BLERINA DEMIRI: KOMUNIKIMI POLITIK SI PARADIGMË SOFISTIKE!

Tetovë, 13 nëntor 2018: Paradigma sofistike nuk është një term i ri në politikë, madje do thosha që është mjeti më i përdorur për të fituar betejën drejt pushtetit nëpërmjet elokuencës dhe karizmës poetike. Kjo bën që gënjeshtra të jetë aq e vërtetë sa të merret si e besueshme. Spektri ynë partiak ka humbur sensin e një komunikimi politik racional dhe konstruktiv, ku fjalët, intelektualizmi dhe premtimet do ishin element konkret i një dialogu mes politikanit dhe qytetarit dhe jo vetëm skemë mediatike e cila lë në terr realitetin politik.
***
Dëshira për të jetuar në demokraci sot është një petk që çdo qytetar global dëshiron t’ia veshë sistemit politik të cilit duhet t’i bindet dhe kjo jo pa shkak. Shoqëritë demokratike konsistojnë në shoqëri të cilat arrijnë të realizojnë vetveten nëpërmjet gjuhës së pushtetit si element kyç i të ashtuquajturës demokraci.
Element tjetër jo pak i rëndësishëm është edhe vetë konceptualizimi i pushtetit, të cilin politikëbërësit duhet ta ruajnë me fanatizëm. Kjo arrihet vetëm duke e konsideruar pushtetin si “tokë e askujt”, pra të mos qenit bashkësubstancial i tij. Në momentin që koncepti mbi të shtrembërohet, demokracia nuk mund të ekzistojë si e tillë.

Detyra permanente e shoqërive demokratike është krijimi dhe ekzistimi i një opinioni real që do vlerësonte “produktet” e politikës, gjegjësisht politikëbërësve. Politikëbërësit, më saktësisht politikanët janë ata që synojnë pushtetin për arsye të ndryshme “kolektive” shpesh edhe “individuale”, gjë për të cilën domosdoshmërisht duhet t’i nënshtrohen një procesi demokratik dhe të kahershëm siç janë zgjedhjet.
Këto të fundit i japin të drejtë qytetarit dhe të ngjashmit të tij të krijojë ose të mohojë një qeveri apo politikë të caktuar, njashtu siç i japin të drejtë personave racionalë, jo racionalë, politikisht të denjë apo të padenjë të konkurrojnë drejt të qenit “lider”. E në fakt kur flasim për “liderët” mund lirisht të themi se janë ata që hedhin themelin dhe përurojnë çatinë e realitetit politik.
Por cilët janë këta liderë?
Ata që i mban gjallë lavdia apo frika, ata që i udhëheq morali apo dëshira e pamposhtur për pushtet, ata që i personifikon fjala e mbajtur apo fjala e dhënë?
Në momentin kur arrijmë të kuptojmë cili është njëri dhe cili është tjetri, e vërteta është më e lehtë për t’u pranuar apo evituar. Ajo që krijon katrahurën e vërtetë politike është një maskim i tejskajshëm i së keqes dhe zbukurimi i saj deri në detaje aq sa merret si e mirë e përgjithshme.
Ajo që bën bashkë qytetarin me pushtetin është komunikimi politik, i cili përpunohet me mjeshtëri të plotë për të prekur jo vetëm veshin e popullit por edhe mendjen dhe zemrën e tij. Ky lloj komunikimi është përbërësi kryesor i figurës së liderit i cili mund të jetë imponues ose bindës.
Rrjedhimisht ndër vite, si popull gjithmonë kemi ushqyer besimin tek një figurë “e rëndë” politike, nga ata me thinja e me mjekër, nga ata që bërtasin e vrasin për atdhe, nga ata që të rrahin shpinën e të pinë gjakun, me ose pa vetëdije. Kjo iu ka dhënë hapësirë shumicës prej tyre të jenë imponues në atë që thonë, duke qenë të bindur për kredibilitetin e plotë nga ana e popullit. Janë ata liderë për të cilët Makiaveli do hiqte kapelën duke arsyetuar mjetet me të cilat është arritur qëllimi. Fundja përse të mos jenë imponues kur e gjithë kjo rezulton në bindje të plotë?
Nga ana tjetër të jesh lider i fjalës së mirë dhe premtimit të mbajtur nuk jep përshtypjen e një politikani të vërtetë siç e do populli, prandaj detyrimisht tërhiqesh apo bëhesh pjesë e brumit politik.
Një fenomen i tillë nuk ka vyshkur vetëm demokracinë në vendet tona, por edhe më gjerë, fenomen i cili nuk është gjë tjetër veç shndërrim i komunikimit politik në paradigmë sofistike.
Paradigma sofistike nuk është një term i ri në politikë, madje do thosha që është mjeti më i përdorur për të fituar betejën drejt pushtetit nëpërmjet elokuencës dhe karizmës poetike. Kjo bën që gënjeshtra të jetë aq e vërtetë sa të merret si e besueshme. Spektri ynë partiak ka humbur sensin e një komunikimi politik racional dhe konstruktiv, ku fjalët, intelektualizmi dhe premtimet do ishin element konkret i një dialogu mes politikanit dhe qytetarit dhe jo vetëm skemë mediatike e cila lë në terr realitetin politik.
Në mungesë të një analize të mirëfilltë nga ana e vetë qytetarit i cili shihet si votë e mundshme në elektoratin zgjedhor, e bën atë që t’i nënshtrohet apo më saktësisht pajtohet me atë që përcillet nga komunikimi më shumë fiktiv mediatik se sa real politik.
Kjo lloj paradigme sofistike fshin nga piktura e aktualitetit çdo mendim ndryshe, çdo ideal të kundërt me atë të “liderit”, çdo dëshirë për të dialoguar, duke krijuar një tërësi realitetesh subjektive detyrimisht të njëjta.
Për aq kohë sa politika do të jetë tele-politikë, demokracia nuk mund të lulëzojë, sepse thelbi i saj nuk është pushteti e as monologu, por qytetari demokrat dhe liria e dialogimit me pushtetin.
______________
KUSH ËSHTË BLERINA DEMIRI
Blerina ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar në Universitetin e Evropës Juglindore. Gjatë kohës kur vijonte mësimet në Gjimnazin e Tetovës, ka qenë kryeredaktore e revistës “Gjimnazisti”. Ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e trajnimeve të shumta mbi komunikimin, artin e të folurit dhe politikën. I është bashkangjitur rrjetit PanAlbanica me të njëjtin pasion që ka për fjalën e shkruar shqipe. Në kuadër të programit Erasmus+ për shkëmbim studentor, gjatë vitit 2017, ka qëndruar për një semestër në Institutin Katolik të Studimeve të Larta (Institut Catholique d’Etudes Superieures) në Francë, ndërkaq një vit më vonë në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Lubjanës. Aktualisht vazhdon studimet pasuniversitare në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë./ PanAlbanika

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura