BISLIM ZOGAJ: ORGANIZIMI I NDIHMËS SË PARË NË BURGUN E DUBRAVËS

(Pashtriku.org, 19. 05. 2012) – Nga granatimi i flotës ajrore të NATO-s në pavijonin “C”, më 19 maj 1999, tre të burgosur mbetën të vrarë dhe nëntëmbëdhjetë të plagosur, prej të cilëve tre rëndë (dy prej tyre ishin në gjendje kome), kurse Abdylgafurr Luma kishte një plagë të lehtë në kokë. Të burgosurit Bislim Zogaj, Reshat Nurboja dhe një tjetër me batanije i bartën dy të plagosur në gjendje kome deri në dalje të burgut, ku i vendosën në një makinë të ndihmës së shpejtë. U dërguan në Spitalin e Pejës dhe për fat shpëtuan.
Nga ky moment tre veteranët politikë, në themele të UÇK-së: Nait Hasani, Bislim Zogaj dhe Bajrush Xhemaili, një njëfarë dore, morën komandën të themi morale mbi të burgosurit – pengje të luftës. Këta, të ndihmuar nga tekniku i medicinës Afrim Rifaj dhe veprimtarët Haqif dhe Sherif Ilazi, Njazi Kryeziu dhe Dëfrim Rifaj, si dhe nga Frashër Shabani etj., kanë filluar t’u japin ndihmën e parë të plagosurve dhe kështu i vunë themelet e Shërbimit të Ndihmës së Parë në krye me teknikun e medicinës me përvojë të gjatë, Bislim Zogajn – Hero i Dubravës, siç preferohet të quhet nga të mbijetuarit e masakrës.
Më 20 maj 1999 në Burgun e Dubravës mbretëronte pasiguria. Ndonëse shpresohej se “ishte një gabim teknik i logjistikës së NATO-s”, më nuk dihej se prej nga mund të vinte vdekja. Më 21 maj 1999 aeroplanët e NATO-s e përsëritën granatimin e lokaleve përcjellëse më vitale të burgut: ngrohtoren, kuzhinën, sallën e sportit etj. Në këto granatime u vranë 19 dhe u plagosën 32 të burgosur shqiptarë.

BOMBARDIMI I PAVIJONIT ‘C’ … NGA AEROPLANËT E NATO-s, ME 19 DHE 21 MAJ 1999!

________________________________________

Ekipi i shpëtimtarëve me Bislim Zogajn në krye, të përcaktuar për sakrificë sublime, kishte numër të vogël teknikësh të medicinës e shpëtimtarësh krahasuar me numrin e të vrarëve dhe të të plagosurve, ndaj ndihma, edhe në rrethana të një ploje mizore (kur jeta e çdo shpëtimtari ishte baras me vlerën e një plumbi të snajperistëve në pritje për krim), ishte vështirë t’u vihej në ndihmë të gjithëve me kohë dhe në të njëjtën kohë. Pas bombardimit të dytë, ishte krijuar një atmosferë e tmerrshme dhe trishtuese, kur dëgjoje të plagosurin me organe të brendshme të dala jashtë nga shpina dhe me këmbë të këputur në komblik (Shani dhe Hasan Shala) duke thërritur: “… o Baci Nait, …, o Baci Bislim, mos na leni vetëm, na ndihmoni…!”
E si t’u ndihmohej, kur bombat e NATO-s dhe snajperistët villnin vdekje mizore!?! Kjo skëterrë zgjati rreth 3 – 5 minuta, por u përjetua e gjatë sa një shekull jete. Duke i dhënë ndihmën e parë të plagosurit Zenullah Elshani, do të plagoset, në shpatull, edhe Nait Hasani. Mirëpo, nuk u ndal duke ju dhënë ndihmë shokëve derisa edhe atij nisi t’i errësohej, të humbë vetëdijen.
Në mungesë të mjeteve sanitare, të peceve dhe të lidhëseve, plagët të plagosurve do t’u lidhen me pjesë të nënkëmishëve. Fillimisht, ndihma e parë të plagosurve u është dhënë në oborrin e burgut, para kuzhinës, e më pas te fushat e sportit, ku edhe e kanë kaluar natën të gjithë përjetuesit e bombardimeve të NATO-s.
Të nesërmen, në mëngjes, më 22 maj 1999, gardianët serbë ftuan të grumbullohen të gjithë të burgosurit, i rreshtuan kinse për transferim në ndonjë burg tjetër. Në momentin e volitshëm, sapo ishin grumbulluar të gjithë të burgosurit, ekzekutorët serbë filluan me të shtëna rafale nga të gjitha anët dhe me të gjitha llojet e armatimit të këmbësorisë. Në këtë plojë mbetën të vrarë rreth 80 të burgosur e pengje shqiptare. U plagosën shumë më tepër. Të plagosurit më lehtë, të cilët mund të ecnin, u drejtuan kah ambulanca e burgut, ku i burgosuri më i guximshëm, Bislim Zogaj, ishte vu me dinjitet në detyrë edhe të operatorit kujdestar dhe sa kishte forcë ua jepte ndihmën e pare të plagosurve. Pas afër një ore te pavijoni C1, në katin përdhes, përgatitet vendi për t`i vendosur të plagosurit. Në të njëjtën kohë, të prirë nga Muhamet Avdia, filloi bartja e të plagosurve nga fushat e sportit. Bartjen e tyre do ta realizojnë, me shumë rreziqe për jetën: Bajrush Xhemajli, Defrim Rifaj, Haqif Ilazi, Niazi Kryeziu, Bislim Zogaj etj.
Atmosfera e krijuar nga ploja e papritur dhe tepër mizore, ishte e tmerrshme! Nuk qaheshin martirët, por vajtohej pa lot e pa gjëmë për të martirizuarit e gjallë. Të plagosur kishte shumë, plagët ishin të shumta dhe nga më të rëndat, ndërsa mjete adekuate për dhënien e ndihmës së parë nuk kishte të mjaftueshme as cilësore. Por, me një mobilizim të jashtëzakonshëm nga Bislim Zogaj, Nait Hasani (edhe pse i plagosur), Haqif e Sherif Ilazi, Niazi Kryeziu, Defrim Rifaj, Abaz Beqiri, Frashër Shabani etj., të cilët kishin arritur të siguronin pak material sanitar nga ambulanca e burgut, dhe me nënkëmishët e trupit, me përpjekje mbinjerëzore, arritën që sado pak ta zbusnin mungesën e mjeteve për ndihmë të parë.
Në ndërkohë, dikush nga të burgosurit arriti që në ambulancën e burgut të gjejë pak jod dhe disa çarçafë të rinj, prej të cilëve do të sigurohen fashe për lidhje. Dhënia e ndihmës së parë vazhdoi deri natën vonë. Kujdesin për të plagosurit gjatë tërë natës, roje kujdestare kundër vdekjes së shokëve, pa ngrën as bukë gati tre njëzetekatër orë, e kreu drenicasi Bislim Zogaj, i ndihmuar nga Nait Hasani, Avdi Mehmeti, Bajrush Xhemaili, Defrim Rifaj e të tjerë, si vlera morale për të plagosurit durimtarë dhe urtues për të pagajretët.
Këta veprimtarë politikë, duke pasur pranë këmbëve tridhjetë deri në dyzet djelmosha të gatshëm të falnin jetën në mbrojtje të të plagosurve, u përcaktuan për rezistencë fizike kundër atyre që do të mësynin masakër të ri ndaj të plagosurve në pavijonin C1. Në hyrjet e pavijonit vendosën katapulte, caktuan personat që do t’i tërhiqnin litarët pas komandës dhe të tjerët, në vijën e parë, që do të mbytnin sulmuesit me shufra hekuri e me “armë” të tjera të ftohta. Pra, këta burra ishin përcaktuar paraprakisht për një vdekje heroike para shokëve të plagosur.
Të nesërmen, më 23 maj 1999, nisi tmerri të thellohet që nga mëngjesi. Serbët paramilitarë e paramilitarë kriminelë, gardianët dhe administratorët e burgut, të uniformuar dhe civilë, organizuan një sulm të tmerrshëm, tepër kriminal, në objektet ku ishin strehuar të burgosurit shqiptarë, me përjashtim të pavijonit C1, të fortifikuar. Sulmuesit ishin të informuar për gatishmërinë për rezistencë për të plagosurit në pavijonin C1, andaj u frikësuan të rrezikonin jetën e ndonjërit sulmues.
Sulmi i parë me bombe dore u bë në ambientet e ngrohtores. Tani hynë me armë automatike e revole me plumbin në tytë dhe qëlluan të burgosurit me sadizëm të paparë, me plumb në ballë. Aty i ekzekutuan 11 veta. Ekzekutorët e tjerë depërtuan rrufeshëm në objektet e tjera dhe ekzekutuan, pike-çok, edhe 19 të tjerë. Nga ky rund i krimit nuk pati shumë të plagosur, sepse të gjithë u qëlluan me plumb në ballë, në gojë, në kokë, në zemër – nga afërsia e dorës. Të plagosurit kishin plagë nga armët ofensive, bombat e hedhura në puseta, në kthina të errëta etj. Midis të ekzekutuarve pati edhe disa të burgosur ordinerë, të cilët gjatë u kishin shërbyer gardianëve si spiunë. Të tillë ka në çdo burg. Kështu, ekzekutimi i mëngjesit të 23 majit 1999 e thelloi tmerrin dhe pasigurinë e përgjithshme.
Pak minuta pas ekzekutimit të 30 të burgosurve, personeli i burgut i ftoi të përjetuarit e ekzekutimit të 23 majit 1999 të tuboheshin në Sallën e sportit. Të burgosurit, përpos atyre në pavijonin C1, të cilët ndihmonin dhe kuronin të plagosurit, iu përgjigjen urdhrit, pa vonesë. Këta, të themi kushtimisht, në mbrojtje të spitalit, e ndjenin vështirë heqjen dorë nga planifikimi i rezistencës për mbrojtjen e të plagosurve. Përgjegjës moral për hapa të mëtutjeshëm, për fatin e të plagosurve dhe të të gjithë të burgosurve – pengje lufte, tashti ishin katër veta: Bajrush Xhemaili, Avdi Mehmeti, Nait Hasani dhe Bislim Zogaj, të mbështetur fuqimisht në rreth 25 veta, të barrikaduar në pavijonin C1. Pas ultimatumit të tretë, që u vinte përmes të dërguarve nga Salla e sporteve, falë urtisë së Bajrush Xhemailit, hoqi dorë nga rezistenca e planifikuar, së fundi, edhe Avdi Mehmeti. Njësiti i shpëtimtarëve mori me vete, mbi supe, të plagosurit e palëvizshëm dhe iu bashkua grumbullit në Sallën e sporteve.
Pas pak minutash, sapo pjesa militante e ekzekutorëve u tërhoq nga salla dhe rrethina e saj, ekipi i shpëtimtarëve – i ndihmës së parë në krye me Bislim Zogajn u aktivizua. Të plagosurit u sollën në Sallën e sporteve ku do t’u ofrohet ndihma e parë. Plagët ishin të tmerrshme, kishte të plagosur me shumë plagë në trup. P.sh., Valdet Rama kishte tetë plagë të rënda e disa të tjera më të lehta dhe ishte vështirë t’i jepej ndihma e parë. Cilën plagë t`ia lidhje më parë? Si ta vendosje? Në çfarë pozite, kur në tërë trupin kishte plagë? Po kështu ishte me Fatmir Tafallarin, i cili kishte shumë plagë dhe gjakderdhje të madhe. Shumë plagë kishte edhe Abdylgjemil Alimani, i cili vetë i nënti ishte gjetur në një pusetë kur paramilitarët ua kishin hedhur dy granata dore. Të gjithë ishin plagosur, por Abdylgjemili kishte më së shumti plagë me gjakderdhje shumë të mëdha. I burgosuri Bedri Kukalaj njëzet e katër orë qëndroi, i plagosur, në mesin e të vrarëve. Atë e vërejti një i burgosur dhe e solli në Sallën e sportit në gjendje të pavetëdijshme. Plumbi e kishte marrë në nofull.
Numri i të plagosurve me shumë plagë dhe me plagë të rënda ishte shumë i madh, ndërkaq dhënia e ndihmës së parë do të vazhdojë gjatë tërë ditës. Njëkohësisht, të plagosurve para një e dy dite do t’u pastrohen plagët me jod. Kështu, në natën e 23/24 majit 1999, përveç rreth 150 vetave që kishin plagë më të lehta dhe kishin shkuar me shokë nëpër pavijone, në Sallën e sportit ishin 106 të plagosur rëndë, të palëvizshëm, për të cilët gjatë natës u përkujdesën Bislim Zogaj, Nait Hasani, Abaz Beqiri, Asllan Selimi, Dylber Beka dhe Shefqet Kabashi.
Të nesërmen, më 24 maj1999, pa asnjë paralajmërim, të gjithë të burgosurit, të shëndoshë dhe të plagosur, do t’i transferojnë me autobusë nga Burgu i Dubravës në Burgun e Lypjanit. Me një fjali: Nisi odesiada e re e të burgosurve dhe e pengjeve, për të pritur çlirimin e Kosovës nëpër burgjet e Serbisë.
Krejt në fund, duke përfunduar, është me rëndësi të konstatojmë dy fenomene: E para, fati i kolektivitetit shqiptar në Burgun e Dubravës e deshi që veprimtarët politikë më të shquar, themelues dhe luftëtarë të UÇK-së përreth Nait Hasanit dhe Bislim Zogajt, të cilët e organizuan dhe e ushtruan madhërisht dhënien e ndihmës së parë të plagosurve nga bombardimet e NATO-s dhe në plojat e soldateskës serbe, nuk u dëmtuan rendë, i ruajti Zoti për të ndihmuar të tjerët dhe veçanërisht e ruajti Zoti Heroin e vërtetë të organizimit dhe të dhënies së ndihmës së pare, veprimtarin dhe luftëtarin e orëve të para të UÇK-së, mbitrimin Bislim Zogaj. Dhe, e dyta, edhe përkundër gjithë atij tmerri që përjetuan të burgosurit shqiptarë në këtë golgotë, gjendja psikike dhe shpirtërore e shumicës së tyre ishte e mirë dhe stabile, madje heroike. Gjatë gjithë kësaj periudhe të kalvarizimit vetëm dy të burgosur ordinerë bënë vetëvrasje dhe një i burgosur ordiner pësoi infarkt.
– Kumtesë e lexuar në Sesionin shkencor, ‘Masakra në Burgun e Dubravës 19 – 24 maj 1999’, e mbajtur më 23 maj 2004.

____________________________________________________

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura