SHERADIN BERISHA: MASAKRA NË ABRI TË EPËRME – KRIM I PANDËSHKUR!(II)

Pashtriku.org, 20. 06. 2013 – Për përmasat e masakrës së kryer më 26 shtator 1998 në Abri të Epërme, flet gjerësisht edhe: Ekstrakti nga Rasporti i Vëzhguesve për të Drejtat e Njeriut – Java e terrorit në Drenicë: Shkeljet e ligjeve humanitare në Kosovë) me titull: “ABRIA E EPËRME: MASAKRA NË PYLL” (GORNJE OBRINJE: MASSACRE IN THE FOREST [An extract from the Human Rights Watch Report – A Week of Terror in Drenica: Humanitarian Law Violations in Kosovo].
ABRIA E EPËRME: MASAKRA NË PYLL
Ekstrakt nga Rasporti i Vëzhguesve për të Drejtat e Njeriut – Java e terrorit në Drenicë: Shkeljet e ligjeve humanitare në Kosovë
Luftimet në Abri të Epërme
Kah mesi i Korrikut, 1998, armata jugosllave dhe policia serbe filluan një ofanzivë të përgjithshme kundër UÇK-së. Ajo, pothuaj kishte humbur kontrollin, sipas një vlerësimi, në mbi një të tretën e territorit të Kosovës. Ofansiva që shoqërohej nga artileria e rëndë, tanket, forcat ajrore, pati efekt të lartë në detyrimin e forcave të UÇK-së për t’u tërhequr nga shumica e pozicioneve të tyre drejt maleve mes drunjësh. Dhe në fund të kësaj ofenzive, vetëm pak luftëtarë të UÇK-së u vranë apo u zunë rob. Vuajtjet më të mëdha i përjetoi popullata civile shqiptare, që jetonte në zonat e luftimeve. Më shumë se dyqind fshatra janë shkatërruar dhe së pakut 300 mijë njerëz kanë mbetur pa strehë. Shumica e më se 2000 të vrarëve gjatë shtatorit janë civilë. Rreziku që u kanosej civilëve në Kosovë ishte artikuluar në një qëndrim publik të Komiteitit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq lëshuar në shtator: “Në momentin e tanishëm mbretëron gjendje e rënd dhe e pandryshueshme për disa javë me radhë. Dhjetëra e mijëra civilë janë në rreth të hekurt të sulmeve dhe të zhvendosur nga trojet e veta. Ata i janë ekspozuar dhunës, madje u kërcnohet edhe jeta, shkatërrimi i shtëpive, ndarja nga familjet dhe abdukcioni. Mijëra sish nuk kanë vend ku të strehohen as të kërkojnë vetmbrojtje…”Nga mesi i shtatorit, presioni ndërkombëtar ndaj Millosheviqit për të ndërprerë këtë ofansivë ishte rritur. Por, tashmë çeveria kishte arritur të shkatrrojë qendrat dhe vendqëndrimet e UÇK-së, duke i shtyer ata drejt maleve. Veprimet shkatrruese kishin ngelur pambaruar edhe në një zonë të rëndësishme; Drenicën, pjesën qendrore të Kosovës, ku kishin zënë vend luftimet më të shumta mes UÇK-së dhe forcave të qeverisë. Dyshohej se ditët finale të ofansivës ishin kalkuluar me kujdes. Kryetari Millosheviq dhe krerët e tij ushtarak e dinin se kishin pak kohë për ta kompletuar objektivin e tyre në Kosovë e pastaj për të manipuluar me një kërkesë për tërheqje rapide të forcave nga Kosova, siç kërkon perendimi. Fshati Abri e Epërme gjendet në territorin e komunës së Gllogovcit të Drenicës. Fshat i vjetër 500-vjeçar, që kishte rreth 300 shtëpi të ndara në disa komponime (lagje) të mëdha familjare, me fusha dhe drunjë në mes tyre, llogaritur edhe lagjën Deliu dhe atë Hysenaj, të cilat zënë vend të posaçëm në këtë raport. Tri kilometra në veri, në maje të bregut gjendet Likoci, që ishte në shërbim të UÇK-së, por që nga 13 shtatori (1998 – Sh.B) riokupohet nga forcat jugosllave. Gjatë muajit shtator, forcat e qeverisë morën një ofansivë në regjionin e Drenicës që kishte për qëllim të dislokojë UÇK-në nga kjo trevë e fuqishme. Policia dhe ushtria sulmuan nga drejtimi i Klinës, në jugperendim të Gllogovcit, pastaj edhe nga Qyçavica, malet në lindje dhe me efikasitet do t’i rrethojnë forcat e UÇK-së në bregun e Abrisë. Duke ju referuar Naim Malokut, një komandues i UÇK-së dhe ish oficer i armatës jugosllave i intervistuar nga “Nju Jork Times”, forcat jugosllave hasën në rezistencë të UÇK-së mes Abrisë dhe Likocit… Pas pushtimit të Likocit, forcat e qeverisë ishin nisur drejt Abrisë. Sipas Zejnije Deliut, që ishte me famijlen e saj në Abri, në fillim të ofanzivës, forcat e qeverisë filluan të bombardojnë lagjën Deliu nga Likoci që në mëngjes, rreth orës tetë, të premtën, më 26 shtator, nga llojet më të ndryshme të artilerisë dhe mortajave. Shumica e banorëve të Lagjës ishin strehuar në pyll, për t’u ikur granatimeve. I vetmi civil që kishte ngelur në Lagje gjatë granatimeve ishte Bashkim Deliu, 21 vjeçar, që duhej të kujdesej për babain e tij Fazliun, 94 vjeçar dhe invalid. Bashkimi sqaron se sulmet vazhduan sërish të shtunën në mëngjes, pasi në mbrëmjen e së premtës policët sërish ishin kthyer në Likoc. Gjysma e konvojit të tankeve në Likoc, që ishin rreth 68 gjithësejt, kishin lëvizur në drejtim të Lagjës Deliu. Ata hedhnin pandërpre gjyle nga topat e tankeve mbi Lagjën tonë. Këmbësorët vinin pas tankeve dhe shumica e tyre kishin mjekrra. Unë vazhdoja të qëndroja me babain tim, që kishte nevojë për ndihmën time, për ujë dhe ushqim. Ishim duke tymosur nga një cigare, kur granata ra në kulm të shtëpisë. Kërceva jashtë nga kati i dytë i shtëpisë dhe vrapova nëpër oborr. Shikova nga një vrimë e derës së oborrit dhe pashë se në shtëpinë e fqiut ishin futur ushtarë e paramilitarë. I pashë ushtarët tek vinin drejt shtëpisë sime jo më larg se tridhjet metra. Kishin uniforma ushtarake ngjyrë kafeje dhe shumë prej tyre kishin thika të mëdha ose sopata të vogla, përveç armëve të zjarrta. Vazhdova të vrapoj me sa forcë që kisha drejt Badërlakëve (Lagjës fqinje)… Për disa ditë me radhë pastaj forcat jugosllave do të mbajnë nën kontroll Abrinë, duke kryer keqbërjet e cekura në këtë rapot.

Në bazë të bisedave të zhvilluara me një komandues të UÇK-së gjatë funeralit të Driton Hysenajt, forcat speciale. (Jedinice za Specijalne Operacije) të kryesuara nga Franko Simatoviq – “Frenky”, të njohura si “Frenky’s boys”, ishin prezente, gjithashtu gjatë luftimeve në Abri të Epërme. Ata kishin uniforma të parregullta, por shpesh shfaqeshin edhe me uniforma policore ose ushtarake dhe bartnin thika të mëdha, sipas shumicës së dëshmitarëve, që i kishin parë në Abri të Epërme. Kjo njësi kishte një reputacion të arrogancës dhe krimeve. Sipas fjalëve të një polici serb që kishte kaluar gjashtë muaj në Deçan, i intervistuar nga Vëzhguesit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, “Frenky’s boys” kanë vrarë gjithçka kanë hasur. Më besoni, ju nuk do të dëshironit t’i takoni ata.” Më, 26 shtator 1998, Vëzhguesit e të Drejtave të Njeriut vërejnë një konvoj prej 47 automjetesh të artilerisë së rëndë ushtarake dhe 16 automjete ndihmëse, duke u larguar nga Drenica rreth fshatit Mleqan, disa mila në perendim të Gllogovcit. Konvoji përmbante shumë tanke, artileri të rënd, armë kundërajrore dhe armatim personal të llojeve më të ndryshme. Sipas Mediave Qendrore në Prishtinë, të afërta me qeverinë serbe, së pakut shtatë policë ishin vrarë në zonën e Abrisë, më 25 shtator, një ditë para masakrës në Lagjën Deliu dhe pushkatimin e civilëve në fshatin e afërt, Gullboc. Pesë policë rezervistë ishin vrarë poashtu afër Likocit, kur automjeti i tyre hasi në një minë, që si duket ishte vendosur nga ushtarët e UÇK-së…
(Pasojnë emrat e tyre dhe pothuaj të gjithë janë nga qytete të ndryshme të Vojvodinës – B.D). Pastaj këto media informojnë se janë vrarë edhe dy policë, më 25 shtator, nga një grup shqiptarësh të armatosur nën Abri të Ultë, dhe të dytë ishin nga Kosova:Mirosllav Sloviq, i lindur, më 1974, në Zubin Potok dheRajko Radovanoviq, i lindur, më 1973, në Skënderaj. Si duket këto media kishin fshehur të vërteten tjetër se edhe tre policë tjerë ishin vrarë në këtë vend, gjë të cilën e zbulojnë autoritetet jugosllave në Gllogovc. (Pasojnë emrat e tyre, të parëndësishëm për lexuesin tonë. Ishin me rëndësi dy emrat e mësipërm, pasi ishin nga Kosova – B.D). Më 26 shtator 1998, Vëzhguesit për të Drejtat e Njeriut vërejtën një helikopter jugosllav me shenjën e Kryqit të Kuq tek fluturonte mbi fshatin Plloçicë në drejtim të Abrisë së Epërme, i cili pastaj do të kthehet pas përafërsisht njëzet minutash. Abria e Epërme ishte shkatërruar plotësisht gjatë ofensivës. Fshati ende kundërmonte, kur vëzhguesit arritën rreth orës 11.00, më 29 shtator, dhe gjuajtjet sporadike të armëve dëgjoheshin në afërsi. Shumica e shtëpive ishin rrënuar dhe kudo shiheshin gjurmët e një goditje të rënd. Shumë shtëpi ishin shndërruar në gërmadha, apo edhe ishin goditur nga zjarri i tankeve. Poashtu gjendje e ngjashme ishte vërejtur edhe në fshatrat përreth. Disa shtëpi ende ndodheshin në flakë.
Të vrarët në Lagjën Deliu
Kur Vëzhguesit e të Drejtave të Njeriut kishin arritur në skenën e masakrës, fshatarët lokalë kishin larguar trupat e viktimave nga pylli në një këndë të fushës së quajtur Lluga e Ferizit afër lagjës Deliu. Vëzhguesit vërejtën trupat e tri viktimave të mbështjelluara me batanie, duke i bartur përmes disa leseve të ndërtuara thjeshtë nga fshatarët që ndihmonin. Një nga trupat ishte i fëmiut Valmir Deliut, 18 muajsh. Shtatë trupat tjerë të: Zahides, Gentianës, Donjetës, Mendohies, Mihanës, Lumnisë dhe Hamidës ende qëndronin në pyll, aty ku ishin vrarë, tri ditë më parë.
Fazli Deliu – kryefamiljari, i djegur deri në vdekje
Vëzhguesit e të Drejtave të Njeriut takojnë një grup gazetarësh ndërkombëtarë gjatë rrugës për në pyll. Dikush tha se ka parë tre trupa brenda në fshatin Abri e Epërme të vrarë. Një trup ishte brenda në shtëpi, thanë ata, i djegur plotësishtë. Duke iu referuar evidencës së mundshme, ky ishte trupi i Fazli Deliut, 94 vjeçar, kryeplak i familjes Deliu. Anëtarët e familjes u thanë Vëzhguesve se Fazliu ishte invalid dhe kishte qëndruar në fshat nga pamundësia të lëvizë deri në pyll. Jonathan Steele në “Guardian” (Londër) e përshkruan më së miri gjetjen e trupit të Fazli Deliut në një artikull rreth kësaj masakre. “Dalim nga mali, ku kishte ndodhur maskara, te fusha në të cilën kishin filluar t’i hapin varret për viktimat. Pastaj vazhdojmë drejt Lagjës Deliu dhe hymë në shtëpinë e parë, që ende po digjej. Hymë në një dhomë pritje të demoluar dhe të djegur. Kulmi i kishte rënë përbrenda. Një fshatarë na tregoi se kjo ishte shtëpia e një 95 vjecari… “Një gazetar prezent në skenë i gazetës “Times” (Londër) përshkruan kështu gjendjen e trupit të Fazli Deliut:
“Një djalë i ri kërcen nga kulmi në dhomën e nxirë nga tymi dhe flakët. Në njërin kënd të saj qëndron një grumbull hiri i trupit pa kokë, i djegur, me ngjyrë kafeje. “My father!”, thirri djaloshi dhe shtoi “Fazli Deliu, 95 vjeçar”. Bashkim Deliu, djali njëzetenjëvjeçar i Fazli Deliut zbuloi trupin e babait të djegur, të hënën, më 28 shtator. Bashkimi kishte qëndruar me babain e tij derisa ishte detyruar të largohej, para se forcat serbe të futen në shtëpinë e tij. Babait i kishte thënë se po shkonte të pres lopët nga ara, duke mos i treguar të vërtetën e hidhur që po i priste. Bashkimi, poashtu u tha Vëzhguesve se është kthyer pas dy dite në shtëpi bashkë me axhën e tij Ymer Deliun. “Pasi gjetëm trupin e Ademit, i thash Ymerit: “Të shkojmë të shohim babain tim!” Shkuam te dritarja e shtëpisë dhe pashë se asgjë nuk kishte mbetur nga babai im, përveç këtij pluhuri dhe skeletit të njeriut, siç e kam parë dikur në atlasin e biologjisë…
Adem Deliu
Të hënën në mëngjes, më, 28 shtator (1998 – Sh.B),Ymer Deliu që veten e quan luftëtar i UÇK-së dhe Bashkim Deliu kthehen në Lagjën e tyre të shohin çfarë ka ndodhur me familjet e tyre. Ymeri u rrëfen Vëzhguesve se si e ka gjetur trupin e vëllaut Ademit, 33 vjeçar, pranë derës së oborrit të shtëpisë së tyre: “Kur unë dhe Bashkimi mbërrimë te fqinjët tanë, pamë tek digjeshin shtëpitë e Aliut dhe Pajazitit. Shtëpia e axhës, Sherifit, poashtu ishte djegur. Kur shkova në shtëpinë time, në hyrje e pash Ademin, vëllaun tim, disa metra larg hyrjes. Ishte i vdekur. Përreth tij ishin gjashtëmbëdhjet gëzhoja fishekësh. Ai kishte tri plagë në kokë dhe krahëror. Filloi të bjerë shi dhe nuk munda ta lë Ademin në shi. E tërhoqa deri në një vend ku nuk e merrte pika të pushojë aty. Ai nuk kishte patur kurrë armë as edhe kishte patur ndonjëherë problem me qeverinë. Bashkim Deliu u mor në bisedë ndaras nga Ymeri dhe prej tij morëm përgjigje identike. Personi i fundit që e pa Ademin të gjallë ishte Blerim Deliu-15 vjecar. Ai u tha Vëzhguesve se kishte ecur drejt shtëpisë së Zeçir Deliut, axhës së tij bashkë me Zeçirin dhe axhën tjetër Ademin rreth orës 1:00, të shtunën, më 26 shtator. Kur mbërrim te shtëpija e Zeçirit, një polic serb na doli para dhe na urdhëroi të ndalemi ose do të na vriste. Blerimi vrapon drejt Lagjës së Hysenajve bashkë me Ademin dhe Zeçirin, por më vonë i humb bashkëudhtarët, ngase: “Unë vrapova shpejt, sepse edhe isha më larg nga polici se ata dy”,-tregon Blerimi.
Adem Deliu i lindur Jeton Deliu (20 shtator 1988)më, 25 shkurt 1965
Pse s’jeton më Jetoni?!
Katërmbëdhjetë të vdekur në pyell
14 trupa të vdekur u gjetën në pyllin ku ishin strehuar lagja Deliu, duke i shtuar trupave të katër burrave të gjetur rreth kësaj lagje. Kështu numri i viktimave arrinë në tetëmbëdhjetë, më 29 shtator. Kur Vëzhguesit e të Drejtave të Njeriut arritën, disa nga trupat kishin filluar të tërhiqen nga pylli për t’i varrosur. Fshatarët lokalë dhe vet Ymer Deliu, që kishte arritur i pari në vendin e ngjarjes, kishin rekonstruktuar lokacionin e të gjithë personave të vrarë. Kështu Vëzhguesit kishin mundësi të marrin shënime dhe fotografi për të vërtetuar identitetin e të gjithë personave të gjetur në anën e të masakruarëve, më mirë se në gjendjen e gjetur. Përshkrimi në detaje i plagëve, prerjet me thika dhe të gjitha lëndimet e shkatuara në trupat e viktimave lënë të kuptojmë se kjo nuk ishte një vrasje incidentale, por e kryer me paramendim dhe atakim direkt mbi civilët e pambrojtur. Të gjithë trupat ishin në rroba civile dhe nuk ka kurrfarë evidence për ndonjë rezistencë të shfaqur. Trupat së pari ishin zbuluar nga Zejnije Deliu, kur ajo shkon në pyll të dielën në mëngjes, rreth orës 8:00, më 27 shtator, me qëllim që t’i tregoj familjes së Ymerit çfarë kishte ndodhur me Habibin, Hysenin dhe Adem Deliun. Të njejtën ditë edhe Ymeri e Bashikimi shkojnë në pyll dhe poashtu i shohin 14 trupat e vdekur. Një ekipë i Misionit Vëzhgues Diplomatik në Kosovë e vizitoi këtë anë, të hënën në mbrëmje dhe mori fotografi shtesë, llogaritur edhe të dhëna të reja në raportin e tyre konfidencial, i cili ende nuk është publikuar…
Ali Deliu, gjashtëdhjetetëvjeçar, i therrur në fyt
Trupi i Ali Deliut u gjet pranë shtegut që shpie në luginën e pyellit. Fotografët e Vëzhguesëve arritën të tregojnë qartë fytin e prerë të Ali Deliut. Thika që ishte përdorur për këtë qëllim kishte ngelur në anën e majtë të krahërorit të tij. Fshatarët thanë se thika ishte pronë e tij dhe ata besojnë se Aliu kishte ngelur mbrapa në fshat, ndërsa familja kishte dalur në pyll. Ishte zënë nga trupat serbe dhe pastaj e kishin detyruar t’i shpie te familjet, para se ta vrasin. Zejnije Deliu u tha vëzhguesve se kur kishte gjetur trupin e Aliut. “kishte një shall që mbulonte fytyrën e tij të përgjakur. E largova shallin dhe pash fytin e tij që ishte prerë”. Pastaj edhe Ymer Deliu rrëfen si e kishte gjetur trupin e Aliut, ditën tjetër: “Rreth tridhjet metra larg tendave e gjetëm trupin e Aliut, 65 vjeçar, që ishte prerë në fyt me thikën e tij që ende qëndronte në gjoksin e tij. E rrotullova dhe pashë se kishte një plagë mbrapa në kokë dhe pastaj e ktheva në pozicionin që e gjeta. Ai e mbante gjithmonë atë thikë me vete për të grirë duhan.

Skica e vendit ku jane gjetur trupat e masakruar të familjes Deliu – në pyll.

Ne skicë janë emrat dhe mosha e të vrarëve.

*  *  *

Familja Deliu besojnë se Aliu ishte nisur te vendi ku kishte duhanin, afër lagjës, ku ishte zënë nga policët serbë dhe me forcë e kishin detyruar t’u tregoj rrugën drejt pyllit. Por duke iu referuar familjes së tij, Aliu sapo kishte përgatitur duhanin për atë ditë, të cilin nuk do të arrijë ta shpenzoj, ngase të njëjtën ditë vritet mizorisht.
Hava dhe Pajazit Deliu
Rreth gjashtëdhjetë fitë (rreth shtatëmbëdhjetë metra) poshtë rrugicës malore, ku ishte vendosur përkohësisht trupi i Aliut, në tendën me kornizë të drunjtë dhe mbulesë ngjyrë të gjelbërt, ishte strehuar edhe një familje e Deliajve. Shtroja në mes ishte e spërkatur me gjak dhe një tru njeriu kishte ngelur në anën e majtë. Duke ju akorduar vëzhguesve diplomatik dhe gazetarëve që vizituan këtë skenë, derisa trupat tjerë ende ishin të gjithë në pyll, trupi i Hava Deliut, grua 62 vjeçare dhe Pajazit Deliut, burrë 69 vjeçar u gjetën në këtë tendë. Pjesëmarësit e kësaj skene përshkruajnë se si Hava Deliu kishte plagë plumbi në kokë dhe pastaj edhe kokën e prerë në fyt. Përfaqësuesit diplomatikë pastaj vërejtën se këmba e djathtë ishte shkëputur nga trupi, si duket kishin tentuar t’ia shkëpusin atë me thikë. Pajaziti qëndronte afër me trurin e nxjerrur jashtë nga kreniumi dhe të vendosur pas trupit të tij. Zejnije Deliu ua përshkruan kështu Vëzhguesve pamjen në tendë, më 27 shtator: “E pashë Pajazitin të shtrirë në stomak dhe një pjesë të kokës së tij i ishte hequr. Ai ishte në anën e djathtë të tendës, siç e keni vërejtur.. Ana e majtë e kokës së tij i mungonte. Shtroja ishte spërkatur me gjakun e tij. Pastaj e pashë trupin e Havës të dalur jashtë tende dhe këmbët e saj Hava Elshani të prera thellë me thikë… përreth kishte plotë gjak… “Të njejtën gjë e konfirmojnë edhe Bashkim dhe Ymer Deliu në intervista të ndara. Ymeri u tha vëzhguesve se këmbët e Havës ishin të prera thellë dhe vetëm një pjesë e lëkurës dhe mishit i mbante të ngjitura për trupi. Ymeri dhe Bashkimi e kishin futur brenda në tendë ngase kishte filluar të bjerë shi. Më poshtë rrugicës së malit në një vorbull trupat e 11 personave, kryesisht fëmijë dhe gra. Shumica prej tyre ishin goditur në kokë dhe ekzekutuar nga afërsia.
Grupi prej 4 trupash i gjetur nga antarët e familjes, vëzhguesit diplomatik dhe gazetarët, qëndronte disa fitë përmbi vorbullën e malit. Këtij grupi i takonte viktima më e re e kësaj masakre, fëmiu 18 muajsh, Valmir Deliu, e gjetur me fytyrë të përgjakur. Pastaj Jeton Deliu, djaloshi nëntëvjeçar, i gjetur pranë Valmirit me fytin e prerë me thikë ose plumb. Ymer Deliu në intervistën dhënë Vëzhguesve përshkruan kështu gjetjen e këtyre trupave, që paraqet disa nga trupat e familjes së ngusht të tij: Duke u ngjitur pashë djalin tim 9 vjeçar Jetonin. Ai kishte një plagë nga veshi i djathtë deri te goja. Shpresoj se plaga ishte shkaktuar nga plumbi e jo nga thika (me shpresë se nuk ka vuajtur shumë). Është trupi i vetëm që nuk dij si ka mbaruar. Një këpucë e kishte të mbathur, ndërsa tjetrën jo…
Pesë metra më larg ishte nëna ime, 60 vjeçare e shtrirë në anën e majtë. Kishte një plagë plumbi në anën e djathtë të kokës dhe një tjetër më të vogël në krahëror. Mendoj se ajo ishte vrarë me armë zjarri nga afërsia. Ishte goditur në fytyrë por jo me thikë. Krejt pranë saj trupi i Luljetës, gruaja shtatëzënë e vëllaut tim, që prsinim së shpejti të lind vajzën e saj, të cilën e pagëzuam Malësore, për të përkujtuar vuajtjet tona nëpër male. Ajo dukej njësoj si nëna, Hamidja. Qëndronte e shtrirë në anën e djathtë dhe kishte një plagë në anën e majtë të kokës së saj. Ishte goditur në pjesën e mbrapme të kokës. Kishte një plagë të vogël në hundë dhe kërci. Trupi tjetër ishte i Valmir Deliut, 18 muajsh, djali i Ademit. Ai kishte një palgë në anën e djathtë të fytyrës së tij afër nofullës. Në dorën e djathtë kishte një vrimë por jo nga plumbi dhe disa plagë të vogla në trup dhe “cuclla” i kishte ngelur varur në krahëror. Unë supozoj dhe shpresoj se të gjithë trupat, nga nëna ime – të jenë vrarë me armë zjarri nga afërsia, (përfundon Ymeri me shpresë se ata nuk kanë vuajtur nga torturat e kriminelëve serb, sqarim i autorit). Në kujtimet e Zejnije Deliut, e intervistuar ndaras nga Vëzhguesit e të Drejtave të Njeriut, përputhen përshkrimet që u bënë pamjes së trupave Ymer Deliu. Një variacion vërehet te përshkrimi i Luljetës shtatëzënë. Ajo thekson:”Luljeta ishte shkyer e tëra, duke filluar nga krahërori dhe përgjat stomakut. Ajo kishte rrobat, por edhe ato ishin prerë gjithashtu…”
Lumnije, Mihane, Menduhije, Diturije dhe Zeçir Deliu
Ymeri kishte gjetur edhe trupin e gruas së tij, Lumnies, të shtrirë pranë vajzës së tij 6 javëshe, Dituries, që për çudi kidhte mbijetuar këtë tragjedi. Zejnia i kishte hasur trupat një ditë më parë, por nuk kishte vënë re se Dituria ishte ende gjallë. Ajo u tha Vëzhguesve: “E pashë Lumnien, gruan e Ymerit të shtrirë në anën e djathtë të saj. Dituria ishte nën krahun e majtë të nënës së vdekur. Fytyra e Lumnies ishte prerë e tëra dhe krahu i saj përreth fëmijës ishte poashtu i prerë me thikë. Goja e voglushës ishte përplotë gjak që kishte rrjedhur nga krahu i nënës dhe nuk e kam marrur me mend se ajo mund të ishte ende gjallë… “Pas më shumë se 24 orë të vizitës së Zejnies, Ymeri dhe Bashkimi e gjejnë të gjallë foshnjën. Ymeri rrëfen zbulimin e tmerrshëm para Vëzhguesve: “Unë pastaj gjeta trupin e gruas sime, Lumnies. Ajo qëndronte në krahun e djathtë, ndërsa dy vajzat qëndronin pranë saj, njëra përballë e tjetra mbrapa. Dora e nënës ishte mbi Diturien e vogël. Për një moment Dituria hap sytë, jo krejt, përgjysëm dhe e kuptova se është gjallë. U përpoqa t’ia fshij gjakun dhe ajo nxori gjuhën pak nga goja. I lash trupat dhe mora ca rroba të foshnjës. Kundërmonte një erë e rënd. E kontrollova mirë dhe pashë se ajo nuk ishte lënduar. E vesha pastaj atë dhe e mbështolla me xhaketën time… “Vëzhguesit për të Drejta të Njeriut e vizituan foshnjën Diturie Deliu, më 8 nëntor, në Likoc, ku ajo qëndronte te të afërmit e saj. Mjerisht, ajo vdiq më, 19 nëntor të vitit 1998.
I shtrirë qëndronte edhe trupi i Menduhies, 4 vjeçare, vajza e Ymerit dhe Lumnies, pastaj kushëriri i Ymerit, Zeçiri, 44 vjeçar dhe Mihanës, 25 vjeçare, gruaja e Ademit. Ymeri e përshkruan kështu gjendjen e Mihanës:”Trupi tjetër pranë ishte Mihanja, nëna e Valmirit. Ajo qëndronte e shtrirë në stomak dhe organet e saj të brendshme kishin shpërthyer jashtë nga një vrimë e madhe në shpinën e saj. Dukej sikur ishte goditur nga ndonjë explodim granate, jo plumb…”Fotografët e inçizojnë gjendjen e Mihanës, duke konfirmuar thënjen e Ymerit. Pastaj Ymeri i bënë një shikim më të afërt Menduhies dhe vëren se ajo kishte flokët e larë në gjak, ndërsa poashtu Zeçiri ishte “plotë gjak nga koka deri te gishtërinjtë e këmbëve”.
Zahide Deliu dhe dy vajzat e saj: Donjeta dhe Gentiana
Në maje të rripit me drunjë, Vëzhguesit hasën edhe tre trupa tjerë; Zahide Deliu, 27 vjeçare, ishte goditur siç duket duke tentuar të ik nga tragjedia që e priste. Plumbi e kishte goditur nga largësia pas koke. Ajo kishte vetëm qorapa mbathur, por jo edhe këpucë dhe si duket ishte duke pushuar në tendë. Dy vajzat e saj ngelën të vdekura krejt pranë, pas saj. Donjeta 5 vjeçare kishte një plagë të dukshme, që i kishte hequr pjesën e djathtë të fytyrës së saj. Gentiana 7 vjeçare kishte kapakun e kresë të hequr, si duket nga rafalet e plumbave. Zejnia ishte tejet e emocionuar dhe u kthye pas para se të shkonim te këta trupa. Ymeri gjithashtu dha përshkrime të limituara të këtyre trupave pasi ai veç kishte gjetur trupin e gruas dhe fëmijëve dhe ishte shpesh i traumatizuar. Duke iu referuar Bashkimit, ai dhe Ymeri në kalim kishin shkuar të shohin Zahiden dhe dy vajzat e saj para se të kthehen te gruaja e Ymerit dhe fëmijtë, ku ata kishin gjetur Diturien ende gjallë.
Ymeri përshkruan kështu atë që kishte mbajtur mend:
“Donjeta 5 vjeçare qëndronte e shtrirë me faqe për dhe. Kishte plagë në krahun e majtë dhe nën veshin e djathtë… Fytyra e saj dukej e deformuar… S’mund ta përshkruaj gjendjen e Gentianës, 7 vjeçare, Nuk mbaj mend plagët e saj dhe do të ishte më mirë të mos flas rreth kësaj… “Trupi tjetër ishte i Zahide Deliut, nënës së tyre. Ajo kishte një plagë të madhe në maje të kokës, por nuk i mungonte truri. Unë nuk e rrotullova trupin e saj sepse do të ishte kundër traditave tona. Pas kësaj fillova të kërkoj edhe katër fëmijë tjerë që mungonin, bashkë me Diturien në krah, por assesi t’i gjeja. “Të dytë: Ymeri dhe Bashkimi, sidomos Bashkimi shpesh dukej i traumatizuar nga ajo që kishte parë mbi trupat e të afërmve dhe nganjëherë ishte edhe histerik. Megjithatë, përshkrimet e tij të dhëna ndaras dalin si në pasqyrë të njejta me kujtimet e Ymerit dhe Zejnies. Duke ju referuar Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, të grupit lokal, trupi i Hajriz Deliut, 34 vjeçar, ishte gjetur në ujin e një pusi afër Abrisë së Epërme, më 21 tetor 1998. Hajrizi, burri i viktimës së masakrës, Zahide Deliu dhe babai i Donijetës dhe Gentianës ishte zhdukur që nga masakra në Lagjën Deliu. Ai ishte therrur në fyt e pastaj ishte hedhur në pusin e thellë me kokë teposhtë. Fotografitë e bëra dëshmojnë të vërtetën e dhënë nga Këshilli Lokal për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut.

…………………………………………………..

Masakra në Abri të Epërme (1 – 2)

Vrasja e Habib, Hysen, Antigona dhe Mihane Deliut 

Duke iu shtuar 14 viktimave edhe grupin tjetër të vrasjeve serike në lagjen Deliu të Abrisë së Epërme. Ky grup përbën Habibin, që ishte burri i Zejnies, Hysenin bashkëshortin e Flories; dy vajzat e Hysenit (nga një martesë e mëhershme, Antigonen dhe Mihanen). Duke iu akorduar intervistave të ndara me Zejnijen dhe Florien, dëshmitarë që i shpëtuan më të keqes, të premten më 25 shtator, të gjithë këta anëtarë të familjës ishin së bashku në Abri të Epërme, kur filluan granatimet rreth orës 8.00 në mëngjes. Me të filluar të gjuajtjeve të gjithë kanë dalur në Zabele, afër familjes së Ymer Deliut. Në mbrëmje rreth orës nëntë ata ishin kthyer në Lagjën Delijaj dhe natën e kishin kaluar afër shtëpisë së tyre, në një bunker të ndërtuar nga Habibi dhe i mbuluar me dushk, duke e lënë kështu familjen e Ymerit në pyll.
Të shtunen në mëngjes Habibi ishte zgjuar dhe kishte dalur me gruan Zejnien, Antigonen, Mihanen, dhe Mentorin, duke i lënë Hysenin dhe Florien, Maliqen dhe Ajeten në bunker. Habibi me familjen e tij do të dal këmbë në Tërstenik, ku mbërrijnë reth orës 8.00 në mëngjes dhe atje kishin filluar të përgatisin ushqim e ziejnë në fushë. Gjuajtjet fillojnë dhe granatat bijnë afër fushës dhe familja detyrohet të tërhiqet. Ata gjetën strehim në drunjtë e afërt dhe shoqëruesit i njohtuan se ishte plagosur Sherif Deliu dhe lagja Deliu ishte djegur e tëra.. Sherif Deliu, deri më, 21 Janar 1999 llogaritej i zhdukur.
Të shtunën rreth orës pesë, në mbrëmje, kishin vendosur të kthehen te shtëpitë e tyre në Abri të Epërme dhe të shohin çfarë kishte ngjarë atje me Hysenin dhe tjerët që i kishin lënë pas. Ata u kthyen, sërish këmbë në Abri të Epërme dhe kaluan rrugën kryesore për në drejtim të Likocit, ku ishin stacionuar numër i madh i policëve serbë. Një konvoj i madh automjetesh luftarake po kthehej nga Abria përsëri për në Likoc. Ata kishin pritur mbi një orë e gjysmë në kaçuba të kalojë konvoji. Pastaj kishin bërë përpjekje të lëvizin dhe policët i kishin vërejtur. Hapet zjarr në drejtim të tyre, duke i detyruar të shpërndahen. Zejnia u tha Vëzhguesve: “Deshëm të kalojmë në Lagjën tonë, por shumë shpejt një grup prej pesë-gjashtë policëve kanë vënë re lëvizjen tonë dhe mënjëherë kanë filluar të gjuajnë në ne. Ne të gjithë kemi vrapuar në drejtime të ndryshme. E pashë Antigonën që ra për dhe e goditur nga plumbat. Isha më së afërmi me policë dhe i ndjeja plumbat si binin pranë këmbëve të mia. Vazhdoja të ngjitem zhagas pa ditur në çfarë drejtimi shkoja. Ata vazhdimisht gjuanin me pushkomitralez e pastaj edhe me armë të tjera. Unë vazhdoja zhagas dhe nuk dija më asgjë për askend… “Më vonë plumbat e kishin goditur në fytyrë, duke i shkatuar një plagë të cilën Vëzhguesit edhe pas një muaji e kishin vërejtur në fytyrën e saj, gjatë një interviste me të. Ajo arrinë në bunker, afër shtëpisë, ku edhe do të gjej vetëm Maliqen. Pastaj kthehet edhe Floria me Mentorin dhe Ajeten dhe rrëfejnë se si Habibi e Hyseni janë vrarë duke e kërkuar atë. Duke kërkuar Zejnien, Mihanen dhe Antigonen, policët i kishin zënë dhe akuzuar si pjestarë të UÇK-së. Habibi ua përseriste se kishin dalur të kërkojnë trupat e gruas dhe vajzave. Ata e kishin pyetur Habibin pastaj për djalin Dr. Sami Deliun, ngase doktorët ndiqeshin me akuzë se ndihmonin UÇK-në.(Fati i Dr, Lec Ukës para disa ditësh në Qycavicë flet më së miri për këtë, Autori). Habibi u ishte përgjigjur se Samiu ishte në Prishtinë. Ata fillojnë ta godasin dhe Habibi bjen për tokë dhe pastaj polici nxjerr revolën dhe e qëllon atë. Hyseni, që kishte probleme mentale, duke iu akorduar anëtarëve të familjes, kur e sheh vëllaun e vrarë fillon të bërtas pa kontroll. Po pastaj edhe ai do të qëllohet nga dy plumba në kokë. Floria i tha Zejnies se Mentori ka vrapuar drejt Habibit, por polici e shtyri duke i thirrur: “Bezhi!”, vogëlushit. Habibi ishte maltretuar rënd. Trurin e kishte jashtë. Ishte prerë me thikë në shpinë. Një gjë është me rëndësi se Habibi kishte përmendur emrin e Xhafer Qorrit, që ishte prezent aty, në uniformën policore serbe, i cili pastaj do të mund të dëshmonte për kryerësit e kësaj vepre. Por, Xhaferi nuk do ta bëjë kurrë këtë , sepse ai do të vritet bashkë me dy serbë lokal, më 11 dhjetor 1998, te trafostacioni kryesor në Gllogovc. Më 29 shtator, u thanë Vëzhguesve për të Drejtat e Njeriut disa anëtarë që mbijetuan masakrën nga familja Deliu se mungonin ende dy vajza të reja 14, respektivisht 16 vjeçare; Antigona dhe Mihane Deliu. Trupat e shkatërruar të dy vajzave u gjetën më 4 tetor 1998 nga anëtarët e familjes Deliu. Vëzhguesit e vizituan vendin ku u gjetën trupat e tyre. Ishte mbarimi i rrugës për në Likoc, ku serbët kishin ndërtuar një bunker, që kontrollonin rrugën. Aty u gjet një karikator i zbrazët i armëve të prodhimit jugosllav 7.62 mm. Dyshimet nga familjarët dhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut për dhunimin e vajzave para se të vriteshin, nuk mund të konfirmohen nga Vëzhguesit për të Drejtat Njerëzore.
Vrasja e Driton Hysenajt
Për shkak të luftimeve të ashpra në Abri të Epërme dhe përreth, të premten, më 25 shtator, rreth 150 banorë të Lagjes Hysenaj, kishin dalur bashkë me gjërat që kishin përdorë në pyll, duke lënë një numër të vogël pleqësh pas. Klani Hysenaj kishte ngritur një kamp në pyllin e quajtur në gjuhën shqipe, Brija e Tërdecit, më pak se një kilometër nga lagja e tyre, duke qëndruar atje për dy ditë me radhë. Duke ju akorduar dëshmitarëve të intervistuar nga Vëzhguesit e të Drejtave të Njeriut, në varrimin e Driton Hysenajt, shumica e personave ishin gra, fëmijë dhe pleq si dhe disa burra të moshës së re. Asnjëri prej tyre nuk ishte i armatosur.
Të shtunën, më 27 shtator, diku rreth orës 11 .00 deri kah ora 3.00 pas dite, forcat serbe kishin vënë në rreth kampin Hysenaj. Daut Hysenaj i cili ishte prezent në pyell, u thotë Vëzhguesve:
Policia i kishte ndarë meshkujt nga femrat, duke i detyruar të zhvishen ata në të njejtin vend. Pastaj i rreshtuan meshkujt dy nga dy dhe i nisën drejt Lagjes Hysenaj.
Gjatë zhveshjes nuk ishin përdorur armët, madje as thikat, rrëfen Brahim Hysenaj, që kishte qenë prezent, por disa kishin marrë të rëna të forta nga kondakët e pushkëve. Nofulla e një burri, Raif Hysenajt, ishte thyer gjatë kësaj kohe. Policët kishin zgjedhur grupin prej 22 meshkujsh, duke i lejuar të visheshin dhe nisur për në Lagjen Hysenaj. Në hyrje të Lagjes i detyruan të ulen. Siç dëshmon Brahim Hysenaj, që ishte një nga 22 meshkujt, aty kishte qindra e qindra policë. Ata u vënin flakën shtëpive përreth, shpjegon Brahimi.
Policët vazhdojnë të rrahin e torturojnë meshkujt e kësaj lagjeje, siç Dëshmon Daut Hysenaj: “Policët filluan të na rrahin përsëri. Ashtu siç ishim të lidhur ata erdhën tek ne. Grupi i parë na shuplakoi, ndërsa i dyti na grushtoi ashpër. Grupi i tretë na goditi me kondakë të automatikëve. Kjo zgjati reth 15-30 minuta…”
Pas kësaj torture çnjerëzore, policët kishin përgatitur një traktor, pasi kishin djegur gjithë ushqimin e gjetur në rimorkio. Na urëdhruan ashtu të lidhur dy nga dy të ngjitemi në rimorkio, duke na nisur nëpër rrugën e përbaltur drejt Likovcit, ku ishte një bazë e ofenzives së qeverisë. Daut dhe Brahim Hysenaj të intervistuar ndaras e shpjegojnë njësoj rastin më rrënçethës të vrasjes me thikë të një djaloshi të ri, Driton Hysenajt.
Brahimi thotë:
“Gjatë rrugës për në Likovc, ne duhej të kalonim nëpër Lagjën Delijaj, ku pamë policët duke djegur shtëpitë përgjatë gjithë rrugës, Drejtuesi i traktorit do të ndalet, që t’i lejoi kolegët të shfryhen në ne. Ata nuk na kursyen duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për të na goditur, madje edhe me hunjë.” Kur meshkujt kishin arritur në Likovc, disa policë kishin thirrur se traktori bartëte pjestarë të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës. Pa pritur, një polic i paidentifikuar, sipas Dautit dhe Brahimit, kërcen në rimorkio dhe e kap për flokësh 16 vjeçarin Driton Hysenaj dhe i pret fytin me thikën e gjatë që mbante në dorën tjetër. Unë kisha qorapët e bardha dhe ato u bënë të kuqe nga gjaku. Tjetri polic i pren litarin me të cilin ishte lidhur djaloshi tjetër për Dritonin, Qerimi, i cili ishte tmerruar dhe u shty larg nga polici i frikësuar se edhe ai do të pësoi njësoj. Krahu i tij ishte thyer nga goditjet që kishte marra më herët.
Duke iu akorduar Brahim Hysenajt, që ishte oficer rezervë i ish Armatës jugosllave, polici që kishte prerë në fyt Dritonin mbante uniformë ngjyrë kafeje, të zezë dhe të kamufluar të verdhë dhe kapelë të errët në kokë, që nënkupton se këto uniforma ishin karakteristike për forcat speciale antiterroriste SAJ (Specialne Antiteroristicke Jedinice). Trupi i Dritonit ishte larguar nga disa policë, duke mbetur i zhdukur deri më 13 nëntor 1998, kur kufoma e tij u gjet në një varr, jo shumë të thellë në Likoc, nga disa fshatarë që përpiqeshin të rindërtonin shtëpitë e rrënuara…”
(Përktheu dhe përshtati nga anglishtja: Blerina Demaku.(4)
(…)
Lexoni të plotë këtë raport në anglisht:
(GORNJE OBRINJE: MASSACRE IN THE FOREST [An extract from the Human Rights Watch Report – A Week of Terror in Drenica: Humanitarian Law Violations in Kosovo]. (6)
http://www.ess.uwe.ac.uk/kosovo/kosovo-massacres6.htm

__________________________
Burimet:
1. KMDLNJ: Krimet e luftës në Kosovë 1998 – 1999, Monografi 1, Prishtinë, 2010 – faqe 271./ Historia e Drenasit: Wikipedia http://kk.rks-gov.net/gllogoc/City-guide/History.aspx.
2. Agjencia shtetërore e Arkivave të Kosovës – Krimet e Serbisë në Kosovë 1998 – 1999, Libri 1, Prishtinë 2010, fq.163.
3. Sheradin Berisha: Masakra e Likoshanit, Ҫirezit dhe Prekazit të poshtëm – krime të pandëshkuara! – pashtriku.org.
4. Fadil Demaku: Abria e stinës së armëve, Virgjinia, USA, Shtator 2004 – Botim i autorit.
5. Human Rights Watch: Trupat e viktimave – dëshmi të qarta të kasaphanës, “Koha Ditore”, 30.9.1998; Human Rights Watch, Një javë e terrorit në Drenicë, shkurt 1999.
6. GORNJE OBRINJE: MASSACRE IN THE FOREST [An extract from the Human Rights Watch Report – A Week of Terror in Drenica: Humanitarian Law Violations in Kosovo]. http://www.ess.uwe.ac.uk/kosovo/kosovo-massacres6.htm.

=============================

LEXONI PJESËN E PARË
MASAKRA NË ABRIA TË EPËRME – KRIM I PANDËSHKUR!
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1724

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura