na i nxjerr edhe kretasit me origjinë ilire.
Thuhet se gjama e burrave të Malësisë është përmendur nga Herodoti si një zakon që përdorej nga burrat në Kretë në rast vdekje. (Prapë na doli kjo Kreta, ore nuk na u nda)
Kemi dëgjuar për vallen e shpatave, që sot e kësaj dite dhe për mijëra vjet kërcehet nga malësorët tanë. E po pastaj, do të thoni Ju? Po, sepse sa më thellë futemi, aq më shumë rurëza gjëjmë. Në një festival tradicional në Umbria të Italisë edhe atje kërcehej vallja e shpatave. Ç’duan italianët me vallen e shpatave? Nuk duan italianët, por duan umbrianët. Mbase ju z.Korkuti e dini që umbrianët e lashtë janë etruskë dhe se Umbria, po ashtu si Toskana ka qënë e banuar prej Etruskëve dhe që etruskët janë pellazgë, nuk duhet ta vini në dyshim. Pra, mos vallja e shpatave do të thoni ju, është një valle pellazge?!! Dhe ata që e kërcejnë sot e kësaj dite, do të thosha unë, janë me origjinë nga pellazgët.
Vazhdojmë më tej dhe hidhemi në Greqi. Legjenda thotë që kur lindi Zeusi foshnje qante. Për të mos e gjetur Kroni dhe ta hante, foshnja ishte strehuar tek kretasit e lashtë pellazgë, të cilët e njihnin shumë mirë zakonin e mikpritjes z.Korkuti. Kur foshnja Zeus qante, thotë legjenda, kretanet pellazgë për ta qetësuar dhe për të mos u dëgjuar e qara, ngriheshin në valle dhe përplasnin shpatat e tyre. Mbase i rrëmbyen shpatat për t’i treguar Kronit se jetën e mikut vogëlush do ta mbronin me jetën e tyre, pasi kështu i mësonte zakoni i mikpritjes. Kështu mbase lindi vallja e shpatave. Pra këtu ndodhemi para një trekëndëshi pellazgjik Umbria – Bjeshkët e Namuna – Kretë. Ky trekëndësh është si trekëndëshi i Bermudes që do të thithë në gjeratoren e vet gjithë antipellazgjistët. Por ka edhe më. Po ju tregoj një dilentatizëm nga ato që z.Korkuti nuk i ka hiç për qejf.
Sot e kësaj dite grekët e quajnë Kretën, Krriti; ndërsa ne shqiptarët e quajmë Kretë. Kush është emri i vërtetë, ajo që shqiptojnë të huajt, apo ajo që shqiptojnë vëndësit. Besoj se edhe ju jeni në një mëndje më mua: Ai emër që shqiptojnë vëndësit. Pra, Krriti. Por nëqoftëse kthehemi prapë tek legjenda. Kreta është vendi ku u rrit Zeusi, ose vendi që e rriti, ose që kë rriti; pra Krriti. Pra si i lidh gjërat legjenda. Pra këtu na del, se edhe emri i Kretës vjen nga vepra që kanë kryer banorët e saj pellazgë para mijra vjetësh, nga rritja e Zeusit dhe për çudi shpjegimin dhe kuptimin ja jep gjuha shqipe, do apo nuk do z.Korkuti.
Por ka edhe një çudi tjetër. Shqiptarët dhe turqit (pasardhësit e pellazgëve të Anatolisë) e thërasin Kretën me emrin Gjiriti. Menjëherë do të hidhen disa dhe do të thonë që kjo është fjalë turke, që vjen nga turqishtja. Dakord, or xhan. Por, po ta shikojmë me kujdes, kjo është një fjalë e vjetër shqipe ose pellazge. Gjiriti mund të kuptohet edhe si Gjiri, ose Gjiu që e rriti. Pra është fjalë me të njëjtin kuptim si Krriti. Por ndërsa të parën e përdornin pellazgët vendas të Kretës; të dytën, ndoshta e përdornin pellazgët e Anatolisë, mbase Hititët, mbase Lidianët, ose mbase edhe vetë Likianët, gjuha e të cilëve dokumentohet më afër gjuhës shqipe. Çdo gjë është e mundur.
Ja çfarë na thotë për gjuhën shqipe një autor francez Luis Benlou: “…në Liki, në Troadë, në Kretë, në Atikë në kohëra që nuk mbahen mënd, hasej një popullsi zanafillore e njëjtë, e cila fliste një gjuhë dhe vetëm një gjuhë dhe kjo gjuhë ishte GJUHA SHQIPE, apo gjuha që ngjante me të…
…Ne mendojmë se banorët zanafillorë të Greqisë dhe të Azisë së Vogël deri në Halis, duhet të kenë folur idioma pak a shumë të ngjashme me gjuhën shqipe..”. (Greqia përpara grekëve-f.128 dhe 81.bot.shqip).
Ndërsa një autor tjetër francez, Robert D’Anzhely, kur vjen fjala për gjuhën shqipe na thotë:
– Gjuha pellazge është kaq e largët dhe numëron dhjetra e qindra mijëvjecarë të formimit, të zhvillimit, të evoluimit e të njëjtësimit. Po të ndjekim termat e Biblës – gjuha pellazge është kaq primitive, sa që është gjuha e vetme që flitej nga raca e bardhë.
– Gjuha pellazge është gjuha universale e racës së bardhë.
– Gjuha e Ilirëve, ashtu si edhe gjuha e Trakëve, si dhe i gjithë popullsive të tjera të bardha, është GJUHA PELLAZGE.
– Gjuha shqipe është GJENIALE dhe UNIVERSALE.
Ndërsa Petro Zheji e quan gjuhën shqipe – gjuhë kozmike. Pra, është i njëjti emërtim, pasi D’Anzhely e quan gjuhën shqipe – gjuhë të universit.
Mund të thoni edhe ju, ashtu siç thoshte i madhi Çabej, që mitet dhe legjendat janë përralla boshe me të cilat nuk duhet të mbushim kokat e vogla të fëmijve në shkolla. Dakort me kokat e fëmijve; por kur hynë në kokat tona të mëdha o i madhi Çabej, qysh tua bëjmë?!!!
Por kemi edhe një vlerësim tjetër për mitet dhe legjendat dhe ky vlerësim na vjen nga përtej Adriatikut nga Xhuzepe Katapano:
“… Mitet dhe legjendat, ndryshe nga sa mendohet zakonisht, nuk janë gjithmonë përralla apo pjellë e fantazisë, por FOSILE të HISTORISË; janë kujtesë kolektive e gjinisë njerëzore e vjetër prej 600.000 vitesh; e cila ka rregjistruar ngjarje të kaluara – ndonjëherë të shtrëmbëruara, gjatë përcjelljes nga brezi në brez – por përherë të vërteta, ashtu siç ka dëshmuar shkenca në 100 vitet e fundit, me kusht që të vlerësohen me kodin e duhur, pa paragjykime…”. (f.41 e veprës së cituar).
Deri këtu folëm për zakonte, tradita dhe për etnografi. Herës tjetër do të flasim për atë që ka më shumë qejf z.Korkuti, për arkeologjinë. Kalofshi gëzuar vitin e Ri./ 30 dhjetor 2016
– FUND –
_______________
BESNIK IMERI: KORKUTI, MOHUESI I ORIGJINËS PELLAZGE (I)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10394

***
BESNIK IMERI: KORKUTI, MOHUESI I ORIGJINËS PELLAZGE (II)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10400

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura