Pashtriku.org, 16. 05. 2105 – (Kastriot Myftaraj, Kadare dhe Hoti – krimi i utopisë, Bota sot, 28. 05. 2000) – Duke lexuar gërmimet e z. Myftaraj nëpër librin më të ri të U.H. „Bisedë përmes hekurash“ ku autori u përgjigjet ca pyetjeve të Kadaresë, për më tepër, elaboron ca teza politike i nxitur jo vetëm nga pyetjet e Kadaresë, seç m’u kujtuan fjalët e Kadri Roshit nga një film artistik i viteve të shkuara: „Gërmo Tare gërmo, se do të gjesh…“
Gjatë përpjekjeve të mia bashkë me ca miq të tjerë viteve të fundit për futjen e emrit të Ukshin Hotit në listën e të mbrojturve nga shoqata të ndryshme humanitare nëpër botë, kisha vënë re një qëndrim dyshues ndaj tij, sidomos tek „Amnesty International“. Nga disa vërejtje anësore e pata marrë vesh se kjo ndodhte ngaqë U. Hoti konsiderohej prej saj si njeri i zgjidhjeve të dhunshme e radikale. Për këtë arsye, bëra një shkrim të gjatë ku argumentoja karakterin thellësisht humanist e demokratik të angazhimeve politike të Ukshin Hotit, si në jetë, ashtu dhe në shkrime. Fatkeqësisht, ndonëse ky shkrim mund të ketë ndikuar tek Partia transnacionale radikale evropiane, e cila e nominoi me 1998 Ukshin Hotin për çmimin Saharov, nuk pati ndikuar tek A.I.-ja për ta marrë në mbrojtje.
K. Myftaraj ose krimi i distopisë!
Gjatë gjithë këtyre viteve shpesh më shkonte mendja edhe tek veprimtaria e fshehtë agjenturore serbe, që mund të ketë shpërndarë nëpër zyrat e diplomacisë ndërkombëtare e të shoqatave joqeveritare ndonjë gënjeshtër për qëndrimet kinse anti-amerikane të Ukshin Hotit. Natyrisht që një gjë të tillë ajo s’do ta ketë bërë me zyrtarë serbë, sepse nuk do t’u besonte njeri, po me ndonjë shqiptar të paguar. Kjo pandehmë më shtyri ndër të tjera që të kujdesesha për përkthimin e një përmbledhjeje të shkurtër të librit të Ukshin Hotit në gjuhën angleze, ku del në pah e kundërta e asaj që thekson z. Tare, pra jo vetëm ndjenja miqësore e sinqertë e U.H. për amerikanët, po edhe për turqit, ashtu si edhe për të gjithë njerëzit e popujt (natyrisht jo për “bishat”) dhe që menjëherë pas botimit t’ua lija në dispozicion jo vetëm ambasadave perëndimore në Tiranë, po edhe asaj turke e të ndonjë vendi tjetër islamik. Duke qenë i bindur se për diplomacinë perëndimore është e qartë se ç’ndjenja e ç’preokupime politike ka Ukshin Hoti, që sipas Kastriot Myftarajt, del se mbahet në burg nga serbët për shkak të qëndrimeve të tij anti-turke dhe anti-amerikane, shkrimi i Myftarajt, fatkeqësisht, mund të ketë ndonjë ndikim tek një masë lexuesish të painformuar që mund ta blejnë sapunin për djath.
Duke lexuar me çudi gënjeshtrat e z. Tare, m’u kujtua sakaq një episod i tre viteve të shkuara, në kohën kur po e përgadisja për botim shqyrtimin e gjatë të Ukshin Hotit, „Çështja shqiptare – komponenta religjioze“. Më dukej se autori kishte në këtë shkrim një qëndrim të theksuar pro-turko-islamik dhe frigohesha se për këtë shkak ai mund të shndërrohej në idhull të disa intelektualëve me prirje islamike në Kosovë si M. Pirraku, S. Riza, apo edhe të z. Baleta në Shqipëri. Bile më duket se z. Baleta pikërisht për këtë arsye pati bërë ca përçapje për mbrehjen e Ukshin Hotit në qerren e tij politike përmes një bedeli, të cilit gjithsesi nuk i eci kjo punë, por kjo është një temë tjetër. Sidoqoftë, i shqetësuar nga ky fakt, e mora në telefon mikun tim R. Hoti dhe i shpreha këtë dyshim. Natyrisht shkrimin e botova të plotë, pa asnjë ndryshim, megjithë tezat e dyshimta. Mirëpo më vonë e kuptova se dyshimet kishin qenë pa bazë. Natyrisht, jo për arsyet që përmend z. Tare, por për ca arsye shumë më të thella që truri i tij si duket ose nuk i arrin dot, ose nuk do t’i arrijë. Me këtë rast mjafton të theksohet një arsye madhore etike e filozofike: U. Hoti në shqyrtimet e tij politike nuk niset nga logjika: ANTI, dmth. anti-turk, anti-grek, anti-amerikan, anti-francez, anti-vllah, anti-lab, anti-tosk, apo qoftë edhe anti-rus e anti-serb, por kryesisht nga logjika PRO. Dhe kjo logjikë, për ndryshim nga logjika fashistoide anti-vllaho-greko-labe e Kastriot Myftarajt, është një logjikë thellësisht humaniste, e zhveshur nga çdo dogmë e fanatizëm, që ka frymëzuar pendat e mendimtarëve më të spikatur të kulturës botërore (jo vetëm të asaj perëndimore). Këtë e ilustron sidomos krahasimi që i bën ai Makiavelit me Macinin e Garibaldin në mbrojtjen e tij para gjyqit.
Politika dhe gjeopolitika
Braktisja e mendimit gjeopolitik, thotë Ukshin Hoti në „Bisedë përmes hekurash“,(mendoj se nuk ka përse të vihet në dyshim vërtetësia e këtij pohimi), është parakusht i bashkimit të Evropës. Duke qenë se edhe bashkimin e kombit tonë U.H. e sheh në kuadër të këtij bashkimi, atëherë, braktisja e mendimit relikt gjeopolitik, siç e thotë ai, është një parakusht edhe për bashkimin e shqiptarëve. Ndërkaq në qoftë se për amokët politikë bashkimi i Evropës, dhe bashkimi i popullit shqiptar, s’janë veçse utopi, madje fashiste (shiko fjalët e fundit të z. Tare), atëherë si robër të skemave gjeopolitike, ata mund ta shohin popullin shqiptar vetëm nën sqetullën e ndonjë fuqie rajonale, qoftë greko-serbe, qoftë italo-gjermane, qoftë turke (teza turko-amerikane e K. Myftarit si kundërvënie ndaj asaj greke është një spekulim interesant, por gjithsesi vetëm spekulim, sepse me gjithë stërbetimet e z. Tare për laicitetin perëndimor turk në kontrast me fanatizmin ortodoks grek, nuk gjendet në Evropë ndonjë forcë politike që të preferojë Turqinë përpara djepit të qytetërimit evropian, qoftë dhe duke mbyllur njërin sy për sjelljen jo dhe aq perëndimore të Turqisë zyrtare në raport me kurdët), por në asnjë mënyrë në kuadër të vetëvetes e në interes të vetëvetes, si një shtet i bashkuar kombëtar. Pikërisht këtu qëndron shkaku i një keqkuptimi të ri të filozofisë politike të U. Hotit, pra te kundërvënia e mendimit të vjetëruar gjeopolitik me mendimin politik të mirëfilltë.
E ardhmja do të tregojë nëse intervenimi i vjemë (1999) i të gjitha forcave të NATO-s kundër Jugosllavisë shënoi fundin e gjeopolitikës apo kalimin e saj në një shkallë të re, përkatësisht, paralajmërimin e një rendi të ri ndërkombëtar apo përsëritjen e skemave të vjetra gjeopolitike në një edicion të ri. Sidoqoftë, do të ishte absurde të mendosh sikur gjithë ajo ndërmarrje e vjeme e NATO-s të jetë bërë për të realizuar “një skemë gjeopolitike turke” në Ballkan, madje edhe përkundër vullnetit të Evropës. Me këtë gjë do t’u jepej e drejta të gjithë atyre që e kundërshtuan vjet bombardimin e Jugosllavisë dhe që e mbështetën Millosheviqin, sepse nuk paskësh qenë fjala për një intervenim për vlerat globale të njerëzimit, por për realizimin e një skeme gjeopolitike amerikano-turke. Do të ishte absurde të mendosh edhe se shtetet e Evropës u mbrehën, pa guxuar fare të kundërshtonin, në një skemë gjeopolitike amerikano-turke. Përkundrazi, është pikërisht politika serbe e Millosheviqit që ra viktimë e mendimit të vjetëruar gjeopolitik, duke llogaritur në kontradiktat gjeopolitike të fuqive evropiane, pa e marrë seriozisht as bashkimin evropian dhe as rendin e ri ndërkombëtar.
Nuk ishte i rastit madje as fakti i mosbashkëpunimit serb me tribunalin e Hagës, madje edhe tallja e gjertanishme me të, ndërsa sot nuk janë të paktë edhe serbët e Beogradit që kërkojnë ndihmën e tij, si të një arbitri ndërkombëtar me vlerë të jashtëzakonshme për të ardhmen e njerëzimit. Prandaj ngjarjet e fundit duket se vërtetojnë plotësisht tezat e Ukshin Hotin, mbi triumfin e Rendit të Ri Ndërkombëtar dhe mbi Bashkimin e Evropës, dhe jo skemat relikte gjeopolitike, pa të cilat nuk është në gjendje të funksionojë truri mesatar ballkanik i Tareve të shumtë, të cilët shtrojnë edhe pyetje të tilla absurde: „…shqiptarët, duke u larguar nga Turqia, do të shkëputnin dhe lidhjet me skemën gjeopolitike amerikane. Del se ky i fundit është qëllimi i vërtetë i Hotit dhe i Kadaresë. Dhe në cilën skemë duhet të hyjnë shqiptarët? Në atë ruse, franceze apo kineze?“ Pra në trurin e z. Tare gjenden të gjitha skemat e mundshme, por askund nuk gjendet një skemë e vetme shqiptare, dmth. që shqiptarët të ndjekin qëllimet e tyre nacionale në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe asaj natyrore, pa iu nënshtruar ndonjë skeme, që, siç tërheq vërejtjen me të drejtë U. Hoti, do të kishte për pasojë në një plan afatgjatë, libanizimin dhe konfliktet e vazhdueshme.
Z. Tare, që si shumë analistë mediokër, mendon se gjeopolitika është alfa dhe omega e politikës ndërkombëtare, nëse duhej patjetër të polemizonte me U. Hotin, atëherë duhej të mos kapte teza të veçanta, të shkëputura e të keqinterpretuara prej tij nga libri, por të merrej pikërisht me qasjen e tij kundër-gjeopolitike, që s’ka të bëjë me vende të veçanta, me Amerikën, a me Turqinë, dhe as me ndonjë vend tjetër, po me gjithë botën. Natyrisht, do të ishte e drejta e tij pastaj që edhe këtë qasje ta quante një utopi, po sidoqoftë, së paku çështja do të shtrohej drejt. Mirëpo, nuk duhet harruar, ndërkaq, se si shumë nocione filozofike, edheUTOPIA (si ishulli i të gjitha të mirave të mundshme) ka të kundërtën e vet, që ështëDISTOPIA (ishulli i të gjitha të këqijave të mundshme). Mendoj se këtij ishulli do t’i shkonte mjaft për mbarë mendimi gjeopolitik jo vetëm i Kastriot Tares, po dhe i gjithë Tareve të tjerë të Ballkanit, qofshin ata serbë, grekë, apo turq. Me fjalë të tjera, të jesh vetëm pro-turk dhe kundër të gjithë të tjerëve, nuk do të thotë të dalësh automatikisht në selamet. Përkundrazi, me një kusht të tillë do të ishte krejt i afërt zbarkimi në DISTOPI. Logjika e politikës pragmatiste, siç e rekomandon z. Myftaraj, të detyron që të jesh PRO sa më shumë palëve, makar edhe pro-rus, në qoftë se do të kishim ndonjë shans për përfitimin e rusëve lidhur me çështjen tonë. Më në fund, a nuk ishin të gjithë gjermanët me 1989 pro-rusë? Dhe a nuk ndjejnë gjermanët edhe sot një ndjenjë të thellë falenderimi për Gorbaçovin? Po dhe vetë biznesmeni më i madh shqiptar, Behxhet Pacolli, a nuk u tregua mjaft pragmatik sa shumicën e kontratave afariste t’i bënte pikërisht me rusët?
Gjeniu njeh gjeniun
Megjithatë, Ukshin Hoti nuk është pro-të gjithëve. Si një mjeshtër virtuoz, që s’duron dot t’i fusin hundët në punën e tij gjithfarë sharlatanësh e injorantësh, Ukshin Hoti urren me gjithë shpirt inkompetencën dhe mediokritetin, sidomos në politikë, të cilën ai e sheh si shkencë të mirëfilltë humaniste thellësisht në dobi të njeriut e të popujve dhe jo kundër tyre. Natyrisht ai shprehet, si kundër status kuosë, ashtu dhe kundër status kuo antes kosovare, duke i drejtuar sytë nga e ardhmja, ashtu si të gjithë njerëzit dhe popujt normalë të botës dhe jo nga e kaluara. Mirëpo z. Tare në bazë të këtyre qëndrimeve, dmth. në bazë të dallimit të atyre që shikojnë përpara dhe atyre që kthejnë sytë prapa, ka shpikur filozofinë e tij anti-progresiste. Për fat të keq, shpikja e tij duket edhe më primitive se sa manikeizmi i vjetër i ndarjes së botës në të bardhë e në të zezë, në forca të mira dhe të liga, sepse këtë princip, gjithsesi më universal, ai e redukton në një princip që mund të çudisë edhe vetë amerikanët: në principin pro apo anti-amerikan. Ky princip do të çudiste sidomos ata miliona amerikanë që kanë kundërshtuar mafinë, Kju-Klux-Klanin, luftën në Vietnam, komponentin imperialist të shtetit të tyre (që dëmtonte demokracinë) dhe krenohen edhe sot me qëndrimet e tyre të djeshme „anti-amerikane“ që rezultuan me një Amerikë më të emancipuar, më njerëzore, më demokratike e më të fuqishme. Ky princip do të çudiste më në fund edhe vetë Zbigniev Brzezinskin, nga i cili z. Tare ka huazuar formulën e utopive shtrënguese, i cili në pjesën më të madhe të shkrimeve paraqitet si kritik i pakompromis i antipodit të utopive shtrënguese, dmth. i bollëkut dorëlëshuar perëndimor, dhe i të metave të shoqërisë amerikane që rrezikojnë të ardhmen e SHBA-ve si numri një i botës. Mirëpo e vërteta është se në të gjitha shkrimet e Ukshin Hotit komponentët e mësipërm amerikanë nuk janë objekt shqyrtimi. Përkundrazi, në ato shkrime Amerika respektohet si një shtet me mundësi të pakufishme dhe si një fuqi e vetme që mund të sigurojë Rendin e Ri Ndërkombëtar. Në këtë pikë, vlerësimi i U. Hotit është identik me atë të Brzezinskit, i cili në librin e tij „Jashtë Kontrollit“ thotë: „Lidhja e vlerave amerikane me atë që tek e fundit mund të quhet rendi i ri botëror bëhet kështu çështje thelbësore. Nuk ka dyshim se Amerika i rrezaton botës një mesazh angazhues dhe joshës.“
Përputhshmëria me mendimet e Brzezinskit është e plotë edhe për sa i përket përkufizimit të superfuqisë. Brzezinski thotë: „Histioria na mëson se një superfuqi nuk mund të mbetet e para për një kohë të gjatë nëse nuk rrezaton – me një masë besimi të vetëpërligjur – një mesazh me vlerë mbarëbotërore.“ Ukshin Hoti e trajton gjithashtu këtë aspekt në mënyrë mjaft të gjerë dhe shteruese, dhe besojmë se nuk ka pasur mundësi të ndikohet nga Brzezinski, (përveç një esseu në „Foreign Affairs“ të tij, të përmendur dhe në bibliografinë e „FPÇSH“, Tiranë 1995, U. Hoti nuk ka pasur mundësi objektive të njihet me librat e tij të fundit). Mirëpo, po të krahasohen vlerësimet e Ukshin Hotit me ato të Brzezinskit në këtë pikë, pastaj të rolit të ideologjive të mëdha dhe trajtimit të figurave të tilla si të Stalinit e të Hitlerit, vlerësimet e U. Hotit na duken më superiore, gjë që besojmë se do ta pranonte me modesti prej shkencëtari edhe vetë z. Brzezinski. Ndërkaq tingëllon i mjerë spekulimi që bën z. K. Myftaraj me utopitë shtrënguese (si duket është fjala për një përkthim të gabuar të nocionit utopi e detyrueshme për të gjithë, përkatësisht utopi obligative komuniste e naziste për të gjithë shtetasit) të Z. Brzezinski. Brzezinski flet në librin e tij për utopitë shtrënguese si për diçka të perënduar, dmth. të paaplikueshme për “arealin e sotëm vllaho-greko-labo-ortodoks”, siç përpiqet të spekulojë z.Tare (i cili ngatërron si ia do qejfi utopitë komuniste me ato fashiste), ndërkaq për të sotmen ai merret me utopinë e re që po krijohet në disa koka të shoqërive postkomuniste për barazimin e menjëhershëm me shoqëritë e bollëkut dorëlëshuar. Në këtë drejtim, Z. Brzezinski thotë: „Pas diskreditimit të utopizmit komunist, disa njerëz në Perëndim kanë dalë në mbrojtje të një utopizmi të vetin, një utopizmi procedural që përkrah një proces ekonomik të veçantë, pa marrë parasysh pasojat morale“. Elaborimin e mëtejshëm të kësaj teze që kurrsesi s’do t’i shkonte për shtat z. Myftaraj, lexuesit mund ta gjejnë në librin e përmendur më lart të Z.Brzezinski, faqe 80. Ndërkaq duke lexuar kundërshtimin që i bën ai disa faqe më tej dekolektivizimit të shpejtë të kolhozeve sovjetike, si një gjë që do të sillte uljen katastrofale të prodhimeve bujqësore, më në fund, ashtu si edhe në Shqipëri, duket e çuditshme se si nuk e ka radhitur z. Tare edhe atë në arealin ideologjik “vllaho-greko-labo-ortodoks”!
Duke vënë re një përputhje të habitshme tezash e konstatimesh të Ukshin Hotit me ato të Zbigniev Brzezinskit, nuk mund të mos përmendim thënien e urtë gëtiane, se „Gjeniu njeh gjeniun“, dhe e kundërta, për z.Tare, gjithashtu një thënie të shquar latine: Asinum asinus fricat.
Një provokacion për Kadarenë
Përsa i përket anti-amerikanizmit të Kadaresë, mundet vetë Kadareja, në qoftë se s’i vjen ndoht të merret me “peshkatarët e Lanës”, të japë përgjigjen e tij. Provokimi i z. Tare i ngjan kryekëput asaj që një analist e pati quajtur gërryerje zorrësh nga komitetet e LKJ-së që i detyronin njerëzit në Kosovë të deklarohen me dhunë në vitet 1981-1990, nëse ishin pro apo kundër demonstratave, pro apo kundër Jugosllavisë vetëqeverisëse, pro apo kundër vëllazërim-bashkimit. Unë nuk besoj se ai do të merret me marrëzira të tilla, aq më parë kur unë vetë kam pasur rastin të lexoj së paku një shkrim të tij të botuar në shtypin francez ku ai kritikon qëndrimet antiamerikane (më duket se ai e quante këtë dukuri modë antiamerikane) të një lagje intelektualësh francezë gjatë vitit të shkuar. Ndërkaq, në vetë librin e gërmuar nga z. Tare, Kadareja nuk e prek asnjëherë këtë çështje.
Mund të merremi ndërkaq pakëz me identifikimin, përkatësisht, njëjtësimin politik që u bën Z. Tare këtyre dy emrave, Kadaresë dhe Hotit, që në mos qoftë tendencioz, është injorant. Shkrimtari i madh Kadare i ka drejtuar ca pyetje politikanit të madh Hoti jo për të dëgjuar jehonën e mendimeve të veta, por pikërisht për të marrë vesh trajtimin shkencor të problemeve të mëdha politike që ai vetë i ka trajtuar nga pozita e një shkrimtari. Prandaj vetëm një lexues mendjefyell mund të mos e vërë re disonancën e herëpasherëshme të vlerësimeve politike të Hotit e të Kadaresë. Mjafton të krahasohen psh. vlerësimet që i japin këta të dy ngjarjeve të vitit 1997, përkatësisht kritikën ndaj vulgut të Kadaresë, dhe vlerësimin pozitiv të këtij vulgu nga U. Hoti, i cili me këtë qëndrim është më afër Agollit. Dhe pikërisht këto disonanca e mospajtime e bëjnë më interesant librin, dhe jo formula e shpifur e z. Tare: „Kadare frymëzon dhe Hoti artikulon“.
Më në fund, duke qenë se Ukshin Hoti hë për hë nuk mund t’i përgjigjet vetë këtij gënjeshtari të pacipë, mendoj se është e drejtë t’i jepet lexuesit një përzgjedhje e shkrimeve të U. Hotit, ku demantohen sendërgjitë e tilla. Me këtë rast do të fillohet pikërisht me tekstin e plotë nga dialogu i tij me Kadarenë, në të cilin ka gërmuar, shpupurishur e çaprashitur si ia ka dashur çejfi z. Tare, pastaj do të vazhdohet me disa pjesë nga shkrimi i tij „Çështja shqiptare – komponenta religjioze“, të shkruar 3 vjet më parë, pra në kohën kur as njiheshin bashkë dhe as mund të artikulonte frymëzimet e Kadaresë, dhe do të përfundohet me një pjesë nga mbrojtja e tij e shquar para gjyqit serb me 1994, në mënyrë që vetë lexuesit të nxjerrin konkluzionet e tyre.
( * Distopia = Ishulli i të gjitha të këqijave të mundshme, përkundër Utopisë = ishulli i të gjitha të mirave )
UKSHIN HOTI
K. Myftaraj ose krimi i distopisë
(…)
Pajtohem me të gjitha ato atribute që i thotë Kadareja për njeriun ballkanas, duke e përfshirë dhe atë shqiptar. Madje, u ballafaqova edhe me gjëra të tilla të cilat ai nuk i thotë dhe të cilat nuk do t’i them as unë. I përjetova të gjitha, por që të dy e dimë se ato nuk shpjegojnë asgjë, pasi që cilido popull i vendosur që të jetojë në Ballkan do t’i kishte atributet e një populli ballkanas, as më pak dhe as më tepër. Problemet janë ato që i veçojnë popujt e Ballkanit dhe refleksionet e tyre organike, apo në karakteret e njerëzve. E di se gati të gjithë popujt ballkanas kanë probleme të ngjashme me tonat, por asnjë popull ballkanik nuk e ka problemin shqiptar, sepse pakicat e ndara të tyre, në asnjë rast të vetëm, më duket përveç tek hungarezët, nuk e kalojnë 10% të popullsisë së tyre dhe as të territoreve të tyre përkatëse. Në rastin e popullit shqiptar është e kundërta: fjala është për 40-60% të popullsisë apo tëterritorit shqiptar. Aty nuk bëhet fjalë për pakicë, por për një popull të tërë; për një problem që ishte pjellë e Evropës dhe jo vetëm e shqiptarëve. Më vjen mirë që edhe shqiptarët edhe Evropa gjithnjë e më tepër po e kuptojnë një gjë të tillë. Ndërkaq, Evropa e ka edhe një problem më tepër për ta vendosur, pasi që e ka kuptuar: do apo nuk do të na pranojë (neve shqiptarëve) si popull evropian (me një gjuhë fundamentale të veçantë) apo do që për shkak të një faktori të vetëm që e kujtonim të tejkaluar dhe të perënduar me luftërat e kryqëzatave, pra, për shkak të besimit tonë islam, të shumicës, të na falë Azisë? Të flasim hapur: “falja” Azisë e nënkupton:
1) libanizimin e territoreve shqiptare, që do të ishte plotësisht në kundërshtim me interesat e Evropës, sepse në rastin e Kosovës “libanizimi” do të sillte pas vetes fundamentalizmin e dypalshëm (të dy religjioneve) dhe e cila, në instancën e fundit, do të mund të rezultonte, me një probabilitet të lartë në destabilizimin e shoqërive të Evropës; dhe
2) në depërtimin e sërishëm të ndikimit turk në Ballkan, të cilin, disa qarqe serbe, duke e kujtuar Sulltanin për dhëndër dhe për inat të shqiptarëve, dhe duke shpresuar se ashtu do t’i mbanin akoma të nënshtruar, nuk do ta kundërshtonin aq shumë. Të mos them se do ta mirëprisnin. Kjo vlen njësoj edhe për një pjesë të shqiptarëve, disa me motivin e kundërt: që t’i heqin qafe serbët, kurse të tjerët, për shkak se në kushtet e Evropës, do ta dëshironin vazhdimin e mënyrës aziatike të jetesës. Një gjë e tillë, pastaj, do t’u konvenonte edhe amerikanëve.
a) sepse ata janë gjithnjë romantikë në raport me të kaluarën. Duke mos e pasur përvojën e luftërave anti-turke në Ballkan, nuk do t’i kuptonin motivet reale as të qarqeve të përmendura serbe dhe as ato të një pjese të shqiptarëve për preferimin e prezencës turke në Ballkan. Po qe se në ndërkohë do të mësonin se motivet e tilla ishin të lidhura me një urrejtje të shfrenuar antishqiptare, të mos them: reciproke, do të konstatonin se një gjë e tillë ishte “awfull” (e tmerrshme); do ta shprehnin ndonjë “sorry” adekuate dhe do ta vazhdonin eksperimentimin e tyre për tri shkaqe të tjera madhore: a) sepse amerikanët, për shkak të zhvillimit relativisht të qetë, mbi 200-vjeçar, në truallin e vet, kurrë nuk do të ishin në gjendje të kuptonin se sulltani së bashku me agallarët e kohës feudale dhe me të gjitha mundësitë e aleancave mes vete për kontrollin e timareve, që moti kishte vdekur, madje edhe në Turqi;
b) sepse, prezencën e Turqisë në Ballkan do të përpiqeshin ta modernizonin përmes “kompjuterizimit” të raporteve të saj, gjithnjë me shpresën e përforcimit të depërtimit në Azi edhe me anë të Turqisë së “evropianizuar” me prezencën në Ballkan: dhe c) sepse Turqia si fuqi neutrale në raport me rivalitetin e fuqive të krishtera‚ në‘ dhe ‚rreth‘ Ballkanit, do të mund ta bartte barrën e tyre (të amerikanëve) në neutralizimin e atij rivaliteti. Turqia, pastaj, vardisjen e vet ndaj amerikanëve do të duhej ta paguante me pacifikimin / nënshtrimin e popullsisë së përkatësisë së religjionit islam në Evropë. Në këtë mënyrë do të arrihej pikërisht në një surrogat të kohës otomane. (Hoti-Kadare: Bisedë përmes hekurash, paragrafi XLIII, Tiranë 2000)
(…)
XLVI
Një herë, ndoshta fare rastësisht, u ndodha në dhomë (në qelinë e burgut) me një turk, me një serb dhe me disa shqiptarë të dënuar për vepra të ndryshme, por nga ata që u mungonin idealet dhe që u pëlqente mishi i thatë që ia sillnin turkut gjatë vizitave në një sasi bukur të konsiderueshme. Kjo gjë pastaj ia mundësonte turkut të shprehej më lirshëm për historinë tonë nacionale. Sipas tij Skënderbeu s’ishte tjetër veçse një gjeneral turk i cili, në marrëveshje të plotë me Sulltanin, kishte sunduar në këto troje nja 25 vjet. Marrëveshja konsistonte në faktin se ai, në këtë mënyrë, duke sunduar këtu, në këto troje, ia mundësonte sulltanit parapërgatitjet ushtarake për depërtim të mëtejshëm në Ballkan dhe përgjithësisht në Evropën e krishterë. Luftërat që Skënderbeu i kishte zhvilluar kundër turqve nuk kishin qenë të njëmendta: turqit e kishin sulmuar atë herë pas here sa për t’ia larguar dyshimin Evropës për qëllimet e njëmendta të armatave osmane dhe për forcimin e pozitave të vetë Skënderbeut. Për këtë shkak, Sali Berisha ishte një politikan i shkëlqyer, sepse në Tiranë kishte mundësuar hapjen e një shkolle turke, duke mos këmbëngulur në reciprocitet (dmth. që edhe në Stamboll të hapej ndonjë shkollë në gjuhën shqipe). Turqia ishte një shtet i madh. Numëronte rreth 150 milion frymë (së bashku me ata në ish BRSS) dhe kthimi i saj në Ballkan ishte i pashmangshëm. Ekzistenca e kombeve të vogla ishte e mundshme vetëm përmes tretjes (shkrirjes) në sisteme të mëdha. Ishte punë budallenjsh këmbëngulja jonë në kombëtaren, sepse askush nuk na pengonte të flisnim shqip nëpër shtëpitë tona. Në këtë pikë serbi i bashkohej me pohimin paralel se ata, serbët dhe rusët, aktualisht numëronin rreth 4 milionë ushtarë dhe se kjo forcë ishte një garanci e mjaftueshme për zhvillimin e tyre si serbë. Kjo forcë gjithashtu e detyronte Turqinë që të binte në marrëveshje me ta, kështu që mëvetësia serbe nuk mund të rrezikohej në asnjë mënyrë. Në vërejtjen time se Serbia ndodhej në Ballkan (pra i rrezikohej mëvetësia) dhe se ky fakt do të duhej t’u impononte marrëveshje me shqiptarët mbi baza absolutisht të barabarta, që nënkuptonte pavarësimin e tyre në kufijtë etnikë dhe madje detyrimin serb (edhe moral) që t’i ndihmonin dhe jo t’i pengonin shqiptarët në misionin e forcimit të vetes me qëllim të rezistimit të depërtimit të sistemeve të mëdha, të mostretjes së vetes brenda atyre sistemeve ose së paku, me qëllim të imponimit të vetes (edhe të tjerëve) si faktor që do të përpiqej t’i përvetësonte (t’i kthente në të mirën e vet) efektet e reflektimit të ndikimit të sistemeve të tilla të mëdha – serbin e linin pa fjalë. Në fakt, nuk ishte edhe aq i shkolluar dhe mendja e tij nuk mund ta bluante ndonjë përgjigje adekuate, por nga reaksionet e tij e kuptoja se në thelb të të gjitha hamendjeve, luhatjeve, habisë, dhe më në fund, refuzimit (sepse kështu urdhëronte politika e ditës) qëndronte mosbesimi: në fillim e kishte të vështirë ta kuptonte dallimin që bënim midis fesë dhe kombit. E kishte të qartë se ne nuk ishim turq, sepse flisnim shqip, por sikur nuk ia mbushte mendjen një fakt i tillë evident. I dukej sikur në rastin e parë të volitshëm, do ta shkëmbenim në çast gjuhën me fenë dhe do të reagonim si turq. Duke qenë kështu, – rezononte mendja e tij e pamësuar me këto risi, – më mirë do të ishte të merreshim vesh me turqit e vërtetë (që për ta do ta bënte nëna Rusi) se sa me ne, që nuk ishim turq të vërtetë, por që, si edhe ata, serbët, përkundrejt prezencës shekullore turke, e kishim ruajtur gjuhën tonë të bukur – shqipen. Nga reaksionet e tij e kuptoja se e ndjente veten më të sigurt po të lëshohej në gjumë në gjirin mbrojtës të nënës Rusi se sa të qëndronte gjysmë i zgjuar, duke menduar mbi mundësinë eventuale që shqiptari të ndryshonte sjelljen në momentin e ardhshëm. (U. Hoti, The political philosophy of albanian question, f. 121, Tiranë 1998 )
(…)
LIV
Ka mendime të ndryshme rreth numrit të shqiptarëve në Turqi, por ato vazhdimisht sillen rreth shifrave 1-7 milion. Së voni një gazetare turke, që gjatë këtyre ngjarjeve raportonte nga Shqipëria, e kishte theksuar shifrën prej 4.5 milion shqiptarësh në Turqi. Mua nuk më është e njohur nëse Turqia edhe zyrtarisht e thekson një shifër të këtillë ose jo. Para mjaft vitesh, në Kosovë, shpesh operohej në bisedat private, jo-formale, edhe me shifrën prej 14 milionësh, që më dukej e tepruar, por që argumentohej me faktin se një pjesë e shqiptarëve në shtetin otoman ishte njëra ndër shtyllat e pushtetit perandorak, që do të thotë se procesi i integrimit të tyre ka qenë i hapur për një kohë relativisht të gjatë (rreth 500 vjet). Shifra prej 7 milionësh përmendej në kontekst të vetëdijes mbi origjinën shqiptare, por pa aftësinë e të folurit të shqipes. Ndërkaq numri prej 1,5 milion shqiptarësh në Turqi përmendej në kontekst të shpërnguljes së tyre në kohët e vona, kryesisht me motive politike ose për shkak të politikave antishqiptare. Këta, pos vetëdijës mbi origjinën dhe përkatësinë e vet kombëtare, e flasin gjuhën shqipe dhe i kultivojnë traditat nacionale.
LV
Pavarësisht nga fakti se nuk dihet numri i saktë i shqiptarëve të vendosur në Turqi, me probabilitet të madh mund të konstatohet: a) se numri i shqiptarëve në Turqi duhet të jetë i konsiderueshëm dhe se ata zënë një vend të rëndësishëm në hierarkinë shoqërore të Turqisë, b) se shtetet në përgjithësi, për nevojat e veta politike, brenda parametrave që mund të quhen si të mundshëm, manipulojnë me numrin e saktë të etniteteve të caktuara dhe c) se një qasje e këtillë ndaj çështjes shqiptare (e vënies ose e trajtimit të tyre) në kontekst të përkatësisë së tyre religjioze do të ishte tejet ambivalente dhe kontraproduktive, për të gjitha palët e interesuara. (Po aty, f. 135-136)
(…)
e) Ka një mori ngjarjesh që më japin kurajo, më bëjnë optimist, por nuk mund t’i komentoj. Dua ta veçoj megjithatë lajmin që dëgjova për zbarkimin në Mars të një sonde amerikane. Ishte një lajm impresiv, por ajo që më bëri më tepër përshtypje ishte e lidhur me gëzmin tim për vazhdimin e hulumtimeve në gjithësi gjë të cilën nuk e prisja. Kjo gjë ma kujtoi zbarkimin e parë të njeriut në Hënë. Më bëhet sikur astronauti quhej Armstrong, Nil Armstrong. Ai, me të prekur në Hënë, tha: ”Është ky një hap i vogël për njeriun, por i madh për njerëzimin”. Pikërisht ashtu. Unë për vete do ta kisha kuptuar edhe po të kishte deklaruar se kishte qenë ”…një hap i madh për Amerikën.” Madje do të kisha menduar se një deklaratë e tillë do të ishte fare me vend, por ai nuk tha kështu. Tha se ishte një hap i madh për njerëzimin dhe kurrsesi ndryshe. Ndonëse me vete do ta kisha cilësuar si egoizëm, madje ndoshta edhe si fanatizëm fetar, prapëseprapë do ta kisha kuptuar edhe po të kishte deklaruar se kishte qenë një hap i madh për ”…krishterimin”. Por nuk tha as kështu. Fakti se e potencoi njerëzimin më bëri të kuptoja se SHBA-të nuk ishin edhe më tutje vetëm një kolos i forcës fizike, por edhe një kolos i ndërgjegjshëm për veten që me plot përgjegjësi përpiqeshin jo vetëm ta formësonin një rend ndërkombëtar politik sipas vizioneve të veta, por edhe që ai rend të ishte më afër së drejtës, për të qenë në këtë mënyrë më i qëndrueshëm. Atëbotë ende nuk e dija se si do t’ia dilte ajo në krye dhe çfarë principesh reale do të dilnin nga ajo. Ky proces, zatën, akoma është në zhvillim e sipër, por është e sigurt se hulumtimet shkencore, jo vetëm të gjithësisë, gjithnjë e më tepër do të reflektohen në nevojën që rendi i ri ndërkombëtar të ngrihet mbi baza të forta dhe mbi principe të qëndrueshme. Edhe për këtë shkak, dhe ndoshta pikërisht për këtë shkak, në rend të parë amerikanët nuk mund t’ia lejojnë vetes luksin e zgjidhjes së çështjes shqiptare duke e zhvendosur në një çështje tjetër, më të madhe, dhe duke e vendosur në kontekst të raporteve midis dy sistemeve të mëdha të mendimit politik të rënduar me komponentën religjioze, dmth. që të shtyhet vazhdimisht për ndonjë kohë tjetër, por ajo do të zgjidhet duke e pasur parasysh edhe këtë aspekt të çështjes, sepse është e qartë se nga këndvështrimi i politikës globale, nuk janë vetëm serbët, por edhe shqiptarët, dhe madje në rend të parë shqiptarët, ata që do të mund ta destabilizonin situatën dhe ta rrezikonin rendin e vendosur të vlerave në nivel regjional në pikën më të ndjeshme për stabilitetin në Evropë, me shanse të mëdha për implikacione tejet serioze të nivelit global. Në qoftë se serbët një gjë të tillë mund ta bëjnë në ndonjë afat të shkurtër (me ndonjë Blitz-Krieg) dhe me qëllim të ruajtjes së forcës së vet që të mos reduktohet në suazat e veta reale (si e painstrumentalizuar) shanset do të rriteshin pothuajse me progresion gjeometrik, që këtë gjë ta bënin edhe shqiptarët (edhe të painstrumentalizuar), sepse nuk do t’u mbetej rrugë tjetër dhe sepse rrita nuk do të mund t’u ndalej, që do të thotë se do të detyroheshin ta bënin këtë gjatë një kohe më të gjatë, në të ardhmen. Dhe pikërisht për këtë shkak, gjithnjë nga këndvështrimi i një politike globale, as serbët dhe as shqiptarët nuk mund të lejohen që ta bëjnë një gjë të këtillë. Njëkohësisht, duket fare e qartë se nuk është e mundur që shqiptarët vazhdimisht të viktimizohen; që në trupin e vet të sakatosur (të copëtuar) dhe me qenësinë e vet të rrezikuar në vazhdimësi, ta paguajnë çmimin e stabilitetit në Evropë. Një gjë e tillë do të ishte burim i vazhdueshëm i krizave dhe jo vetëm për shqiptarët, por për askend nuk do të ishte me levërdi. Nga e gjithë kjo mund të dalë vetëm një përfundim, se: çështja shqiptare nuk duhet dhe as që mund të zgjidhet duke e vënë në kontekst të raporteve midis dy sistemeve të mëdha dhe as të nënsistemeve të mendimit politik të rënduar me komponentin religjioz, qoftë të krishterimit, qoftë të islamit, por as duke e injoruar këtë aspekt të çështjes, sepse nuk mund të injorohen shqiptarët në Turqi. (Po aty, f. 141-142)
(…)
Gjatë qëndrimit në specializim në SHBA kam gëzuar një trajtim jashtëzakonisht të lartë. Kam qenë i emëruar nga ana e rektorit të Universitetit të Harvardit si hulumtues shkencor i pavarur. Me rastin e pranimit tek Zonja Rosalyn Carter në Washington DC kam qenë i zgjedhur si i vetmi njeri që do të përfaqësonte të gjithë specializantët dhe postdiplomistët e Evropës në SHBA. Në këtë cilësi kam marrë pjesë në shumë dreka dhe bisedime që i organizonin senatorë e kongresmenë të caktuar dhe përfaqësues të pushtetit në SHBA. Kam marrë pjesë aktivisht nëpër simpoziume të ndryshme shkencore dhe nëpër ligjërime të intelektualëve autoritarë të SHBA, dhe mendoj se me kontributin tim nëpër ato tubime dhe ligjërata kam krijuar emrin tim, përkatësisht, emrin dhe identitetin tim amerikan, i cili ishte i njëjtë me emrin tim këtu, por tani i njohur edhe atje. I kisha dyert e hapura për të gjitha kontaktet e mundshme dhe gëzoja shkallë të lartë të ndihmës teknike që nga një kabinet i stërmadh me makina shkrimi, ordinatorë, telefona, gjer ke ndihma skofiare e dy sekretareshave që punonin në prag të dyerve të zyrës sime. Mirëpo për të gjitha këto, për gjithë atë trajtim të lartë që më ishte siguruar atje, asnjëherë gjer më sot nuk e kam falenderuar qeverinë e SHBA-ve. Këtë gjë nuk e kam bërë jo vetëm për shkak se menjëherë pas kthimit në Prishtinë me 1979 jam përfshirë në vorbullën e ngjarjeve që pasuan së shpejti, por më tepër për shkak se gjithnjë deri më sot nuk kam pasur përgjigje të qarta në disa pyetje që më mundojnë edhe tani. Ishin të nevojshme kohë të mbushura me ngjarje që këtë më në fund ta kuptoja, në mënyrë që të dija edhe të pozocionohesha në raport me të. Tani kjo është e qartë. Prandaj, ndonëse duket e çuditshme për shkak të vendit dhe të kohës në të cilën po e bëj këtë, shfrytëzoj rastin që me gjithë zemër ta falenderoj qeverinë e SHBA për qëndrimin tim atje gjatë vitit shkollor 1977-78. Mendoj se nuk është vonë, sepse këtë po e bëj sinqerisht dhe jo vetëm formalisht. Ajo është një qeveri e një vendi të madh, e një populli të mrekullueshëm me mundësi të pakufizuara. Këtë e bëj sinqerisht edhe për shkak se qeveria e këtij populli të madh, dhe e këtij vendi të madh, as përpara, as atëherë dhe as më vonë, kurrëndonjëherë me asgjë nuk e ka kushtëzuar qëndrimin tim atje. Asnjëherë nuk ka kërkuar çfarëdo shërbimi prej meje dhe ka qenë jashtëzakonisht korrekte me mua. Një gjë e tillë natyrisht imponon respekt. (U. Hoti: FPÇSH, Tiranë 1995, f. 154)
( * Botuar në gazetën “Epoka e re”, Viti`2000 )