KOMPLEKSI MEMORIAL NË KRUSHË TË MADHE

KOMPLEKSI MEMORIAL NË KRUSHË TË MADHE

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 29 gusht 2021

– Një histori e shkurtër për gjenocidin serb të kryer në fshatin Krushë e Madhe

Krusha e Madhe shtrihet rreth 10 km në jug të Rahovecit (në rrafshin e Anadrinit) përgjatë aksit rrugorë Prizren – Gjakovë. Territori i Komunës së Rahovecit shtrihet në pjesën jug-perëndimore të Kosovës dhe në pjesën qendrore dhe jugore të Rrafshit të Dukagjinit. Kjo komunë në veri kufizohet me Klinën, në lindje me Therandën (ish-Suharekën), në pjesën jugore me Prizrenin, ndërsa në pjesën perëndimore kufizohet me komunën e Gjakovës.

Sipas statistikave të vitit 2002, Komuna e Rahovecit i ka diku 276 km2 me 76.577 banorë. Në aspektin regjional, territori i komunës së Rahovecit përfshihet në regjionin e Prizrenit bashkë me komunën e Sharrit dhe të Therandës (ish-Suharekës). Bazuar në numrin e banorëve, Krusha e Madhe është fshati më i madh në trevën e Anadrinit.

***

Fillimi i bombardimeve të NATO’s, mbi caqet ushtarake-policore serbe në mbrëmjen e 24 marsit 1999, në mbamendjen e popullit shqiptarë të Kosovës, përbën uvertyrën e një periudhe me përmasa të mëdha gjenocidi e etnocidi. Një nga rajonet më të para, që do të goditej pamëshirshëm nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe është rajoni i Anadrinit.

Gjatë punës sime hulumtuese në këtë rajon, kam mësuar se, pas fillimit të bombardimeve të NATO’s, në mbrëmjen e 24 marsit 1999, diku rreth orës 23-24, forca të mëdha policore – ushtarake serbe me mjete të blinduara (tankse, autoblinda dhe mjete tjera ushtarake) e rrethojnë gjithë zonën e fshatrave të Anadrinit. Kjo artileri e rëndë ka lëvizuar nga Prizreni dhe janë pozicionuar në rrugën Xërxe-Fortesë (ish’Bellacerkë) – Rahovecë (në veri), ndërsa rreth orës 3:30 minuta të mëngjesit të 25 marsit, nga Prizreni arrijnë forca të reja serbe, të cilat nga fshatrat Landovicë…, Piranë (në jug) – pozicionohen përgjatë hekurudhës së trenit që shtrihet përskajë rrugës magjistrale Prizren – Gjakovë, deri te udhëkryqi i fshatit Xërxe dhe në këtë mënyrë Anadrini futet në një rrethim të hekurt.

Artileria e rëndë ushtarake serbe, fillimisht do ta bombardoj gjithë zonën, dhe pastaj njësitë e këmbësorisë me ndihmën e serbëve lokalë hap pas hapi do të hynin brenda fshatrave të kësaj zone. Kjo strategji u realizua edhe në fshatin Krushë e Madhe.

***

Më 25 – 27 Mars 1999 në Krushë të Madhe janë vrarë dhe zhdukur pa lënë gjurmë 241 persona të moshave të ndryshme. Prej tyre 206 persona janë nga Krusha e Madhe, ndërsa 35 të tjerë nga fshatrat përreth që kishin gjetur strehim aty.

Pas përfundimit të luftës, një ekip i Tribunalit të Hagës bashkë me patologët anglezë, në Krushë të Madhe zhvarrosën 171 kufoma dhe mbetje mortore, të cilat u gjetën në 8 varreza masive, 2 krematoriume dhe në shumë varreza individuale.

Nga ky numër i të zhvarrosurve janë identifikuar 86 persona, ndërsa 85 të tjerë që kryesisht ishin mbetje (eshtra) të karbonizuara nuk janë identifikuar, dhe ashtu janë varrosur. Në mesin e të vrarëve dhe të masakruarve janë 7 fëmijë dhe 5 femra, kanë mbetur 500 fëmijë jetimë, ndërsa 25 persona kanë marrë plagë të rënda trupore.

Ndërkaq, pas luftës 121 persona konsideroheshin të zhdukur, mirëpo gjatë këtyre viteve janë gjetur edhe 53 kufoma, ndërsa mungojnë edhe 68 persona, në mesin e tyre edhe Ukshin Hoti. (Këtë vit janë gjetur edhe 5 kufoma, ndërkaq 63 kufoma tjera ende mungojnë (janë të pagjetur)

***

Në gjenocidin e Krushës së Madhe, përveç forcave ushtarake dhe paramilitare, kanë marrë pjesë, edhe serbët nga Rahoveci, Hoqa e Madhe dhe nga Krusha e Vogël. Disa nga emrat e atyre që kanë marrë pjesë në vrasjen, ekzekutimin dhe masakrimin e mashkujve të Krushës së Madhe janë:

– Goran Radosaleviq-Guri, komandant i njësive speciale;

– Sava Petroviq nga Prizreni,

– vëllezërit Sava dhe Nebojsha Matiq;

– Angjelko Kollashinac, ish prefekti i komunës së Rahovecit, i cili ka qenë edhe i akuzuar për krime lufte;

– Sveta Tasiq nga Krusha e Vogël;

– Boshko Stefanoviq, nga Krusha e Madhe, etj.

Lista e kriminelëve nuk mbaron këtu, ka edhe shumë serbë tjerë lokalë, të cilët kanë marrë pjesë në krime, dhe dëshmitarët e Krushës së Madhe pas luftës i kanë denoncuar emrat e tyre, pranë organeve të drejtësisë, si në Tribunalin e Hagës, në UNMIK, te Policia e Kosovës, në KFOR, EULEX etj. Mirëpo për fat të  keq, deri më sot, s’është dënuar asnjë kriminelë, për këto krime të tmerrshme!

***

Deri në vitin 1999 Krusha e Madhe kishte 1000 shtëpi, 863 prej tyre janë djegur e shkatërruar, është djegur Xhamia e fshatit, (e ndërtuar në shek.XVI), shtëpia e kulturës, një mulli i vjetër, një objekt i shkollës fillore si dhe shumë objekte tjera kulturore, private – afariste.

Gjithashtu janë djegur makina dhe një pjesë e tyre janë plaçkitur, madje janë djegur edhe shumë kafshë shtëpiake. Gjatë kohës së luftës, disa lokacione të Krushës së Madhe janë minuar dhe pas luftës është bërë deminimi i tyre nga TMK’ja, Karitasi dhe KFOR’i.

Ky gjenocid mbi banorët e Krushë së Madhe më së shumti i ka goditur 6 familje, të cilat kanë mbetur pa asnjë mashkull në shtëpi. Në mesin e tyre është familja e Zejnullah Hotit, i cili është vrarë e masakruar bashkë me djemtë e tij: Isakun dhe Azemin dhe familja e Abdullah Ramadanit, e cila ka humbur 3 djemë: Ramadanin, Asllanin dhe Isufin.

***

*/Pas përfundimit të luftës (qershor 1999) në ambiente të ndryshme të Krushës së Madhe janë gjetur disa varreza me kufoma të vrarë, të masakruar e të djegur:

1. Në oborrin e Murat J.Krasniqit, u gjetën 11 kufoma,

2. Te Mali i Sylë Fetës – 22 kufoma,

3. Te prroi i axhi Sinanit – 9 kufoma,

4. Te varrezat e fshatit – 10 kufoma,

5. Te arat e Miftar Zeqirit në Celinë – 8 kufoma,

6. Te shtalla e Nebi Shalës – 18 kufoma të djegur – karbonizuar,

7. Te oborri i Axhi Jeminit – 5 kufoma,

8. Te shtëpia e Myedin Durakut, 63 kufoma të djegur – krabonizuar,

9. Në oborrin e Durakëve – 7 kufoma,

10. Në shtëpinë e Ibrahim U.Hotit – 4 kufoma.

”’

Sa për ilustrim shikoni këtë videomaterial:

***

Këto dëshimi i sigurova më 21 gusht 2012, nga Prof.Kadri Dellova (tashmë i ndjer) kryetar i Komisionit për zbulimin e varreve masive në Krushë të Madhe.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura