BESNIK KRYEZIU: TALLAVA – POLITIKA E HASHIM THAҪIT DHE OPOZITA E PËRGJUMUR

(Würzburg, 20. 06. 2012) – Pas Ferizajt edhe në Kaçanik fitoi PDK-ja. Në asnjërën nga këto dy komuna nuk u kontestua rezultati përfundimtar, ndonëse ankesat nuk munguan nga partitë tjera që ishin në garën zgjedhore. Nga rezultati i zgjedhjeve në Ferizaj, do të duhej një reflektim i vetë opozitës, duke analizuar shumë seriozisht arsyet që prodhuan humbje dhe të bëheshin ndryshime e assesi të vazhdohej me të njëjtat metoda, sepse metodat e njëjta prodhojnë edhe rezultate të njëjta. Kaçaniku duhet të jetë leksikoni i fundit për opozitën për ndryshime strategjike.
Të gjithë e kemi të njohur arsyen e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme të këtyre dy komunave. Fitorja e përsëritshme e PDK-së në këto dy komuna, për mua hap një dilemë të madhe, dilemën se a dimë të reflektojmë si shoqëri për proceset politike dhe shoqërore. Përgjigjja, bazuar në rezultatin e këtyre zgjedhjeve, del JO! Nuk dimë dhe për fat të keq kemi shumë deficit në të menduarin dhe të vepruarin tonë si shoqëri për shumë fenomene që po ndodhin në mesin tonë.
Këto fenomene që po vazhdojnë të jetojnë me ne dhe të mbijetojnë nga ne, janë shumë të rrezikshme për të ardhmen tonë politike dhe zhvillimin e shoqërisë sonë.

______________________

Domosdoshmëria e reflektimit karshi proceseve politike dhe shoqërore është jetike për zhvillimin e demokracisë dhe kulturës politike. Kjo që ndodhi në këto dy komuna nuk duhet parë thjesht si një garë të cilën e fitoi më i miri, por duhet parë dhe analizuar nga të gjitha aspektet, si: politik, sociologjik, psikologjik, social etj.
Në të gjitha shoqëritë njëmend demokratike, Partia Demokratike e Kosovës do të duhej të dënohej politikisht për qëndrimin që ka mbajtur e po mban për njerëzit e veshur me pushtet që e kanë shkelur me të dy këmbët ligjin. Dhe këta njerëz nuk janë të pakët. Shikuar nga prizmi i ngushtë partiak dhe interesat e klaneve ekonomike dhe politike, kjo fitore është, siç e tha edhe vetë kreu i PDK-së, barometri matës i skenës politike në vend. Në fakt kjo gjë nuk është dhe nuk mundet të interpretohet në këtë mënyrë, do të thosha manipulative dhe mafioze. Si në Ferizaj ashtu edhe në Kaçanik, Qeveria me tërë kapacitetet e saja u vu në mbështetje të kandidatëve të PDK-së, pra të kandidatëve të vetë Kryeministrit Thaçi.
Ajo që për mua është shumë brengosëse në gjithë këtë histori, ka të bëj me proceset demokratike dhe të vetë shtetit ligjor.
Të gjithë e dimë dhe e kemi të njohur se si funksionon demokracia dhe transparenca brenda partive tona politike, sidomos të këtyre që e kanë qejf të quhen “të mëdha”.
Kishim dhe po vazhdojmë të kemi parti ku liderët vendosin për gjithçka, ndërkohë që organet partiake janë sa për dekor dhe përmbushje e demokracisë në dukje për konsum të publikut.
Në dritën e këtyre zhvillimeve duhet të shtrohet edhe një pyetje tjetër. Kush duhet të ndryshoj, ne apo partitë politike?
Partitë politike e kanë dëshmuar dhe po vazhdojnë ta dëshmojnë se nuk e kanë aspak ndërmend të ndryshojnë. Me rezultatin e zgjedhjeve në këto dy komuna edhe elektorati po tregon se nuk ka ndryshuar dhe se tendenca për ndryshim nuk duket gjëkundi.
Çka paraqet kjo për shoqërinë dhe zhvillimin e saj? Kjo tregon se jemi në krizë të thellë politike dhe në një plogështi të rëndë shpirtërore, sociale dhe ekonomike.
Ata që në të vërtetë do të duhej të merren me analiza të drejta, nuk po e bëjnë një gjë të tillë, sepse në një mënyrë apo tjetër janë të varur nga politika. Guximi i tyre për të vepruar dhe menduar karshi fenomeneve të shumta politike, matet me prapanicën e tyre. Sa herë u rrezikohet ajo, ata bëhen të urtë dhe bëhen zëri i qeveritarëve, duke e shkelur identitetin e tyre njerëzor dhe intelektual.
E vetmja mundësi për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve për të mirë është kritika e argumentuar dhe e shëndosh përbrenda të gjitha partive politike nga vet anëtarësia, duke u munduar që ndryshimi të ndodh qoftë edhe me presione të ndryshme pozitive.
Duhet ta kuptojmë nëse nuk e kemi kuptuar deri tani se partitë ekzistojnë për ne dhe jo ne për parti. Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk do t’i sjellë asgjë të re as Ferizajt e as Kaçanikut, përveçse do ta rrisë diktaturën dhe tallava-politikën e deritanishme të Hashim Thaçit. Krekosja e tij do të vazhdoj duke na thënë se ekipet e mira nuk ndryshohen. Kjo për përditshmërinë dhe jetën tonë do të thotë vazhdim i kriminalitetit, skamjes, papunësisë, nepotizmit, haraçit, mungesës së ujit, mungesës së dritave, mungesës së cilësisë në arsim, mungesës së shëndetësisë minimale, dhe mungesës së shpresës se do të bëhet mirë!
Kur njerëzit mbetën pa shpresa, ata s’janë gjë tjetër përveçse kufoma të gjalla mbi tokë. Kam frikën se kjo shoqëri është pajtuar me mjerimin e shkaktuar nga kjo Qeveri.
Duhet të thuhet shumë drejtpërdrejt se në të gjithë këtë proces, karshi problemeve që na rrethojnë nga të gjitha anët, ankesat nuk janë zgjidhje, por veprimet. Vetëm kur reflektojmë drejt dhe qartazi në mënyrë shumë aktive, do ta ndryshojmë të ardhmen tonë politike dhe ekonomike.
Pasiviteti karshi të ardhmes politike, lirisë sonë individuale dhe kolektive duhet zëvendësuar me të qenit aktiv. Kjo sepse liria nuk është dhe nuk do të duhej perceptohej vetëm si heqje e kërbaçit pushtues ndaj nesh. Liria është shumë më gjithëpërfshirëse se sa kaq.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura