BESNIK Z.IMERI: SULLTANATI I ZULULANDIT

Vlorë, 22 Prill 2020: Në pjesën juglindore të Europës ndodhet një sulltanat i vogël i mbetur aty që nga kalbja dhe shpërbërja e perandorisë së Osmanllinjve. Aty jeton një popull i vogël, për të cilin thonë se dikur ka qënë trim dhe liridashës, por duke qëndruar një gjysëm mijëvjeçari me osmallinjtë mori edhe gjithë veset e tyre; përtacllëkun, dembelllëkun, budallallëkun, puthjepëqirllëkun, ‘peqe-hejvallallëkun’, kusarllëkun, ryshfetllëkun, akraballëkun, etj. etj., dhe që të mos zgjatemi më tutje, se këto veset e ‘llëkut’ që ka marrë ky ‘xhins milet’ nuk kanë të sosur, megjithse ka kaluar afro një shekull që këta janë ndarë nga osmanllinjtë.
Por veç këtyre një pjesë e zululandasve, kuptohet ata më të shkathtit, më puthadorët dhe më të egrit, jo ndaj osmanllinjve, por ndaj zululandasve të tjerë, bënë prokopi. Pas tre brezash shkëputje nga osmallinjtë, ky takëm mileti, kuptohet nga ‘tabijati’, vazhdon të qeverisë zululandasit e shkretë. Dhe në kohën e soçme, njërit prej tyre, i krisur nga trutë e kokës, i ka shkrepur në kokë që të bëhet sulltan. Por jo vetëm kaq, por i është mbushur mëndja top, se është më i dituri dhe më i zoti nga të gjithë zululandasit. Aq keq është dalldisur pas kësaj ëndërre të marrë, sa që nuk dëgjon njeri, e të kthehet në rrugën e mbarë. Po mirë, mund të thotë ndonjëri? Çfarë pune na prish një njeri që është i marrosur? Vërtet ashtu është, por po të shikonte hallin e vet dhe të mos u binte më qafë zululandasve, nuk do të thoshja gjë. Por ky rob zoti, i mbështetur dhe nga jashtë Zululandit, ka arritur që të bëhet i pari i zululandasve, prandaj edhe do të bëhet sulltan, të “vrasë dhe të presë” dhe të mos i jap llogari njeriut.

Thonë, se kur ky zululandas gjatosh dhe pa tru në kokë ka qënë tek frëngjtë, ka qënë i pabrekë dhe cullak. Por kur e prunë tek zululandasit e vet filloi të bënte prokopi, dhe jo vetëm është bërë më i pasuri i zululandasve, por për nga malli dhe kapitali i vënë, ja kanë zili edhe shumë pashallarë nga Avropi. Kështu thonë, por këtë nuk e thashë unë. Me të dëgjuar e kam. Në më kanë gënjyer, po ju gënjej. Thonë që është edhe shumë i babëzitur. Nuk ngopet duke ngrënë. Dhe sa vite shkojnë, aq më shumë i shtohet oreksi dhe natë e ditë papushim ha si i babëzitur. Jatrotë që e kanë vizituar thonë, se këtë e ka nga sëmundja, që në latinisht, sipas tyre kjo gjëndje patologjike quhet PPP-grabus. Ca të tjerë thonë që ky, që i vogël, ka “shkelur në xhinde”, dhe që atëhere i është shfaqur sëmundja. Ky bina, pasi hëngri autostrada, shkolla, spitale, pallate; pa i tretur mirë ato filloi të hajë edhe hidrocentrale. Ju kthye instrumentave të operimit në spitale dhe i kapërdiu. Gojët e liga thonë se është bërë kanibal dhe do të hajë edhe Teatrin Kombëtar megjithë aktorët brenda. Por këtë, gjynahqari, nuk do ta hajë të gjithë vet, por do t’i japë një llokmë edhe sejmenit të tij, valiut të Tiranës, Veli Beut.
Po për të pirë, pyet një andej nga fundi? Po ore, edhe pi. Kur mbytet me të thata ja kthen me lëng: pi lumenj, pi përrenj, pi edhe karburante; dhe tani së fundmi, në kulmin e marrisë, do të pijë edhe detin. Dhe me këtë ka bërë ziliqar edhe Ksanthin, që nuk arriti dot t’a pinte detin. Por edhe detin, që të mos i hymë në hak, nuk do ta pijë vetëm, do t’a pijë bashkë me mikun e tij, Miçotaqin. Zululandasit, të tmerruar, thonë se i pari i tyre, qeveri-gremisuri, është bërë lubi që përpin çdo gjë, dhe kështu si e ka nisur nuk do të mbetet as një bujashkë nga Zululandi, se ky i babëzitur ka për ta ngrënë të tërë, kuptohet bashkë me miqtë e tij.
Tani së fundmi, në kulmin e çakërdisjes, pasi i ka provuar të gjitha, dhe meqënësë tërmeti i fundit la shumë gërmadha, i ka vajtur mëndja keq të provojë të hajë dhe gërmadhat. Prandaj më 18 dhjetor të kësaj seneje, pa u tharë mirë lotët për ata që ndërruan jetë nën gërmadha, ky sulltan pelivan, fshehurazi, dhe në mes të natës sterrë, me shi dhe bubullima, nxorri fermanin për të ngrënë 42 kala dhe gërmadha, monumente të zululandasve që nga lashtësia. Do thoni ju, që gërmadhat as hahen dhe as pihen. Thoni ju, pa pyeteni atë? Do ju thotë, se edhe hahen edhe pihen. Madje për t’i ngrënë ato do ta ndihmojë edhe një veziresha e tij, ajo e kulturës. Se nuk ju thamë që në fillim, se ky sulltanuc, ndryshe nga sulltanët e mëdhenj sa një deve që mbanin vetëm vezirë, shumicën e vezirëve i ka veziresha. Si me thënë, ky mendon se një gjel në mes të pulave komandon më mire se një gjel në mes të gjelave. Megjithëse gojët e liga thonë, se edhe ata gjela që i kanë mbetur janë bërë më pula se pulat.
Thonë se ky sulltan, kur ishte i ri, i jati e çoi në një shkollë ku mësohej se si bëheshin surretet dhe syfetet. Megjithëse nga kjo shkollë ai nuk mësoi gjë, se hyri lloz e doli shul, prapë e mban veten për surratbërësin dhe syfetçiun më të mirë në Avropi. Nga kjo shkollë, megjithëse nuk e kishte për sua, i pëlqeu shumë zurnaja, ahengu dhe çingitë. Gojët e liga thonë se duhet ta kesh në gjak këtë zanat, pasi edhe ashtu kot, ato nuk të pëlqejnë. Ne nuk marrim përsipër gjë për këtë, e ka, apo nuk e ka në gjak; por që i pëlqejnë shfaqjet, ahengjet, çitjanët dhe çingitë, pa merak, dilni dhe shikojeni vet, se vdes për të qënë atje ku “loz qeni i kallajxhiut”.
Megjithatë, të kthehemi atje ku e lamë dhe të ngasim muhabetin; kur ra tërmeti dhe tundi dhenë, për t’u dukur se i vinte keq për miletin e vet, por duke pasur edhe frikë se mos mileti i kthehej kundër; gjithashtu, i mësuar edhe nga një prift i vjetër, i rrahur në vaj dhe në uthull në këto punë, Orosos ja thonë emrin; sulltani hoqi rrobat e bukura dhe të shtrenjta dhe veshi ca zhele murgu që dukeshin edhe si një veladon i rreckosur i një prifti ortodoks katundi,apo të një heremiti hebre. Tani pse veshi atë të ortodoksit dhe nuk veshi xhyben e një dervishi, unë nuk e di. Më mirë pyesni vet të zotin dhe ai vet do t’ju japë xhevap. La edhe pak mjekër që t’i afrohej shumë një eremiti, apo një hieronomaku. Vetëm një shkop i mungonte dhe do të dukej si shën Kozmai. Mileti e pa kaq të përvujtur dhe më shumë i erdhi keq për të, se sa për veten që mbeti nën gërmadha. Bile, edhe kur thërriste “divanin” në mbledhje, si një aktor i vërtetë teatri fliste me zë të ulët, si i drobitur, belbëzonte, si një prift në meshim, sa që kush e shikonte thoshte: I varfëri është bërë për të ardhur keq. Biles, për ta bërë lojën më të bukur dhe më bindëse, të gjithë vezirët, vezireshat dhe oborrtarët e pallatit i veshi me të zeza, kjo për t’i treguar miletit, se sa shumë po vuanin për të.
Në këtë kohë, siç thamë edhe më lart, në kulmin e lojës aktoreske të një hieronomaku, ju rishfaq sëmundja e PPP-grabusit, dhe donte të hante të gjithë gurët e gërmadhave të vjetra të Zululandit. Kështu, një natë pa hënë, nxorri fermanin për gllabërimin e të gjitha kalave të Zululandit. Disa nga të diturit e kryeqytetit perandorak i thanë se po bënte gabim. Por i pari i Zululandit, kur i shkon mendja për ndonjë gjë, nuk pyet njeri, nuk dëgjon njeri; I erren sytë dhe as dëgjon, e as shikon.
Zululandasit, në këtë thagmë të sulltanit panë fundin e tyre. Pasi vërtet, ky sulltan, por edhe të tjerë para tij, e kishin grabitur, varfëruar dhe katandisur aq keq, sa as “qeni nuk kishte ku t’i kapte”; por mbaheshin me gajret me sojin dhe fisin e tyre, si një nga më të vjetrit dhe më të fismit në Avropi. Por shitja të huajve dhe shkatërrimi i kalave të tyre, që tregonin gjithë historinë dhe luftërat e të parëve të tyre, do t’i linte pa histori, pa origjinë, pa trashëgimi dokesh dhe zakonesh. Pra, ata nuk panë vetëm një veprim babëzitës të sulltanit të tyre, por edhe një veprim keqdashës dhe djallëzor.
Gojët e liga thonë se këto ai i bën, pasi kur ka qënë i ri, ka qënë në oborrin mbretëror të frëngjve, ku edhe i kanë mësuar të gjitha djallëzitë kundër miletit të vet. Për këto punë, thonë ata, ai ‘yshtet’ vazhdimisht tek frëngjtë. Për këto punë, gojët e liga thonë se i ka ngjarë një pashe të lig të Zululandit, që ja shiti Zululandin, Krajlisë. Esat Pashai ja thoshin emrin. Por një trim nga Jugu i Zululandit ja morri shpirtin, atje në mes të oborrit mbretëror të frëngjve. Kuptohet, frengjtë u xhindosën, po nuk kishin se ç’të bënin, e varrosën me nderime në dheun e tyre. Do zoti, që edhe ky i sormi nuk ka fatin e tij. Pasi edhe ky ka filluar të fërkohet shumë me mbretin e Krajlisë, Buçiçin. Biles ka bërë edhe një marrëveshje me të; Miniçiçi e quajnë.
Mileti ka frikë që të flasë, se ai ka nxjerr një ligj, që kush e kundërshton, do t’a shkojë në satër. Një nga zululandasit i bëri thirrje kryetarit të kuvendit, që të “verë dorën në zemër” për miletin e vet, dhe t’a ndalë këtë të shkarë nga trutë e kokës. Bile i ka thënë, që meqë ke edhe një emër mali, edhe origjinën e ke nga një zonë malore dhe e mban veten për sua trimi, dhe në të ka mbetur edhe pak gjak zululandasi në dejet e tua, ndaloje këtë të çmendur, që po na çmend derë më derë; pasi me thagmën e fundit të tij, nuk ka për të pasur më Zululand dhe populli i Zululandit ka për t’u shuar me të gjitha. Kjo thirrje i është drejtuar edhe pleqësisë së kuvendit, megjithëse pjesa më e madhe e tyre janë peqe-hejvallatë e sulltanit. Ndërsa oborri mbretëror, në kulmin e pasurimit, qejfeve, ahengjeve dhe bolorive të tyre, nuk dëgjojnë nga ai vesh. Ata bashkë me sulltanin thonë: Në djallë të vejë Zululandi dhe zululandasit; gur mbi gur të mos mbetet, zjarri i rëntë Zululandit, se ne me floririn që kemi siguruar do të shkojmë tek sulltanati i Kajmakut bashkë me çilimijtë, sojin dhe sorollopin, dhe do të rrojmë për “shtatë palë qejfe” sa të na japë ymër zoti.
Këtë sulltan në babëzinë e tij, ka për ta gjetur ajo që u ka bërë vaki disa mbretërve në kohën e lashtë, ku zotat, duke parë se sa të babëzitur ishin; njerit, Tantal ja thoshin emrin, e bënë që as të mos hante dhe as të mos pinte dot, deri sa mbaroi; ndërsa tjetrit, Midas e thërrisnin, që vuante edhe ai nga babëzia për pasuri dhe flori, e bënë, që çfarë prekte më dorë të kthehej në flori. Kapte mishin dhe mishi kthehej në flori, kapte peshkun dhe peshku kthehej në flori, kapte ngjalat e “Gjirit të Lalëzit”, dhe ato të shkreta, përsëri ktheheshin në flori, dhe kështu që thoni ju, mbeti pa ngrënë, edhe ai ndërroi jetë nga uria për shkak të babëzisë së tij për pasuri dhe flori. Do zoti dhe ky i yni kthen mëndje, se zotat nuk të falin, vonojnë por nuk harojnë, pasi do të përfundojë keq e mos më keq. Një i lashtë nga një mbretëri fqinjë, Dane Ali Geri e thoshin, për takëmin e sulltanit tonë, ka thënë se u ka rezervuar, rrethin e nëntë të xhehnemit, ku trupi dhe shpirti të digjet në zjarr. Gjynah, ishallah sulltani inë vë mend dhe nuk përfundon në xhehnem.
Pleqtë e vjetër të Zululandit thonë edhe disa gjëra, që ky sulltani inë dhe oborrtarët e zilepsur të tij nuk e dinë. Ata thonë që qysh në kohët e vjetra dhe deri më sot, Zululandi ka qënë dhe mbetet në ruajtje të zotave. Mjerë kush e prekë dhe i bën keq atij. Ndëshkoji o zot ata që ja kanë shitur shpirtin djallit dhe satanait.
Besnik Imeri, 29 dhjetor 2019.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura