BESNIK IMERI: PAIONIA E RE (I)

Vlorë, 2 gusht 2020:
Paionët, Ilirët dhe Maqedonët
Këtu, në lidhje me origjinën e shqiptarëve, dua të theksoj se fisi i madh i Paionëve, pasardhës të të cilëve janë shqiptarët që banojnë sot në minishtetin sllavo-shqiptar, i cili në marrëveshjen e kohëve të fundit me Greqinë u emërtua Maqedonia e Veriut, janë edhe ata në origjinë të shqiptarëve të sotëm. Por, meqënëse historia, këtë fis të madh shqipfolës, e ka vendosur, herë nën emrin e Maqedonasve, herë të Dardanëve, dhe më të shumtën e herëve në emrin e Ilirëve; ata sot nuk përmenden si pararardhës të drejtpërsëdrejtë të shqiptarëve që banojnë nën të ashtuquajturën Maqedoni te Veriut.

Për mendimin tim, Paionët, janë një popull i madh pellazg, të cilët të lashtët e kanë përmendur, para se të përmendin maqedonasit. Madje kanë thënë se shtriheshin gjatë gjithë pellgut dhe derdhjes të lumit Aks deri në detin Egje, ku nga Trakët i ndante lumi Strimon. Duhet thënë se Paionët janë përmendur në histori, jo vetëm para maqedonasve të lashtë, por edhe para ilirëve, epirotëve dhe helenëve. Nëqoftëse këta të fundit janë përmendur në periudhën e vonë të hekurit, madje janë njohur sit ë tillë aty nga shekulli i VI dhe i V p.e.s; Paionët njihen sitë tillë qysh ne periudhën e bronzit, në shekullin e XIII p.e.s, madje edhe më herët.
Shqiptarët e Maqedonisë janë pasardhës të Paionëve të lashtë, që helenët i quajnë edhe Peonë. Paionët heshtëgjatë ose shtizorë me nam, siç i quan Homeri, morën pjesë në Luftën e Trojës si besëtarë të trojanëve dardanë. Ja si e përshkruan Homeri tek Iliada pjesëmarrjen e tyre:
“…peonëve harkëtarë që kishin ardhur që nga larg prej Amidonit dhe lumi i Aksit (Vardari i sotëm) me rrjedhë të gjërë që vadit fushat rotull, u printe Piraku…Patrokli i pari heshtën flakvetuese e vërviti në kiÒ« të galesë s’Protesila shpirtmadhit dhe vrau Piraknin që nga Amidoni dhe lumi i Aksit rrjedhagjërë kalorësve me famë Peonas u printe…Likomedi vërviti patërshanën vezulluese dhe vrau Apisonin, birin e Hipasit. Ardhur kishte Hipasidi prej Peonie, visit pjellor e mbas Asteropit ndër gjithë peonët bënte shënjë në luftëra…”. 1

Ilustrimi © Pashtriku.org

Paionët i ka përmendur edhe Eskili tek “Lutëset”:
“Përpara teje ndodhet Pelazgu, i bir’ i Palektonit, i lindur nga dheu…fisi i pelazgëve, që rron në këtë truall. E tërë kjo krahinë, ku rrjedh Strimon i shenjtë gjer tej ku perëndon, veç mua më përket. Pushteti im arrin tek trojet e perrebve, tej viseve të Pindit gjer pranë Peonisë; Mbi malet e Dodonës; këtu dhe cak i fundit tallazet shkulm të detit. Ja vendi ku unë sundoj…”.2
Por Paionët janë njohur si të tillë deri në shekullin e V p.e.s. Në këtë periudhë ata i përmend Herodoti tek “Historitë”, kur flet për Paionët që i dolën para ushtrisë persiane të Megabazit në bregdetin Egje pranë lumit Strimon:
“Perinthi ishte vendi i parë në Helespont i pushtuar prej trupave persiane që Dari kishte lënë në Europë nën komandën e Megabazit…Dikur në të shkuarën, perintianët ishin sulmuar egërsisht edhe nga Peonët e lumit Strimon… Peonia ishte një vend që shtrihej me qytetet e saj gjatë lumit Strimon, jo larg nga Helesponti, banorët e së cilës dikur kishin ardhur nga Troja… Megabazi, pasi e lexoi mesazhin nga Dari, mori disa udhërrëfyes nga Traka dhe me ushtrinë e tij u nis drejt Peonisë. Kur peonët morrën vesh se persët qenë nisur kundër tyre, mobilizuan një ushtri dhe marshuan drejt bregdetit duke ruajtur rrugët që kalonin andej për në Peoni…Mjaft prej fiseve peone-siripeonët, peoplët dhe fise të tjera të veriut deri tek liqeni Prasia- u shpërngulën nga vendlindja e tyre dhe u çuan në Azi…Por fiset që jetonin pranë malit Pangeu, doberët, agrianët, odomantët dhe ata që jetonin përrreth liqenit Prasia, Megabazi nuk i nënshtroi dot, ndonëse u përpoq t’i shtypte…”.3
Pra, Herodoti, flet edhe për paionë, të cilët kishin shekuj që banonin buzë detit, në Strimon dhe Perinth, të mbetur aty, që kur ishin kthyer nga Lufta e Trojës, si pjesë e trupave paione pjesëmarrëse në të. Herodoti përmend malin Pangeu dhe liqenin Prasia si vendbanime të Paionëve bregdetarë në shekullin e V p.e.s. Se ku ndodhen sot këto, besoj se vendësit dhe shqiptarët e së ashtuquajur Maqedoni, duhet t’i gjejnë dhe t’i dinë.
Por Herodoti flet edhe për paionë të cilët në kohën e fushatës së Kserksit ndodheshin në derdhjen e Aksit në detin Egje: “…Ndërkohë që flota perse, në pritje të ardhjes së mbretit qëndronte pranë qyteteve Terme dhe Aksio. Kserksi (nga toka) në krye të ushtrisë u nis nga Akanti, duke zgjedhur rrugën përmes zonave të brendshme të vendit, për në Terme. Rruga kalonte nëpër Peoni dhe Krestoni drejt lumit Ehidor, i cili buron në Krestoni, rrjedh përmes Migdonias dhe derdhet në kënetën e krijuar tek derdhja e lumit Aks…”.4
Pra, Herodoti, përmend si territore paione, ato që ndodhen buzë detit afër Krestonisë pellazge (që si të tillë na e tregon Tuqididi), si Migdonia etj, në derdhjen e Aksit në Egje.
Paionët si popull i kanë përmendur mjaft nga autorët antikë. Këta autorë i përmend Mehdi Frashëri në librin e vet “Historia e Shqipërisë dhe Shqiptarëve”:
-Straboni,41: “…Peonia, simbas mendimit të përgjthshëm, vete gjer në Pelagoni dhe në Pierie…Qëmoti, si edhe në ditët tona, peonët ngjan të ken okupuar një pjesë të madhe të Maqedonisë së sotme, kanë rrethuar Perinthin, Krestoninë, Migdoninë të gjithë dhe vendin e agrianëve deri në Panzhe, e kanë pas shtruar…”5
Pra Straboni, shumë shekuj më vonë se Herodoti, i vendos paionët në brigjet e detit Egje dhe në kufi me trakasit. Madje, ai shton edhe shprehjen; si edhe në ditët tona, ata zinin një pjesë të madhe të Maqedonisë së kohës së Strabonit.
-Por Strabonit, lidhur me territorin ku shtrihej Paionia, i është referuar edhe Dhimitër Pilika: “…Ndërsa Peneu ndan Maqedoninë e Poshtëme dhe atë bregdetare prej Tesalisë e magnezisë, Haliakmoni (Bistrica e sotme) ndan Maqedoninë e Sipërme nga epirotët dhe paionët, sikurse e bëjnë këtë Erigoni (Cerna e sotme), Aksi (Vardari i sotëm) dhe lumenjtë e tjerë…paionët banojnë në viset rreth lumit Aks…”6
-Tit Livi, XL: “…Emathja, një nga provincat e Maqedonisë që ka këtë emër sot, më parë quhej Peonie…” 7 Ndërsa Tit Livi në shekujt e parë të erës sonë, në mënyrën më të shkëlqyer e identifikon Emathinë me Peoninë.
Me të dhënat që jep për shtrirjen e Paionisë, Straboni vërteton ato që thotë Herodoti, ku përveç Pelagonisë, përmend edhe krahina të trakasve si, Perinthi, Krestoninë, Migdoninë, Agrianë etj. Pra zotëronin fushat e Pelagonisë, territoret ku rridhnin lumenjtë Aks dhe Strimon, bregdetin Kalkidik deri në detin Egje.
Nga të gjitha këto që u thanë më lart arrijmë në përfundimin se Peonët jo vetëm janë shumë më të lashtë se Maqedonasit; jo vetëm që zotëronin të gjitha ato territore që më vonë do të pushtoheshin dhe zotëroheshin nga maqedonasit duke u quajtur Maqedoni; Por ata, për disa shekuj me rradhë, janë shkrirë me maqedonasit, pasi ishin një racë dhe kishin të njëjtën gjuhë. Siç thotë edhe Tit Livi, ndryshoi vetëm emërtimi i territoreve nga Peoni në Maqedoni.
Prandaj kur flasim për maqedonasit e lashtë, ata duhet të identifikohen si peonasit e rinj me emër të ndryshuar. Rrjedhimisht dhe saktësisht, shqiptarët që banojnë sot në të ashtuquajturën Maqedoni, janë pasardhës të drejtëpërdrejtë të Peonëve të stërlashtë, si dhe maqedonasve të lashtë. Dhe në se ka popull sot që banon në të quajturën Maqedoni e Veriut, që duhet të luftojë fuqishëm për emrin e këtij territorri, janë vetëm shqiptarët dhe vetëm ata. Sllavët sërbo-bullgarë, të ardhur në këto territore pas shekullit të VI dhe të VII të erës sonë dhe në vazhdim, nuk kanë asnjë mandat dhe fuqi ligjore të merren me këtë punë.
Aleksandër Stipçeviç jep shtrirjen e paionëve në antikitet: “Peonët zinin rajonet e rrjedhjes së mesme të Vardarit (Axios) dhe rreth degëve të tij Bregalnica (Astibos) dhe Cërna Reka (Erigon) deri tek lumi Struma (Strymon). Në kohën e vjetër ky fis duket se ka qënë shumë i përhapur deri në detin Egje…Në veri të tyre shtrihej fisi i madh i dardanëve (Dardania)”8
Paionët i përmend hollësisht edhe studiusi Pasho Baku:
“…Në gjysmën e parë të shek. IV p.e.s paionët kishin krijuar mbretërinë e tyre, një ndër sundimtarët e të cilit ishte Agisi….Nga perëndimi Paionia përfshinte edhe Pelagoninë, hapësirën mbi liqenin e Ohrit dhe të Prespës. Qyteti kryesor i mbretërve paionianë ishte Bylazora (Veleshi i sotëm në Maqedoni) pranë lumit Aksios, sot Vardar. Më vonë, vendqendrimi i mbretërve kaloi në Stobi (në Pusto Gradskon e sotëm)…
Në vitin 360-359 p.e.s, fiset jugore të Paionisë filluan mësymjen kundër Maqedonisë, me shpresën e ndonjë sulmi të mundshëm edhe nga viset e tjera të Ilirisë. Mbreti i Maqedonisë, Filipi II krijoi një ushtri dhe u mundua t’i parandalonte pushtimet e mundshme nga ana e ilirëve dhe nga mësymjet e paionëve. Paionët krijuan dinastinë e tyre e njohur si mbretëria ilire e Paionisë, qysh nga fillimi i shek. IV para erës së re. Dinastia mbretërore e Paionisë u bë e njohur dhe pati vazhdimësi për më se një shekull, përmendim:
LIKEI (356-335 para erës së re)
Likei, (Luppeios, Lykkaioy; Lykkaeios). Mbret i Paionisë ilire, në periudhën 356-335 para erës së re. Ishte një nga themeluesit e dinastisë mbretërore të Paionëve…Demosteni, oratori i shquar, flet për një aleancë të lidhur në vitin 356 para Kr., kur Diodori njofton se tre mbretër, të Paionisë, Ilirisë dhe Trakisë, u bashkuan për të sulmuar Filipin II të Maqedonisë. Nga Paionia marrëveshja u nënshkrua nga Likei, nga Iliria prej Grabosit, ndërsa nga Thrakia prej Ketriporit… Pas vdekjes së Perdikas III të Maqedonisë, në vitin 359 para Kr., Paionët ilirë, filluan të rebeloheshin. Me qëllim që të merrte fronin e Maqedonisë, Filipi i II, u bëri atyre shumë premtime. Paionët (Pejonët) të kanosur nga planet e Filipit, kërkuan ndihmën e Athinës dhe në verën e vitit 356 para Kr., Mbreti i Paionisë, Likei, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me këtë qytet-shtet. Mirëpo një gjë e tillë nuk pati sukses, sepse maqedonët nën drejtimin e Parmenionit, e rimorën Paioninë dhe deri në fund të shekullit të katërt, ky ishte një shtet i “bashkuar”… Në periudhën kur sundoi Likeu, ai preu rreth 50 monedha prej argjendi, të gjitha të cilësisë së lartë, ashtu siç prenë edhe dy mbretërit e tjerë, pasardhës të tij, Patrai dhe Audoleoni. Në monedhat kushtuar Likeit, në faqen e parë paraqitet busti i Zeusit, Apolonit apo Herakliut, ndërsa në faqen e pasme shihet dyluftimi i një luftëtari me luanin dhe ku shkruhet: “Lykkeioy”. Mbreti Likei sundoi për 21 vjet, pas tij në fron erdhi Mbreti Patrai.
VIJON …
__________
Referenca:
1 Homeri, Iliada, botimi shqip i vitit 1979 me përkthim të Gjon Shllaku, f, 42, 287, 313
2 Eskili, “Lutëset”, Bot.Shqip.Onufri-2005, f, 53
3 Herodoti, “Historitë”, L.V, 1, 13-16, f, 292, 295-296
4 Herodoti, “Historitë”, L.VII, 124, f, 420
5 Mehdi Frashëri, “Historia e Shqipërisë dhe e Shqiptarëve”, f, 172
6 Dhimitër Pilika, “Pellazgët, Origjina Jonë e Mohuar”, f, 71, 91, 177, 198, 250
7 Mehdi Frashëri, “Historia e Shqipërisë dhe e Shqiptarëve”, f, 172
8 Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 35

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura