BLERINA ROGOVA – GAXHA: HEROINAT, MBETËN VETËM VIKTIMA, NDËRSA KEMI QEVERI QYQARE E SHOQËRI QYQYRE!

Prishtinë, 08. 09. 2014: Nga gjithë të fshehtat e luftës, ka një sekret që aq mirë mbahet saqë ekziston kryesisht në kufijtë e thashethemes. Dhuna seksuale është një nga armët më të tmerrshme të luftës, instrumenti më i keq i terrorit i përdorur ndaj grave. Në panjerëzinë e luftërave, kjo është mbase ana më çnjerëzore. Nga përdhunimet e grave për qëllime hegjemonie dhe përdorimin e tyre si “plaçka lufte” në shekujt e mëparshëm, në konfliktet moderne ato janë shndërruar në mjete orkestrimi të luftës. Trupat e femrave janë bërë pjesë e terrenit të luftës. Kështu ka ndodhur edhe në Kosovë.
Vajzës së dhunuar disa herë dhunuesi serb thuhej t’i ketë thënë “ty, që ishe e virgjër do të të marrë në Serbi të m’i lindësh çetnikët serbë, bash ashtu siç e do kryetari jonë!” Nëna, para të cilës e dhunoi, duke dhënë shpirt i la amanet “me rrnu për me tregue”! Ajo e kallëzoi historinë që është dhe historia e rreth njëzetmijë femrave të Kosovës. Kështu thonë numrat, më pak e më shumë, por ato ishin e vazhdojnë të jenë pa gojë.
Njëherë e kanë vrarë ata. Policë, ushtarë e paramilitarë serbë. Dy herë e ka vrarë familja, trefish e ka vrarë rrethi e mentaliteti. Kjo është historia pas. Asnjë nga ato nuk ka mundur të dalë me emër e me fytyrë të flasë për krimin. Ambienti kosovar e mohon dhe e refuzon femrën e dhunuar të luftës.
E mbulon si ta mbulonte me ferexhe të turpit dhe gojën ia mbyll. Kjo është çështje e sociumit. Kjo është ajo që jemi. Dhe ne i kemi injoruar.

Ato s’u quajtën kurrë heroina, mbetën vetëm viktima.
Nga përdhunimi sistematik i grave në Bosnjë, të qindra mijëra gra të dhunuara gjatë konflikteve të vonshme në botë, në Irak, Sudan, Çeçeni, Nepal, Afganistan e Siri deri te Kosova e vogël, ku përdhunimin pushtuesi e ka përdorur për të përjetësuar “kontrollin” social, për ta poshtëruar e për të shkatërruar komunitetin kundërshtar, për ta vrarë shpirtin e tij dhe për të çuar në vend strategjinë e shfarosjes etnike të shqiptarëve.
Ka në historinë e antikitetit një legjendë për gruan fisnike Lukrecia, e cila joshi artistë të shumtë të botës me historinë e saj të dhunës e të vetëvrasjes si pasojë.
Historitë e grave të dhunuara në luftën e fundit në vendin tonë janë të pafundme. Por çfarë saktësisht është bërë për to? Akoma nuk ka një raport ndërkombëtar për krimet seksuale në Kosovë dhe me këtë mungon drejtësia e krimeve serbe. Dhunuesit rrojnë si çdo njeri tjetër i lirë, barrën e bart vetëm Ajo. Akoma nuk ka asnjë memorial që i nderon.
“Heroinat” i vetmi memorial për të cilin u fol, u bë mollë sherri mes grave të pushtetit, e Qeveria u bë shumë cikërrimtare, se i dhimbsen t’i japë eurot. Qeveria nuk ka kohë e “këllçe” të merret me gratë e dhunuara. Qeveri qyqare e shoqëri qyqare.
Këtë ia ka lënë në dorë artistëve, regjisorëve e muzikantëve, që nganjëherë të arnohen e të krijojnë historinë mbi temat që janë tabu.
Këtë luftë bën edhe personazhi i Isa Qosjes, një mësuese fshati në filmin “tri dritare dhe një varje”. Lushja lufton veç për kthimin e dinjitetit, për drejtësinë, jo për jetën. Atë e ka humbur.
Po kështu, luftonin edhe fëmijët e familjes Bogujevci në një ekspozitë në kryeqytetin serb, që shpërfaqte historinë e dhimbjes kosovare. Homazhi për familjet dhe viktimat e luftës çoi peshë mediet në Serbi, ndërkaq gazetarët e historianët i çoi në frontin e luftës, duke akuzuar se ekspozita që fliste për një masakër është provokim dhe propagandë brutale.
Kryeministri serb derisa bënte thirrje për dënimin e krimeve të kryera në të gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë “edhe në Zagreb, edhe në Knin, edhe në Sarajevë, edhe në Banjallukë, edhe në Prishtinë”, tha edhe se “krime janë kryer nga të dyja anët”.
Dekada mizore, politike e historike, janë në themelin e secilit prej nesh. Kufijtë e padukshëm të kontradiktave që krijojnë mendësinë ballkanike dhe ankthi i luftës së tyre me vetveten nuk lejojnë e kushedi edhe për sa kohë s’do të lejojnë krijimin e taborit të përshtatshëm të përballjes.
Nxitja e dialogut publik në Kosovë për dhunën e ushtruar mbi gratë e luftës, e nxitja e dialogut në Serbi për të vërtetën, llogaridhënien e kërkimin e drejtësisë për të gjitha viktimat e pafajshme të luftës, duket larg.
Të gjithë janë shndërruar në përdhunues. Çetnikët serbë dhe ushtria e kuqe… Banditët e Aleksandrit të madh e deri te “të pagjakët” e ISIS që i shesin gratë për 25 dollarë. Të gjithë kundër trupit e shpirtit të gruas në këtë botë maskiliste. Një botë përdhunuese kundër gruas që i është mbyllur goja. Kështu ka ndodhur edhe në Kosovë. Ato akoma nuk flasin dhe, ndoshta, rrëfimin për copëtimin e trupit dhe vrasjen e shpirtit do t’i bartin me vete në varr!
Sensacionet çojnë në fronte lufte, derisa Ballkani mbetet “sfinksi” që buzëqesh me ironi.

………………………………………………….

Gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë

Fakte dhe dëshmi të Grave të dhunuara gjatë luftes në Kosovë

————————————————

(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura